1991: Enveristët e punëve të brendshme

Historia

1991: Enveristët e punëve të brendshme

Kastriot Dervishi Nga Kastriot Dervishi Më 26 shkurt 2018 Në ora: 17:13
Dokumenti

Në ngjarjet e vitit 1991, kanë ngelur jo fort e njohura revoltat e oficerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët ishin edhe më të indoktrinuar se ata të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Ata të armës së Sigurimit, Enver Hoxha i quante “punëtorë të specializuar partie”, në vijën e parë të luftë me “armikun e klasës”. Ata nuk përshtateshin fare me ndryshimet e reja në vend dhe as kuptonin çfarë po ndodhte.

Rrallë ndodh në botë që p.sh. një shërbim sekret si Sigurimi të ishte kaq jashtë loje e në nivele të larta mediokriteti, konsekuencë logjike e ardhur nga përzgjedhja politike e këtij kontingjenti. Më poshtë po përcjell telegramin e Degës së Punëve të Brendshme Lushnje në mbrojtje të figurës së diktatorit. Mënyra ultimative e tekstit si dhe gjuha mediokre, janë vizatimi më i mirë për këtë kategori enveristësh që vetëm ushtarakë nuk mund të ishin. Në një prej pikave japin edhe porosi si duhen dhënë intervistat në “Zërin e Amerikës” (në vëmendje të z.Elez Biberaj). Ishin kaq të marrë sa edhe kur erdhi z.Biberaj për vizitë në Shqipëri pak javë më vonë, u trajtua “armik” si subjekt i Degës së Parë të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit. Nuk ndryshonin këta në asnjë mënyrë konceptet e mikut dhe armikut.

***

Telegram

Këshillit Presidencial të RPSSH

Ministrisë së Mbrojtjes Popullore

Ministrisë së Punëve të Brendshme

Gjithë degëve të punëve të brendshme

Kolektivi i Degës së Punëve të Brendshme Lushnje, me ndjenjë të lartë e detyrë të shenjtë mbrojtjen e atdheut dhe veprës të komandantit tonë legjendar Enver Hoxha, u mblodh sot për t’u betuar edhe njëherë se do të jetë besnik deri në vdekje i detyrave që i ka ngarkuar populli e atdheu.

Të indinjuar nga veprimet vandaliste të forcave destruktive, kërkojmë:

1-Programet e partive politike të krijuara në vendin tonë, të ballafaqohen me veprimet e deklarimet konkretet të tyre dhe për ato që bien në kundërshtim me programet e miratuara të nxirret jashtë ligjit.

2-Urgjentisht të zbulohen organizatorët e sulmit kundër monumentit të Enver Hoxhës dhe t’i bëhen të njohura sa më shpejt mbarë opinionit publik shqiptar dhe nëse kjo veprimtari është e përgatitur dhe e drejtuar nga jashtë.

3-Të ndalohet dhënia e emisioneve me anë të telefonit nga të gjitha partitë politike “Zërit të Amerikës”. Ndaj atyre që do të veprojnë në kundërshtim me këtë kërkesë, të ndalohen me forcë nga organet e pushtetit.

4-Të merren masa për marrjen në përgjegjësi penale për veprimtari në dëm të interesave të atdheut ndaj Lisien Bashkurtit, Napolon Roshit dhe Azem Hajdarit.

5-Duke qenë të bindur sa më lart, shprehim kërkesat e ligjshme të efektivit tonë, i lutemi radio-televizionit shqiptar dhe radio Kukësit, Gjirokastrës, Korçës e Shkodrës të komunikojnë pa asnjë koment këtë telegram.

Për të gjitha problemet kërkojmë përgjigje nga Këshilli Presidencial deri më datë 25.2.1991.

Nga kolektivi i DPB Lushnje

Lushnje, 23.2.1991

Në letrën e dytë Dega e Punëve të Brendshme Lushnje, duke përdjekur të presekutuarit në kampet e interrnimit, njofton Sigurimin e Shtetit të "survejohet" çdo lëvizje e familjes Sina (Hane, Beqir Altina dhe dy fëmijët e tyre) e interrnuar në Savër Lushnje sepse ka të arratisur babanë Rasim Sina dhe dy xhaxhallarët Hashim dhe Besim Sina, që është paisur me pasaport dhe vizë duke sinjalizuar të gjitha pikat kufitare për bllokimin e tyre.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat