Tendenca e ligë e Presidentit Hashim Thaçi

Intervista

Tendenca e ligë e Presidentit Hashim Thaçi

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 tetor 2016 Në ora: 16:06
Avni Arifi

Kreu i  Degës së AAK-së, Avni Arifi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ndërsa ka shenjëstruar qeverisjen aktuale, për zhvillimet e fundit politike, është ndalur edhe  tek debati më i fundit, në lidhje me objektin e kishës në kampusin Universitarë.  Sipas të njëjtit, tendenca e presidentit të Kosovës që këtë objekt ta konsideroj si pjesë të trashëgimisë fetare Serbe, është jo vetëm skandaloze por ishte një gjest i ligë që nga qytetarët nuk do të përfillet kurrë.

Bota sot:  Çfarë mendimi keni për zhvillimet momentale në skenën politike?

Avni Arifi: Nuk besoj që mendimi im dallon shumë nga shumica absolute e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Po jetojmë një periudhë të status quos dhe ngecjeve në të gjitha fushat vitale të shoqërisë me shumë pak shpresë për një ndryshim të shpejtë. Të paktën jo,  përderisa kemi këtë konstalacion qeverisës.

Bota sot:  Kosova është duke u përballur me një sërë sfidash dhe sikur të mos mjaftojnë këto, ka shumë probleme në mes të pozitës dhe opozitës. Kur do të zgjidhen këto probleme?

Avni Arifi: Çdo vend ka probleme të natyrave të ndryshme. Raportet e pozitës dhe opozitës në Kosovë janë të tilla si rezultat i mungesës së dialogut të brendshëm. Pas krijimit të koalicionit LDK-PDK dhe minoritetet u krijua një shumicë e tillë parlamentare që për krerët e dy partive PDK-LDK u lexua si “licensë e superfuqisë”. Pasoj një arrogancë e paparë në Kosovën e pasluftës dhe një aktivitet qeveritar për shkatërrimin e dialogut të brendshëm. Natyrisht, Kosova është vend që nuk toleron një mënyrë të tillë të qeverisjes dhe ndodhën konfrontimet siç i kemi parë. Nuk besoj, se ky raport i krijuar pozitë-opozitë do të shënon ndonjë progres sepse tandemi Mustafa-Thaçi kanë shkatërruar atë që s’do të duhej të shkatërrohej e bile as të dëmtohej. Pra këta kanë humbur besimin edhe institucional e bile edhe njerëzorë.

Bota sot:  Demarkacioni është tema më e nxehtë e momentit. Çfarë do të ndodhë në momentin kur të futet në rend dite për votim. Si do të jetë reagimi i AAK-së për këtë çështje?

Avni Arifi: Nuk besoj që për qytetarin ka dilema se cili do të jetë reagimi i AAK. Reagimi ynë do të jetë i njëjtë si me 1 shtator, kur Qeveria provoj dhe dështoj ta votoj. Ne vazhdojmë të thërrasim të gjithë deputetët që mos ta votojnë këtë version të demarkacionit, sepse është version i dëmshëm dhe i rëndë për vendin tonë. Nuk guxojmë ne si gjeneratë politike të gjunjëzohemi përpara paaftësisë së një komisioni qeveritar dhe të japim pjesë të territorit apo të bashkëjetojmë me dyshimin se me gabim të një komisioni kemi humbur territor. Deputetët e partive në pushtet nuk do të duhej që të mbyllin sytë përpara një dokumenti të gabuar, pavarësisht se Kryeministri i sotit dhe ky president i sotit e kanë lidhë të ardhmen e tyre politike me këtë komision. Kosova është më shumë se një, dy apo më shumë njerëz. Konsideroj, se e  ka për obligim kombëtar por edhe njerëzor secili qytetarë i Kosovës që në çdo rast kur konfrontohet me situata të vendimmarrjes për çështje sovraniteti dhe territori në asnjë mënyrë të mos votoj përderisa hiqen të gjitha dyshimet se votimi i tyre i cënon këto. Demarkacioni duhet të rishikohet sepse të gjithë deputetët e posaçërisht ata që vijnë nga ajo anë e Kosovës si dhe ata që kanë një nivel të caktuar të ekspertizës për këtë fushë e dinë se ne humbim territor dhe komisioni shtetëror i Kosovës ka bërë punë të keqe.

Bota sot:  Përfaqësuesit e pozitës kohëve të fundit janë shprehur se kauza e opozitës për çështjen e Demarkacionit ka dështuar. Është e vërtetë kjo?

Avni Arifi: Këtë arrogancë nuk kanë hezituar ta shprehin që nga fillimi. Gjykata Kushtetuese e Kosovës me konstatimin e saj, se Marrëveshja për Bashkësinë e Komunave përmban hiç më pak se 22 shkelje të Kushtetutës është përgjigja më e mirë, se a ishte kauzë e drejtë apo nuk ishte. Po të mos ishte kjo opozitë dhe po e them me shumë keqardhje po të mos ishte gazi lotsjellës i “kauzës së rrejshme”, kryeministri Mustafa as që do ta dërgonte marrëveshjen në Kushtetuese.  Ju kujtohet po ashtu Zv Kryeministri Thaçi që me aq vendosshmëri konstatonte se marrëveshja është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Epo doli që nuk ishte. U detyrua Presidentja Jahjaga që ta dërgoj marrëveshjen në Kushtetuese. Kauza e “rrejshme” e opozitës e shpëtoj kushtetutën e Republikës nga 22 shkelje që do të kishin pasoja të pariparueshme dhe afatgjate për të ardhmen e Kosovës. E njëjta vlen edhe për demarkacionin. Herë do kurdo do të filloj proces i ri, sepse ky version nuk do të kaloj dhe të gjithë do të jemi dëshmitarë të asaj se çfarë shkelje kanë ndodhë në procesin aktual

Bota sot:  Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, ka thënë se Qeveria po e rrezikon vendin. Si do ta shpjegonit ju këtë meqë jeni nga e njëjta parti?

Avni Arifi: Unë nuk dua të shtjelloj deklarimin e kryetarit Haradinaj, sepse ju mund ta pyetni atë vet dhe ai pa hezitim do ta shtjelloj. Megjithatë ne kemi një situatë specifike parlamentare në këtë legjislaturë.  Një Qeveri me një shumicë të tillë parlamentare në kushte normale me të vërtetë është shumë e fuqishme, sepse me lehtësi kalon çdo propozim të qeverisë. Kur i ke në koalicion 89 deputetë nga 120 është një rahati totale për qeverinë. Opozita me ato pak ulëse shumë pak telashe mund të sjellë për çfarëdo vendimi të qeverisë. Shumica mundet ta kaloj buxhetin pa asnjë problem por edhe të gjitha ligjet e tjera si p.sh ligjin për ujërat e zeza apo çfarëdo ligji. Dhe kjo është normale në demokraci dhe askush nuk sfidon asgjë. 

Bota sot: Se fundmi po flitet për një bashkëpunim dhe koalicion mes AAK dhe PDK –se, me qëllim zgjedhjet e ardhshme, por me kushtin që Ramush Haradinaj të jetë kryeministër. Si qëndron e vërteta?

Avni Arifi: Që nga viti 2008 ,gati në çdo intervistë me secilin gazetarë të secilit portal më është bërë kjo pyetje. Tash jemi në fund të vitit 2016 unë prapë përballem me këtë pyetje por ky koalicion nuk ka ndodhë gjithë këto vite. Jam i sigurt se prapë do të ma bëni këtë pyetje në intervistën e ardhshme. Përgjigja ime është ajo e 2008. Kurrfarë marrëveshje nuk ka.

Bota sot:  Me cilat parti nuk do të bënte kurrë koalicion AAK –ja?

Avni Arifi: Ne e kemi pas vendim edhe pas zgjedhjeve të vitit 2007 edhe pas vitit 2010 dhe të atyre të vitit 2014 se nuk qeverisim nën konceptin qeverisës “Thaçi”, i cili tani më është e qartë për çdo qytetarë se ka qenë në tërësi koncept korruptiv. Pavarësisht pasojave që ky vendim ka pasur për strukturat e AAK në kuptim të mungesës së jetës institucionale besoj se ka qenë vendim i duhur. Ne nuk kemi qenë në asnjë mënyrë instrument i dëmeve që qeverisja Thaçi i ka shkaktuar Kosovës. Në zgjedhjet e ardhshme ne garojmë në koalicion me NISMA dhe synim i yni është fitorja e zgjedhjeve. Preferencë e jona është çdo parti që ka synim ndryshimin rrënjësor në Kosovë

Bota sot:  Liberalizimi i vizave po përdoret si kartë për qëllime elektorale. Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë tallje me qytetarët ?

Avni Arifi: Jo nuk po përdoret si kartë për qëllime elektorale. Liberalizimi nuk po ndodhë për shkak, se Qeveria nuk po i përmbushë detyrimet e veta. Shikoni, në vitin 2014, ka qenë një fakt i njohur se liberalizimi do të ndodhë më së largu në fillim të vitit 2015. Ardhja e kësaj Qeverie dhe paaftësia e saj që të përballet me korrupsion si dhe thellimi i korrupsionit bëri që liberalizimi sot të jetë shumë më larg, se sa që ishte në vitin 2014. Kjo Qeveri është tepër e papërgjegjshme dhe tolerante ndaj korrupsionit gjë që bënë të gjithë partnerët tanë në BE skeptik dhe ja ku jemi. Përveç, kësaj ne jemi qe një vit të bllokuar me paaftësinë e Qeverisë që të përballet me demarkacionin. Po të ishte një Qeveri e përgjegjshme ajo qysh para një viti do të shkarkonte komisionin qeveritar dhe do të kishim një komision tjetër transparent dhe gjithëpërfshirës dhe kjo çështje kaherë do të ishte ratifikuar dhe harruar. Por me këtë Qeveri, ja ku jemi.

Bota sot:  Objekti i kishës në kampusin e Universitetit, së fundmi ka ngjallur debat në rrethin e politikës dhe jo vetëm. Cili është mendimi juaj?

Avni Arifi: Nuk njoh objekt kishe siç e quani ju objektin në kampusin universitar. E njoh si objekt të ndërtuar me qëllim të demonstrimit të dominimit dhe terrorit dhe gurëthemeli i saj është bërë nga njerëzit që bota demokratike i ka ndjekur më vonë për terror. Ky është monument terrori dhe i trashëgimisë së terrorit e objektet e tilla nuk kanë asgjë të përbashkët me asnjë religjion. Unë e njoh kishën ortodokse Serbe të Shën Nikollës e cila është 4-5 km më tutje dhe atë e shoh si tempull fetar, i cili duhet të ruhet dhe respektohet si çdo tempull tjetër në Kosovë. Këtë e them që mos të keqkuptohet asgjë. Unë konsideroj, se Kosova është vend i lirë përderisa të gjithë qytetarët e saj ndër të tjera lirshëm dhe pa frikë e ushtrojnë besimin e tyre. Kosova është e lirë përderisa tempujt e shenjtë konsiderohen të shenjtë nga shteti dhe shoqëria. Por ky objekt nuk është i tillë dhe kurrë nuk do të jetë. Tendenca e presidentit të Kosovës që këtë objekt ta konsideroj si pjesë të trashëgimisë fetare Serbe, është jo vetëm skandaloze por ishte një gjest i ligë që nga qytetarët nuk do të përfillet kurrë.

Bota sot:  Nga VV –je,  ka zëra se Kosova rrezikon të përfshihet në një luftë që rrezikon Ballkanin. Si i komentoni ju këto deklarata?  

 Avni Arifi: E kam dëgjuar diku  një fjali se “Kush nisë dhe kush dëshiron luftë në Ballkan vet digjet në të”. Këtë e kemi parë në vitet 90. Me një prezencë të tillë të NATO-s në rajon, me anëtarësimin e Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe me Kosovën e cila ka këtë anëtarësim aspiratë të vetme ushtarake besoj fuqishëm në paqe afatgjate në rajon.

Bota sot: Pse opozita nuk ka bashkëpunuar me pozitën për rastin e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës?

Avni Arifi: E keni gabim sepse AAK e ka përkrahur privatizimin PTK –së, në legjislacionin e kaluar në mirëbesim se ky proces do të ishte transparent dhe në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Fatkeqësisht, qeveria e Kosovës ( Thaçi 2) e kishte parë këtë proces si shans të mirë për fitimin e milionave për një rreth të ngushtë qeveritar. Dhe kështu ndodhi AXOS  dhe padia gjyqësore që mund të dëmtoj rëndë Kosovën. E them me përgjegjësi të plotë se Kosova, do të paguaj kohë të gjatë për krimet që qeveritarët e saj i kanë bërë në periudhën 2008/2016

Bota sot:  Tash po del që telash do të jetë edhe çështja e “Trepçës”. Është përfolur privatizimi i saj me formën e likuiditetit. Cili është mendimi i AAK-së për këtë çështje?

Avni Arifi: Likuidimi i Trepçës nuk është opsion. Në fillim të 2015 nuk më kujtohet data por e di që ishte e premte, Kryeministri Mustafa dërgoj në kuvend propozimin që Trepça të shndërrohej në ndërmarrje publike. Ne pavarësisht rezervave tona serioze ndaj një transformimi të tillë vendosëm ta përkrahim këtë propozim të Kryeministrit. Gjatë asaj fundjave,  pasuan reagimet e zyrtarëve më të lartë serb duke përfshirë edhe kryeministrin Vucic të cilët i jepnin vetes të drejtë që të kundërshtonin këtë vendim të Kryeministrit të Kosovës dhe garantonin se Trepça nuk do të shndërrohej në ndërmarrje publike. Ishte e dhimbshme dita e hënë kur Kryeministri Mustafa në fillim të seancës tërhoqi ligjin nga votimi. E përmenda këtë situatë me qëllim që të potencoj se për Trepçën çfarëdo vendimi që të merret ai duhet të jetë vendim i Kosovës. Tash pas një kohe të gjatë pritet propozimi i ri për Trepçën dhe te shohim se çka synon kjo Qeveri. Jam skeptik.

Bota sot:  Rritja ekonomike e vendit është më e ulët sesa vitin e kaluar. Sikur të ishin privatizuar ish-PTK-ja dhe “Trepça” me kohë a do të ishim përballur me këtë?

Avni Arifi: Do të ishte rritur ndoshta përqindja e shkallës së zhvillimit ekonomik për këtë vit, por, ne nuk kemi vit për vit nga një PTK dhe një Trepçë me shit. Kosova duhet të ketë rritje ekonomike të mirëfilltë si rezultat i politikave efikase ekonomike e jo si rezultat i shitjeve ad-hock të aseteve të saj. Kosova asnjë përpjekje serioze nuk ka bërë që të tërheq investitorët e huaj. Kjo Qeveri asnjë projekt madhor për asnjë hap nuk e ka shtyrë përpara. Ka dështuar me projektin e Brezovicë, ka dështuar me Kosovën C dhe me këtë paaftësi me plot të drejtë, çdo qytetarë duhet të frikësohet nga çfarëdo projekti madhor që këta mund të përfshihen. Dobësia e tyre nuk shprehet vetëm te aftësia për identifikim dhe menaxhim të projekteve, apo të tërheqjes dhe mbajtjes së investitorëve por edhe aftësia e tyre për negocim të çfarëdo kontrate. Çdo kontratë multimilionëshe që këta njerëz e negociojnë do të jetë e frikshme për qytetarin e Kosovës sepse në këto dy vite këta me të vërtetë na kanë bindë se janë shumë të paaftë

Bota sot: Jemi në ditët më të nxehta të politikës së Kosovës, madje ka politikanë që po e kërkojnë bashkimin me Shqipërinë. Çfarë po ndodhë kështu?

Avni Arifi: Na kanë ndarë me dhunë dhe përderisa shqiptarët jetojnë gjithmonë do të jetojë edhe ideja që ajo ndarje të zhbëhet. Megjithatë, njerëzit e shohin ndryshe këtë zhbërje. Unë e shoh duke e forcuar shtetin e Kosovës duke respektuar dhe avancuar institucionet e Kosovës. Unë e shoh zhbërjen, duke e anëtarësuar Kosovën në NATO, UE dhe në OKB. Për mua, kur këto të ndodhin atëherë ka ndodhë zhbërja. Shteti është i qytetarëve të saj e dihet se kush jeton në Kosovë.  Është shqetësuese kur dëgjon njerëz që fyejnë shtetin dhe flamurin e Kosovës. Nuk e fsheh,  se aspak nuk më pëlqen dizajni i flamurit të Kosovës. Por, se nuk më pëlqen flamuri i Kosovës nuk është asnjë arsye, që mos ta respektoj atë flamur e aq më pak nuk ka asnjë arsye pse mos ta dua, mbroj dhe respektoj shtetin e Kosovës. Është absurde të mos duhet shteti i Kosovës dhe të flasësh për patriotizëm shqiptar. Pse shtet i kujt është Kosova nëse nuk është i Shqiptarëve? Paramendoni sa absurde do të ishte sikur një antikomunist të mos e donte Shqipërinë për 50 vite për shkak se flamuri e kishte yllin komunist të Leninit e Stalinit mbi përkrenare. Të them të drejtën është zhgënjyese që si shoqëri po përfshihemi në debate të tilla pa nivel e që në fakt janë debate koti. Të punojmë e t’i lejmë anash këto broçkulla.

Bota sot:  A do të bëhet ndonjëherë Kosova për të cilën është sakrifikuar që sa e sa gjenerata?

Avni Arifi: Po do të bëhet sigurt dhe nuk ka forcë që e ndalë. Shtetësia e Kosovës është e rrënjosur thellë në mendjen e njerëzve të saj dhe edhe pse ndoshta me vonesa të pa nevojshme Kosova do të shndërrohet në vend çfarë e kanë ëndërruar njerëzit e saj të mirë. Një shtet i mirë për popullin e mirë të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat