Dinë Panxha, në rini u largua nga Kosova, në pleqëri u kthy i vdekur

Historia

Dinë Panxha, në rini u largua nga Kosova, në pleqëri u kthy i vdekur

Maxhun Smajli Nga Maxhun Smajli Më 12 prill 2018 Në ora: 19:54
Foto ilustrim

Pushtimet e shpeshta të trojeve shqiptare bënë që shqiptarët të emigrojnë gjatë gjithë historisë. Për të mos u thelluar në temën “Emigrimi shqiptarë nder shekuj”, unë po ndalem tek vitet e fundit të të 60-tave dhe fillimi i të 70-tave.

Gjatë këtyre viteve, një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës erdhën në Gjermani si punëtor krahu, të njohur si, “Punëtor mysafir”, “Gastarbeiter”. E ne, sot i njohim si gjenerata e parë mergimtare. Të shumtë nga kjo gjeneratë emigruan edhe më herët. Fillimishtë, brenda kufijëve të ish-Jugosllavisë.

Atë kohë, Kosova si vendi më i varfër që ishte, shqiptarët, qenë të detyruar të marrin rrugët e mergimit për të siguruar kafshatën e gojës. Një ndër ta, lexues të dashur, është edhe  Dinë Ibish Panxha nga fshati Kosuriq i Pejës.

Dinë Ibish Panxha, 27 vjet i kaloj në atdhe, 44 të tjera në gyrbet

Ishte vjeshta e vitit 1971, kur Dinë Ibish Panxha largohet nga fshati i tij i lindjës, Kosuriqi i Pejës. Duke lënë babë Ibishin dhe varrin e nënë Sofijës, që kishte vdekur shumë e re, Dina, ndjek rrugën e vëlla Xhaferit, që kishte emigruar një vit më parë. Këtë rrugë e kishin marrë edhe shumë shqiptarë të tjerë.

Më të arritur në Gjermani, Dina, përveq punëve të rënda fizke, është marrë edhe me aktivitete atdhetare, duke u takuar e vepruar me shumë njerëz të kombit, emra të njohur të çështjes kombëtare, siq ishin; Salih Çekaj, Enver Hadri, vëllezërit Gërvalla etj.. Me Salih Çekajn ishin njohur që nga rinia e tyre e hershme. Me Rugovën ishte takuar tri herë në aktivitetet e tija në Republikën e Baden Würtenbergut.

Ishte pjesëmarrës i protestave, demostratave dhe manifestimeve të ndryshme, kudo nëpër Evropë. Me 6 mars 1998, pikërisht në kohën kur jasharajt luftonin, në kuadër të Republikës së Kosovës dhe LDK-së, ishte themeluar grupi për emergjencë. Qellimi i këtij grupi ka qenë për t’i dalur në ndihmë luftës; UÇK-së dhe popullatës. Në aksionin “Çdo gjë për Kosovën”, ku ishin grumbulluar me miliona marka, Dina, ishte dalluar për kontributin e tij.

Dina ka lindur me 23 prill 1944, në fshatin Kosuriq të Lugut të Baranit, në një familje të njohur për bujari, mikëpritje dhe për rezistencë përballë armiqve të kombit tonë. Babai i tij, Ibishi, gëzonte nder e respekt gjithandej në fshatrat e Lugut të Baranit. Nënë Sofija kishte vdekur e re, duke lënë gjurmë të thella në shpirtërat e fëmijëve dhe burrit të saj.

Kurr nuk u qetësua shpirti i tij. Malli për atdhe e mundoi shumë. Katërdhjetë e katër vite jetoj në Gjermani, derisa vdiq me 11 prill 2015, në Dekendorf të Republikës së Baden Würtenbergut. Pas vetes ka lënë gruan, Nushën, dhe 4 djem e 3 vajza, si dhe shumë nipa e mbesa, sternipa e stermbesa. Trupi i tij prehet në atdhe. Lavdi jetës dhe veprës së tij!        

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat