Kryebashkiaku Sadri Isufi: Të dëbuarit e Kosovës i ndjeja tropojanë

Historia

Kryebashkiaku Sadri Isufi: Të dëbuarit e Kosovës i ndjeja tropojanë

Nga: Rexhep Shahu Më: 3 qershor 2018 Në ora: 21:24
Rexhep Shahu

Kryetarin e bashkisë Tropojë Sadri Isufin nuk munda ta takoja shtatë ditët e para që qëndrova në Tropojë në atë fillim qershori 1998.

Ishte kudo emri i tij, e dëgjoja nga shumë njerëz por nuk e intervistova ato ditë. As nuk këmbëngula që ta intervistoja. Ishte plot ngjarje çasti, dita, nata dhe duke synuar që të merresha me të gjitha gjërat, mbeten shumë gjëra pa u bërë, siç më mbeti pa realizuar një intervistë në ato ditë të fillim qershorit 1998 me kryetarin e bashkisë së Bajram Currit, Sadri Isufi.

Natyrisht që e kam njohur, e kam parë ato ditë në takime dhe e kam takuar më vonë.

Një tropojan që ka një ndryshim në dukje nga shumica e tropojanëve, ai flet të vogël, flet me zë të ulët, nuk imponohet me lartësinë e zërit por nga nga ajo çfarë thotë me fjalët e tij. Fuqia e tij është urtësia, forca e argumentit, aftësia për të dëgjuar tjetrin dhe këmbëngulja për të realizuar atë për të cilën është i bindur.

Ishte dhe është e jashtëzakonshme për të huajt ajo që ndodhi në Tropojë në fillim qershor 1998, ku familja tropojane priti dhe strehoi nëpër shtepi mbi 20 mijë shqiptarë të Kosovës të dëbuar nga dhuna e verbër serbe, fëmijë, gra, pleq të rajonit të Deçanit, Pejës, Gjakovës.

Ishte e jashtëzakonshme se në Tropojë nuk u ngritën kampe pritje për refugjatë a të dëbuar, nuk u ngritën çadra, por gjithçka e mbuloi familja tropojane, me strehim, me ujë, bukë e ushqim, tesha, duke ndarë me të vërtetë kafshatën e gojës përgjysmë, duke i dhënë për herë të parë botës dhe gjithë njerzimit një leksion të jashtëzakonshëm se çfarë e si është mikpritja si institucion, çfarë është mikpritja shqiptare, një virtyt i rrallë dhe jo aq në modë në vende të tjera të botës sa në Tropojë, Has, Kukës e në Shqipëri.

Në Tropojë madhështia e shpirtit njerzor u shfaq madhështore me të gjitha përmasat e saj, me gjithë epizmin e saj. Asnjë vogëlsi nuk gjendej as shihej atë fillim qershori 1998 në Tropojë. Madhështia e bujaria tropojane ishin sa malet.

Në këtë klimë mikpritje kryetari i bashkisë Sadri Isufi nuk kishte nevojë të luste kënd për të ndihmuar të ardhurit, nuk kishte nevojë të mësonte fisnikët si të fisnikërojnë sepse gjithë populli në Tropojë ishte në këmbë, “se jena vllazën burrë me të ardhurit”, “paj jena të ndamë një zjarmi burrë me to”, “jena dajë e nipa mes veti”, “ po janë njerzit tonë, janë fisi jonë mor gazetar, qysh mos me dalë me i pritë e me i marrë nëpër shpiat tona”, “çfarë të hanë fëmijët tanë do të hanë edhe vllaznit tonë të Deçanit”…

Siç demonstrohej madhërishëm mikpritja e fisnikëria tropojane edhe sherret shkëlqenin deri në kupë të qiellit. Nuk donte dikush që Tropoja vetëm të shkëlqente në mirësi, por duhej të kishte edhe shëmti.

Ato shtatë ditët e para që qëndrova në Tropojë dhe raportova kryesisht për Radio Tiranën, Radio Kukësin, Radio Shkodrën etj, dhe raportet i bëja direkt nga centrali i Bajram Currit, jo nga kabinat por direkt nga centrali, ndodhi atentati ndaj Azem Hajdarit, ku mbeti i plagosur Bardhyl Pollo. Atë natë gazetarët që po qëndronim në hotel turizmi morëm një si porosi që asnjeri të mos guxonte ta jepte lajmin. Unë nuk e dhashë edhe se nuk kisha ku ta jepja atë natë, por doli më guximtar e trim gazetari i BBC që e përcolli lajmin e atentatit ndaj Azemit. Nuk kishte celularë atë kohë, ishte fatlum kush përdorte ndonjëherë telefon satelitor të ndonjë organizate të huaj ose të UÇK.

Ato ditë e atë kohë nuk e mësova se Azemin e kishte marrë dhe strehuar atë natë të atentatit Sadri Isufi tek njerzit e tij, te shtëpia e tij dhe se për këtë kishte dije vetëm Sali Berisha, i cili ishte në kontakt permanent me Sadriun e Azemin. Sadriu nuk mburret për këtë, e ndjen se ka bërë natyrshëm detyrën e mikut e shokut, detyrën e malsorit, të shqiptarit edhe pse kjo gjë nuk ishte me leverdi ato kohë...

Ato ditë në Tropojë nuk kishte njeri “të madh”, zyrtar të madh, autoritet të madh, askush nuk binte dot në sy sepse i madh ishte individi i thjeshtë, ai që mikpriste e ai që vinte i dëbuar nga dhuna serbe. Vinin deputetë, ministra të Shqipërisë e të Kosovës, por askush nuk ua fërshëllente prej posteve që kishin por vetëm nëse shfaqnin mirësi e solidaritet. Në Tropojë nuk kishte dot “të madh” sepse ishin të gjithë të mëdhenj me atë që bënin e si e bënin aq thjeshtë e aq natyrshëm.

Natyrisht që vendasit dinin të nderonin të huajt e mëdhenjt që mbërrinin aty nga shtete të mëdha të botës.

Tropoja atë qershor e disa muaj ishte skena më e ndritshme e një teatri të stërmadh ku luhej tragjedia e dëbimit të njerzve nga trojet e tyre vetëm pse pushtuesit donin ti dëbonin vendasit, t’ua merrnin trojet se flisnin gjuhë tjetër, se ishin rracë tjetër, rracë që nuk kishte mundur pushtuesi serb ta zhbënte për gati një shekull.

E jetova frikën e panikun edhe unë, por e vërteta është se asnjë lloj ngjarje tjetër, asnjë lloj atentati nuk arrinte ta zbehte ngjarjen që prodhonte ardhja e të dëbuarve, mikpritja që bënin tropojanët që dilnin e i merrnin në shesh të ardhurit për të mos thënë që u dilnin përpara edhe pa mbërri në shesh.

Sadri Isufin që mund ta akuzoje vetëm se ishte i urtë, nuk e dëgjova asnjëherë nëpër mbledhjet e shtabit në Tropojë që të përlahej, ku zakonisht ka zyrtarë që e kanë zhurmën e të përlamen si punë me ra në sy e me u dukë se po punojnë. Jo Sadri Isufi fliste pak, me zë të ulët, qartë dhe nuk merrej asnjëherë më vogëlsi.

Ja edhe një histori e pashlyeshme që Sadri Isufit nuk i hiqet nga mendja veç atentatit ndaj Azem Hajdarit dhe atentatit ndaj Mus Rexhës, përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, makinën e të cilit e bënë shoshë me plumba.

“Në cilën këmbë don të ta bëj një vrimë me plumb”, e pyeti një njeri me maskë Sally Beckerin, engjëllin e Mostarit një ditë në qytetin Bajram Curr dhe e qëlloi me plumb në këmbë. Sally Becker që kishte shpëtuar 250 fëmijë të Mostarit dhe që ishte shndërruar në engjëll në botë deklaroi se nuk më kanë qëlluar shqiptarët. Kryetari i Bashkisë Sadri Isufi që e ka njohur dhe pritur Sally Beckerin më tregon me detaje atë ngjarje, vendin ku ka ndodhë në qytet dhe trishtimin që ka ndjerë në atë rast. Sally Becker ëshët gjallë, është misionare e madhe, e rrallë dhe meriton nderim e mirënjohjje të pakufishme nga Tropoja e Shqipëria sepse ajo ia lartësoi emrin Tropojës e shqiptarëve dhe diti ta bëjë qartë dallimin e amdh mes agresorit dhe viktimës.

Sadri Isufi më flet me nderim të veçantë për misionarët e huaj që shërbyen në Tropojë, për drejtuesit e organizatave të huaja, për anglezin e OSBE, Bill Foxton, Rupert Neudeck të Kap Anamurit, për ndihmat e para që kanë mbërritë në Tropojë, për nga Radio Kontaktin me Agron Balën e shokët e tij.

E pyes për bazat e stërvitjes e të organizimitët UÇK në Tropojë. Flet për to si për djemtë e Tropojës dhe e sheh shumë të natyrshme praninë e tyre në Tropojë. Njeh me emër shumë figura të Kosovës që nuk kanë munguar edhe t’ia artikulojnë respektin e mirënjohjen. Më gëzon kur më flet me dashuri e nderim për mikun tim heroin Sali Çeka, dhe ka mësuar për  falenderimin e Sali Çekës për banorët e Tropojës.

Ato ditë qershori të 1998 e në vazhdim në Tropojë vinin shumë zyrtarë vendas e të huaj por Sadri Isufi nuk zvarritej pas tyre, nuk zvarritej pas kamerave e gazetarëve, atij gjithmonë i dilte e mjaftonte vetja e tij.

Për ato kohë heroike kur shqiptarët u ripanë me njëri – tjetrin, u rigjetën me njëri – tjetrin, kur nisi rinjohja e madhe e vëllezërve e motrave, nëse flitet për merita, ndere e lavdi, merita e parë, nderi e lavdia më e madhe i takon familjes tropojane. E nëse flitet për individë meritorë që meritojnë nderim e mirënjohje të pakufishme, sipas meje që kam qëndruar 19 ditë në Tropojë si gazetar nga qershori deri në dhjetor 1998, të parët janë Sadri Isufi kryetar i bashkisë Bajram Curr, Xhevdet Hoxha kryetar i rrethit Topojë, Isa Memia, kryetar i komunës Tropojë i cili ka përballuar shumë më shumë se sa mundej një individ në ato kohë e atë vend. buzë kufirit ku hynin e delnin ushtarë, civilë në kushte e rrethana të vështira dhe kërkonin ndihmë e mbrojtje.

Shoqëria jonë, vendasit në Tropojë, Has e Kukës e të ardhurit në këto tri rrethe të prefekturës së dikurshme të Kosovës, duhet t’i veçojnë me shumë mirënjohje emrat e kryetarëve të tri bashkive të asaj kohe, Sadri Isufi, i Bajram Currit, Zenel Kastrati i Krumës, Safet Sula, i Kukësit,  të tre rretheve të asaj kohe, Xhevdet Hoxha, i Tropojës, Hysni Alia i Hasit, Shefqet Bruka, i Kukësit dhe të prefektit Qemal Elezi. Këto janë aktorë që duhen nderuar gjithmonë si misionarë të paqes.

Në Tropojë ato kohë, veç të tjerave, veç madhështisë e mirësisë së familjes e individit bëhej edhe tregti armësh, shiteshin armët si makarona a tesha gabi në shesh.

Por tregtarët e armëve, tregtarët e luftës kishin punën e tyre, familja tropojane kishte punën e saj, bashkia e Sadri Isufi kishin punën e tyre bashkë me familjen tropojane – të mikprisnin sa më bujarisht vëllezërit e dëbuar nga Kosova. 

Sadri Isufi është arkiv. Ai ruan ngjarje e histori, ruan detaje që do t’i kishte zili çdo arkiv e muze, ai është nder dhe krenari për Tropojën.

Shumë ngjarje e detaje më ka rrëfyer Sadri Isufi, por mua vazhdon të më mbetet në mendje ajo që, ai asnjëherë të ardhurit nga Kosova nuk i konsideroi të ardhur, të huaj, miq, mysafirë, por i ndjeu, i llogariti dhe i konsideroi si banorë vendas të Tropojës, banorë që kishin munguar disa kohë e po ktheheshin në vatrën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat