Çka kuvenduan Major Abaz Kupi me Zeqir Halilin, axhën e Sali Berishës

Historia

Çka kuvenduan Major Abaz Kupi me Zeqir Halilin, axhën e Sali Berishës

Nga: Ramiz Lushaj Më: 10 mars 2018 Në ora: 01:02
Tropoja

-Tropojë, më 7 prill 1941-

Zeqir Halili i Berishës, përndryshe: mixha (axha) i Sali Berishës, ka qënë një burrë i njoftun në Veriun e Shqipërisë, si i thonë shprehjes së atëherit: “Nga Shkodra në Shkup”.  Ka hy’ në kangë. Ka mbet në histori.

Zeqir Halil Berisha ishte trim. Nji “Trim Malësie”. Tri herë i varruem nga plumbat.  Edhe në kambë.  Edhe në gjoks. Plagët si “dekorata” trimërie. Shumë burra të Kullës Berisha kanë marrë plagë në luftëra. Ndër ta, edhe gjyshi i tij, Isuf Rexhë Alia, i plagosur në Gjakovë në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. E thotë kanga popullore: - Kush qet pushkë midis Çarshisë / Dy bijtë e  Rexhë Alisë.../. Edhe nipi i tij, Ahmet Xhemë Berisha, tashma në moshë të thyer, mban plagë në trup, i plagosun në Dibër, në kohën e Luftës  Partizane, gjatë detyrës misionare si korier i Shtabit të Divizionit V-S.

Gjashtë vite ma herët i pata shkrue do’ vargje për Zeqir Halilin e Berishajve, për Kullën e Berishajve në histori e me histori, pasi në trollin, dyert e sofrën e të cilëve janë mikëpritur  personalitete të shquara të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri te Lufta ma e fundit e Kosovës: -Te kjo kullë shkoi Pashko Vaso plot krenari / Me vargjet: “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” /... / Kjo kullë priti Ahmet Beg Koronicën.../ Aty ndejtën Shota me Azem Galicën / Hasan Beg Prishtina u prit si burrë shteti / Aty ndejti Ramush Hajredini e Ali Ahmeti /”.

Image
Zeqir Halil Berisha

Zeqir Halil Berisha ishte dhe pasunik. Kulla e Berishajve i kishte pronë të vetën nji han me 13 dhoma, tri dugaja, banin tregti ndër vise kah rrugëton Drini, Vardari e Limi. Ai e kishte zotshpillekun. Ishte ma i madh se i vllai, Ram Halil Berisha, baba i Sali Berishës, dhe se djemtë e dy mixhëve të tij. Ky Zeqiri ishte “Zotni” në rininë e pleqninë e tij. Zotni nga pamja, fjala, sjellja, ecja... Ky zotnillek i dukej dhe në kalërimet e tij, pasi e kishte një kali shale (atki) fort të mirë, të mbajtun mirë, mjaft i bukur, i thirrun “Dori”, të cilin edhe në “Vjetin e Rracionit” e ushqente me “rriska sheqeri austriaku”. Ai ishte një tjetër “Orë e Trollit” të Berishajve. Ishte njeri bujar për të vetët, për vrritarët e bjeshktarët, për udhëtarët.

Zeqir Halil Berisha ishte burrë i meçëm. I tillë mbetet në kujtesën e brezave. Ende i përmendet emri e fjalët në kuvende e kulla, në oda e rrugëtime. Ishte pleqnar. Pleqnitë i lëshonin rranjë, i hidhnin shtat, i  mbanin duvak. I kishte palcë, i rrinin ásht.  Ai në rini e pleqëri të tij është takue e ka kuvendue me burra shteti në vendlindjen e tij – Tropojë, në Kosovë, në Plavë-Guci, në Tiranë..., por dhe me njerëz të thjeshtë. Ai dinte me folë me të gjithë, me plot mençuri, fort mirë.

Ishte fill prilli i vitit 1941. Erdhën në Tropojë nji oficer britanik, Dayrell Oakley-Hill, Abaz Kupi - ish majori i Xhandarrmërisë së Zogut, kryeheroi i Qëndresës kundërfashistëve italianë  në Portin e Durrësit në prill 1939, nacionalisti i njohur  Gani Beg Kryeziu – i Kryezinjëve në Gjakovë, njeri me ndikim të madh në Malësi të Gjakovës e në Kosovë.

Kësokohe, Serbia kishte ndërmarrë ekspedita kundërshqiptare, në tokat shqiptare bregdrinase, në treva të Malësisë së Madhe e në Malësi të Gjakovës. Luftonin dhe berishasit edhe në Pukë – në trojet e moçme, edhe në Mërtur të Tropojës. E thonë kangët: “Me berishë e thaçjanë / kurrkund vend (serbit) si la me xan”/... dhe “Kundër shkjaut Mërtur e Shalë / Po luftojnë trimat përballë /...”/.

Në një situatë të tillë, kur Malësia e Gjakovës dhe krejt Shqipëria ishte e pushtueme nga Italia fashiste dhe, ndërkohë, po sulmohej dhe nga Serbia shoviniste, major Abaz Kupi - kryeheroi i 7 prillit 1939,  si për koinçidencë, pikërisht më 7 prill 1941, bash tek nënprefektura e Tropojës, po do’ me e dvet për ménd e kuvend Zeqir Halilin e Berishajve: -Si po thue, o Zeqir Halili, ma e mirë është Italia apo Serbia?

Zeqir Halil Berisha ia ktheu aty për aty përgjigjen mendjemprehtë: - Njësoj janë te dyja, si me të hangër qeni i zi, si i bardhi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat