Tomë Gashi tregon muajin se kur do të ngritën akuzat e para nga Gjykata Speciale

Intervista

Tomë Gashi tregon muajin se kur do të ngritën akuzat e para nga Gjykata Speciale

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 21 shkurt 2017 Në ora: 17:04
Avokati Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi, pritet të jetë njëri nga mbrojtësit e të akuzuarve potencial të Gjykatës Speciale. Gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, është në kontakt me personat që mund të jenë të akuzuar. 

Sipas tij, akuzat e para nga Gjykata Speciale, pritet të ngritën para muajit Qershor të këtij viti. Po ashtu, Gashi ka theksuar se Prokuroria është duke grumbulluar prova/fakte dhe se Parlamenti i Kosovës ka nxjerrë rezolutë me të cilën është obliguar që të heqë shpenzimet e ekspertizës  dhe hetimit të pavarur nga ekspertët të BE-së dhe SHBA-së për rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari. Më tej Gashi, ka zbuluar edhe emrin e forcës politike, që ai do të aderojë, në kohën, kur të vendosë që të hyjë në politikë.

“Bota sot”: Z. Gashi, çfarë materialesh keni arritur të grumbulloni deri më tash për të kundër argumentuar vendimin e Prokurorisë, për rastin Dehari?

Tomë Gashi: Deri më tani Prokuroria më ka dërguar raportin e obduksionit nga Insituti i Mjekësisë Ligjore, ekspertiza të ekspertëve të Psikiatrisë, fotografi nga obduksioni, fotografi nga dhoma-qelia ku ka qëndruar Astrit Dehari në paraburgim në Prizren. Ekspertizat e ADN-së, Deklarata të dëshmitarëve, ekspertizë të daktiloskopisë.

“Bota sot”: A jeni marrë në pyetje edhe ju nga Prokuroria rreth rastit në fjalë?

Tomë Gashi: Unë shumë më herët kam dhënë sqarimet e mia lidhur me vrasjen e Astrit Deharit dhe vrasja e Astrit Dehari është vërtetuar edhe nga ekspertët e pavarur Dr. Besim Ymaj dhe Dr. Besim Latifaj.

“Bota sot”: Duket sikur ditëve të fundit është vërejtur një heshtje sa i përket vdekjes së Astrit Deharit, sa qëndron kjo?

Tomë Gashi: Nuk është kurrëfarë heshtje sa i përket rastit të vrasjes së Astrit Deharit, Prokuroria është duke grumbulluar prova/fakte dhe Parlamenti i Kosovës ka nxjerrë rezulutë me të cilën është obliguar që të heqë shpenzimet e ekspertizës  dhe hetimit të pavarur nga esksprtët të BE-së dhe SHBA-së.

“Bota sot”: A u shfrytëzua politikisht rasti Dehari?

Tomë Gashi: Jo, nuk është shfrytëzuar politikisht nga VV nëse mendoni, por VV –ja, ka shprehur dhembjen për vrasjen e aktivistit të tyre, vrasje kjo politike, ngase Astrit Dehari është paraburgosur për vepër penale politike dhe nga burgu është dalë i vdekur.

“Bota sot”: Astrit Dehari është dërguar ne paraburgim me pranga dhe është dalë në arkivol..

Tomë Gashi: Lëvizja VV nuk do  dhe mund ta shfrytëzoj politikisht rastin e vrasjes së anëtarit të vet dhe VV –ja,  nuk besoj se i dëshiron asnjë partije politike që aktivistët e vet të vriten për shkak të aktivitetit të tyre politik.

“Bota sot”: Po ashtu, kemi parë edhe një heshtje sa i përket pjesës së dytë të përgjimeve të aferës “Pronto”, kush mendoni se duhet të jap llogaridhënie për këtë?

Tomë Gashi: Në aferën Pronto une po ashtu jam avokat i njerit prej akterëve dhe besoj se klienti im z.Njazi Kryeziu, nuk do te akuzohet, por dikush nga kjo aferë do te akuzohet për shkak se kështu dëshirojnë politikanët e nivelit të lartë.

“Bota sot”: Tashmë, në kuadër të funksionalizimit të Gjykatës Speciale, është bërë edhe emërimi i gjyqtarëve, kur sipas jush mund të ndodhin akuzat e para nga kjo Gjykatë?

Tomë Gashi: Aktakuzat e para mund të ngrihen para qershorit 2017 dhe çështja ka mbetur teknike pas zgjidhjes së 19 gjyqtarëve të Gjykatës Speciale dhe ata gjyqtarët së bashku me prokurorët do të kenë konferenca për të vendosur lidhur me procedurat dhe provat, pastaj ky dokument nga një panel të këtyre gjyqtarëve të Gjykatës Speciale që veprojnë si panel i Gjykatës Kushtetuese, do të vlerësojnë kushtetutshmërinë e këtyre dokumenteve dhe pas kësaj Gjykata do të jetë e gatshme, që të fillojë gjykimet pas ngritjes se aktakuzave të para nga prokurori z.Schëiederman.

“Bota sot”: A janë përzgjedhur qëllimisht gjyqtarë në Gjykatën Speciale, ata që kanë punuar në Kosovë dhe njohin realitetin e Kosovës si dhe kanë qenë dëshmitarë të akuzave që janë bërë për vrasjet politike?

Tomë Gashi: Nuk janë zgjedhur qëllimisht gjyqtarët që kanë punuar në Kosovë, por janë zgjedhur ata që kanë aplikuar dhe normalisht qëgjyqtarët e ish UNMIK-ut dhe te EULEX-it,  e njohin realitetin e Kosovës më tepër se ata që nuk kanë qenë në mision në Kosovë.

“Bota sot”: A ju ka kontaktuar dikush nga ata që mund të akuzohen nga Gjykata Speciale?

Tomë Gashi: Unë punoj së bashku me dy avokat amerikan Gregor Guy Smith dhe Colleen Rohan në Prishtine dhe në Hagë. Kemi pas kontakte me zyrtare të lartë, që potencialisht mund të akuzohen në këtë Gjykatë, por emrat e tyre nuk mund t`i bëjmë publik.

“Bota sot”: Çfarë ndikimi mund të ketë gjithë kjo situatë me Gjykatën Speciale në skenën politike të vendit?

Tomë Gashi: Pas akuzave të para dhe nëse akuzohen zyrtarë të lartë të partive të caktuara politike, do të ketë ndikime direkte në skenën politike. Nuk duhet të ketë trazira nga fillimi i punës së kësaj Gjykate, sepse “ kjo ka qenë vullneti”, i deputetëve të Parlamentit të Kosovës, saktë të atyre që e kanë votuar këtë Gjykatë aq të dëmshme për shtetin e Kosovës.

“Bota sot”: A do të mbetet PDK-ja pa lidershipin e saj, apo nga Gjykata Speciale do të targetohen vetëm njerëzit e dorës së dytë?

Tomë Gashi: Ne nuk e dimë se kush mund të akuzohet në Gjykatën Specelale nga lidershipi i PDK-së, këtë e din vetëm kryeprokurori z.Schëiedeman.

“Bota sot”: Po partitë e tjera, sa mund të dëmtohen nga Gjykata Speciale?

Tomë Gashi: Secila Parti politike, që mund të ketë të akuzuar në Gjykatën Speciale do të dëmtohet politikisht në proporcion me nivelin e hiarkisë së udhëheqjeve politike që mund të jenë shënjestër e GJS.

“Bota sot”: A e solli Gjykatën Speciale vrasja e dëshmitarëve ashtu siç ka deklaruar Presidenti Thaçi?

Tomë Gashi: Gjykatën Speciale nuk e ka sjellë vrasja e dëshmitarëve, sepse kjo nuk ka ndodhur kurrë. Edhe në raportet e Tribiunalit të Hages për ish Jugosllavinë nga prokurorë është thënë dhe shkruar, se nuk janë vërteuar asnjëherë pretendimet, për vrasje, kërcënim, apo shantazh të dëshmitarëve në rastet e akuzuave kundër ish pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë. Rasti Haradinaj, ka qenë i qartë dhe Prokurori i Hagës e ka deklaruar këtë në konferencë në Beograd,  se nuk ka pasur raste të vrasjes as kërëcenimit dhe as shantazhit të dëshmitarëve në rastin Haradinaj.   Nëse  z. Thaçi, ka njohuri për vrasjen e dëshmitarëve ai do të duhej që për këtë ta informoj Prokurorinë e Shtetit z. Aleksandër Lumezin.

“Bota sot”: Si i vlerësoni deklaratat e z.Imer Imeri, në lidhje me vrasjen e vëllait të tij, ku thotë se Presidenti Thaçi, i ka thënë se mund të betohet sipas kanunit se nuk ka lidhje me këtë rast?

Tomë Gashi: Kjo është çështje që e ka dëmtuar sundimin e ligjit në Kosovë,  sepse ne vend të zbatimit të ligjit është vepruar në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit.       

“Bota sot”: Sa do të ndikoj Gjykata Speciale në zbardhjen e vrasjeve politike?

Tomë Gashi: Meqenëse, kjo Gjykatë shumë shpejt do të fillojë punën e saj, secili qytetar i Kosovës, shpreson dhe dëshiron që akteret e vrasjeve politike të zbulohen, të akuzohen dhe të dënohen.

“Bota sot”: Çfarë do të ndodhë, nëse vrasësit ose porositësit e tyre do të jenë nga Kosova, e jo nga armiqtë e saj?

Tomë Gashi: Sigurisht që për këtë arsye janë vrasje politike. 

“Bota sot”: Në këtë kuadër, a duhet të hetohet edhe ish-SHIK-u, nga  Gjykata Speciale?

Tomë Gashi: Jo meqenëse këtë nuk e ka kërkuar as parlamenti i Kosovës.

“Bota sot”: A t`a  pastrojë skenën politike të Kosovës Gjykata Speciale?

Tomë Gashi: Ajo që është e sigurt është, se do të ketë ndikime politike puna e Gjykatës Speciale.

“Bota sot”: A mund të eskalojë situata, në qoftë se akuzohet krerët e lartë të shtetit e disa ish komandantët e UÇK-së do të jenë të akuzuarit e saj?

Tomë Gashi: Nuk ka arsye, që të eskalojë situata për shkak, se deputet e Kosovës e kanë votuar këtë Gjykatë, kinse në të mirë të pastrimit të luftës së UÇK-së dhe vetëm disa komandantë  të UÇK-së, e posaçërisht ata që janë në Opozitë kanë regauar kundër kësaj Gjykate.

“Bota sot”: Dihet që ju z. Gashi jeni  shumë i zëshëm që në Kosovë të sundojë rendi dhe ligji? Po bëhet gjë në këtë drejtim?

Tomë Gashi: Absolutisht jo, thuajse asgjë nuk është duke u përmirësuar në aspektin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe kjo nuk do të behet deri sa nuk kemi ndryshime politike.

“Bota sot”: Çfarë po ndodhë me procesin gjyqësor kundër z. Azem Syla dhe grupit?

Tomë Gashi: Rasti Azem Syla është në fazën gjykimit.

“Bota sot”: A mendoni se tanimë ka filluar me të vërtetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë?

Tomë Gashi: Jo, nuk ka filluar ngase nuk ka ende vullnet politik për ta luftuar korrupsionin, posaçërisht atë të nivelit të lartë dhe krimin e organizuar të nivelit te lartë.

“Bota sot”: A mund të ketë ndonjë prapavijë mbajtja e z. Ramush Haradinaj në Francë me flet arrest të Serbisë,si e vlerësoni gjithë këtë situatë?

Tomë Gashi: Unë besoj, që mbajtja e R.H në Francë me fletearrest të Serbisë është skandal ndërkombëtar, ngase ligjet ndërkombëtare nuk lejojnë që dikush të arrestohet me fletarreste të motivuara politikisht siç është rasti i R.H.

“Bota sot”: Është thënë se Kosova ka përpiluar një liste të kriminelëve serbe që kane kryer krime në Kosovë, por nuk është se ka pasur rezultate të kënaqshme sa i përket dënimit të kriminelëve serb, çfarë mendimi keni për gjithë këtë?

Tomë Gashi: Nuk ka pasur vullnet politik të udhëheqëseve shqiptarë të Kosovës që të dënohen kriminelët serbe për krimet e kryera ndaj popullatës civile në Kosovë.

“Bota sot”: A  është instaluar mafia politike në sistemin e drejtësisë?

Tomë Gashi: Jo , nuk kemi mafi në sistemin e drejtësisë por kemi ndikim direkt te politikës në drejtës,i në raste kur politika është e interesuar.

“Bota sot”: Ministria e Drejtësisë ka pushuar grupin punues për ligjin antimafia dhe ka vlerësuar se ndryshimet në kodin penal mund të ndihmojnë në këtë drejtim, si e vlerësoni ju këtë?

Tomë Gashi: Kjo ka qenë vetëm sa për të qenë kundër sponzorizimit të këtij ligji nga VV-ja dhe kjo është gabim i Ministrisë së drejtësisë.

“Bota sot”: Keni paralajmëruar që do te hyni ne politike, kur do te ndodhë kjo dhe cila do te jete partia juaj?

Tomë Gashi: Atë moment që do të vendosi që të hyjë në politikë partia ime do të jetë Lëvizja Vetëvendosje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat