Sot më 4 dhjetor 1912 Mehmet Derralla-Kosova me 42 vota u zgjodh ministër i parë i luftës në Qeverinë e Vlorës - Bota Sot
Sot më 4 dhjetor 1912 Mehmet Derralla-Kosova me 42 vota u zgjodh ministër i parë i luftës në Qeverinë e Vlorës

Historia

E enjte, 14 dhjetor 2017

Sot më 4 dhjetor 1912 Mehmet Derralla-Kosova me 42 vota u zgjodh ministër i parë i luftës në Qeverinë e Vlorës

Nga: Prof Dr. Vebi Xhemaili-Tetovë Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 09:18
Mehmet Derralla Ministër i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë

Kuvendi Kombëtar i Vlorës i udhëhequr nga diplomati më i shquar shqiptar Ismail Qemali, pas Shpalljes së Pavarësisë, menjëherë iu rekë punës për themelimin e shtetit modern shqiptar, me tipare të shteteve evropiane. Dy ditë pas Shpalljes së Pavarësisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali propozoi zgjedhjen e organeve drejtuese të shtetit të Ri Shqiptar.

Pasi dështoi propozimi i parë, Ismail Qemali doli me propozim të ri, duke e shtuar numrin e ministrive nga gjashtë në tetë ministri, që u pranua një zëri nga të gjithë delegatët. Në mbledhjen   e tij  të pestë më 4 dhjetor. 

Mbledhja filloi me  3 dhjetor dhe zgjati deri më 4 dhjetor. Senati  kësaj radhe në seancën e pestë arriti të  verifikojë emrat e ministrave të Parë të Qeverisë së Vlorës.  Senati të gjithë kandidatët  e propozuar nga vetë Ismail Qemali i futi në votim të fshehtë, nga 63 delegatë të pranishëm ishin vetëm 57, vendi i tretë i takoi Gjeneralit tetovar i cili mori 42 vota, pas Luigj Gurakuqit, e Mufid Beut.

Në këto rrethana të vështira për Shqipërinë kur disa feudalë shqiptarë për interesa të veta personale e lëshuan Qeverinë e Ismail Qemalit dhe bënin çdo ditë pengesa në funksionimin e qeverisjes dhe demokratizimit të vendit. Disa shkuan aq larg sa që kërkonin si në vend  poashtu edhe nga diplomacitë e e huaja largimin e Ismail Qemalit, si Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, udhëheqës të  i këtij grupi që ishin më të pakënaqur ishte Sureja bej Vlora.. Kjo rrymë erdhi në shprehje pas disa muajve, me formimin  qeverisë së Esat Pashës më 12 shtator 1913, në taborin e Esat Pashës, ku u futën edhe emra të njohur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare: Ndër ta ishin: Preng Bib Pasha, Mehdi Frashëri, Syreja Bej Vlora, Bedri Pejani e tjerë. Pas përfundimit të Kryengritjes së Dibrës, në Qeverinë e  Esatit shkuan edhe Hasan Prishtina, Vehbi Dibra, Dervish Hima, e shumë të veprimtarë të tjerë.

Gjeneralit tetovar, Mehmet Derrallës 69 vjeçar u zgjodh ministër i Parë i Luftës në Qeverinë e Ismail Qrmalit,  i lindur në  Tetovë, që në atë kohë së bashku me Gostivarin ishin pjesë e pandarë e  Vilajetit të Kosovës deri në vitin 1912, me kryeqytet Shkupin.

Pra, Kosova dhe trevat tjera lindore shqiptare deri në Manastir e Ohër  si bartës kryesor të luftës  katër vjeçare e fitoi vetëm një post ministror  me peshë në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemalit.

Më besnik deri në fund të qeverisjes së Ismail Qemalit, ngeli vetëm Mehmet pashë Derralla. Kjo më së miri shihet kur më 30 mars të vitit 1913, Ismail Qemali u nis në krye të delegacionit shqiptar së bashku me; Isa Boletinin, Dhimitër Beratin  dhe Luigj Gurakuqin për zëvendës të tij e la Mehmet Derrallën.

Takimin e parë delegacioni shqiptar i udhëhequr nga Ismail Qemali, delegacioni e pati në Romë më një prill me ministrin e punëve të Jashtme të Italisë San Xhulianon, ku Kryetari i Qeverisë Shqiptare, kërkoi  nga ai sqarim në lidhje me caktimin jo të drejtë të kufijve etnik pas vendimit të 22  marsit,  pasi tani më ishte marrë veshtë se Konferenca kishte lënë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, gjysmën e territoreve të saja. Por ministri italian jo që nuk pranoi kërkesat e delegacionit shqiptar, por u mundua së bashku me ambasadorin austriak në Romë, Mereyt, që ta bindin delegacionin shqiptar që të kthehet prapë për në Vlorë. Delegacioni shqiptar nuk pranoi kthimin prapa, por vazhdoi misionin e tyre nëpër qendrat Evropiane, ku qëndroi përafërsisht tre muaj nëpër shtetet e Fuqive të Mëdha: Romë, Vjenë, Paris, Londër, duke të protestuar kundër vendimeve të padrejta, pasi Fuqitë e Mëdha me vendimin e tyre arbitrarë më 22 mars 1913,  e kishin ndarë Shqipërinë në dy pjesë: të lirë dhe të robëruar.

 Ky vendim arbitrar i Fuqive të Mëdha ishte në kundërshtim me vullnetin e shprehur të popullit shqiptarë të shprehur vullnetarisht nga vetë delegatët e saj në Kuvendin Mbarëkombëtar të Vlorës më 28 Nëntor 1912. Deri sa delegacioni shqiptarë ndodhej në Evropë, qeverisjen e vendit Ismail Qemali, ia kishte besuar Ministrit të Luftës Mehmet Derrallës dhe jo zëvendësit të tij Dom Nikollë Kaçorit. Por, as edhe Kryetarit të Senatit, Vehbi Dibrës.

Mehmet Derralla, ishte dhe mbeti krahu i djathtë i Ismail Qemalit edhe pse mbante postin e Ministrit të Luftës e përkrahu fuqishëm qëndrimin diplomatik të Ismail Qemalit dhe kurrë nuk u pajtua me vendimin e Fuqive të Mëdha. Prandaj ky në bashkëveprim me Isa Boletinin e Ajdin Dragën u dërguan Qeverive të Mëdha një memorandum ku kërkonin, përsëri drejtësi, për rishikimin e kufijve Verilindor nga gjashtë Fuqitë e Mëdha. Në këtë memorandum thuhej: ”Ne nuk mund të rimë të qetë, ku një popullsi prej një milion shqiptarësh mysliman e katolik të bien nën sundimin serbo-malazez, ku përqindja e saj në këto territore shqiptare nuk arrin mbi 5%”, këtë mund ta verifikoni në teren, me dërgimin e një Komisioni të Lartë evropian.

Për qëndrimin atdhetarë të Ministrit të Luftës Mehmet pashë Derrallës, na jep të dhëna i dërguari special i Nikolla Pashiqit, Ballugçiqi, i cili thotë: “Vetëm Mehmet Tetova është më i vendosur kundër bisedave për një marrëveshje të ardhshme shqiptaro- serbe”. Siç dihet  Kryetari e Qeverisë serbe, Nikolla Pashiqi, kërkonte nga Qeveria Shqiptare lidhjen e një marrëveshje  në bazë të së cilës  Beogradi zotohej se  do ti jepte përkrahje Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, në rast se kjo pranonte vijën kufitare që do të caktonte Serbia  dhe nuk do të kundërshtonte kërkesën e saj që Durrësi të caktohej pika tregtare e  Serbisë. Këto kërkesa serbe  i refuzoi  vendosmërisht Ismail Qemali, ky nuk pranoi të takohet as me Ballugxhiqin, e as me ithtarët  e tij në Vlorë. Nikolla Pashiqi e urdhëroi Ballugçiqin që ta prisnin delegacionin shqiptar kur arrij në Milano,  por edhe këtu patën qëndrime tejet  të kundërta për një bashkëpunim të ardhshëm shqiptaro-serb. Ismai Qemali i tha Ballugxhiqit. “se kur shqiptarët nuk do të pajtohen me ata kufij që i ka caktuar Konferenca e Londrës”.

Ministri Mehmet Derralla-Tetova, sëbashku me disa ministra në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemallit, përkrahën fuqishëm çlirimin e vendeve tona nga sundimi serb. Kjo shihet më së miri kur Qeveria e Isamil Qemalit  përkrahu fuqishëm Kryengritjen e Shtatorit e cila filloi në Dibër kah fundi i muajit shtator 1913. Prandaj me themelimin e “Komitetit për çlirimin e viseve të pushtuara”, bënte pjesë menjëherë pas Hasan Prishtinës, Isa Boletinit dhe Mehmet pashë Derralla. Ndërsa djali tij Halim Derralla-Tetova, ishte emëruar udhëheqës i kryengritjes të krahinës lindore nga Dibra, Gostivari, Tetova deri në Shkup.

Më 22 janar 1914, për t’i dhënë fund përçarjes brenda vendit, Ismail Qemali, dha dorëheqje nga Qeveria, ku i dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Kjo ishte një vepër e burrave të mëdhenj, që janë të rrallë në histori. Ky ishte një akt tejet demokratik dhe kombëtar, për të parandaluar situatën përkeqësuar politike në vend. Për këto arsye në fund u largua përkohësisht nga Shqipëria.

Në të njejtën kohë pushoi edhe funksionimi i Ministrisë së Luftës. Mehmet Derralla pas kësaj periudhe u vendos në Durrës dhe pas ardhjes së Princ Vidit në Shqipëri, Mehmet Tetova, së bashku me Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin u bashkuan me qeverisjen e Princ Vidit, për të mirën e Shqipërisë, duke e vazhduar rezistencën e armatosur kundër sunduesve serbo-malazez. Këta vazhduan veprimtarinë e vetë patriotike, në organizimin e luftës deri në vdekje kundër zaptuesve serbo-malazez. Falë këtyre tre udhëheqësve kombëtar u organizua një nga kryengritjet më të mëdha në trevat lindore, e njohur në histori si Kryengritja e Shtatorit e cila filloi në Dibër me rrethinë në vitin 1913 dhe me të shpejtë u zgjerua në tre drejtime: I pari; Strugë-Ohër-Manastir, i dyti; Dibër-Rekë-Tetovë-Gostivar. Drejtimi i tretë Lumë-Prizren-Pejë. Në luftë për çlirim e bashkim kombëtarë që tronditi diplomacinë evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test