Transformimi i FSK-së në ushtri, proces që mund të zgjasë deri në 7 vite!

Intervista

Transformimi i FSK-së në ushtri, proces që mund të zgjasë deri në 7 vite!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 16 mars 2017 Në ora: 09:28
Ramadan Qehaja

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, e konsideron si të vonuar nismën e Presidentit të vendit Hashim Thaçi, për ndryshimin e ligjit të FSK-së.

Duke folur, për këtë çështje, gjatë një interviste ekskluzive, për gazetën “Bota sot”, Qehaja ka thënë se, kundërshtimet e NATO-s, vijnë për shkak të vendeve anëtarë të saj të cilat nuk e kanë njohur Kosovën e posaçërisht për shkak të Serbisë. Po ashtu, ai ka folur edhe rreth kërcënimeve të fundit që po vinë nga Serbia si dhe ndikimin e Rusisë në Ballkan.

“Bota sot”:  Profesor, tashmë u procedua në Kuvend ligji për FSK-në, a mendoni se ky ishte hapi i duhur ne pamundësi të ndryshimeve kushtetuese?

Ramadan Qehaja: Më kujtohet që këtë ide e pati  dhënë edhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, sepse ka bërë një hulumtim dhe është parë që ekziston mundësia ligjore që kjo çështje të zgjidhet nëpërmjet FSK-së, përkatësisht nëpërmjet zgjerimit të kompetencave të saj, përkatësisht marrjes së detyrave ushtarake. Unë mendoj që do të ndodhë, sepse sipas mendimit tim është momenti i fundit që kjo duhet të ndodhë, sepse në pamundësi që të bindet Lista serbe, që të votojnë ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë edhe me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, atëherq kjo ishte mënyra e vetme që ne të lëviznim nga pika zero. Kujtoj se me të gjitha mundësitë tona që i kemi, duhet të votohet kjo çështje në Kuvend dhe më në fund të mbetet emri i Forcës së Sigurisë së Kosovës si i tillë, por siç thashë me kompetenca të cilat që kanë të bëjnë me detyra ushtarake. Kjo është domosdoshmëri e kohës.

“Bota sot”:  Procedimi i ndryshimeve ligjore po përcillet me kundërshtime nga NATO dhe shtetet që konsiderohen mike të Kosovës, si duhet të veprohet në këtë rast?

Ramadan Qehaja: Sa i përket kundërshtimit të NATO-së, unë edhe më herët kam deklaruar se kundërshtimi i NATO-s do të jetë shumë i fuqishëm, për arsye se në kuadër të NATO-s janë edhe katër shtete që nuk na kanë pranuar neve si shtet, d.m.th nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet. Çështja tjetër është që NATO-ja, këtu në Kosovë nëpërmjet KFOR-it, vepron si organizatë politiko-ushtarake neutrale ndaj statusit të Kosovës, përkatësisht vepron sipas rezolutës 1244 dhe nuk është pritur që NATO-ja, të jap pëlqimin lidhur me këtë. Kështu që, unë mendoj se duhet argumentuar kjo çështje, në mënyrë bindëse, duke i`u shpjeguar të gjithë anëtarëve që janë në të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, se ne tjetër rrugëdalje nuk kemi si shtet, sepse kemi pritur që 9 vite, përkatësisht 17 vite prej çlirimit e këndej dhe kemi mbetur më parë me Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe për gatishmërinë emergjente, mandej u forma edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, përsëri për gatishmëri emergjente dhe prej vitit 2014, NATO përkatësisht KFOR-i, e dha notën pozitive, që ajo mund të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës. Qe tre vite ne jemi pezull lidhur me këtë dhe nuk pati lëvizje nga pika zero. Sa i përket NATO-s dhe shteteve të tjera, të cilat po e kundërshtojnë, çështja është sipas mendimit tim te Serbia zyrtare, e  cila në çdo mënyrë është duke vepruar në planin diplomatik që të mos formohen Frocat e Armatosura të Kosovës, sepse siç thonë ata “këto forca do të ishin destabilizuese për rajon, gjë që nuk është e vërtetë. Prandaj, për hir të asaj, se gjoja se ne po e hidhëronim Serbinë lidhur me këtë, e kuptohet që Serbia e ka një rol të rëndësishëm këtu në Ballkan, ne nuk duhet të formojmë Forca të Armatosura. Po ta prisnim ne Serbinë, që ajo të thotë formojini Forcat e Armatosura, ne kurrë nuk do të kemi Forca të Armatosura të Kosovës. Unë mendoj se nuk ka kohë më për të pritur.   

“Bota sot”:  Çfarë duhet të bëj Kosova, në rastin kur lista serbe po e kundërshton themelimin e FAK-ut?

Ramadan Qehaja: Sa i përket kundërshtimit të Listës serbe, ne duhet t`ua shpjegojmë edhe atyre domosdoshmërinë e formimit të kësaj force, sepse edhe në kuadër të FSK-së, kemi më tepër se 50 qytetarë rë Republikës së Kosovës, të nacionalitetit serb, që janë anëtarësuar në të dhe veprojnë në kuadër të saj. Prandaj, kjo do të jetë forcë multietnike dhe në të mund të shërbejnë dhe t`i kryejnë detyrat e veta të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, edhe serbët në këtë kuadër. Ne nuk duhet të rrimë duarkryq, do të tentojmë që të shpjegojmë këtë dhe sapo të piqen kushtet që Lista serbe të votojë ndryshimet kushtetuese, ne do të shkojmë me ndryshime kushtetuese pas një kohe, pavarësisht se kemi shkuar me ndryshime vetëm nëpërmjet ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.   

“Bota sot”:  Sa kohë do t`i duhet FSK-së për t`u bërë ushtri me të gjitha kapacitetet?

Ramadan Qehaja: Unë si njohës i mirë i këtyre çështjeve dhe si njeri me përvojë mjaft të madhe, kujtoj se na duhet një kohë bukur e gjatë. Sipas mendimit tim, që tani nëse do të merret ky vendim, neve na duhet që 5 deri në 7 vite, të fillojmë përgatitjet në shtetndërtimin e kësaj force. Sepse, duhet shumë punë për t`u kryer. Nuk do të jetë lehtë, sepse numri i pjesëtarëve do të jetë 5 mijë, përkatësisht, 8 mijë me pjesën rezervë që është paraparë. D. m. th. duhet të bëhet rekrutimi i stafit, duhet të bëhet pajisja, armatimi, trajnimet e ndryshme nëpër shkolla dhe akademi të ndryshme ushtaraket vendeve të fuqishme etj. Do të thotë kërkohet një kohë shumë e gjatë për këtë. Ne edhe ashtu jemi në një vonesë shumë të madhe. Kur të mendohet se duhet gati 10 vite për formësimin e saj, atëherë nuk ka më kohë për të pritur, por duhet filluar të bëhet diçka në këtë drejtim. Sepse jemi shtet dhe kjo na takon, aq më parë ku të gjitha shtetet këtu në rajon i kanë ushtritë e veta. 

Bota sot”:  Si mund të përshpejtohet anëtarësimi i Kosovës në NATO?

Ramadan Qehaja: Unë nuk mund të jap ndonjë periudhë, por është një fakt i pamohueshëm që Presidenti Thaçi e tha këtë në një fjalim para disa ditëve, se derisa ne nuk i kemi të formuara Forcat e Armatosura të Kosovës dhe derisa  nuk kemi ndërmarrë masa lidhur me këtë, ne nuk mund të antarësohemi në NATO. Në NATO anëtarësohen shtetet të cilat i kanë ushtritë e veta, i kanë Forcat e Armatosura. Prandaj ne, posa të mbërrijmë në një shkallë të zhvillimit të këtyre forcave që i përmendëm e që duhet një kohë bukur e gjatë, ne atëherë krahas formësimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, apo kryerjes së detyrave që kanë të bëjnë me çështjet ushtarake për vetëmbrojtje, atëherë ne duhet të mendojmë, se si dhe në çfarë mënyrë të jemi anëtare të NATO-s. Unë kujtoj se vetëm me punë të zellshme dhe efektive të çdo personi në Forcat e Armatosura të Kosovës, ne do ta bëjmë vendin që të jemi anëtarë të NATO-s. Në të kundërtën, nuk mund të jemi anëtarë të NATO-s. Me FSK-në, siç e kemi sot për detyra të gatishmërisë emergjente dhe mbrojtjes civile, ne nuk mund të jemi anëtarë të NATO-s.

“Bota sot”:  Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Kosovë?

Ramadan Qehaja: Sa i përket situatës së sigurisë në Kosovës, unë mendoj që situata politike dhe e sigurisë, është shumë e brishtë me tendencë të përkeqësimit të saj. Pse jemi në këtë gjendje, që kemi mjaft dobësi të brendshme, të cilat do t`i quaja subjektive. Apo përse kemi bërje apo mos bërje, nga lidershipi ynë të disa çështjeve që është dashur të bëhen, duhen pyetur ata. Por, unë mendoj se situatën në momentin e tanishëm e kemi shumë të ndërlikuar. Ne duhet të eliminojmë shumë dobësi të brendshme, sepse korrupsionin nuk jemi duke e luftuar aq sa duhet dhe aq sa po kërkohet prej neve. Ka mos punë, ka nepotizëm etj. E gjithë kjo, po ka ndikim tek ne, sepse i gjithë faktori ndërkombëtar i cili, jeton dhe punon këtu në Kosovë, këto çështje po i vrojton dhe kanë ndikim në imazhin e Kosovës në tërësi. Unë kujtoj se këtu po zhvillohet një luftë speciale ndaj Kosovës. Ju po e shihni se Serbia është duke bërë çmos që Kosovën ta paraqesë si shtet të dështuar, sepse nuk dëshiron që Kosova të jetë e pavarur edhe pse ky është një fakt i kryer tanimë. Në këtë drejtim, ndikimi edhe i Rusisë, jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan, po rritet cdo ditë e më shumë. Kuptohet, që ky ndikim i Rusisë nuk vërehet edhe aq në Kosovë, sa vërehet në Ballkan nëpërmjet Serbisë. Kur i shohim disa metoda të destabilizimit, ndaj Kosovës që po ndërmerren në kohën e fundit, këto janë metoda që Rusia i ka praktikuar më herët dhe këtu ndodh që ne të jemi në një rrethim armiqësor në raport me Serbinë. Çëshje të tjera që kanë të bëjnë me situatën e sigurisë janë, mos zhvillimi ekonomik, pamundësia e punësimit të njerëzve. Ju po e shihni që një numër i madh i të rinjve janë duke u përgatitur, (disa edhe po shkojnë në shtetet perëndimore për të punuar), të largohen nga vendi. E kjo, ka ndikim edhe në çështjet e sigurisë në tërësi. Këtu përfshihen edhe pakënaqësitë të cilat janë në rritje e sipër në popull dhe kjo nuk i kontribuon stabilizimit të situatës së sigurisë.  

“Bota sot”:  Së fundi përkatësisht muajin e kaluar kishim tensione me Serbinë, çfarë mendimi keni për kërcënimet që erdhën nga krerët e saj, a përbëjnë rrezik?

Ramadan Qehaja: Metodat që i ka përdorur Serbia në kohën e fundit për të bërë destabilizimin e Kosovës, kanë qenë metoda të rrepta ushtarakisht. Së fundi çështja e një treni, i cili ishte përgatitur për destabilizim të Kosovës, që për fat ai u ndal me një organizim të mirëfilltë tonin dhe me një vendosmëri për ta ndalur atë tren. Por, po e shihni që edhe çështja e urës së Ibrit dhe cështjet e tjera të cilat janë aprovuar në bisedat që janë aprovuar mes dy palëve në Bruksel nuk po zbatohen, d.m.thqëllimi është një destabilizim i tërësishëm në mënyra të ndryshme. Edhe njëherë po e theksoj, kjo është një luftë speciale për ta gjunjëzuar Kosovën dhe ajo të mos ketë mundësi të formësohet si shtet që është sot. D.m.th që të mbetet me probleme të mëdha në çështje politike dhe të sigurisë dhe ne tanimë e kemi vërejtur këtë dhe jemi të vendosur që edhe në formimin e Forcave të Armatosura, përkatësisht dhënien e detyrave ushtarake, ne nuk kemi për qëllim siç thonë ata, destabilizimin e rajonit. Përkundrazi, doktrina jonë ushtarake do të jetë doktrinë mbrojtëse. Prandaj, të gjithë ata që trumbetojnë, pikë së pari, Serbia zyrtare, se këto forca do të jenë destabilizuese, nuk është e vërtetë. Kjo duhet t`u shpjegohet kështu të gjithë anëtarëve të NATO-s, ne nuk kemi qëllime destabilizuese e as ofensive. Edhe po të donim, me këtë numër të njerëzve ne nuk mund të kryejmë detyra ofensive, sepse nuk kemi shumë njerëz dhe e dyta nuk jemi të armatosur, mandej nuk kemi armatim ofensivë i cili do të mund të përdorej për këtë çështje. Por, ne kemi armatim të lehtë, kryesisht të këmbësorisë, për vetëmbrojtje dhe asgjë tjetër.

“Bota sot”:  Në këndvështrimin tuaj, si e shihni Kosovën përballë terrorizmit global?

Ramadan Qehaja: Unë mendoj, se qytetarët tanë janë të gjithë të informuar që Kosova në këtë drejtim ka arritur rezultate mjaft të theksuara. Terrorizmi tanimë është bërë çështje globale, pra edhe Kosova nuk ishte imune në këtë drejtim, pati njerëz të cilët u rekrutuan për detyrat e ISIS-it etj. Mirëpo, mund të them se veprimet tona si shtet kanë qenë me vend dhe mjaft të theksuara, duke u ndërmarr masa të duhura që kanë të bëjnë me ndalimin e këtyre dukurive në Kosovë. Në anën tjetër, konsideroj që kemi mjaft detyra tjera që duhet t`i ndërmarrim, sa i përket preventivës në këtë drejtim. Sepse, nuk kemi arritur që në bazë të shoqërisë, në bashkësi lokale, në fshat, në familje, të depërtojmë mjaftueshëm si shtet për të shpjeguar tërë destruktivitetin dhe tërë problematikën që del nga terrorizmi që siç thash është bërë çështje globale në Evropë e më gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat