Reçica: "Dialogu është pezulluar për shkak të veprimeve destruktive të Serbisë"

Intervista

Reçica: "Dialogu është pezulluar për shkak të veprimeve destruktive të Serbisë"

Më: 20 mars 2017 Në ora: 08:08
Elmi Reçica

Intervistë me Elmi Reçica, kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme. Reçica flet për ndërprerjen e dialogut, pasojat e këtij vendimi, demarkcacionin...

Kosova ka vendosur që të pezullojë procesin e dialogut me Serbinë, deri në lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Mendoni se kjo është rruga më e mirë për lirimin e zotit Haradinaj, sepse ky vendim i Parlamentit mund të shihet edhe si përpjekje për presionin e institucioneve politike ndaj atyre juridike? 

Elmi Reçica: Fillimisht dua të theksoj se të gjithë ne jemi për atë që institucionet e gjyqësisë të jenë të pavarura në vendimet e tyre. Mbi këtë bazë është ndërtuar edhe shteti i së drejtës dhe pa diskutim jam për atë që këto vendime të mirren në bazë të këtyre parimeve. Kohëve të fundit Serbia ka marrë një mori vendimesh të cilat qëllim kanë pasur destabilizimin jo vetëm të Kosovës por edhe tërë rajonit.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë të propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila është mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare. Rezoluta përmbanë kërkesën për lirimin e z.Ramush Haradinaj që po mbahet në Francë. Me anë të kësaj Rezolute gjithashtu kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga BE-ja, që ta detyrojë Serbinë që t'i anulojë të gjitha aktakuzat dhe çështjet e fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia përmes Interpolit për shtetasit e Republikës së Kosovës. Ndalimet e tilla janë të papranueshme. Veprimet e Serbisë paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare duke lëshuar fletë-arreste ndërkombëtare ndaj shtetasve të Kosovës dhe duke u krijuar pengesa të lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë, të cilët janë pjesë e këtyre pretendimeve akuzuese të pabaza që nuk përbëjnë asgjë me të vërtetën.

Me anë të kësaj Rezolute, nuk synohet të bëhet presion ndaj institucioneve politike apo juridike. Qëllimi është të adresohet tek faktori ndërkombëtar çështja e fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia. Destruktiviteti i vazhdueshëm nga ana e palës serbe paraqet një padrejtësi ndaj qytetarëve t Kosovës. Meqë Kosova ende nuk ka arritur të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, në Interpol dhe Europol, institucionet tona e kanë ende të vështirë për t'i dhënë fund kësaj çështjeje, përkatësisht pastrimit të listave të pretenduara nga ana e shtetit serb.

Mendoni se ndërprerja e dialogut është rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve? Çfarë të mirash i sjell Kosovës pezullimi i dialogut?

Elmi Reçica: E theksova pak më lart qëllimin e miratimit të Rezolutës për pezullimin e dialogut: kjo ka të bëjë ekskluzivisht me veprimet destruktive të palës serbe. Dialogu është i domosdoshëm, problemet e akumuluara me vite me shtetin serb mund të tejkalohen vetëm përmes vazhdimit të dialogut. Republika e Kosovës dhe institucionet e saja në kuadër të orientimit, përcaktimit dhe vizionit euroatlantik të institucioneve tona shtetërore, janë të angazhuara në mënyrë serioze dhe konstruktive për dialog ndërshtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Qëllimi i dialogut është avancimi i integrimit euroatlantik të Kosovës, promovimi i fqinjësisë së mirë dhe paqes në rajon dhe në Evropë, si dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane, që duhet të kurorëzohet me njohjen e ndërsjellë mes këtyre dy shteteve.

Mirëpo, vazhdimi i dialogut për normalizimin e mardhënieve në këto rrethana është i pakuptimtë, sepse Serbia po vazhdon përpjekjet për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit dhe nuk po i realizon marrëveshjet e arritura gjatë dialogut.

Arrestimi i z.Haradinaj me urdhër-arrest të Serbisë ka shkaktuar shqetësime legjitime tek qytetarët e Republikës së Kosovës. Serbia duhet të heqë dorë nga praktikat e ish-regjimit të Milosheviqit, sepse vetëm kështu i ndihmon të ardhmes së saj evropiane. Z. Haradinaj e ka dëshmuar dy herë në Tribunalin e Hagës pafajësinë e tij dhe ne jemi të bindur se pas qartësimeve juridike nga ligji francez, ai do të kthehet shpejt në Kosovë.

Me Rezolutë parashikohet pezullimi i dialogut, por në zhvillim e sipër janë shumë gjëra që duhet të zbatohen sipas Marrëveshjes së Brukselit. Do të ndërprisni dialogun në tërësi, apo do të vazhdoni kontaktet joformale?

Elmi Reçica: Kuvendi i Kosovës tashmë ka nxjerrë një Rezolutë që të pezullohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kjo e obligon Qeverinë që ta zbatojë Rezolutën përkatëse. Dua ta ritheksoj edhe njëherë qëndrimin e institucioneva tona: ato do të mbeten të përkushtuara për kultivimin e raporteve për fqinjësi të mirë, për paqe dhe stabilitet, forcimin e shtetit tonë, shtrirjen dhe konsolidimin e plotë të sovranitetit në gjithë territorin e vendit, e deri tek akti final i normalizimit të marrëdhenieve dhe njohja ndërmjet vendeve tona.

Kështu që dialogu duhet të vazhdojë me angazhim të përbashkët dhe serioz. E cili do të jetë formati i ardhshëm i dialogut -  mbetet të shihet. Por pala serbe duhet të përmbahet nga aktet destruktive dhe retorika e ashpër. Kohët e fundit kemi parë veprime tejet tensionuese të ndërmarra nga pala serbe, si ngritja e një muri nga serbët lokal në veri të Mitrovicës, keqpërdorimi i pranisë së Serbisë në Interpol lidhur flet-arrestet e pabaza, përpjekja e palës serbe që të fusë në Kosovë një tren me grafite me përmbajtje nacionaliste të drejtuara ndaj Kosovës...

Republika e Kosovës do të jetë prezente në të gjitha nismat rajonale dhe ne nuk do të izolohemi në asnjë mënyrë. Ndonëse është ndërprerë dialogu me Serbinë në Bruksel, kjo nuk nënkupton edhe izolimin e Kosovës dhe mos paraqitjen e saj në nismat apo takimet rajonale, që dëshmon edhe pjesëmarrja e kryeministrit Mustafa në takimin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë. Atje ai ka pasur kontakte edhe me kryeminsitrit e Serbisë Vuçiq. Do të thotë, kontaktet në këto nivele vazhdojnë.

Zoti Reçica, ka shumë analistë që thonë se ndërprerja e dialogut i shkon në favor pikërisht Serbisë, sepse Serbia është në prag të zgjedhjeve, ndërkohë që shpreson se me kohë do të forcohet edhe më shumë pozicioni i Rusisë në Ballkan dhe se në këtë mënyrë do të forcohet edhe pozicioni i Serbisë karshi Kosovës. Kjo do të thotë se ndërprerja e dialogut çon ujë pikërisht në mullirin e Serbisë, apo Qeveria e Kosovës ka ndonjë llogari tjetër?

Elmi Reçica: Së pari më lejoni të sqaroj se unë flas nga pozita ime si deputet i Republikës së Kosovës dhe kryetar i Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, dhe jo si pjesë e Qeverisë, sepse nuk jam në kabinetin qeveritar. Qeveria e Kosovës është për vazhdimin e një dialogu konstruktiv, sepse ky dialog mundëson antarsimin e Republiks së Kosovës, por edhe Serbisë, në BE.

Institucionet e Kosovës janë të angazhuara maksimalisht që të kemi një dialog konstruktiv dhe real ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Dialogu duhet të vazhdojë të ndërmjetësohet nga BE, me mbështetjen e fuiqishme të SHBA-së, deri në normalizimin e raporteve dhe njohjen reciproke.

Serbia është në prag të zgjedhjeve dhe nga kjo perspekitvë, është e kuptueshme që Qeveria e Serbisë është e fokusuar tek mobilizimi i votuesve te vet. Por ky drejtim për fat të keq është i kundërt me vlerat evropiane, të cilat Serbia duhet t'i përfaqësojë, nëse pretendon të jetë pjesë e BE-së. BE-ja po ballafaqohet për momentin me problemet e brendshme dhe forcimin e partive populiste-nacionaliste. Por fakt është që gjuha nacionaliste e Qeverisë së Serbisë ndaj Kosovës nuk mund të shihet nga BE-ja me sy të mirë - pa marrë parasyshë nëse ka zgjedhje në Serbi apo jo.

Sa i përket çështjes së forcimit të Rusisë, besoj se Rusia në Ballkan nuk do të gjejë mbështetje. Pozicioni i rajonit tonë është kundërshtues ndaj saj. Ne kemi parë se si rusët përmes forcave nacionaliste serbe provuan ta rrëzojnë në mënyrë të dhunshme qeverinë në Mal të Zi, me qëllim që të ndalojnë procesin e anëtarësimit të këtij vendi në NATO. Të gjitha këto lëvizje janë regjistruar edhe nga ana e BE, sepse Brukseli është i interesuar që të stabilizojë dhe jo destabilizojë këtë rajon. Nuk mund të fajësohet Republika e Kosovës për qasje destruktive ndaj dialogut vetëm se ka ndërprerë dialogun me Republikën e Serbisë, e cila pas veprimeve të fundit reflekton çorientim në rrugën e saj drejt BE-së. Republika e Serbisë jo vetëm se nuk do të ketë favore nga kjo situatë, por pas këtyre ngjarjeve do t'i duhet të qartësojë përcaktimin dhe orientimin e saj evropian. Fqinjësia e mirë me Kosovën është rruga e vetme që mundëson anëtarsimin e Serbisë në BE.

BE dhe në veçanti Gjermania janë ato të cilat kanë insistuar dhe insistojnë që problemet mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen me dialog. Pra, mund të thuhet se Rezulota e Kuvendit të Kosovës është drejtpërdrejt në kundërshtim me qëndrimet e partnerëve të Kosovës. Mendoni se në këtë mënyrë do të dëmtoni raportet me miqtë evropianë dhe në veçanti Gjermaninë?

Elmi Reçica: Qeveria e Republikës së Kosovës përgjatë gjithë periudhës sa ka vazhduar dialogu ka qenë e angazhuar në mënyrë shumë konstruktive dhe serioze duke i kushtuar rëndësi të posaçme zbatimit të marrëveshjeve të arritura. Mund të konstatohet fare lehtë se tash e pesë vite që po zhvillohet dialogu intensiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, në asnjë moment Kosova nuk ka paraqitur situata destruktive. Pala serbe është ajo që ka krijuar shumë momente që e kanë tensionuar situatën pothuajse deri në përshkallëzim. Institucionet tona shtetërore përkundër këtyre momenteve kanë reaguar me gjakftohtësi duke mos lejuar të krijohen situata të tensionuara.

Në rrafshin ndërkombëtar, qasja e drejtë dhe shumë konstruktive e palës sonë në dialogun e Brukselit ka kontribuar për forcimin pozicionit dhe imazhit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe avancimin e agjendës euroatlantike të vendit tonë.

Kur flasim për Gjermaninë: së pari duhet të shprehim falenderimin tonë të pafund ndaj këtij shteti. Stabiliteti i rajonit tonë është i lidhur drejtpërdrejt me angazhimin e Gjermanisë. Kjo mund të shihet edhe nga iniciativat për bashkëpunim më të mirë rajonal, të inicuara nga Gjermania - siç është p.sh. edhe Procesi i Berlinit.

Nuk duhet të harrojmë se Berlini zyrtar është faktori vendimtar dhe më ngulmues ndaj Serbisë, që ajo t'u prmbahet rregullave dhe marrëveshjeve të arritura në dialogun me Republikën e Kosovës. Kosova dhe Gjermania kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm politik, ekonomik, kulturor dhe ushtarak. Raportet ndërmjet vendeve tona janë intensifikuar me kalimin e viteve. Prandaj e theksoj edhe një herë fuqishëm se raportet tona nuk do të cënohen dhe nuk do të vihen në dyshim në asnjë moment dhe asnjë rrethanë.

Zoti Reçica, para Parlamentit të Kosovës gjendet edhe një detyrë shumë e rëndë - miratimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kur pritet miratimi i kësaj Marrëveshje dhe nëse dështon miratimi, a mund të shërbejë ky si shkas për zgjedhje të jashtëzakonshme?

Elmi Reçica: Çështja e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi është një çështje e cila ka thelluar dallimet në mes qeverisë dhe opozitës. BE-ja tashmë ka vendosur si kriter për liberalizimin e vizave edhe çështjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Mogherini, por edhe zyrtarë të tjerë kanë kërkuar miratimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që të mund të marrim liberalizimin e vizave. Së fundi, Qeveria e Kosovës ka angazhuar një komision për matjen e territorit të Kosovës. Ky Komision ka publikuar para pak kohësh raportin e tij dhe ka konstatuar se Kosova nuk humbë territor nga marrëveshja e nënshkruar me Malin e Zi për shënimin e vijës kufitare mes dy vendeve.

Duhet theksuar edhe raportet e shkëlqyera të Repubikës së Kosovës me Malin e Zi, i cili e ka mbështetur vazhdimisht në fusha dhe forma të ndryshme Republikën e Kosovës - si në nismat rajonale ashtu edhe në organizatat ndërkombëtare. Këto raporte janë intensifikuar në vazhdimësi dhe çështja e demarkacionit nuk ka ndikuar fare në këto raporte. Çështja e demarkacionit është betejë e argumenteve mes ekspertëve të brendshëm të Kosovës, për shqyrtimin e humbjes apo jo të teritorit të Republikës së Kosovës. Kjo nuk ka të bëjë fare me Malin e Zi. Përkundrazi Qeveria e Malit të Zi ka ofruar bashkpunim të jashtëzakonshëm për tejkalimin e kësaj situate.

Është çështje e Qeverisë së Kosovës se kur do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës Marrëveshja për Demarkacion. Ne nuk kemi ende ndonjë konfirmim zyrtar se kur do të procedohet nga ana e Qeverisë, por demarkacioni nuk do të shfrytëzohet si shkas për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat