Daut Haradinaj tregon arsyen e mos lirimit të Ramushit

Intervista

Daut Haradinaj tregon arsyen e mos lirimit të Ramushit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 mars 2017 Në ora: 15:39
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, duke komentuar mos lirimin e Ramush Haradinaj nga Franca, ka thënë se kjo është një lloj rrëshqitje e drejtësisë franceze në politikat e Serbisë.

Ai ka shtuar se insistimi i Serbisë për ekstradimin e Ramushit, ka të bëjë me fushatën e brendshme politike në Serbi.

Haradinaj në këtë intervistë ka folur edhe për sugjerimet e drejtuara ndaj Ramushit, ku ai ishte këshilluar që të ketë më shumë kujdes gjatë lëvizjeve nëpër vende të ndryshme.

Ndërsa i pyetur rreth asaj se pse Ramushi në Slloveni ishte lëshuar brenda dy ditësh, ndërsa në Francë nuk po ndodh e njëjta, ai ka theksuar se kjo është krejtësisht politike.

Ai më tej ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si po i merr vendimet në raport me Serbinë, pasi sipas tij këto vendime duhej te merreshin me konsensus e jo kryeneçësi, duke shtuar se Ministria e Dialogut është e tepërt.

Daut Haradinaj, në këtë intervistë ka treguar edhe arsyen se pse i ka bërë apel familjes së komandantit legjendar Adem Jashari që t’i ndalë vajtimet.

Bota sot: Gjykata e Francës ka vendosur të japë vendimin për ish kryeministrin e Kosovës, z. Ramush Haradinajn më 6 prill, si e keni pritur këtë?

Haradinaj: Ashtu siç edhe vetë ndalimi Ramushit që për neve është i papranueshëm, po njëjtë edhe ky veprimi i fundit që e shtyn  datën e vendimit për Ramushin është i pranueshëm, për më tepër mjaft i çuditshëm, për arsyen se kështu po del se dikush po abuzon me “drejtësinë”. Kjo shtyrje mund të shihet edhe si tendencë për mënjanim politik të një lideri partie, i cili është mjaft këmbngulës kur bëhet fjalë për Kosovën dhe të drejtën e saj për të qenë e lirë dhe e fortë si shtet.

Bota sot: A ka mundësi që Serbia të tentojë të bëjë ndonjë gjë gjatë kësaj kohe? 

Haradinaj: Ne besojmë në luftën tonë të drejtë dhe të pastër, këtë e ka dëshmuar Ramush Haradinaj edhe në Hagë në dy procese, dhe Serbia e dinë që ashtu sikur që e ka humbur Kosovën, do ta humbë çdo betejë në raport më luftën e UÇK-së dhe tendencat për ta njollosur atë do të jenë të dështuar. 

Bota sot: Pse janë ende të vlefshme fletarrestimet që i ka lëshuar Serbia, kur dihet gjenocidi dhe krimet e bëra nga kjo e fundit? 

Haradinaj: Është për t’u habitur që Serbia sillet sikur ajo të kishte qenë viktima në gjithë atë çka vetë e ka shkaktuar në krejt territorin e ish-Jugosllavisë. Edhe sot e kësaj dite vrapon nëpër botë me disa shpifje e gënjeshtra se si kinse është Serbia ajo e dëmtuara nga luftrat, që kanë sjellë vrasje, masakra, deportime e dëmë të tjera, që po themë prapë, vetë i ka shkaktuar. Fletarreste të tilla në gjithë botën do të duhej të kishte për të gjithë ata zyrtarë serb të cilët i kanë ideuar e organizuar këto marifete gjatë viteve të ’90-ta e që të njëjtit janë edhe sot në pozita udhëheqëse e ishin edhe dje bashkëpuntorë të ngushtë të Millosheviçit. Por, sot ndodh e kundërta, ka fletarreste për njerëzit e Kosovës që nuk kanë bërë asgjë tjetër përveç që e kanë materializuar të drejtën për të qenë të lirë e të pavarur. Kjo është edhe neglizhencë e institucioneve të Kosovës të cilat nuk e kanë kushtëzuar Serbinë në Bruksel, se nuk mund të ketë vazhdim të bisedimeve pa u pastruar këto lista të interpollit me emra të luftetarëve të UÇK-së. 5. 

Bota sot: Janë larguar disa persona në listën e fletarrestimeve, mirëpo z.Haradinaj dhe disa komandatë tjerë janë, pse ndodh ky diferencim, a mund të ketë lidhje me pushtetin?

Bota sot:  Haradinaj: E vërteta qëndron se lista prej mbi 150 personave sa kanë qenë deri para një kohe në Interpol, tash ka rënë në 20 dhe në mesin e tyre është edhe Ramushi, kjo është pak e dyshimtë dhe në të njëjtën kohë tregon se disa njerëz kanë negociuar vetëm në personale, edhe pse kanë përgjegjësi institucionale dhe janë aty për të përfaqësuar popullin e Kosovës, e qytetarë i këtij vendi është edhe Ramushi, prandaj nuk e di si me e quajtur këtë, por nuk deshiroj me besu krejt ashtu siç po e parashtroni ju në pyetje. 

Bota sot: Pse institucionet nuk kanë marrë masa për largimin e emrit të z.Haradinajt nga lista e Interpolit? 

Haradinaj: Për këtë është më mirë t’i pyesni institucionet, por ajo çka mund të them është se, nuk do të duhej të ndodhte kështu, që për dallim nga disa që i kanë hequr emrat e tyre nga këto lista, e kanë lënë emrin e Ramushit dhe të tjerëve, për me keq edhe nuk ka patur ndonjë njoftim se ekziston në këto lista dhe që duhet patur kujdes. Përgjegjësi e cila i takon institucioneve, Qeverisë së Kosovës. 

Bota sot: Si i shihni angazhimet e institucioneve të Kosovës, por edhe të MPJ për çështjen e z.Haradinajt? 

Bota sot: Haradinaj: Siç është shprehur disa herë edhe vetë Ramushi, këtu është treguar i dobët shteti, sepse emrat konkret ata me aq mundësi sa kanë pasur janë sjellë korrekt, por vetëm kaq nuk mjafton. Shteti do të duhej të ndërmerrte hapa ma konkret dhe të ofronte çdo argument se Serbia është duke bërë lojë politike, dhe se kjo çfarë po bën ajo më këto fletë arreste nuk është drejtësi, por është padrejtësi dhe nuk duhet përfillur nga askush. 

Bota sot: Muri në Veri, treni serb, fletarrestimet e Serbisë, a duhej vazhduar dialogu, apo të ndryshohej kjo qasje e dialogimit?

Haradinaj: Dialogu, me Serbinë po bisedohet që shtatë vite dhe ende asnjë e arritur e prekshme dhe që do të lehtësonte lëvizjen e lirë të njerëzve e që do të normalizonte marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Janë arritur apo nënshkruar një mori marrëveshjesh, shumë prej tyre të dëmshme, e shumë prej tyre nuk implementohen fare dhe udhëheqësit e institucioneve tona, në vend që ta ndërprisnin këtë lloj dialogu, sidomos pas veprimeve që ju po i cekni, ata vetëm sa e ngritën në një nivel më të lartë, në nivel presidentësh. Kjo është shumë gabim, dialog pa kushte, pa platformë e pa afat kohorë nuk duhet të ketë. Ky lloji i dialogut që sot po zhvillohet duhet të ndërpritet sa më shpejtë, që është e mundur.  Serbia po abuzon me Kosovën përmes këtij dialogu, po bën arritje për vete, e ndërsa Kosova ka mbetur mbrapa, shumë mbrapa në të gjitha aspektet, ne edhe sot e kësaj dite nuk kemi liberalizim e përafrim me BE-në, e kemi një MSA, e cila Kosovën e njeh me fusnotë, me status të paragjykuar. Nuk e kuptojë se me çka po krenohen këta që ende e vazhdojnë ketë dialog. 

Bota sot: Pothuajse jemi në fazën e fundit të dialogut me Serbinë, mirëpo marrëveshjet ende nuk janë realizuar, Serbia ende në Kushtetutën e saj ka Kosovën, cfarë duhej ndryshuar në këtë aspekt? 

Haradinaj: E thashë më lartë e po e përsëris, dialogu duhet të ndërpritet, të nxjerren kushtet, të bëhet platforma, e të caktohet afati kohor. Serbisë nuk duhet t’i hapen rrugët e përafrimit me BE-në pa i plotësuar marrëveshjet e arritura me Kosovën dhe pa u bindur se nuk guxon të shkohet në pafundësi me ketë nacionalizëm të saj përballë Kosovës, duke e përfshirë këtu edhe ekzistencën e saj në preambulë të Kushtetutës që e ka Serbia. Ne tanimë jemi vende e shtete të pavarura, i pelqej ose jo Serbisë. 

Bota sot: Do të procedohet projektligji për për transformimin e FSK-së në Ushtri, kur do të mund të transferohet FSK-ja?

Haradinaj: Kosova, ashtu si çdo vend tjetër demokratik, duhet të kompletohet edhe me një komponent të sigurisë për të siguruar territorin dhe sovranitetin e tij. Në këtë drejtim çështja e FSK-së dhe transformimit të saj në Ushtri të Kosovës është duke u diskutuar që disa vite, por pa patur një iniciativë serioze, siç sot po pretendohet se po bëhët. Para disa ditëve e kishim edhe një debat lidhur me të ardhmen e FSK-së, e cila rezultojë me një rezolutë, ku kërkohet nga institucionet e shtetit dhe të gjithë faktorët tjerë relevant, duke përfshirë edhe miqtë e partnerët tonë ndërkombëtarë, që kjo të bëhet sa ma parë. Duke e parë të pamundur që transformimi i FSK-së të ndodh përmes ndryshimeve kushtetutese, për shkak të Listës Serbe, atëherë është parë e udhës që kjo të ndodh përmesë Ligjit të FSK-së, duke ia zgjeruar misionin dhe kompetencat, e duke ia dhënë të drejtën që të pajiset me armë sipas standartëve të NATO-së. Pra, FSK përmes këtij transformimi vetëm në Ligj, emri do t’i mbetej i njëjtë, por do të ndërtohej një forcë moderne që do të jetë në gjendje të kryej misionin e saj në sigurimin e qytetarëve, territorit të tyre dhe sovranitetit të shtetit. Nuk po tentojmë të bëjmë ushtri për të dëmtuar askënd, por vetëm për të rritur sigurinë për Kosovën dhe qytetarët tonë. Nëse sponsorizuesi dhe kjo mazhorancë e kanë seriozisht, që ky transformim të ndodhë, atëherë shumë shpejt mund të bëhet.

Bota sot: A është FSK-ja e gatshme për transferim dhe a do t’i bindni minoritetet për formimin e ushtrisë së Kosovës?

Haradinaj: FSK-ja gatishmërinë për t’u bërë ushtri e ka treguar më kohë. Kështu siç është sot nuk është se ka mbetur për shkak që nuk ka qenë FSK-ja e gatshme, por sepse kjo ka qenë më shumë një çështje politike, se sa e aspektit profesional të kadetëve, ushtarëve, oficerëve e strukturës komanduese të FSK-së. Nga mos gatishmëria e një komuniteti, i cili nuk mendon me kokën e vet, ka bërë që deri më tani të mos ndodhë transformimi i FSK-së, prandaj ne nuk kemi kohë të mbesim peng i këtij komuniteti. 

Bota sot: I keni bërë apel, Familjes Jashari që të ndalë vajtimet. Pse?

Haradinaj: Familja Jashari, është familje emblematike dhe respektohet nga mbarë kombi Shqiptarë. Institucionet e vendit, kushdo qoftë në krye ta tyre duhet ta respektojnë në këto përmasa. Organizimi i kësaj Epopeje, në nderim të komandatit Legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, duhet të ndryshojë dhe të marrë përmasa të një organizimi si një ngjarje ndërkombëtare. 

Bota sot: Komisoni për matjen e territorit ka treguar se Kosova nuk humb territor me demarkacionin me Malin e Zi, cili është vlerësimi juaj?

Haradinaj: Qëndrimi dhe vlerësimi ynë për marrëveshjen e demarkacionit është po ajo e ditëve të para kur ka ardhur kur është bërë publike dhe është parë që është e dëmshme. Kosova humb territor dhe ketë e dinë të gjithë, duke përfshirë edhe këtë komisionin e fundit të “shokut Islami”, pse thonë tjetër gjë, atëherë është në përgjegjësinë e tyre. Ne nuk heqim dorë nga e vërteta, atë të vërtetë e dinë edhe qytetarët dhe shumë kolegë deputetë, të cilët besojë shumë nuk do ta mbështesin ketë version të demarkacionit. 

Bota sot: A do të organizonit përsëri protesta për t’i kundërshtuar këto marrëveshje, apo çfarë hapash tjerë do të ndërmerrni?

Haradinaj: Të gjithë hapat (demokratik e ligjorë) e nevojshëm për t’i ndaluar këto marrëveshje...duke përfshirë edhe protestat. 

Bota sot: A mund të tentohet të sillen në Kuvend këto marrëveshje gjatë kohës që z.Haradinaj mbahet në Francë dhe a ka lidhje shtyerja e vendimit me këto marrëveshje? 

Haradinaj: Qëndrimet tona për këto marrëveshje kanë qenë dhe janë të njohura nga të gjithë. Ramushi ka pas qëndrime të ashpra kundër këtyre marrëveshjeve që ashpër e cenojnë qenien e shtetit të Kosovës, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. Prandaj është një koincidencë e llojit të vet, por sido që të jetë fundi i kësaj “koincidence” qëndrimet tona, e të Ramushit nuk do të ndryshojnë, do të flasim keq, për gjerat e këqija që dikush tenton t’ia imponojë Kosovës. 

Bota sot: Gjykata Speciale ende nuk ka filluar me aktakuzat e para, mirëpo është përfolur se në këtë gjykatë do të ngrihen akuza ndaj krerëve të lartë shtetëror, sa ndikon negativisht kjo në imazhin e Kosovës?

Haradinaj: Kemi qenë kundër formimit të saj, e konsiderojmë gjykatë tepër të keqe, me tendenca negative, që do ta trajtojë vetëm shqiptarët. Pra jam fund e krye kundër kësaj gjykate, e cila Kosovës, shqiptarëve ia qet hijen e zezë për të kalurën e saj çlirimtare dhe e pengon që të ecë me hapat e duhur për zhvillimet e ardhshme. 

Bota sot:  Shtyrja e lirimit të Ramush Haradinajt, a mund të ketë ndonjë arsye që lidhet me Gjykatë Speciale dhe sa rrezikon të përfundojë z.Haradinaj në këtë Gjykatë? 

Haradinaj: Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, Ramushi si njëri nga pjesëtarët e UÇK-së ketë e ka deshmuar dy herë në një instancë që ka qenë e thirrur t’i trajtojë dyshimet e ngritura për zhvillimet gjatë kësaj luftë. Nuk ka asnjë arsye që kjo të ndodhë dhe Ramushi nuk i frikësohet aspak të vërtetës për angazhimin e tij për liri e pavarësi të vendit të vet. Përkundrazi është krenarë për angazhimin e tij në çlirimin e vendit dhe angazhimet për të formuar e forcuar shtetin e Kosovës. 

Bota sot: Ka pasur deklarata nga zyrtarë të pozitës, por edhe të opozitës, se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, cili është qëndrimi i AAK-së, a është i gatshëm vendi për zgjedhje të jashtëzakonshme? 

Haradinaj: Zgjedhjet do të duhej të mbaheshin kohë më parë, jemi vonuar shumë. Çdo ditë e humbur me ketë qeveri në krye të vendit është dëm gati i pariparueshëm nesër për Kosovën. Qeveria e sotme nuk e ka asnjë të arritur të cilës do të mund t’i gëzoheshin qytetarët e Kosovës. Në fillim patëm ikje të madhe të qytetarëve, sepse humbën shpresën se në Kosovë mund të bëhet diçka e mirë. Vazhdimësia e kapjes së shtetit, është njëra nga shumë dukuritë negative që janë rritur në Kosovë që nga kombinimi i koalicionit PDK-LDK-LS. Këta duhet ta pranojnë se kanë dështuar të shtyjnë përpara gjerat me jetike për vendin, siç janë zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, sjellja e investimeve nga jashtë, funsionimi i bizneseve për t’u zgjeruar këtu brenda, kemi mbyllje të mbi 2500 bizneseve, humbje të mundësisë për investime në mbi 100 milion euro. Pra, ka një mal arsyesh që vendi të shkojë në zgjedhje për të legjitimuar një qeveri të re, e cila është më e vogël, më praktike dhe më efektive në realizimin e detyrave të saj, e mbi të gjitha do të jetë më e pranueshme për qytetarët e Kosovës. 

Bota sot:  Keni deklaruar se do të kandidoni për kryetar të Deçanit, pse ky vendim?

Haradinaj: Sepse është kërkesë dhe besim i shprehur i qytetarëve të vendlindjes time. 

Bota sot: Çfarë do të ndryshoni fillimisht nëse do të bëheshit kryetar?

Haradinaj: Deçani është qytet i vogel me vlera të mëdhaja, ato vlera do t’ia rrisim edhe me tepër bashkë me qytetarët e me besimin e tyre në një gjeneratë të re për Deçanin e për Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat