“Tre hapat për të zgjidhur Demarkacionin”

Intervista

“Tre hapat për të zgjidhur Demarkacionin”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 janar 2017 Në ora: 15:09
Avni Arifi

Sipas zyrtarit të AAK –së, Avni Arifi, në lidhje me Demarkacionin, Qeveria insiston dhe shantazhin, fyen e tenton të blejë deputetë, vetëm e vetëm që ta kalon versionin «Meha». Ai ka hedhur poshtë fjalët që kanë qarkulluar në media, se AAK-ja është pajtuar me ratifikimin e Demarkacionit në mënyrë që të liberalizohen vizat. Sipas të njëjtit, kjo fushatë është ndërmarrë nga PDK –ja, për dy qëllime, që të diskreditojë AAK -në si dhe të krijojë percepsion publik,. se liberalizimi i vizave është drejtpërdrejt i lidhur me kalimin e versionit «Meha» të demarkacionit.

Bota sot: Viti 2016 filloi me protestat kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa po përfundon me protestat duke kërkuar drejtësi për aktivistin Astrit Dehari, si mendoni se do ta gjejë viti 2017 Kosovën?

Avni Arifi: Fillimi i vitit 2017 të paktën po e gjen Kosovën të izoluar me paqartësi të shumta për të ardhmen dhe me probleme të pazgjidhura. E di sigurtë, se nëse nuk do të ndodhë ndryshimi, viti 2018 do ta gjejë edhe në gjendje shumë më të vështirë. Qeveria aktuale është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova që nga paslufta dhe nuk besoj se do të ndodhë ndonjë mrekulli që do të bënte këtë qeveri ta ndryshojë performancën.

Bot sot: Si e mendoni humbjen e jetës së një aktivisti politik, mendoni që ishte vrasje apo vetëvrasje?

Avni Arifi: Para se të del prokurori me rezultatet përfundimtare për rastin e Deharit, u publikuan xhirimet e burgut të Prizrenit gjatë kohës së pauzës, mendoni se ka diçka mbrapa kësaj? Humbja e jetës së Astritit e posaçërisht mënyra se si vdiq është me të vërtetë tronditëse për çdo njeri të Kosovës. Vdekja mbetet enigmatike por nuk i jap vetes të drejtë të konstatoj se ishte vrasje apo vetëvrasje. Çfarë mund të them me bindje të plotë është se sjellja e shtetit ishte e tmerrshme. Abuzimi dhe hedhja në portale, e materialeve sensitive për mua është një provë e fuqishme se ka defekte serioze në shtetin tonë. Të ndodhë e gjithë kjo dhe asnjë njeri përgjegjës të mos jap llogari është garancë se tronditjet do të vazhdojnë. Kosova është vend ku përgjegjësit për krime të rënda nuk përgjigjen as politikisht e as penalisht.

Bota sot: Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi ende nuk ka kaluar, Qeveria insiston se do të kalojë në një të ardhme, cilat janë veprimet që do t’i ndërmarrë opozita kur kjo çështje të hyjë në rend dite?

Avni Arifi: E qartë se Qeveria insiston dhe shantazhin fyen e tenton të blejë deputetë, vetëm e vetëm që ta kalon versionin «Meha». Kryeministri Mustafa dhe Thaçi çështjen e demarkacionit në mënyrë të pandershme e kanë kthyer në çështje «nderi» dhe e mbrojnë me fanatizëm. Nuk besoj, që ka malazez që lufton për këtë version më shumë se këta dy. Më lejoni të improvizoj një situatë hipotetike: ta zëmë se Qeveria malazeze konstaton defektet në versionin aktual dhe kërkon kthimin e kufirit në Çakorr. Ju siguroj se Mustafa- Thaçi nuk do ta pranonin sepse kjo çështje «nderi» për ta s’ka pasur kurrë të bëjë me të vërtetën.

Bota sot: Kemi parë kohëve të fundit në media që AAK-ja është pajtuar me ratifikimin e Demarkacionit në mënyrë që të liberalizohen vizat, sa është i saktë ky qëndrim, a do të bëjë AAK-ja pazare të tilla në të ardhmen?

Avni Arifi: Jo kjo ishte një «ballon» si duket nga PDK. Ishin dy qëllime: 1) të diskreditoj AAK -në 2) të krijoj percepcion publik se liberalizimi i vizave është drejtpërdrejt i lidhur me kalimin e versionit «Meha» të demarkacionit. Përpjekje të kota.

Bota sot: Sipas jush, çfarë versioni duhet të formojë Qeveria për ratifikimin e demarkacionit?

Avni Arifi: Çështja e demarkacionit është çështje që zgjidhet brenda tre muajsh. Këto janë veprimet: 1. Shkarkohet komisioni shtetëror 2. Krijohet komision i ri shtetëror me përfshirje shumë të gjerë 3. Fillojnë bisedimet me palën malazeze. Për këto veprime Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi po e mbajnë peng popullin e Kosovës.

Bota sot: Është ngritur një mur në anën veriore të Mitrovicës, që sipas serbëve një mur i tillë ishte i përfshirë në bisedime si do ta cilësonit ju këtë veprim të tyre?

Avni Arifi: Një zot e di se çfarë bisedojnë këta njerëz. Ky dialog është tërësisht jotransparent dhe nuk isha befasuar në asgjë dhe besoj se askush nuk ishte befasuar.

Bota sot: A është shenjë që Mitrovica po ndahet me të vërtetë?

Avni Arifi: Kjo është shenjë dhe konfirmim se këta njerëz nuk do të integrojnë këtë pjesë të Kosovës.

Bota sot: Cilat janë pikat e dobëta të qeverisë në Kosovë e të cilat mendoni se po i shfrytëzon qeveria serbe, duke përfshirë kodin telefonik, asociacionin e komunave serbe, largimin e listës serbe nga Kuvendi i Kosovës?

Avni Arifi: Ata që udhëheqin me procesin janë të shantazhuar. Njëri nga frika e padisë së gjykatës speciale e tjetri nga rreth 80 dosje të deponuara në prokurori. Në këtë mënyrë Kosova që në start është e hendikepuar.

Bota sot: Përmes këtyre marrëveshjeve, përmes bisedimeve, a është duke u kthyer Serbia në Kosovë duke i shfrytëzuar ndërkombëtarë?

Avni Arifi: Ata e bëjnë lojën e tyre. Nuk më preokupon ajo çka duan ata. Kosova duhet të jetë e preokupuar me strategjinë e vet e cila është tërësisht defanzive dhe paturpësisht servile.

Bota sot: A duhet të ndryshojë mënyrën e dialogut Kosova dhe t’i bëjë presion Serbisë, qoftë për respektimin e marrëveshjeve qoftë edhe për pranimin e pavarësisë së Kosovës?

Avni Arifi: Ne qysh më 2013 e kemi konstatuar se kjo formë e dialogut është e shterrur dhe kemi kërkuar që ky dialog të ndryshojë. Fatkeqësisht, propozimi ynë nuk kaloi dhe tash paguan Kosova. Na vjen keq që nuk mundëm të ndikojmë atëherë mjaftueshëm por ja që fuqia jonë politike ishte e kufizuar.

Bota sot: Gjykata Speciale ka kaluar tashmë në Kuvend, së shpejti do të fillojë edhe punën e saj. Ku dështuan deputetët të pozitës dhe opozitës pasi që nuk kanë mundur ta ndalojnë këtë gjykatë?

Avni Arifi: Ka dështuar Kosova. Unë besoj fuqishëm se kjo gjykatë asnjë të mirë nuk do t’ia sjell Kosovës. Gabimet e Kosovës nuk mund të përkufizohen vetëm në votimin fatal që deputetët e pozitës bënë, kur e votuan por ato fillojnë që nga koha e raportimit të Dick Martit. Ka qenë gabim mënyra si u menaxhua raporti, ka qenë gabim që të apostrofuarit në këtë raport vazhduan të udhëheqin me vendin dhe me fjalë të tjera ata të ishin personat që u morën vesh me ndërkombëtarët se si duhet të duket gjykata. E tmerrshme gjithë kjo. Të lejojmë ne që të krijohet një gjykatë e tipit të Nurnbergut për «krimet» shqiptare ndaj serbëve unë e kuptoj si vrasje e dytë për gjithë ata shqiptarë që u vranë e u masakruan gjatë shekullit të kaluar. Që të gjithë duhet të ndihemi fajtor që lejuam politikën udhëheqëse të Kosovës ta degradojë dhe të jetë pjesë e falsifikimit historik të vërtetës për Kosovën. Për këtë gjeneratat e ardhshme edhe do të paguajnë edhe me të drejtë nuk do të na falin.

Bota sot: Flitet se mund të përfshihen figura të larta shtetërore të Kosovës nga Gjykata Speciale, a prishet imazhi i Kosovës përmes kësaj dhe a duhet të japin dorëheqjen e tyre ata nëse ngrihen aktakuzat?

Avni Arifi: Kjo gjykatë do ta dëmtojë shumë rëndë dhe pariparueshëm Kosovën dhe imazhin e saj. Fund e krye ka qëllim ta cënojë pariparueshëm UÇK-në dhe vlerat e saj. Çdo tregim tjetër është broçkull. A duhet të japin dorëheqje? Natyrisht, po sepse funksioni publik nuk ushtrohet nga burgu por kjo pak ka rëndësi.

Bota sot: Çfarë duhet të bëjnë institucionet e drejtësisë për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës?

Avni Arifi: T’i zbardhin ato. Kosova nuk mundet të ec përpara si duhet pa u zbardhur këto vrasje. Kurse politika duhet përfundimisht të mos i përdorë këto akte të tmerrshme për të fituar vota. Është e pakuptimtë dhe moralisht korruptive kur në fushatë LDK premton zbardhjen e vrasjeve të pasluftës e gjatë qeverisjes as një hap nuk e ndërmerr për zbardhjen e tyre. Bile ta kishin krijuar një task force. Bile të kishin ndarë një buxhet për ekipin hetues. Asgjë ama bash asgjë. Nuk zbardhen vrasjet e pasluftës me akademi përkujtimore të fjalëve të bukura të folësve e as me garën e zyrtarëve partiak se cili po ulet në karrikat e përparme për të krijuar përshtypje se duan drejtësi. Qeveria që don zbardhjen e vrasjeve të pasluftës nuk sillet si kjo që sot udhëhiqet nga LDK.

Bota sot: Çfarë ka humbur apo fituar AAK dhe NISMA nga ndarja e rrugëve me Vetëvendosjen?

Avni Arifi: Me VV është mirë që jemi ndarë atëherë se sa më vonë. Besoj se këtu kemi fituar të dy palët sepse ndarja ka qenë e pashmangshme. Dallimet janë tepër të mëdha. Kemi humbur të dy palët në kuptim të asaj se po të evitoheshin këto dallime do të fitonim. Fatkeqësisht doli të jetë e pamundur.

Bota sot: Është përfolur që do të bëhet reformatimi i qeverisë mirëpo ende nuk është bërë, sipas jush cilët ministri duhet të ndryshohen?

Avni Arifi: Kjo qeveri nuk ka të drejtë as morale e as legjitime që të reformatojë asgjë. Çdo koalicion që do të vijë pas zgjedhjeve duhet të zhbëjë vendimet që kjo Qeveri merr për të ardhmen. Këta të sotshmen po e «kullosin» e po përpiqen t’i tregojnë koalicioneve të ardhshme se si duhet të qeverisin dhe sa ministri duhet të ketë Kosova!

Bota sot: Ka pasur deklarata nga zyrtarë të pozitës por edhe të opozitës se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, cili është qëndrimi i AAK-së?

Avni Arifi: Ne besojmë se është në interes të Kosovës shkuarja në zgjedhje.

Bota sot: Në zgjedhjet e ardhshme komunale me cilën parti AAK-ja, ka pikëpamje të njëjta politiko- programore në qeverisjen e Prishtinës?

Avni Arifi: Gjërat shikohen më ndryshe në nivel lokal. Shumë varet nga personi i cili fiton zgjedhjet se sa nga cila parti vjen. Nuk mund të paragjykoj për kandidatët e mundshëm por mund të konstatoj se edhe PDKja e çuditërisht edhe LDK-ja po e dëmtojnë Prishtinën duke ua mohuar qytetarëve të saj të drejtën për Ligjin për Prishtinën. E thashë çuditërisht LDK-ja sepse pas tërë asaj përkrahje që Prishtina i ka dhënë LDK -ës ka qenë e moralshme dhe e pritshme që LDK ta apropovojë Ligjin për Prishtinën në 100 ditëshin e parë të Qeverisë Mustafa. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi për arsye tërësisht primitive .

Bota sot: Si e shihni qeverisjen e Shpend Ahmetit, a ka arritur t’i përmbush nevojat e kryeqytetit?

Avni Arifi: Jo as për së afërmi. Megjithatë, gjatë kësaj qeverisje ka pasur zhvillime pozitive që sado kudo e kanë ndryshuar për të mirë qeverisjen komunale personale

Bota sot: Nëse do të mund të zgjoheshe nesër me një cilësi o zakon të ri, cili do ishte?

Avni Arifi: Ndonëse përvoja jetësore të mëson shumë do të doja që më shumë të «dekodoj» njerëzit që më afrohen e më sillen përreth si «miq» e në fakt nuk janë të tillë.

Bota sot: A ka një gjë që ëndërron ta bësh prej kohësh? Pse nuk e ke bërë?

Avni Arifi: Jam i lumtur me atë që më ka dhënë zoti dhe kapacitetin tim që ta jetoj jetën ashtu si dua. Një që me të vërtet dua ta bëj qe sa kohë është të ndahem nga duhani. Ndarje që duhet të ndodhë. E vështirë por duhet dhe do të ndodhë

Bota sot: A ke marrëdhënie të ngushtë me familjen tënde?

Avni Arifi: Jam lindur në një familje ku familja është gjithçka. E vazhdoj atë traditë. Kam lidhje të fuqishme jo vetëm me familjen time të vogël por edhe me nënën,vëllezër motra dhe kushërinjtë e shumtë

Bota sot: Cili është argumenti rreth të cilit ti nuk mund të bëje shaka?

Avni Arifi: Jetën private të kujtdo

Bota sot: Kujtimi më i bukur dhe më i keq në jetën tuaj?

Avni Arifi: Më i keqi: vdekja e babës, me shkuarjen e tij vdiq i vetmi person që është gëzuar më shumë se sa unë në çdo gëzim timin. Më i miri: ardhja në jetë e Vesës e pastaj Anetës dhe Arjenit, ndjenja e të qenurit baba.

Bota sot: Listoni 5 karakteristika pozitive të tjetrit?

Avni Arifi: Të pestat i përmbledhi në një: Sinqeriteti. Jam vetë i tillë dhe në jetë nuk e kam mbajtë afër askëndqë nuk ka qenë i tillë. Të jesh  në Kosovën e pasluftës i sinqertë është çmim që duhet të paguash për të por preferoj pagesën në vend të ndryshimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat