Bujar Lako: Interpretimi do përkushtim

Intervista

Bujar Lako: Interpretimi do përkushtim

Nga: Gani Mehmetaj Më: 27 dhjetor 2016 Në ora: 17:02
Bujar Lako

Bisedën më Bujar Lakon për herë të parë e botova në gazetën "Bujku" 1992 (zëvendësim i gazetës "Rilindja" që atëbotë u ndalua). Pastaj e botova në librin "Magjia e ekranit",  (Kosovafilm 2005). Po e ribotoj pas vdekjes së aktorit që la boshllëk në kinematografi.  

Bujar Lako është aktor i njohur i filmit shqiptar, ku ka interpretuar dhjetëra role. Shikuesit tanë e kanë parë në një varg filmash, nga të cilët e kujtojnë në “Gjeneral gramafoni”, “Udha e Shkronjave”, “Ballë për ballë”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Nëntori i dytë”, “Binarët”, “Telefoni i një mëngjesi” etj.

Para një kohe ishte mysafir në Teatrin Shqiptar të Shkupit, ku interpretoi rolin kryesor në dramën “Varrtarët”. Përgjithësisht nuk komunikon me mjetet e informimit.

- Pas njëzet vjetëve profesion, kjo është intervista e parë që jep, vetëm për një arsye: për herë të parë flas atë që ndiej. Nuk kam dhënë më parë intervista, sepse nuk kam dashur të flas atë që nuk ndiej, megjithatë me pëlqen kur gjërat janë shumë të kursyera.

Zoti Lako, i takoni plejadës së aktorëve më të spikatur dhe më të angazhuar shqiptar. Keni interpretuar role të ndryshme. Cilat do t’i veçoni?

- Në përgjithësi aktorët vuajnë nga mendimi se të gjitha rolet i kanë kryevepra (përfshirë këtu edhe mua). Këtu mendoj unë se qëndron vështirësia në të zgjedhurit e roleve. Vetëm një aktor i madh ndoshta arrin t’i veçojë rolet e tij më të mira.

Cili është niveli i interpretimit në filmin dhe në teatrin shqiptar?

-Në teatrin shqiptar, niveli ka qenë tepër profesional, ndërsa në film interpretimi në përgjithësi është disi teatral.

Roli i Halit Beratit (“Gjeneral gramafoni”) është nga rolet që mbeten në kujtesë. Cila ishte mënyra e qasjes dhe sa është aktuale kundërvënia “imperializmit kulturor” në komunikimin dinamik bashkëkohor?

-Në qoftë se flitet për aktualitetin e personazhit, gjithmonë personazhet e tilla mbetën aktuale, sepse kanë një dramë komplekse dhe aq më tepër kanë një gjë plus, që sa më të vështirë të duken nga kjo gjë, aq më të thellë janë. Këtu bëhet fjalë për një personazh, i cili ka drama të brendshme, të ndryshme dhe detyrohet të veprojë në këto rrethana së bashku me një instrument muzikor, i cili është më i vështirë, më i bukuri dhe që në momente të caktuara bëhet më i lehtë për një profesionist. Gjithmonë flas për një personazh të tillë.

Në filmin “Ballë për ballë” interpretoni rolin e një personazhi, do të thoshim me një dozë epizmi, në rrethana të caktuara. Çfarë provokimi paraqet për aktorin personazhi dhe profesioni i tij?

-Për të luajtur personazhe të tilla: “heronj epikë” mendoj se nuk është gjë e vështirë për një profesionist, sepse më duket që personazhet e tilla janë disi skematike. Dhe, për të interpretuar një personazh pak a shumë skematik (epik) duhen disa elemente të mjeshtërisë së aktorit, që janë të domosdoshëm për një profesionist. Dhe, mendoj se këtë element të kësaj mjeshtërie e disponojnë pa përjashtim të gjithë aktorët me të dhëna psikofizike që u ngjajnë këtyre personazheve. Mendoj se këtu, ka një vështirësi për të realizuar një figurë të tillë, që aktori profesionist, kur ka nëpër duar një personazh të këtillë, duhet të harxhojë gjithë sekretin e tij të mjeshtërisë së aktorit për të krijuar kolorit në këto figura epike. Këto figura epike gjithmonë në përbërjen e tyre përmbajnë një lloj skeme. Mujo Bermema, për të cilin ju më pyesni, ka vetëm një dramë që në gjuhën time profesionale mund ta quaj “dramë të përgjithshme”, që është shumë e drejtë dhe duhet përballuar nga secili profesionist, por që i mungon një çelës kryesor, i cili quhet lëngu i figurës artistike (intimiteti i personazhit, drama personale që duhet harmonizuar në dramën e përgjithshme). Flas gjithmonë dramaturgjikisht për këtë figurë artistike.

Nga opusi i filmave tuaj kam përshtypjen se preferoni rolet epike. A është ky insistimi juaji apo ajo varet nga rolet që u ofrojnë?

-Nuk preferoj personazhet epike. Preferoj personazhet që kanë sugjestion dramaturgjik. Më shumë preferoj personazhe, heronj, karaktere të fuqishme, të cilët herë-herë mund të duken epike, herë-herë karakter hero. Me një fjalë, personazhe që kanë një gamë të gjerë dramaturgjike, me shumë të panjohura brenda vetes së tyre, gjë që të çon në një mister mjeshtëror. Dhe vetë mjeshtëria e aktorit sa më e mistershme të jetë, aq më magjike bëhet.

Cilën shkollë të interpretimit preferoni?

-Shkollën amerikane. Kryekëput parapëlqej shkollën e Elia Kazanit dhe të Strasbergut.

Zoti Lako, meqë filmi është art dinamik, sa ka arritur t’u përgjigjet vlimeve shoqërore në Shqipëri. Sa ishte ilustrues i realitetit dhe lustruesi i së përditshmes?

-Në përgjithësi tentativat kanë qenë për t’iu përgjigjur realitetit sepse filmi të jep mundësi më të madhe për t’iu shmangur kontrolleve zyrtare të ideologjisë që ka qenë në fuqi. Me përqindje unë ndoshta nuk di t’i them tani, por mendoj se kinematografia u është përgjigjur shumë më fuqishëm vlimeve shoqërore.

Sa ka arritur teatri dhe filmi t’u shmangen kufizimeve ideologjike?

-Për specifikën e tij, teatri është më i kufizuar për t’iu shmangur ndikimeve ideologjike, megjithatë vite më parë teatri ka pasur periudha të suksesshme, jo se nuk ka pasur dhe viteve të fundit, por ato kanë qenë më të rralla. Kur diktatura ka qenë më e vëmendshme ndaj teatrit, teatri mezi mbushej me frymë, kur diktatura i çonte yjtë në një fushë tjetër, teatri mund të merrte frymë më lirisht për një kohë të shkurtër.

Shumë aktorë, pas një periudhe të suksesshme në film a teatër provojnë të bëhen regjisorë, megjithëse nuk e braktisin tundimin për të dalë para kamerës a në skenë. A keni menduar ju për këtë?

-Në momentin që e kam quajtur vetën aktor profesionist, nuk më ka shkuar kurrë mendja të merrem me regji, sepse kam mendimin, bindjen se njeriu kur merret me një punë profesionale, duhet ta çojë atë deri në fund, dmth., të përsos atë punë që ka filluar.

Si e shihni pozitën e aktorit dhe të kinematografisë shqiptare në momentin aktual?

-Pozitën e aktorit në momentin aktual e shoh tepër fatkeqe, sepse në kalimet rrënjësore të një shteti totalitar në një shtet demokratik, çdo gjë është në zero. Duhet të kalojë kjo zero që aktori të mund të mendojë lirisht dhe të punojë lirisht në inspirimin e tij artistik. Kam bindjen se pa një ekonomi normale aktori mbetet në fund të të gjitha gjinive të tjera artistike, meqë puna e tij nuk është punë individuale, por është vetëm punë kolektive dhe në punë kolektive kërkohen vetëm investime. Po të isha piktor p.sh., në vend të kësaj interviste do të kisha dhuruar një peizazh si mik që të kam.

1992

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat