“SHIK–u, i ushqyer nga KEK-u dhe PTK–ja, po saboton shtetin e Kosovës”

Intervista

“SHIK–u, i ushqyer nga KEK-u dhe PTK–ja, po saboton shtetin e Kosovës”

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 24 tetor 2016 Në ora: 16:30
Haki Abazi

Drejtuesi i Fondacionit, “Rockefeller Brothers”, për Ballkanin Perëndimor Haki Abazi, gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, ka thënë se afera  “Pronto 2” është manifestim i drejtpërdrejt i shtetit të kapur nga nëntoka, duke keqpërdorur emrin e UÇK-së dhe luftës. Abazi, i ka quajtur ndërhyrje në punën e Prokurorisë letrat e Presidentit Thaçi për hetimin e krimeve gjatë dhe pas luftës në Kosovës.

“Bota sot”: Z. Abazi muajve të fundit kemi dëgjuar përgjimet e “Aferës Pronto2”, aty dëgjohen teksa bëhen aranzhime të punësimeve të ndryshme, ku protagonistë kryesorë janë njerëz nga Partia Demokratike e Kosovës, si e komentoni ju këtë çështje?

Haki Abazi: Forma më e shkurtër për t’u përgjigjur lidhur me Aferën Pronto 2, është manifestimi i drejtpërdrejtë i një shtetit të kapur, që nga nëntoka, duke keqpërdorur emrin UÇK-së dhe luftën kanë arritur të eliminojnë kundërshtarët politik dhe të degradojnë procesin shtetformues nga një proces gjithëpërfshirës dhe me vizion për shtet demokratik dhe funksional në një shtet të mentalitetit provincial dhe me qëllime për të krijuar shtresa quazi-elitë, duke kontrolluar Ekzekutivin, Parlamentin, mediet publike, sektorin privat dhe çdo gjë që mund të sjellë fonde dhe në anën tjetër siguron orkestrim të rezultateve të zgjedhjeve në të gjitha nivelet. Pronto 2 përgjithmonë eliminon mëdyshjen se kush janë “shefat” e procesit të degradimit të vizionit shtet formues. SHIK -u ka qenë mekanizëm dhe vazhdon të jetë mekanizmi sabotues i shtet formimit në Kosovë. Ky shërbim mund të ekzistojë vetëm duke qenë i infiltruar në institucionet shtetërore dhe ushqehet nga ndërmarrjet publike siç janë KEK-u dhe PTK –ja,  por jo vetëm.

Image
Haki Abazi

“Bota sot”: Cili është komenti juaj, rreth letrave të Presidentit Thaçi drejtuar Prokurorisë, ku kërkon hetimin e krimeve të luftës dhe pasluftës?

Haki Abazi: Paradoksi i pafytyrësisë arrin kulmin kur z. Thaçi interferon me agjendën e Prokurorit, duke dërguar katër letra e jo një letër me katër faqe. Kjo është thirrje për të kualifikuar popullin Kosovar si idiot. Ky paradoks hipokrizie shkon më tutje kur kërkohet gjetja e atyre që kanë tentuar të vrasin Presidentin Rugova. Është ky i njëjti njeri që ka refuzuar të varrosej Rugova me nderime shtetërore, është i njëjti ky dhe miqtë e tij që kanë kërcënuar, se do ta bombardojnë varrin e Rugovës, dhe është po i njëjti të cilin Rugova nuk e ka pranuar asnjëhrë si partner të politikës në Kosovë. Është e qartë  që Hashimi ka bërë këtë gjë nga frika dhe nga pasiguria që e ka rrethuar në një institucion ku nuk ka mbështetës dhe në asnjë mënyrë nuk lejon që një person kaq polarizues të jetë i ulur në karrigen presidencale.

“Bota sot”: Së fundi kemi parë edhe deklaratat e ish Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, i cili ka akuzuar vartësit e PDK-së për ndërhyrje në fondin e Trustit Pensional, cila mund të jetë prapavija e kësaj çështjeje?

Haki Abazi: Deklaratat e Hashim Rexhepit janë të fuqishme dhe në cilin rast dhe vend tjetër kjo do të ishte e mjaftueshme për të kërkuar llogari, aq më tepër që është e qartë që Hashim Thaçi ka orkestruar arrestimin e tij  dhe largimin e tij nga pozita duke sjellë një partizan politik të dëgjueshëm në krye të Bankës Qendrore.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni të martën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat