Harrison: Miku ynë i madh, u vra pas luftës për shkak të pikëpamjeve të tij politike

Intervista

Harrison: Miku ynë i madh, u vra pas luftës për shkak të pikëpamjeve të tij politike

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 shkurt 2017 Në ora: 11:37
Jon Harrison, ka luftuar vullnetar në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

Ish-ushtari britanik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jon Harrison, i cili ka luftuar vullnetar në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur për vendimin e tij për t’iu bashkuar luftës çlirimtare në Kosovë. Nga përvoja e tij në luftën boshnjake dhe kroate, Harrison ka treguar se serbët kanë kryer krimet më të tmerrshme ndaj popullit shqiptar, për të cilat ka thënë se nuk do të besonte se ka mundur t’i bënte një qenie njerëzore. Në këtë intervistë, Harrison ka folur edhe për gatishmërinë e tij për t’iu dorëzuar autoriteteve serbe në këmbim të lirimit të Ramush Haradinajt, derisa ka ngritur dyshime duke thënë se Franca nuk ka vepruar e vetme në rastin e tij.  Ndërkohë, ka thënë se nga Gjykata Speciale do të fitojë vetëm populli i Kosovës. Harrison, poashtu ka treguar edhe arsyen e refuzimit që i është bërë disa herë nga presidenti Hashim Thaçi. Në këtë intervistë, ish-ushtari i UÇK-së ka folur edhe sëmundjen e kancerit, me të cilën është diagnostifikuar dhe për të cilën i duhet t’i nënshtrohet operacionit në muajin prill. Për këtë të fundit, atij i duhen edhe gjysma e mjeteve financiare. Megjithatë, Harrisoni ka se shqiptarët kanë mbledhur shumë mjete për të, për çka është shprehur shumë falënderues.

Bota sot: Si e morët vendimin për  t’i hyrë luftës  në Kosovë në vitin 1999, përkatësisht në Koshare?

Jon Harrison:  Nuk është kurrë dëshirë kur i kërkohet një ushtari të vërtetë që i pëlqen të luftojë që të thotë jo… unë kam pasur dëshirë për të ndihmuar dhe për të fituar. Unë e dija, se mund të ndihmoja me përvojën që kam pasur për të bërë këtë dhe të qëndroja pranë kujtdo që ka për të luftuar për të drejtën e thjeshtë,  të lirisë. E dija, se mund të fitoja, sepse kam qenë pjesë e ushtrisë kroate dhe boshnjake më herët, dhe serbët i humbën të dy këto luftëra. Dhe shpirti im i tha “jo”, nuk do të lejoja përsëri në jetën time që serbët të përpiqeshin për të shfarosur një popull të tërë.

Bota sot:  Me cilët ushtarë të UÇK-së, kishit raporte më të mira gjatë luftës dhe pas saj?

Jon Harrison:  Kam pasur marrëdhënie të mrekullueshme me Sami Gecajn, instruktori tim numër dy në Popaj, pastaj komandant Rrustem Berishën, Anton Qunin, Fadil Haradinajn-“Bjeshkën” dhe Ibish Mazrekun. Shumica e burrave të trajnuar dhe që shërbyem, ishim vëllezër. Mik i madh i yni, ishte edhe komandanti i policisë ushtarake Isuf Hakaj, i cili u vra fatkeqësisht për shkak të pikëpamjeve të tij politike pas luftës.

Bota sot:  Me serbët ishit ballafaquar edhe në luftën në Kroaci e Bosnjë, e kishit më lehtë të luftonit kundër tyre në Kosovë?

Jon Harrison:  Asnjë luftë nuk është e lehtë. Lufta të dobëson fizikisht dhe mentalisht dhe gjithmonë  lë pas një mbresë, të cilën shumica e njërëzve nuk e shohin dhe ne duhet të bartim atë në mesin tonë në heshtje. Armiku në këtë kohë ka grada të keqbërjes, dhe në Kosovë ata ishin keqbërësit më të mëdhenj që kam parë ndonjëherë që nga Lufta e Dytë Botërore. Bosnja ishte keq, mendova që asnjë qenie njerëzore nuk do të mund t’u bënte aso gjëra të tmerrshme njerëzve të tjerë. Në Kosovë e bën të njëjtën gjë, kjo ishte gabim.

Bota sot:  Kosova ua ka dhënë titullin e veteranit të UÇK-së, dhe poashtu një rrugë në Prizren e mban emrin tuaj. Si ndjeheni për këtë gjë?

Jon Harrison:   I përulur, i kënaqur dhe plotësisht sikur të më dërgonin mbi hënë. Unë jam vetëm një njeri i thjeshtë nga një vend normal, unë kurrë nuk kam pritur asgjë nga Kosova, por ata më kanë dhënë më shumë se që kam mundur të imagjinoja.

Bota sot:  A do të luftonit edhe një herë për lirinë e Kosovës, nëse do të ishte nevoja?

Jon Harrison:   Po edhe në qoftë se do të më lidhnin me AK47-sh për karrocën time. Unë do të përpiqesha  të gjejë dikë dhe nuk do të ndaloja për t’iu qëndruar pranë vëllezërve dhe motrave të mia të UÇK-së. Ata do të luftonin sërish.

Bota sot:  Keni thënë se kur të vdisni keni dëshirë që trupin tuaj ta varrosin në tokën e Kosovës, saktësisht në Koshare. Pse gjithë kjo dashuri për shqiptarët dhe një dëshirë e tillë?

Jon Harrison:   Siç thashë edhe më parë, dashuria, ngrohtësia dhe respekti që ka treguar Kosova me mua është e mahnitshme. Unë jam një i huaj, anglez dhe kam bërë një pjesë të tillë të vogël në luftë. Kontributi im është i vogël në krahasim me ato që kanë bërë disa pjesëtarë apo e gjithë UÇK-ja. Por, ndjenjat që kanë treguar për mua janë aq të mëdha, për mua është nderi më  madh  që të më lejohet të varrosem këtu në tokën tonë të shenjtë.

Bota sot:   Sikurse shumë ish-pjesëtar të UÇK-së edhe emri juaj gjendet në listën e INTERPOL-it me urdhër-arrest të Serbisë. Por, ju jeni shprehur të gatshëm t’u dorëzoheni autoriteteve serbe në këmbim të lirimit të Haradinajt. Pse?

Jon Harrison:   Sepse edhe pse ne kemi besime të ndryshme politike, ne të dy kemi të njëjtën gjë në zemrat tona Kosovën. Gjenerali Haradinaj është një hero i madh i luftës, ndryshe nga ata të rremë që mbanin uniformë dhe rrinin ulur në Tiranë apo aq larg duke u rrezitur. Gjenerali Haradinaj ishte atje me ne në front. Ai nuk ishte një person i ulët që përpiqej vetëm për veten për të marrë rrejshëm epitetin e heroit. Unë do të qëndrojë me të përsëri për të luftuar për këtë vend. Me qejf do të këmbeja lirinë time me të tij e do të hyja në burg. Haradinaj ka ende shumë për t’i dhënë Kosovës, ndërsa koha ime e kontributit ndoshta ka përfunduar. Siç e kam thënë edhe më herët, unë do të qëndrojë me të në fushën e betejës, por ndoshta jo në stacionin e votimit.

Bota sot:  A mendoni se në arrestimin dhe tentimin për ekstradimin e Haradinajt ka gisht edhe dikush i “fortë” nga Kosova?

Jon Harrison:   Mendoj se është e turpshme nga Franca që të dëgjojë Serbinë për të arrestuar Haradinajn ose ndonjë qytetar tjetër të Kosovës. Nuk mendoj se Franca mund ta ketë bërë këtë vetëm. Në këtë rast, nëse gjendet personi ose grupi, duhet të futën në burg për tradhti ndaj Republikës së Kosovës dhe t’u jepet dënimi më i rëndë sipas ligjit. Në Mbretërinë e Bashkuar, tradhtia është akti i vetëm që mund të ndëshkohet me dënimin me vdekje.

Bota sot:  Në postimet tuaja shpesh e përmendni kryeministrin Isa Mustafa. Cila janë raportet tuaja me të?

Jon Harrison:   Unë kam takuar Kryeministrin disa herë dhe gjithmonë kam gjetur një person shumë të ngrohtë dhe mikpritës. Kam respekt të madh për të dhe Zyrën e tij.

Bota sot:  Presidenti Hashim Thaçi ka refuzuar disa herë takimin me juve. Cila ishte arsyeja që ju ka refuzuar dhe a keni pasur ndonjë herë ndonjë kontakt më herët me të?

Jon Harrison:   Kam provuar shumë herë që të kontaktojë atë. Të gjitha përpjekjet e mia janë refuzuar, por zhgënjimi më i madh ishte në vitin 2008, kur pranova medaljen “Adem Jashari” nga presidenti Fatmir Sejdiu. Aty kërkova që të pyesnin nëse do të mund të takohesha me kryeministrin Thaçi, por përgjigja e kthyer ishte se ai nuk ishte i interesuar që të takohej me mua. Kam provuar disa herë, duke dërguar edhe postë elektronike të sjellshme në zyrën e tij, kur ishte kryeministër dhe tani president, por ai asnjëherë nuk është përgjigjur. Pra, unë kam pësuar humbje personale, pasi Presidenti nuk do të më shoh.

Bota sot:  Pritet që së shpejti të ngrihen edhe aktakuzat e para të Gjykatës Speciale. A duhej një gjykatë e tillë dhe kush mendoni se do të jenë humbësit në fund të saj?

Jon Harrison: Po, të gjithë personat duhet të përgjigjen për akuzat e vendosura kundër tyre pa marrë parasysh pozitën e tyre, atëherë dhe tani. Dhe në qoftë se ata persona përdorin fuqinë e tyre, ata duhet të zhvishen nga fuqia e tyre dhe të gjitha financat e tyre duhet të ngrihen, në mënyrë që të mos munden t’i shpëtojnë drejtësisë, që është duke pritur për ta.

Kush do të fitojë ...... populli i Kosovës. Dhe pastaj ne mund të vëmë çdo gjë në të kaluarën, atje ku filloi dhe pastaj ky komb i madh do të mund të lëviz përpara, duke e ditur që drejtësia fitoi.

Bota sot:  Ju keni njoftuar se jeni diagnostifikuar me sëmundjen e kancerit dhe se shuma e nevojshme për operacionin tuaj është 40 mijë paund. Deri më tani sa para janë mbledhur?

Jon Harrison:   Unë kam mbledhur deri më sot 19.489 euro. Kjo shumë është mbledhur kryesisht nga komuniteti i madh shqiptar. Kurrë nuk kam pritur këtë përgjigje dhe kurrë nuk kam pasur qëllim që për fushatën time të ndihmojnë vetëm shqiptarët, por ata kanë treguar bujarinë e tyre të madhe. Unë kurrë nuk do të mund t’i falënderojë të gjithë ata që po ndihmojnë për të shpëtuar jetën time. Nga individët, brigada ime dhe tani VALA nëpërmjet 55551, i falënderoj të gjithë një nga një.

Bota sot:  Keni vënë në ankand edhe armët tuaja për të mbledhur të holla për operacionin. I keni shitur?

Jon Harrison:   Jo ende. Ato janë mbledhur nga një shtëpi ankandi, kam shitur edhe laptopin tim, motoçikletën time, një televizor shumë të madh dhe një koleksion të medaljeve ushtarake dhe armëve që datojnë në vitin 1700, dhe shumë gjëra të tjera që janë dashur 30 vjet të mblidhen… pothuajse është zbrazur e tëra shtëpia ime dhe të gjitha paratë janë shtuar për fushatë. Gjithë kjo vetëm për të shpëtuar jetën time, asgjë tjetër.

Bota sot:  Qeveria e Kosovës deri më tani, nuk ka njoftuar se ka ndarë mjete për shërimin tuaj. A jeni të zhgënjyer meqë ju dhatë gjithçka për lirinë e Kosovës?

Jon Harrison:   Unë e kuptoj plotësisht qëndrimin e Qeverisë së Kosovës. Unë nuk jam i vetmi për Qeverinë në skemën e madhe të gjërave. Unë nuk jam qytetar i Kosovës, do të doja të isha, por në këtë moment nuk jam. Nëse më ndihmojnë mua, atëherë duhet t’iu ndihmojnë të gjithëve, gjë për të cilën shpresoj nga zemra që kanë mundësi ta bëjnë. Unë nuk jam i zemëruar dhe nuk do të jem kurrë. Ata e kanë gjithë vendin për t’u kujdesur, unë jam shumë, shumë i vogël, ata kanë 2 milionë njerëz për t’iu ndihmuar.

Bota sot:  Në përgjithësi, a po ju ndihmojnë sado pak shqiptarët? Po partia juaj LDK-ja?

Jon Harrison:   Jo përsëri asgjë, nuk kam pranuar ndonjë gjë prej tyre. Dhe as që do të pres. Por një gazetë në Kosovë ka vënë një titull se kinse jam “rebeluar” me LDK-në.

Bota sot:  Si do të donit ta shihnit Kosovën në një të ardhme të afërt?

Jon Harrison:   Kosova  besoj është në rregull, Serbia është energjike me fytyrën e saj të luftës përsëri, por ata nuk kanë oreks për luftë. Këto janë vetëm fjalë të mëdha nga njerëz të vegjël. Ata nuk mund të sulmojnë politikisht, pasi do të humbnin gjithçka nga Evropa. Pra, nuk ka nevojë për merak në këtë pikë.

Kosova është në një pikë kthese në jetën e saj politike. Kosova duhet të fillojë që të shpëtojë veten nga korrupsioni dhe të distancohet nga ata që duan të mbushin vetëm xhepat e tyre dhe që nuk kanë interesat e vendet në zemër. Është koha për “KOSOVA E PARA”. Unë besoj fuqimisht se Kosova mund të bëhet një simbol i madh në Evropë për unitetin e njerëzve me baza të ndryshme fetare, për të cilën ka aq shumë nevojë kjo botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat