Shqiptarët çamë të Greqisë, “Nji histori e dokumentueme”

Historia

Shqiptarët çamë të Greqisë, “Nji histori e dokumentueme”

Më: 4 mars 2018 Në ora: 14:18
Ilustrim

(Redaktue nga Robert Elsie dhe Bejtullah Destani, në bashkëpunim me Rudina Jasini; I.B.Taurus LTD.në shoqënim me Center for Albanian Studies: London,U.K. 2013, ff.445, dhe Index)

Ridgefield, CT. USA. Dy punëtorë të palodhun në fushën e studimeve shqiptare, intelektuali kanadez Robert Elsie, dhe studiuesi shqiptar kosovar, Bejtullah Destani, i Qendrës për Studime Shqiptare në London, U.K. në bashkëpunim me Zonjushën Rudina Jasini, studente në Oksford U.,U.K., na dhurojnë nji punim shkencor, të përgatitun me kujdes dhe dashuni të sinqertë për shkencën e historisë dhe për popullsinë çame, viktimë e pafajëshme e persekutimeve të vazhdueshme greke, vetëm sepse janë “shqiptarë” dhe “myslimanë”. Ky racizëm i dyfishtë kombëtar e fetar vazhdon edhe sot të jetë karakteristikë e politikës shkombëtarizuese greke, të cilën e dëshmojnë sot ma shumë 600.000 emigrantë ekonomikë shqiptarë që u larguen nga frika e terrorit komunist. Nji tragjedi moderne!

Botimi ashtë nji përmbledhje dokumentesh, kryesisht nga arkiva të hueja. Sensiviteti i redaktorëve tregohet që në faqen e parë, me botimin (anglisht) të “Baladës Çame” nga i ndjeri, dhe i persekutuemi, poeti çam Bilal Xhaferi (1935-1986) që vdiq zemërplasun në Chicago IlI, në mes të nji bashkësie çame të qytetit.

Vëllimi përmban nji “Listë të dokumenteve” e ndame në tri periudha historike:

E para, Çamëria që nga Perandoria Otomane deri në mbarim të L2B (71 dokumente)

E dyta, Çamëria mbas Traktatit të Lozanës (1923) (19 dokumente)

E treta, Çamëria gjatë L2B dhe ma vonë (19 dokumente)

Vëllimi përmban edhe pesë karta gjeografike të hershme dhe me randësi që ilustrojnë tkurrjen e popullsisë shqiptare në Greqi, sidomos që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-81) dhe Kongresi i Berlinit (1878)

Për edukimin e lexuesit jospecialist, vëllimi fillon me nji “Hymje” përmbledhëse për lexuesin jospecialist, të përgatitun nga intelektuali i palodhun kanadez Robert Elsie, ku përcaktohen parametrat e problemit dhe rruga e marrun nga viktima çame, e imponueme nga agresioni grek.

Simbas autorit, sipërfaqja e Çamërisë ashtë afërsisht 10.000 km² dhe sot ka nji popullsi –me shumicë grekofone- prej afër 150.000 banorë. (Sipërfaqja e Shqipërisë ashtë 28.700 km² me nji popullsi prej afër 2.900.000 banorë).

Popullsia çame në Greqi përbahet nga tre grupe të dallueshme. Çamët (greqisht Tsamides) janë shqiptarë që banojshin pjesën e jugut të territorit shqiptar; prandej “Toske”.

Grupi i dytë janë mbasardhësit e fiseve shqiptare që emigruen në Greqi në shekullin XV, dhe zunë vend në qendër dhe në jug të Greqisë.  Ata flasin nji toskërishte të influencueme nga greqishtja, janë toske, dhe njihen me emnin “Arvanitika”, dhe jetojnë në afër 300 vendbanime, tashti në proces të asimilimit të plotë.

Grupi i tretë i shqiptarëve në Greqi ashtë shumë ma i madh, dhe ka zanë vend mbas ramjes së komunizmit në Shqipëri (1990-91) dhe besohet se janë ma shumë se 500.000. “emigrantë” ligjor dhe jashtëligjor.

Prandej, tani shprehja “shqiptar çam”  i referohet nji grupi të veçantë të shqip-folësve në Greqi, dhe janë përqendrue në rajonin e Çamërisë rreth qyteteve Gumenicë, Filat, Paramithi, Pargë, Margelliç e banime sporadike deri në Prevezë.

Çamëria u pushtue me forcë ushtarake nga Greqia në vitet 1912-13, tue u shkëput nga Shqipëria. Që nga ajo ditë, për nji shekull pa ndërpremje, Çamëria u ba objekt i shfarosjes fizike, pastrim etnik dhe persekutimeve të vazhdueshme të shovinizmit grek. Ata që shpëtuen nga thikat e “andartëve” grek gjetën strehim në Shqipëri, ku banojnë edhe sot. Bashkësi Çame ka edhe në Shtetet e Bashkueme dhe në Turqi, ku u vendosën mbas marrëveshjes për shkëmbim të popullsive (Lausanne,1923) si “monedhë shkëmbimi” për popullsinë greke të Anadollit sepse ishin “shqiptarë” dhe “myslimanë”.

Politika diskriminuese dhe shtypjet e njimbasnjishme të çamëve, sidomos të myslimanëve u theksuen gjatë L2B. Mbas ndalimit të përdorimit të gjuhës shqipe në publik, dhe moslejimit të hapjes së shkollave shqipe, shqiptarët çamë u internuen në ishujt e Greqisë, dhe më 1944 -45, u masakruen pa mëshirë.

Gjatë L2B, me okupimin italo-gjerman të Greqisë, çamët në Çamëri u organizuen në “këshilla” (councils) dhe morën në dorë administratën lokale, gjithëherë nën mbikëqyrjen italiane. Të friksuem nga e kaluemja tragjike, çamët nuk pranuen “luftën kundër okupatorit, jo nga dashunia për gjermanët nazistë, por thjesht sepse perspektiva e vetme e ofrueme nga Britanikët ishte kthimi i rregjimit grek” (fXXXIX) Megjithatë, rreth 500 ame u bashkuen me forcat e ELLAs-it dhe formuen bataljonin Çamëria, në kryesinë e atdhetarit Rexh Plaku për luftë kundër okupatorit . (I ndjeri Rexh Plaku vdiq në burgjet komuniste SR)

Me largimin e trupave gjermane, forcat greke të Gjeneralit  N.Zervas invaduen Çamërinë. Forcat e tia, “…të njohun për spastrimin brutal të  shqiptarëvet në Çamëri”(XL) u angazhuen që nga qershori 1944 deri në mars 1945 në nji fushatë terrori qe u kushtoi jetën “2.771 civilëve shqiptarë çamë- burra, gra e fëmijë, në nji shpërthim dhune “(ibidem) Mbas kësaj tragjedie”…pothuese e gjithë popullsia çame (myslimane) pa mbrojtje dhe e tmerrueme lëshoi banesat stërgjyshore, mori malet, dhe shpëtoi jetët e tyne në Shqipëri”(idem)

(Shënim: Ish diplomati amerikan i stacionuem në Athinë,Greqi, Prof. William MacNeill, përshkruen kështu tragjedinë çame:

“ Askush nuk mund të besonte se shumica e atyne që gjetën strehim dhe ndihmë vëllaznore gjatë viteve të errëta të 1941 e 1942, do të drejtojshin armët e tyne kundër shqiptarëve të pambrojtun që jetojnë në territorin e Greqisë, dhe se banda të armatosuna të Gjeneralit Zervas do të formojshin njisi të rregullta të quejtun “Albanochtones” (killers of Albanians) për shfarosjen fizike të kësaj popullsie. Ma shumë se 23.000 shqiptarë që patën fatin me i shpëtue kësaj masakre, kaluen kufinin gjatë viteve 1944 dhe gjetën strehim në Shqipëri, ku jetojnë edhe sot”(Shih:“The Greek Dilemma”SR)

Në Shqipëri atyne u dha statusi i “refugjatëve dhe u lejuen me qëndrue. Aq e eger dhe e thellë ka qënë urrejtja greke për çamët saqë “…edhe sot, në shekullin 21, ata shpeshherë nuk lejohen nga zyrtarët e emigracionit grek me vue kambë në Greqi, qoftë dhe për nji vizitë të shkurte” (XLI)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat