Lidhja e Prizrenit ishte apel dhe dëshmi e qenësisë perëndimore të shqiptarëve

Historia

Lidhja e Prizrenit ishte apel dhe dëshmi e qenësisë perëndimore të shqiptarëve

Jahja Lluka Nga Jahja Lluka Më 9 qershor 2018 Në ora: 22:56
Lidhja e Prizrenit

10 qershori 1878, në historinë e popullit tonë shenjtëron vullnetin e një populli atdhedashës, të etur për liri e cila mbarte peshën e pesë shekujve jetë të mohuara të qenësisë sonë shqiptare. Ishin kohëra të rënda atëherë kur pretendimet e fqinjëve, të mbështetura nga Fuqitë e Mëdha, kërkonin me domosdo copëtimin e tokave shqiptare. Rrethanat në të cilat ndodhej kombi ynë qëlluan kanosëse për mosekzistencën e tij. Sikur vuajtjet dhe torturat gati për pesë shekuj nuk mjaftuan dhe duhej çrrënjosja nga dheu e gjakut dhe gjuhës sonë. Një mallkim që po tejkalonte kohët, një plagë e rëndë e pashuar në gjiun e mëmëdheut. Historia del të jetë tragjike për ne, shqiptari gjatë jetës së tij e kishte vetëm një detyrë të rëndë “mbrojten e pragut të shtëpisë” e që me gjithë rrethanat lufta për ekzistencë tejkalonte kohërat.

Traktati i Shën Stefanit dhe Kongeresi i Berlinit ishin të ashpra për frymën shqiptare, në vulat e tyre janë gjaku, lotët dhe torturat e kombit tonë. Ishte guximi dhe largpamësia e gjithë elitës intelektuale, atdhetare dhe patriotike të cilët e kuptuan më herët se ç’rezultate do sjellnin vendimet e Fuqive të Mëdha, i urti Ymer Prizreni, largpamësi Abdyl Frashëri dhe strategu Sylejman Vokshi u emëruan në pozitat udhëheqëse nga Këshilli i Lidhjes s’ë Prizrenit. Lidhja e Besës për një Atdhe të vetëm, në tokën e lashtë pellazgjike, bëri që burrat pavarësisht rrethanave të pamundura në esencë, të nxjerrin thelbin, të përçojnë mesazhin në çdo cep ku flitej shqip, në Ballkan, Stamboll e deri në Berlin të ngrisin zërin e tyre.

Sot kur kthejmë kohën pas, duhet të ndjehemi krenar për etërit tanë të cilët nuk e njohën dorëzimin dhe më para pranuan vdekjen sesa poshtërimin. Tri figuat kyçe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë gërshetim i urtësisë largpamësisë dhe guximit. Në kontekstin politik Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënon një kthesë, ishte udhërrëfyese për proceset e mëvonshme politike të cilat do pasonin në Ballkan dhe Evropë. Në kontekstin shpirtëror Lidhja i ktheu shpresën një populli të mohuar nga bota, një populli që është burim i civilizimit evropian dhe që për faktin e tipareve hynjore, pagoi koston më të shtrejtë që njeh bota.

Rrugëtimi i frymës sonë për liri ishte tejet i gjatë. Ideja për ngjizjen e një shteti të vetëm shqiptar nuk pasoi menjëhere pas Lidhjes sepse u deshën dekada për nje Shqipëri e cila nga Konferenca e Londrës doli e copëtuar. Sot pavarësisht fatit të vështirë dhe proceseve rrënuese ne u futëm në mileniumin e dytë me dy shtete shqiptare. Edhe pse dëshira për një Shqipëri të vetme mbetet e pandryshueshme në zemrën e çdo shqiptari, rrethanat tê cilat ne i gëzojmë sot dikur kanë qenë tërësisht të pamundura.  Të pamunduara sepse pushtuesit me çdo formë u munduan ta skllavërojnë shpirtin e shqiptarit deri në vetmohim. Por një popull shqiponjash nuk u arrit që asnjëherë të skllavërohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat