Humbje? Po në Dunkirk lindi Evropa…

Historia

Humbje? Po në Dunkirk lindi Evropa…

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 06:49
ilustrim

Flet historiani, në librin e të cilit bazohet filmi “Dunkirk”, që tani kandidat për Oscar. Përgjigje për rusët që e konsiderojnë “burracakëri të britanikëve” evakuimin më të madh të historisë. Dhe si ndodhi që një humbje në betejë, u transformua në një klishe për rezistencën dhe fitoren

“Polemika ka patur dhe ishte e pashmangshme, por filmi i Christopher Nolan nuk ishte një dokumentar historik. Eshtë një film mbi atë që ka qenë një prej ngjarjeve të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, ndoshta më pak e rrëfyera. Jo një film historik dhe as edhe një film lufte, të paktën në kuptimin klasik të fjalës. Përqëndrohet tek disa personazhe, rrugët e të cilëve kryqëzohen rastësisht, e që rrëfejnë atë që ndodhi. Gjë që historianët më të vëmendshëm e kanë pranuar plotësisht”.

Joshua Levine, historian anglez (me një të kaluar si avokat dhe aktor teatri) nuk ka qenë vetëm konsulenti dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i regjisorit të filmit Dunkirk. Eshtë edhe autori i librit prej ku Nolan mori shtysën dhe që, i shkruar dhe ripërpunuar gjatë xhirimeve të filmit (sukses i madh në SHBA, që tani kandidat për Oscar) rrëfen dhe shpjegon domethënien që pati për Britaninë e Madhe (dhe jo vetëm) evakuimi më i madh i ushtarakëve dhe civilëve që ka ndodhur në histori.

Dikush ju ka akuzuar se nuk keni marrë parasysh heroizmin francez dhe se keni fshehur rolin e ushtarëve indianë në ushtrinë britanike.

Në fillim të filmit, kur hyn në skenë protagonisti i parë anglez, janë francezët që mbrojnë perimetrin e Dunkerque, kjo është gjëja e parë që shihet. Nuk është detyrë e këtij filmi që të rrëfejë të gjithë epopenë e Dunkerque, protagonistët tanë shohin atë që shohin dhe kjo nuk do të thotë që pjesa tjetër nuk ka ekzistuar. E njëjta gjë vlen për pjesëtarët e Royal Indian Army Service Corps, edhe pse jo shumë prej tyre kanë luftuar në Francë dhe shumica ishin evakuuar në Britani, shumë kohë përpara se të niste operacioni Dynamo. Ndoshta një regjisor tjetër do të ishte ndalur tek ata, por kjo nuk do të thotë aspak që kemi “zbardhur” Dunkirkun.

Për rusët, filmi lartëson “burracakërinë e britanikëve”.

Unë mendoj se është e kundërta. Nënvizon aktet e shumtë të heroizmit individual që lejuan evakuimin e 340 mijë ushtarëve. Po të mos ia kishin dalë, Britania e Madhe me siguri do të ishte detyruar që të bënte paqe me Gjermaninë, nuk do të kish patur ndoshta një front të dytë me ndërhyrjen amerikane dhe sovjetikët do të kishin luftuar të pandihmuar më tej. Ishte një gjë e mirë për fatin e të gjithë kombeve – dhe të gjithë botës sot – që evakuimi i Dunkerque ndodhi me sukses. Dhe suksesi i tij është në fokus të këtij filmi.

Çfarë është “shpirti i Dunkerque”?

Në Britaninë e Madhe sot është bërë pak si klishe. Dunkerque si betejë ishte një humbje e tmerrshme për britanikët, francezët dhe belgët. Suksesi i madh ishte operacioni i shpëtimit dhe ai që mundësoi rikthimin në shtëpi të mijëra ushtarëve.

Në çfarë kuptimi?

Ishin të dekurajuar, një ushtri në tërheqje, por nga ai moment u bënë simbol i rezistencës angleze. Falë tyre, rrëfimeve të tyre, njerëzit kuptuan se ishim ende në luftë, që nuk kishim humbur, që kishim një shans. I ashtuquajturi “shpirti i Dunkerque” lindi spontanisht, më pas e përvetësuan politikanët, drejtuesit ushtarakë, por edhe Kisha që foli për “mrekulli”. Dhe pikërisht kështu, në dekadat që pasuan, një humbje u shndërrua në fitore, në një karakter themelor të heroizmit, kurajës britanike, duke krijuar mitin e popullit që nuk dorëzohet, që shkon përpara me çdo kusht, edhe kur gjërat shkojnë keq.

A është e vërtetë që “shpirti i Dunkerque” u përdor gjatë Brexit?

Shumë e vërtetë. Kush ishte në favor të Brexit – shfrytëzoj rastin që të kërkoj falje në emër të gjysmës së popullit tim – e përvetësoi, për të treguar se jemi më mirë pa Evropën, a thua në 1940, gjërat për ushtarët britanikë do të kishin shkuar më mirë, sikur të mos kishin qenë francezët dhe belgët. Një arsyetim shumë i rrezikshëm, një pasojë që vjen kur historia studiohet apo rrëfehet keq.

Në cilin kuptim është ende aktual Dunkerque?

Në problemin e imigrimit. Në vitin 1940, Britania e Madhe u pushtua nga një valë e precedentë refugjatësh. Francezë e belgë, por edhe njerëz të kombësive shumë të ndryshme. Pikërisht atëherë Londra, që deri në atë kohë kish parë si të huaj vetëm disa irlandezë, u bë një qytet vërtetë kozmopolit. Atëherë ishim shumë tolerantë, sepse ishim të vetëdijshëm për atë që po ndodhte. Fatkeqësisht, njerëzit marrin nga historia vetëm atë që u pëlqen më shumë.

Ju keni shkruajtur se në ato plazhe ishte e gjithë bota. Çfarë doni të thoni?

Që atje kishte njerëz të çdo lloji, të çdo klase shoqërore, me ideale të ndryshme. Historia e çdonjërit prej tyre është një gjë e ndryshme, këtë e kuptuam kur bashkë me Nolan takuam veteranët e fundit. Nuk ka vetëm një histori të Dunkerque, ka me qindra-mijëra. / La Repubblica – Bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat