Zhbogar: Të gjithë e dinin se demarkacioni ka qenë kusht për liberalizim që nga 2012-ta

Intervista

Zhbogar: Të gjithë e dinin se demarkacioni ka qenë kusht për liberalizim që nga 2012-ta

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 14:17
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, i tha Radios Evropa e Lirë se “paaftësia e elitës politike në Kosovë për të arritur pajtueshmëri për interesin strategjik kombëtar dhe një marrëveshje për interesat strategjike kombëtare”, e pengon procesin e integrimeve evropiane.

Ai tha se interesat politike dhe njëkohësisht luftërat politike po i zëvendësojnë interesat kombëtare. Samuel Zbogar tha se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë “kusht për hapat e mëtejmë të Prishtinës e Beogradit në marrëdhëniet me BE-në”.

Ai tha se normalizimi i marrëdhënieve duhet të shihet si interes kombëtar në Prishtinë dhe lidershipi në vend duhet të arrijë një konsensus për rrugëtimin e mëtejmë.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Samuel Zbogar, tha se përgjegjësia për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi bie mbi politikanët e Kosovës dhe shfaqi shpresën e tij se deri më 1 shtator “deputetët do të binden për ta votuar atë”.

Zbogar theksoi se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ishte kusht i vënë nga BE-ja që prej vitit 2012 dhe se politikanët në Kosovë kanë qenë në dijeni të tij që prej atëherë.

Samuel Zbogar, që do të lë Kosovën së shpejti, pas afro 5 vjetësh, tha se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund t’i imponohet asnjërës palë dhe se për këtë duhet të gjejnë zgjidhje që do të funksionojë”.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zbogar, po largoheni nga Kosova së shpejti në një detyrë të re, pas pothuaj 5 vjetësh. Bazuar në përvojën tuaj këtu, më thoni, është pjekur politikisht ajo?

Samuel Zbogar: Nëse lëmë pas problemet dhe çështjet ditore që sot kemi në Kosovë dhe e shikojmë më gjërësisht dhe po e bëj tani sepse jam këtu, atëherë mund të shihet se shumë ndryshime kanë ndodhur në Kosovë në këto vite. Mund të ketë pasur më shumë? Mbase. Por ndryshime të rëndësishme kanë ndodhur.

E para; Kosova ka ecur nga një pozitë kur s’ka pasur asnjë marrëdhënie me BE-në drejt një marrëdhënieje kontraktuale, përfshirë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, propozimin për liberalizim të vizave tani në tavolinë. Ky është një ndryshim i madh. E dyta; në fushën e sundimit të ligjit; EULEX-i është tani këtu për të kryer rastet që po vazhdojnë. Institucionet e Kosovës kanë përgjegjësinë e plotë dhe pronësinë në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë. Ky është ndryshim në krahasim me vitet e mëparshme.

Do të thosha se zgjedhjet e vitit 2014 ishin shumë më të mira se ato të vitit 2010 dhe vëzhguesit tanë thanë atëbotë se ky është një hap i madh për demokracinë në Kosovë. Dhe natyrisht dialogu. Ai solli një ndryshim të madh në veri. Nuk dua të hyjë në çdo gjë që ka ndryshuar dhe është arritur. Do të përmend vetëm fillimin e punimeve në renovimin e urës. Ishte gjithmonë një barrikadë simbolike ndërmjet veriut të Kosovës. Me renovimin e urës që do të hapet për trafik tani po heqim këtë pengesë të fundit dhe simbolikisht ne po sjellim ndryshim ose po e konfirmojmë ndryshimin që po ndodh përmes dialogut me integrimin e veriut të Kosovës. Do të thosha që prej përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur në vitin 2012 Kosova mori kontrollin e plotë mbi çështjet e saj dhe do të thosha se Kosova po piqet.

Radio Evropa e Lirë: Megjithëkëtë, ka probleme të theksuara. Demarkacioni dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, mosdurimi ndërmjet opozitës dhe pozitës. Sa e pengojnë këto zhvillime procesin e integrimeve?

Samuel Zbogar: Demarkacioni dhe Asociacioni i Komunave serbe nuk e pengojnë, por janë pjesë të integrimeve të Kosovës. Janë diçka që Kosova po e bën në procesin e integrimeve evropiane. Ajo që unë mendoj se po e pengon integrimin ose po e ngadalëson atë, është gjendja socio-ekonomike, papunësia dhe gjendja ekonomike.

Mendoj se është një pengesë e madhe. Pastaj sundimi i ligjit në Kosovë apo mungesa e tij më saktësisht. E treta, do ta theksoja se është dialogu i brendshëm politik, paaftësia e elitës politike për të arritur pajtueshmëri për interesin strategjik kombëtar dhe të ulen në tavolinë për të arritur një marrëveshje për interes strategjike kombëtare. Në mungesë të kësaj, atëherë interesat politike dhe luftërat politike zëvendësojnë interesat kombëtare. Është për keqardhje dhe nuk e ndihmon Kosovën dhe njëkohësisht e pengon përparimin më të shpejtë të Kosovës në proceset integruese evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Për demarkacionin është thënë pothuaj çdo gjë. Madje edhe tryeze shkencore është mbajtur në Kuvend. Por, ka ende mospajtime që mund të ndikojnë mbi stabilitetin e vendit. Pse të mos gjendet një zgjidhje tjetër për demarkacionin me qëllim të ruajtjes së stabilitetit?

Samuel Zbogar: BE-ja nuk ka një pikëpamje të veçantë për marrëveshjen. Ne nuk i kemi studiuar hartat dhe nuk mund të japim një qëndrim për këtë. Unë jam në dijeni të disa institucioneve të pavarura që i kanë parë hartat, një komision ndërkombëtar i thirrur nga ish-presidentja. Departamenti i Shtetit ka publikuar deklaratë, pastaj disa vende anëtare të BE-së kishin ekspertët e tyre që vlerësuan çështjen, dhe mendoj se të gjithë e kanë konfirmuar se përkufizimi në marrëveshje është i njëjti ose korrespondon me atë nga Kushtetuta e vitit 1974.

Mendoj se ishte mirë që Kuvendi organizoi një tryezë të rrumbullakët, mendoj se kjo është diçka që mungonte. Pra, mungonte diskutimi për marrëveshjen dhe kjo ndodhi. Mendoj se deri në votimin e 1 shtatorit ende ka kohë dhe shpresoj se diskutimet dhe shkëmbimi i pikëpamjeve do të vazhdojë.

Njëkohësisht, shpresoj se deri më 1 shtator deputetët do të binden se është një marrëveshje e mirë për Kosovën dhe do të votojnë për të. Përgjigja përfundimtare dhe përgjegjësia iu bie politikanëve të Kosovës. Ata duhet të vendosin se si të ecin tutje. Me sa e kuptoj votimi është caktuar për 1 shtator dhe siç e thash shpresoj se deputetët do të binden deri atëherë se kjo është gjëja e drejtë për të bërë.

Radio Evropa e Lirë: Por, demarkacioni është shndërruar në kusht nga BE-ja për liberalizim vizash për Kosovën?

Samuel Zbogar: Po e saktë. Në vitin 2012 kur u pajtuam me Kosovën për hartën e rrugës që çonte drejt liberalizimit të vizave, kjo u dakordua si një kusht. U pajtuam që Kosova do të arrijë marrëveshjen për kufirin, për përkuzimin e kufirit, për demarkacionin me Malin e Zi. Po, ky është një kusht, i përshkruar edhe në raportin e dhjetorit të vitit të kaluar kur theksuam se çdo gjë është bërë nga ana e Kosovës. Ne e prezantuam një pritje se deri kur Parlamenti dhe Këshilli (Evropian) do të votojnë për këtë çështje Kosova do ta ketë ratifikuar marrëveshjen.

Radio Evropa e Lirë: Ju po më thoni se liderët politik në Kosovë, përfshirë edhe ata opozitarë, e kanë ditur se ky ishte një kusht që prej atëherë?

Samuel Zbogar: Ky është një kusht që prej vitit 2012. Pra, kishte kohë të mjaftueshme që të diskutohet dhe të negociohet marrëveshja. Ajo u negociua për një kohë të gjatë. Pra, nuk është një kusht i ri, por një kusht që ishte aty prej kohësh. Çështja e kufirit nuk është e vetmja në Ballkan. Por BE-ja, deri sa ecim nëpër procese ka edhe mësime që ka mësuar. Një prej tyre është se: për vendet kandidate, për vendet që do të hyjnë në BE, është me rëndësi të zgjidhen këto probleme, problemet e kufirit, sa më shpejt të jetë e mundur. Sepse e shohim se sa shumë mund të pengojnë bashkëpunimin ndërmjet vendeve. Prandaj ne përdorim instrumenta të ndryshme në vende të ndryshme se si t’i inkurajojmë vendet ta arrijnë marrëveshjen me një vend fqinj.

Radio Evropa e Lirë: Dhe kjo nënkupton se marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të përcaktojë të ardhmen evropiane të të dyja vendeve?

Samuel Zbogar: Por me siguri dhe atë shumë. E kemi bërë shumë të qartë se kapitulli 35 për Serbinë është saktësisht e dedikuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Dhe gjithashtu Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ka një provizion që flet për nevojën që Kosova të zbatojë marrëveshjet dhe të vazhdojë dialogun me Serbinë. Për ne, dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kusht për hapat e mëtejmë në marrëdhëniet tona.

Radio Evropa e Lirë: Por, a nuk ka ngecur ky dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për shkak të problemeve të brendshme që kanë të dyja vendet?

Samuel Zbogar: Kishte disa nivele të dialogut. Ishte dialogu teknik në fillim dhe pastaj erdhëm në një nivel të dialogut politik në tetor të vitit 2012, kur u desh të krijojmë kushtet që të dyja palët të ulen së bashku dhe të fillojnë të diskutojnë. Ju kujtohet se sa shumë diskutime kishte nëse do të shtrëngojnë duart, nëse do të ketë fotografi. Kështu filloi dhe ishte faza e parë. Natyrisht kishte edhe një periudhë të rëndësishme që çonte drejt Marrëveshjes së Prillit 2013. Kjo pra ishte një fazë e mundur vetëm në kuadër të strukturës së dialogut siç ishte. Kjo e nënkupton si shumë të kufizuar vetëm në kryeministra dhe në bashkëpunëtorë të tyre. Kjo ishte mënyra e vetme marrë parasysh atmosferën që mbretëronte ndërmjet dy vendeve, për të sjellë rezultate në vitin 2013.

Ne tani po e zbatojmë këtë marrëveshje dhe Asociacioni është pjesë e kësaj Marrëveshje. Tani po hyjmë në një fazë të re të dialogut kur të dyja palët duhet të reflektojnë se si duan ta zhvillojnë dialogun në të ardhmen, cilat janë çështjet që duan t’i hapin dhe ku po çon dialogu, varësisht nga njëra ose pala tjetër.

Mendoj se do të ketë nevojë që të strukturohet dialogu, përgatitjet për dialogun të bëhen ndryshe. Atë që shohim në Kosovë është një skepticizëm ndaj dialogut, gjithashtu për shkak të mungesës së transparencës në fazat e mëhershme të dialogut. Për ne që punojmë me BE-në është çështje se si t’i përfshijmë më shumë njerëz në përgatitje të dialogut. Nuk është e domosdoshme që të gjithë të ulen në tavolinë në Bruksel, por si të përfshihen nga shoqëria civile, nga opozita në përgatitje dhe pastaj sa mund të kenë mandat dhe pastaj sa mund të informohet Kuvendi, që të mos vijmë në këso situate konfliktuoze.

Më me rëndësi për pjesën e dytë të dialogut është që njerëzit këtu në Kosovë, e këtu mendoj edhe në partitë politike, se do ta shohin këtë si interes kombëtar, që në fakt edhe është. Normalizimi është interes kombëtar dhe ata duhet të ulen në tryezë e të arrijnë një pikëpamje të përbashkët, ku do të arrihej një konsensus se nga do të shkohet. Ajo që tash po ndodh është zbatimi i Marrëveshjes së Prillit.

Radio Evropa e Lirë: Ju e përmendët Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka mospajtime të thella. Asociacioni mund të krijojë tensione ndër-etnike. BE-ja ka dështuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ndërmjet kërkesës maksimaliste të Serbisë dhe refuzimit të skajshëm nga Kosova, cilën zgjidhje mund ta ofrojë BE-ja për Asociacionin?

Samuel Zbogar: Ne gjithnjë jemi lehtësues dhe si lehtësues nuk imponojmë zgjidhje. Me gjithmonë i bëjmë bashkë të dyja palët dhe i inkurajojmë që të gjejnë zgjidhje. Rreth Asociacionit, duhet të pranojmë dy fakte: e para, të dyja palët kanë një dozë të frikës kur bëhet fjalë për Asociacionin. Pala serbe konsideron se pa Asociacionin nuk mund të ekzistojnë në Kosovë. Kurse pala e Kosovës konsideron se ky Asociacion do ta bëjë jofunksionale Kosovën. Por është fakt dhe është frikë reale, pavarësisht nëse është reale kjo është e diskutueshme. Por, fakti është se njerëzit nga të dyja palët e ndjejnë kështu. Duhet ta pranojmë, dhe të gjithë duhet ta pranojnë se tjetri ka një frikë për këtë.

Dhe fakti i dytë që duhet ta pranojmë është se zgjidhja nuk mund të imponohet. Nuk mund t’i imponohet Kosovës as serbëve. E vetmja mënyrë është që të ulen dhe të provojnë të gjejnë zgjidhje që do të funksionojë dhe do ta mbajë Kosovën funksionale dhe njëkohësisht do t’u jap garanca të caktuara serbëve që ata të ndjehen mirë dhe të integruar në shoqërinë e Kosovës. Mendoj se nuk është e lehtë, mbase është më e lehtë të thuhet kështu si e them unë se sa të negociohet, por këtu duhet të fillojmë. Ashtu siç e tha edhe Përfaqësuesja e lartë, Mogherini, në Kuvend, Gjykata Kushtetuese ka ofruar udhëzimet për ne që të arrijmë atje. Mendoj se ndoshta kështu duhet të fillojmë të ecim.

Radio Evropa e Lirë: Por, a është pra e mundshme që të gjendet zgjidhja përmes gazit lotsjellës?

Samuel Zbogar: Jo. Ne gjithnjë jemi kundër përdorimit të dhunës dhe përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvend. Ai është institucioni më i lartë demokratik. Nuk mendojmë se kjo është rruga. Në anën tjetër duhet gjithnjë të provohet të angazhohet opozita në diskutime. Askush nuk duhet të ndjehet i përjashtuar nga diskutimet dhe vendimet, por askush nuk duhet të ndjejë se kjo është mënyra e vetme se si mund të ndikojnë mbi diskutimet. Mendoj se shumë më shumë diskutime të brendshme janë të nevojshme. Kjo është mënyra se si mund të parandalohet përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvend.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët më heret çështjen e sundimit të ligjit dhe përgjegjësinë e Kosovës që ka tani. Ju keni kaluar afro 5 vjet në Kosovë, si e shihni ju këtë çështje? Disa thonë se ka perceptim për korrupsionin e tjerët flasin për një çështje reale.

Samuel Zbogar: Ka disa raste që kanë nisur të nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë. Përgjimet e fundit, mendoj se gjithashtu janë një indikacion se korrupsioni nuk është vetëm një perceptim në Kosovë. Korrupsioni, që definohet zakonisht si një shpërdorim i njerëzve të pushtetshëm, mendoj se është një problem në Kosovë. Prandaj nuk mendoj se është vetëm perceptim.

Tani, si të merremi më këtë çështje, unë mendoj se Kosova po merret me korrupsionin; kryeprokurori duket të jetë më i përkushtuar që të merret me rastet reale. Ka ligje të mira, natyrisht, dhe strategji. Përveç kësaj, janë tri gjëra që unë mund t’i përcaktoj se çfarë duhet; e para, fuqizimi i institucioneve që merren me luftimin e korrupsionit, në këtë rast gjyqësori dhe agjencia kundër korrupsionit. Kjo po ndodh tani me kryeprokurorin e shtetit, por duhet ta marrin gjithë mbështetjen dhe duhet të ndjejnë se mund ta bëjnë. Ata mund ta bëjnë, por duhe të marrin porosinë se mund dhe duhet ta bëjnë. Ky është çelësi. E dyta, ësshtë politika zero tolerancë ndaj politikanëve të korruptuar ose politikanëve nën hetime. Pra tolerancë zero. Ky do të ishte mesazhi shumë i mirë për politikanët dhe për qytetarët dhe për institucionet se kjo nuk tolerohet nga politika. E treta, na duhen shumbuj model politikanësh. Kosova po merret me lutimin e korrupsionit, ka shumë raste, por duhet të përputhen fjalët me veprime.

Radio Evropa e Lirë: Më falni, a ka mungesë vullneti të luftimit të korrupsionit në Kosovë apo ka probleme politike që nuk ka një sukses më të madh?

Samuel Zbogar: Është shumë relative të thuhet se sa i suksesshëm është dikush. Mendoj se më shumë mund të bëhet, posaçërisht në përputhjen e fjalëve me veprat dhe ndërlidhjen e tri elementeve që i përmenda. Mendoj se fuqizimi i institucioneve që ta ndjejnë se mund ta bëjnë punën është me rëndësi po aq sa edhe tolerance zero në politikë. Këto do të ishin mesazhet e drejta që do të tregonin se Kosova është serioze në përpjekjen e saj për luftimin e shpejtë dhe më të thellë të korrupsionit.

Radio Evropa e Lirë: Dhe ky është kusht për liberalizim të vizave?

Samuel Zbogar: Po, është një të cilin zakonisht e harrojmë. Të gjithë flasim për marrëveshjen me Malin e Zi, por është kushti i dytë që Kosova të vazhdojë të merret me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit. Në dhjetor kur delegacioni erdhi nga Brukseli për të parë përmbushjen e kushteve, ishte i impresionuar me prioritizimin e rasteve të nivelit të lartë. Pritet që kjo të vazhdojë dhe gjithashtu të sjell një përfundim të rasteve.

Radio Evropa e Lirë: Nivel i lartë mendohet në Azem Sylën, apo?

Samuel Zbogar: Nivel i lartë zakonisht mendohet në njerëz në pushtet – politikanë.

Radio Evropa e Lirë: Kur do të fillojë puna me Gjykatën Speciale?

Samuel Zbogar: Kosova ka bërë çdo gjë që duhet. BE-ja gjithashtu ka miratuar Fondet për funksionimin e Gjykatës. Atë që po e presim është miratimi i marrëveshjes bilaterale me Kosovën nga Parlamenti Holandez. Presim që kjo të bëhet deri në fund të vitit dhe është në duart e Parlamentit holandez, prandaj edhe është e vështirë të parashikohet. Mendojmë se mund të ndodh deri në fund të vitit. Pastaj të gjitha do të jenë në vend dhe Dhomat Speciale do të krijohen. Pastaj i mbetet prokurorit që të ngris paditë dhe të fillojë punën. Të gjitha përgatitjet po bëhen bazuar në marrëveshjen e përkohshme të nënshkruar me Holandën dhe hyrjen në fuqi menjëherë. Tani po rekrutojmë presidentin e dhomave, listën e gjykatësve, pjesën e stafit tjetër. Të gjitha përgatitjet po bëhen dhe kjo nënkupton se kur ta kemi bazën ligjore për Gjykatën do të mund të fillojë punën. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat