Diskutimi i vrasjes të Gjeçovit në Parlamentin e Shqipërisë- 1929 - Bota Sot
Diskutimi i vrasjes të Gjeçovit në Parlamentin e Shqipërisë- 1929

Historia

E enjte, 14 dhjetor 2017

Diskutimi i vrasjes të Gjeçovit në Parlamentin e Shqipërisë- 1929

Nga: Lush Culaj Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 21:09
At Shtjefën Konstantin Gjeçovi

Madhështia e një qyteti apo fshati matet me njerëzit e mëdhenj që i kanë dhënë historisë dhe kulturës së një populli. Së këndejmi qyteza e vjetër e Janjevës ngrihet e lartësohet hijerëndë. Aty u lind më 12 korrik 1873 At Shtjefën Konstantin Gjeçovi, figurë e shquar e kulturës kombëtare shqiptare, mësues, historian, arkeolog, etnograf, shkrimtar e gjuhëtar. Tërë aktiviteti jetësor i këti atdhetari të devotshëm mund të përmblidhet në dy segmente në punë dhe luftë. Ashtu si shumë figura të ndritura dhe të nderuara të Rilindjes sonë Kombëtare, eshe ai pati një fund tragjik. Jetën e përvuajtur, veprën e tij madhore, sakrificën për popullin e tij të shumëvuajtur e për vlerat madhore të kulturës të krijuara gjatë shekujve, punën aq vetëmohuese për studimin dhe ndriçimin kësaj kulture - i vulosi me gjak. U vra në afërsi të Zymit në mënyrë mizore e barbare.

Ishte i lidhur shpirtërisht me vendlindjen, me atë vend që shquhej për ruajtjen e ndjenjave kombëtare dhe luftarake qysh në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Lidhjes së Pejës, në kryengritjet e pandërprera kundër Perandorisë Osmane, në përpjekjen për bashkimin e forcave kombëtare dhe dhënien e kushtrimit kundër synimeve pushtuese të monarkive ballkanike. Ishin pikërisht këto rrjedha historike që brumosën shpirtin e Gjeçovit dhe lanë gjurmë të pashlyera në të. Ishin këto ngjarje vendimtare dhe dashuria për popullin, ajo gurrë e pashtershme frymëzimi për përpjekjet studiuese, letrare, edukuese me tingëllim patriotik. Në këtë moshë djalërie, dashuria më e madhe ishte Atdheu i mishëruar në figurën e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut.

 Mbretëria e Jugosllavisë nuk ishte e kënaqur vetëm me kolonizimin e Kosovës me elementin sllav, por njëkohësisht përpiqej, me të gjitha forcat, edhe për spastrimin etnik nga elementi josllav, në radhë të parë nga elementi shqiptar.

Ndonse rrethanat ishin tejet të rënda, interesi i kombit kërkonte që shqiptarët të mos emigronin në Turqi e në Shqipëri. Për ndalimin e kësaj tragjedie kombëtare do të angazhohen edhe qeveritë e Mbretërisë shqiptare, nëpërmjet një propagande efikase nga legata shqiptare në Beograd. Me gjithë vështirësitë e përmendura, ekzistonin klube të ndryshme sportive dhe organizata bamirëse në Kosovë që ilegalisht merreshin me veprimtari arsimore dhe kulturore. Një rol të rëndësishëm e luajti edhe kisha katolike, e cila përkujdesej kryesisht për besimtarët shqipfolës. Ajo e mbështeste një shoqëri në Pejë që fillimisht quhej “Drini i Bardhë”, ndërsa pas legalizimit njihej si shoqatë relegjioze dhe bamirëse me emrin “Shoqata e Shën Katarinës”. Prifti shqiptar At Shtjefën Gjeçovi, i cili shquhej për nivelin intelektual, kulturor dhe përcaktime të qarta kombëtare, u bë anëtar aktiv i kësaj shoqate. Veprimtaria e tij, duke përfshirë edhe mbajtjen e katekizmit në gjuhën shqipe shkaktoi pakënaqësi të mëdha tek qeveritarët serbë. Ati françeskan Shtjefën Gjeçovi, për shkak të veprimtarisë të tij të njohur kombëtare, u vra më 14 tetor 1929 në rrethana që lënë pak dyshime mbi motivin e krimit.

Involvimi i shtetit shqiptar ishte i pa shmangshëm

Vrasja e  Shtjefën Gjeçovit shkaktoi indinjatë të thellë te mbarë populli shqiptar, pa marrë parasysh se i ndjeri ishte martir i ndjenjave të tij kombëtare dhe i besimit të tij. Gjersa shovinistët serbomëdhenj e festuan vrasjen e Gjeçovit si eliminim fizik të një armiku të përbetuar të tyre, shqiptarët e Kosovës e qanë pasi mbetën pa fratin, mësuesin, shkencëtarin dhe vëllanë e tyre të afërm. Lajmet mbi politikën shfarosëse të qeveritarëve serbë në Kosovë prekën thellë ndjenjat e popullit shqiptar në Shqipëri dhe shkaktuan një shpërthim të fuqishëm zemërimi. Në mbështetje të vëllezërve të tyre u ngritën dhe protestuan njëzëri edhe deputetët në Parlamentin shqiptar.

Involvimi i shtetit shqiptar në çështjen e Kosovës dhe popullit shqiptar të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, ishte i pashmangshëm dhe i kuptueshëm. Edhe pse shtet i pafuqishëm, ai kishte një zë në politikën ndërkombëtare, si dhe ndikimet e tij në politikën dhe popullin kosovar. “Për rolin e Shqipërisë, për thyerjet dhe qasjet e kokëlavitura politika e shtetit shqiptar u shikua nga këndvështrime, nga mëdyshje mes lojalitetit ndaj çështjes kombëtare dhe respektimit të raporteve reale”.

Parlamenti shqiptar tërheq vërejtjen mbi plojat mizore dhe dhunimet kundër shqiptarëve  të Kosovës me kërkesë pranë Qeverisë së Beogradit që t’i ndërpresë këto mizori.

Edhe vrasja e atdhetarit Shtjefën Gjeçovi u diskutua nga Parlamenti shqiptar në mbledhjen e njëmbëdhjetë më 11 nëntor 1929 nën kryesinë e kryetarit të Parlamentit, Pandeli Evangjeli.

Pasi që kryetari i Parlamentit hapi mbledhjen dhe paraqiti rendin e ditës, ku ndër çështjet kryesore që do të diskutohej ishte vrasja e At Shtjefën Gjeçovit në Jugosllavi, fjalën e mori deputeti Tefik Mboria. Duke theksuar fillimisht se shkaku që kërkuan shpjegime nga ministri i Punëve të Jashtme mbi vrasjen e At Shtjefën Gjeçovit ishte që të informoheshin saktë mbi këtë ngjarje, sepse, sipas informacioneve, që i kishin Gjeçovi ra nga dora e panjohur në Jugosllavi, kur ishte në përmbushje të misionit të tij të shenjtë në famullinë e Zymit.

Vrasja u gjykua si akt barbar

Më pas deputeti Mboria paraqiti para deputetëve informatat që i dispononte rreth përgatitjes së vrasjes së Gjeçovit, duke e gjykuar atë si akt barbar, pikërisht sepse i ndjeri ishte i veshur me rroba të shenjta për të predikuar fjalën e Zotit, por edhe për ta përmbushur misionin e tij kombëtar në kuadër të normave që i lejonin ligjet e Mbretërisë jugosllave. Andaj, duke e parashtruar pyetjen para kolegëve pse u vra Gjeçovi, në përpjekje për gjetjen e shkakut, deputeti i zënë ngoje do të theksonte: “Shkaku është, të dashur kolegë, se vajti atje si shqiptar dhe brenda kufijve të ligjit u tha shqiptarëve të atjeshëm se edhe ata kanë të drejtë të rrojnë si shqiptarë brenda Mbretërisë jugosllave, pa qëllim revolucionar, por me qëllim paqësor”.

Ky deputet shpreh mendimin se dora misterioze që e shtriu përdhe Gjeçovin kishte qëllim jo vetëm zhdukjen e tij, por të të gjithë atyre njerëzve që përpiqen për realizimin e idesë kombëtare shqiptare në Jugosllavi. Duke e arsyetuar zgjatjen e fjalës në Parlament, për shkak se çështja e shtruar ishte e një rëndësie të vaçantë, ai shpreh mendimin: “Nëse nuk do të interesohen parlamentarët shqiptarë si përfaqësues të popullit për këtë çështje jetike, atëherë duhet të jemi të vetëdishëm se populli shqiptar nuk ka për të ekzistuar, andaj e kemi detyrë të shiqojmë çka po ngjet, jo për qëllim ndërhyrjeje në punët e brendshme, por të shiqojmë se çka ndodh me bashkëkombasit tanë që jetojnë në Mbretërinë jugosllave.”

Jeni në dijeni të plotë se gjuha shqipe nuk respektohet aspak, nuk ekziston asnjë shkollë shqipe dhe se ai që e kërkon këtë shkollë gjen fatin që e gjetën At Shtjefën Gjeçovi e shokët e tij.

Deputeti Mboria i drejton pyetje ministrit të Punëve të jashtme, jo vetëm lidhur me çështjen e të ndjerit Gjeçov, por edhe për masat e marra nga dikasteri i tij për mbrojtjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Duke u rikthyer prapë te vepra e Gjeçovit, deputeti i lartpërmendur do ta cilësojë të madhin Gjeçov jo vetëm dëshmor, por shembull për të gjithë klerin e patriotët shqiptarë, njeri të pajisur me dije, kulturë të gjerë, me vepra të vlefshme jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të huajt, duke gjykuar se populli shqiptar pa dyshim do ta mbajë në zemër Gjeçovin falë veprës së tij madhore.

Pas duartrokitjeve të gjata për fjalën e tij të zjarrtë, fjalën e mori deputeti Fiqri Rusi, i cili fillimisht shprehu mendimin se Gjeçovi si shtetas shqiptar besonte se do ta gjente mbrojtjen e të gjitha ligjeve siç e kanë nënshtetasit e huaj në shtetin shqiptar e që faktikisht “gabim” i tij ishte mbështetja në ligjin. Gjeçovi shkoi atje, por ra viktimë si shokët e tjerë, sepse po t’iu referohemi statistikave do të shohim se mbi 200 mijë shqiptarë e kanë pësuar fatin e tij.

Deputeti Rusi i bën apel shtetit jugosllav që, në qoftë se dëshiron marrëdhënie fqinjësore me Shqipërinë dhe t’i kontribuojë paqes në Evropën Juglindore duhet t’i ndalojë këto mizori, sepse në të kundërtën, pra nëse vazhdon me zhdukjen e shqiptarëve, shteti shqiptar do ta ngrejë zërin ku të jetë e nevojshme, sepse një gjë e tillë nuk mund të durohet.

Në fund të fjalës së tij deputeti Fiqri Rusi i apelon ministrit të Jashtëm që t’i bëjë demarshet e duhura pranë Lidhjes së Kombeve në mënyrë që t’u jepet fund këtyre ngjarjeve tragjike. Deputeti Kolë Mjeda shprehu mendimin se At Shtjefni kishte punuar në favor të vjeljes së folklorit shqiptar dhe se ishte zbatues i ligjeve, i ndërgjegjes dhe i ndjenjave kombëtare. Gjeçovi për t’i studiuar doket e kosovarëve, në shkurt të vitit 1926, e pa të arsyeshme të shkonte në Kosovë. Pikërisht në atë periudhë kohore, sipas deputetit Mjeda, shteti jugosllav intervenoi pranë Vatikanit që meshtarët katolikë të jenë të krahinave vendëse dhe selia e shenjtë, në bazë të kësaj kërkese, e dërgoi Gjeçovin në Kosovë, por ai u vra barbarisht, vrasje që nuk do ta bënte asnjë popull i civilizuar. Në fund deputeti Mjeda kërkoi shpjegime të duhura nga ministri i Punëve të Jashtme rreth kësaj ngjarjeje tragjike. Pas zotit Mjeda fjalën e mori deputeti Jashar Erebara, i cili fillimisht u shpreh se serbët nuk dëshirojnë të dëgjojnë për elementin shqiptar. Veprat e Jugosllavisë nuk janë shembull miqësie. Në vijim zoti Erebara paraqiti mjaft të dhëna faktike mbi mizoritë serbe në Kosovë. Në fund të fjalës së tij zoti Erebara shpreh mendimin se për fat të keq, serbët nuk duan ta kuptojnë se shqiptarët nuk paraqesin pengesë për ta, por, megjithatë, ata dëshirojnë zhdukjen e të gjithë elementit shqiptar në Jugosllavi.

U propozua të protëstohëj në Lidhjën e Kombëve

Deputeti Xhafer Ypi shprehu mendimin se vrasja e Gjeçovit  theri zemrat e të gjithë atdhetarëve shqiptarë, duke apeluar që të ngrhet zëri nga Parlamenti dhe të informohet e tërë bota që shqiptarëve në Jugosllavi u mungon e drejta mbi jetën, mbi pasurinë, mbi nderin dhe këtyre shtypjeve t’u jepet fund. Në përfundim të diskutimit të tij, Xhafer Ypi propozoi që të bëhen dy apele pranë Lidhjes së Kombeve, e cila ishte mbrojtëse e të drejtave të pakicave dhe parlamenteve të qeverive pjesëtare të Lidhjes së Kombeve.

Rauf Fico, ministër i Punëve të Jashtme, i cili e mori fjalën në vijim, i paraqiti të dhënat që i kishte dikasteri i tij lidhur me vrasjen e At Gjeçovit. Sipas dëshmive të ministrit të Jashtëm, me t’u informuar për këtë lajm tragjik iu urdhërua Legatës shqiptare në Beograd që t’i paraqesin demarshet e duhura pranë Qeverisë jugosllave, gjë që ajo e bëri dy herë. Zoti Fico, gjithashtu, informoi se Qeveria jugosllave përmes ministrit të Punëve të Jashtme i është përgjigjur Legatës shqiptare se ishin marrë të gjitha masat e duhura që autorët e krimit të zbuloheshin dhe kishin marrë obligim që me të përfunduar të kësaj çështjeje ta informonin Legatën shqiptare në Beograd.

Përfundimisht ministri i Jashtëm përpiqej t’i bindte deputetët se Qeveria dhe dikasteri që e udhëheqte ai, ishin angazhuar dhe se do të angazhoheshin edhe më në këtë drejtim.

Pas ministrit të Jashtëm fjalën e mori përsëri deputeti Mboria, i cili u propozoi parlamentarëve që të bënin pesë minuta pushim heshtje në kujtim të shpirtit të At Shtjefën Gjeçovit. Propozimi i deputetit Mboria u pranua, kurse pas rihapjes së mbledhjes nga kryetari i Parlamentit fjalën e mori sërish deputeti Kolë Mjeda, i cili, duke e falënderuar ministrin e Jashtëm për shpjegimet e kënaqshme, shprehu besimin në masat qe do t’i merrte Qeveria shqiptare në mënyrë që të evitoheshin rastet e tilla. Në fund e mori fjalën deputeti Bahri Begolli, për të cilin shpjegimet e ministrit të Jashtëm nuk ishin të kënaqshme. Ai, si përfaqësues i popullit, e veçanërisht si përfaqësues i Kosovës, kërkoi nga Qeveria që të merreshin masa shumë energjike, jo vetëm për At shtjefën Gjeçovin, por edhe për të gjithë vëllezërit shqiptarë që jetojnë në Jugosllavi, duke shprehur mendimin se Jugosllavia duhet ta ketë të qartë se edhe miza është e vogël, por e turbullon stomakun. Me diskutimin e deputetit Bahri Begolli mori fund kjo çështje.

Vlen të theksohet se “obligimi” qeveritar jugosllav që i dha Legatës shqiptare në Beograd mbeti në nivelin e premtimit bosh, sepse si mund të ndriçohej rasti i vrasjes së Gjeçovit, kur ai ishte i ndriçuar, sepse këtë e kishin bërë vetë qeveritarët jugosllavë në bashkëpunim me puthadorët e tyre shqiptarë. Dhëmbët e kohës kishin lënë gjurmë të pashlyera. Siç ndodhi edhe me të tjerët trima të trurit kombëtar dhe të nacionalizmës shqiptare, ashtu edhe Gjeçovi u likuidua.

Duke u nisur nga maksima se shteti i dobët nuk mund të udhëheqë politikë të fuqishme, protestat qeveritare shqiptare mbetën në nivelin e gjykimeve. Shteti shqiptar, në mungesë të forcës reale kërcënuese, për t’i mbrojtur vëllezërit në ish-Jugosllavi i qasej së paku përkrahjes morale dhe përpjekjeve diplomatike përmes Lidhjes së Kombeve dhe Ambasadës shqiptare në Beograd.

Deputetët shqiptarë, shumica e të cilëve ishin të shkolluar në vendet e Evropës Perëndimore dhe disa nga ata madje ishin intelektualë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, ishin të vetëdijshëm për përgjegjësitë historike para popullit dhe atdheut, andaj në seancat e tyre parlamentare këmbëngulnin që shqyrtimi i secilit problem të bëhej nga këndvështrimi i interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, pavarësisht nga forca reale që kishin ky Parlament dhe shteti shqiptar përgjithësisht në jetësimin dhe zgjidhjen e problemeve kombëtare.

Megjithatë, diskutimet në Parlamentin shqiptar lidhur me vrasjen e atdhetarit Shtjefën Gjeçovi duhet çmuar për shprehjen e dhimbjes vëllazërore. Parlamentarët shqiptarë e nderuan për së vdekuri Gjeçovin dhe veprën e tij dhe me qëndrimin e matur e të drejtë kombëtar për rrethanat, të paktën, u munduan të merrnin pjesë në dhembjen e vëllezërve të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test