Deklarata revoltuese e Ismail Qemalit ndaj Esat Pashës në revistën franceze “Le Temps”, prill 1913 - Bota Sot
Deklarata revoltuese e Ismail Qemalit ndaj Esat Pashës në revistën franceze “Le Temps”, prill 1913

Historia

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Deklarata revoltuese e Ismail Qemalit ndaj Esat Pashës në revistën franceze “Le Temps”, prill 1913

Nga: Aurenc Bebja Më: 28 nëntor 2017 Në ora: 09:37
Trupat e Esat Pashës nuk do t’i qëndrojnë besnike, vetëm një pjesë i përkushtohet atij personalisht, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet.

Deklarata në vijim është botuar të martën e 29 prillit 1913 në faqen e gjashtë të gazetës franceze “Le Temps”, me qendër në Paris.

Ismail Qemali, asokohe kryeministër i përkohshëm i qeverisë shqiptare, gjendej në kryeqytetin francez dhe përfiton nga rasti t’i japë një deklaratë gazetarit me inicialet L.G. për të shprehur pakënaqësinë ndaj Esat Pashës dhe rrezikun në të cilin gjendej tashmë Shqipëria.

Ja deklarata në vijim:

“Nëse ngjarjet e raportuara janë të sakta dhe fakti se Esat Pasha është larguar nga Shkodra me trupat, armët dhe pajisjet e tij, kjo mund të konfirmojë marrëveshjen e lidhur midis mbretit të Malit të Zi dhe atij. – Ka vetëm dy fjalë për të përshkruar këtë akt : kjo është tradhëti dhe çmenduri!

Tradhëti, sepse ai i pret krahët Shqipërisë duke braktisur Shkodrën dhe për faktin se ai e bën praktikisht vendin tonë një zonë aneks të Malit të Zi dhe të Serbisë.

Çmenduri, sepse ai na vë në pozitë të vështirë për të vazhduar negociatat me qëllim për të fiksuar kufijtë tanë pikërisht po në momentin e krijimit të pavarësisë sonë.

Përveçse ai vë në lojë rrezikshëm pavarësinë, veprimi i tij bie ndesh me interesat dhe bindjet ndërkombëtare të Evropës, e cila është duke punuar në formimin e kombësisë sonë dhe se vullneti i saj i mirë mund të dekurajohet nga loja teatrale që sapo u realizua.

Unë jam i sigurtë se popullata shqiptare, kur të kuptojë pasojat e qëndrimit të Esat Pashës, nuk do ta ndjekë atë.

Sigurisht që Esat Pasha i përket një prej familjeve më të mira shqiptare, por ai nuk ka një ndikim të mjaftueshëm për të fituar. Sa për Xhavit Pashën, me të cilin (Esati) mund të ketë lidhje, ai nuk është shqiptar.

Trupat e Esat Pashës nuk do t’i qëndrojnë besnike, vetëm një pjesë i përkushtohet atij personalisht, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet.

Qeveria e përkohshme, që unë drejtoj dhe e cila proteston kundra këtij atentati ndaj pavarësisë sonë të sapolindur, do të mbështetet edhe nga kontigjentet e Beratit dhe Elbasanit.

Sa për Evropën, ajo nuk mund të anojë në favor të gjendjes aktuale, sepse bie ndesh me interesat dhe konventat ndërkombëtare, të cilat ajo ka për mision ti ekuilibrojë. Pavarësia jonë përfshin integritetin e tokave shqiptare, të kërkuar edhe nga Austria, të cilës i jemi mirënjohës për ndërhyrjen e saj në favorin tonë, edhe pse ne nuk pranojmë të jemi në kujdestarinë e një shteti tjetër.

Ne duam të shkojmë mirë me të gjithë, si me Evropën dhe me fqinjët tanë sllavë, me të cilët ne e kuptojmë nevojën për të formuar një bllok të fortë dhe të qëndrueshëm në interes të pavarësisë sonë”.

Në përfundim të intervistës, Ismail Bej Qemali i ka thënë gazetarit L.G. se po nisej po atë ditë për në Londër me qëllim për të shprehur pikëpamjet e Qeverisë së përkohshme shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve.

Burimi: gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania : https://www.darsiani.com/la-gazette/deklarata-revoltuese-e-ismail-qemalit-ndaj-esat-pashes-ne-revisten-franceze-le-temps-prill-1913/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test