A vdiq Stalini nga helmi për mi, apo sulmi në tru?

Historia

A vdiq Stalini nga helmi për mi, apo sulmi në tru?

Më: 12 mars 2018 Në ora: 14:14
Josif Visarionovich Giugasvili

Është e vërtetë se diktatori më mizor rus, Josif Visarionovich Giugasvili, i njohur si Stalin, i cili vdiq në vitin 1953, në vitet e fundit të jetës së tij nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Shëndeti i tij u përkeqësua dhe ai nuk mori pothuajse asnjë ndihmë mjekësore apo kontroll.

Kanë kaluar 65 vjet nga vdekja e tij dhe ende është misterioze nëse njeriu i tmerrshëm që vrau aq shumë njerëz, vdiq nga sulmi në tru, apo e helmuan me helm të miut.

Mjeku Aleksander Mijasnikov pohon se pas obduksionit ka gjetur se diktatori vuante nga ateroskleroza në tru, sëmundje kjo që ishte zhvilluar me vite të tëra, duke ndikuar në shëndetin, karakterin dhe vendimet që ai kishte marrë.

Stalin vdiq në shtëpinë e pushimit në paralagjen e Moskës, Kuncevo. Shkaktar i vdekjes, sipas njoftimit zyrtar, ishte sulmi në tru që kishte ndodhur disa ditë para vdekjes. Por, sipas memoareve të  Molotovlev, shefi i policisë sovjetike Lavrenti Beri, kishte thënë se ai kishte eliminuar Stalinin. Beri ishte në krye të organizatës famëkeqe NKVD dhe sulmin në tru ndoshta e kishte shkaktuar substanca helmuese për mi- varfarin.

Beri kishte pasur frikë se do të ishte cak i spastrimeve të Stalinit. Pas vdekjes së tij, Beri ishte në prag të marrjes së pushtetit, por ai u pengua nga anëtarët e tjerë të lartë të partisë, të cilët planifikuan vrasjen e tij. Shefi famëkeq i NKVD-së u pushkatua nga një gjeneral sovjetik, transmeton KosovaPress.

Historiani slloven, i specializuar për diplomaci të Ballkanit Perëndimor, Jozhe Pirjevec në librin e tij 'Tito u tovarishi' pohon se ishte pikërisht Josip Broz Tito ai që dha urdhrin për helmimin e Stalinit. Kjo është bërë në një mënyrë të ngjashme me të cilën besohet se Stalin kishte helmuar paraardhësin e tij Lenin – me cianid.

Kur bashkëpunëtorët e tij e gjetën Stalinin të vdekur, ata nuk e thirrën menjëherë mjekun me arsyetimin se nuk kanë autorizim. Fillimisht kontaktuan ministrinë për Siguri dhe shefin e policisë sekrete, dhe vetëm atëherë thirrën mjekun.

Në ditën e vdekjes së Stalinit në dhomën e tij u gjet një letër paralajmërimi për të cilën thuhej se ishte e Titos. Historiani slloven thotë se kjo është një provë që dëshmon se Tito ka lëshuar urdhër për t’i dhënë fund diktatorit që udhëhoqi BRSS-në për 29 vjet. Në këtë letër, Tito e ka paralajmëruar Stalinin që të ndalojë dërgimin e vrasësve, pasi ishin kapur pesë prej tyre, kurse për Titon “do të ishte e mjaftueshme që të dërgojë vetëm një te Stalini”.

Kur Nikita Hrushçov, trashëgimtari i Stalinit në vitin 1955, erdhi në Jugosllavi, ai ka biseduar me Titon rreth të gjitha tentimeve të Stalinit për vrasjen e tij. Ai madje ishte shprehur i impresionuar se si Tito kishte arritur t’iu shpëtojë të gjitha përpjekjeve të Stalinit.

Në mars 2013, në 60-vjetorin e vdekjes së një prej diktatorëve më të mëdhenj botërorë përgjegjës për vdekjen e 30 milionë njerëzve, u publikuan rezultatet zyrtare të analizave sipas të cilave Stalin thuhej se kishte pasur sulm në tru dhe kishte vdekur.

Në dokumentet e arkivit rus thuhet se Stalini pësoi sulm në tru më 1 mars 1953. Ai u gjet i shtrirë në dhomë. Para sulmit në tru, ai kishte pi verë të kuqe të Gjeorgjisë dhe bashkëpunëtorët e tij menduan se ishte i dehur, por me siguri që atë herë ishte në komë.

Mjeku Matthias Uhl nga Instituti i Historisë në Moskë, thotë se teoria për vrasjen e Stalinit nuk është e saktë.

“Ai ka vdekur në afërsi të Moskës nga vdekja natyrale”, tha ai.

Sulmi në tru kishte ndodhur në anën e majtë të trurit, në kombinim me gjakderdhjen në stomak, gjë që ka çuar deri te vdekja. Kufoma e Stalinit ishte marrë nga anëtarët e policisë sekrete sovjetike.

Uhl pohon se është e vështirë të thuhet se vdekja e Stalinit ishte e papritur, pasi ai ishte në gjendje të rëndë fizike.

Nikita Hrushçov, tri vjet pas vdekjes së tij, akuzoi Stalinin për krime kundër partisë dhe ndërtimin e kultit personal. Por, anketat e opinionit nga viti 2012 tregojnë se gjithnjë e më shumë rusë vlerësojnë pozitivisht ish-diktatorin, përkatësisht 48 për qind e tyre, derisa në vitet e nëntëdhjeta 60 për qind e rusëve kishin mendim negativ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat