Flet Avokati i Popullit, këta janë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë

Intervista

Flet Avokati i Popullit, këta janë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë

Nga: Hava Orana - Xhukolli Më: 24 mars 2017 Në ora: 11:11
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, gjatë intervistës me gazetaren e gazetës "Bota sot", Hava Orana - Xhukolli

Avokati i popullit, Hilmi Jashari në një intervistë për “Bota sot”, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend, ankesave të qytetarëve. Ai ka thënë se administrata publike është një nga shkelësit më të mëdhenj të drejtave të njeriut. Ai ndër të tjera, ka deklaruar,  se duhen patur  parasysh më tepër hulumtimet e nxjerra nga IAP -ja.

“Bota sot”:A ka ankesa nga ana e qytetarëve, dhe  cilës natyrë i përkasin?

Hilmi Jashari: Vazhdimisht numër të ankesave ka dhe është gjatë gjithë kohës një trend rritje në numrin e ankesave individuale, që shtrohen para institucionit të Avokatit të Popullit, ndërsa në anën tjetër ne si institucion mbi bazën e ligjit, kemi mandat i cili na detyron me trajtu të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave, nga mandati ose funksioni i hetimeve eksofice ose hetimet që ne i nisum mbi bazën e vetiniciativës edhe kjo nismë te na kohët e fundit ka pas një efekt shumë të madh se kemi shumë raste të cilat kanë përfshirë numër të madh të qytetarëve, edhe besoj në këtë mënyrë kanë afektu më tepër në kategorinë e qytetarëve të vendit. Përmendim disa nga rastet më të mëdha që kemi pas, ishte rasti Grudiq, rasti kundër Serbisë një rast i presionit që ka përfshirë rreth 60 mijë veta. Kemi pas edhe një rast tjetër që gjithashtu e kemi nis mbi bazën e vet’iniciativës e cila përfshin mbi 117 mijë raste të mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore,  ose një rast tjetër që ka të bëjë me mjete juridike efektive me procedura gjyqësore sidomos lidhet me konflikte adminisitrative dhe sa qytetarët e vendit kanë një mekanizëm të mirë në dispozicion për tu ankuar ndaj vendimeve që lëshon administrate. Edhe kjo gjithashtu ka afektu një numër të madh të qytetarëve, deri te rasti i fundit që i referohet pensionistave e Kosovës, ku detyrohen të  paraqiten para ministrisë për t’u argumentuar që janë gjallë dhe për të qenë në gjendje për të vazhduar pensionimin që sipas ligjit ju takon. Dhe ne e kemi konsideruar që është shkelje e qytetarëve, qoftë edhe atyre me aftësi të kufizuara të cilët detyrohen me u paraqit para këtyre mekanizmave, prandaj kombinimi me ankesat individuale dhe hetimet eksofice kanë ngritur tej mase numrin e individëve që janë potencionalisht ankues, me hetime eksofice, minimum është afërsisht 300 mijë individë, ndërsa me ankesa individuale është afërsisht 4 mijë ankesa që janë paraqit mbi baza individuale. Ndërsa sa i përket natyrës, pjesa më e madhe e tyre i referohen funksionimit të adminisitratës publike në Kosovë që përfshin nivelin komunal dhe nivelin qendror, ministrinë, ndërsa pjesa e dytë e ankesave që është thuajse e barazvlefshme në përqindjen e institucionit tonë janë edhe ankesat që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit gjyqësor të Kosovës, e që është zvarritja e procedurave gjyqësore dhe gjithashtu mos ekzekutimi i hetimeve gjyqësore.

“Bota sot”:Kush janë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë?

Hilmi Jashari: Në ankesat e qytetarëve se kush është pala përgjegjëse, një pjesë e madhe është administrata publike dhe nuk janë të vetmet këto, ndërsa nëse flasim për natyrën e të drejtave, atëherë janë kryesisht të natyrës ekonomike dhe sociale, dhe një pjesë e ankimeve janë të natyrës së të drejtave civile, ndërsa një numër më i vogël reflektojnë nga ankimet që vijnë për ambient të shëndetshëm ose cështje ambientale, ose ato që njihet si e drejta më delikate, si mbrojtja e të dhënave, ose qasje në dokumente zyrtare, por në përqindje në krahasim me këto dy të parat janë në përqindje më të vogël.

“Bota sot”:Sa jeni i kënaqur me liritë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë?

Hilmi Jashari: Nuk jemi të kënaqur në masën çfarë do të duhej me qenë dhe mbi masën e asaj se çfarë na garanton Kushtetuta e Kosovës. Ne kemi synuar standarde jashtëzakonisht të larta, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, por nëse më pyet a jemi afër këtyre standardeve, mund të them që jo, një pjesë e madhe e tyre nuk janë realitet qytetarë sot, për faktin e shumë mangësive që ekzistojnë në sistem, e para shembull, Kushtetuta garanton një gjykim, të drejtë, të arsyshëm, gjykim korrekt në afat kohor, por ne e dimë të gjithë që sistemi gjyqësor, pjesa më e madhe e qytetarëve ballafaqohen zvarritje të skajshme të procedurave gjyqësore që është në shpërputhje me këtë standard.  Kushtetuta na garanton qasjen në mjete juridike efektive, dhe në shumicën e rasteve, sidomos në procedurat administrative, qytetarët nuk kanë një mekanizëm të tillë, i cili prodhon një efekt për ankimin e tij, por pjesa më e madhe e këtyre kategorive kushtetuese, fatkeqësisht ende nga një pjesë e madhe e pushtetarëve karakterizohen si koncepte teorike abstrakte që nuk kanë të bëjnë me përgjegjësitë e tyre, ndërsa unë mendoj që është e kundërta, sepse Kushtetuta është një lloj udhërrëfyesi për qytetarët e këtij vendi, prandaj duhet parë si të tilla dhe jo si koncepte teorike abstrakte të tyre.

“Bota sot”:Sa jeni i kënaqur me punën e organeve të drejtësisë?

Hilmi Jashari: I përmenda disa prej raporteve që i referohen sistemit adekuat të drejtësisë, në këtë rast sistemit gjyqësor, i përmendem 117 mijë raste të paekzekutuara, mundeni me marr me mend kur qytetarët ankohen për zvarritje të procedurave, dhe po e marrim me mend që procedura ka përfunduar dhe kemi në fund një vendim të gjykatës që është i prerë, atëherë realisht do të duhej të ishte një e drejtë që veq është e zbatueshme, por në pjesën më të madhe ne kemi parë që janë mbi 117 mijë raste që janë të paekzekutuara dhe kur qytetari merr një formës së prerë, kjo nuk do të thotë që e drejta është e realizueshme mbrapa dhe qytetari ballafaqohet me sfidën tjetër, nëse do të arrij me përmbushë atë vendim gjyqësor vetë sistemi, ose te pjesa tjetër ku përmendet për mjete juridike efektive në procedura gjyqësore administrative. Ne kemi bërë një raport diku para katër muajve, dhe në këtë raport kemi kritikuar të gjitha procedurat që udhëheqen pranë organeve administrative dhe kontrollin gjyqësor të këtyre vendimeve. Për 17 vjet ka ndodhur që organi i këtyre çështjeve, i ka shtyrë lëndët në rishqyrtim tek organi i shkallës së parë, pa vendosur asnjëherë substancë, dhe ne kemi konsideruar se kjo është në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe të drejtat e njeriut dhe ka pasur raste ku 4-5 vite janë sjellë, pa pas një përgjigje përfundimtare.  Ka  pas raste, kur qytetari ka ardh deri më 10 vendime, të cilat pjesë kanë bartuar vazhdimisht përgjegjësinë nga një organ tek një organ tjetër, ose e kanë kthyer në rishqyrtim dhe asnjëherë nuk kanë vendosur një substancë në vendimin e tij. Prandaj për këto duhet me pas një shqyrtim më të gjerë, andaj kemi kërkuar edhe nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, që edhe raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit, të jetë një nga mekanizmat që duhet diskutuar në Kuvend, dhe të mos jetë një proces formal i votimit të një raporti sepse kështu ne nuk i bëjmë favor as të drejtave të njeriut.  Rasti i dytë ka qenë kërkesa nga Kryeministri i Kosovës, në të cilin rast kemi kërkuar që edhe kryeministria do të duhej të jetë më e përgjegjshme pavarësisht rolit të Avokatit të Popullit, sepse edhe vetë Kryeministri do të duhej të paktën njëherë në vit të raportonte në atë se çfarë ka bërë Qeveria për të drejtat e njeriut, edhe kjo nëse nuk realizohet unë mendoj se nuk i bëjmë nder dhe nuk i bëjmë favore respektimit të drejtave të njeriut, për të cilat jemi zotuar të gjithë, sepse janë të drejta që kanë të bëjnë me cdo qenie njerëzore në Kosovë dhe si të tilla do të duhej të respektoheshin nga institucionet publike, sepse në radhë të parë është përgjegjësi publike.

“Bota sot”:Pasi që i jeni drejtuar Kryeministrit, a keni marrë ndonjë përgjigje nga kryeministria?

Hilmi Jashari: Kryeministri ka themeluar vitin e kaluar një Komision Ndërministror për të drejtat e njeriut, i cili udhëhiqet nga vetë kryeministri dhe në të cilin është i ftuar edhe Avokati i Popullit, për të ngritur shqetësimet para ministrave për rekomandimet,  të cilat ata vetë nuk i kanë zbatu dhe do të duhej të merrej një qëndrim. Ekziston  një lloj përshtypje që të gjitha këto rekomandime të zbatohen  ndaj tij. Takimi i parë është mbajtur diku para një muaji, dhe tash mbetet që të gjitha rekomandimet, jo vetëm të avokatit të popullit por edhe të organizatave joqeveritare të krijojnë një bashkëpunim më të mirë, për të ngritur këto shqetësime që kanë të bëjnë me mosrespektimin e të drejtave të njeriut dhe t’i japim mundësi edhe Qeverisë që t’i ofrojë një përgjigje edhe Avokatit, por pse jo edhe organizatave joqeveritare, lidhur me veprimet që planifikon të marrë Qeveria. Është një lloj ure komunikimi që bëhet, sepse edhe organizatat joqeveritare sa herë kanë bërë raporte apo hulumtime, janë cilësuar si të mira dhe shumë të qëndrueshme, nuk kanë pasur një mekanizëm institucional në vend, i cili i ka trajtuar këto dhe për të cilat kanë marrë ndonjë përgjegje dhe tu thuhet që këto hulumtime tuaja janë të bazuara, ne i mbështesim dhe kemi në plane që muajt e ardhshëm të bëjmë ndonjë projekt. Tash po shpresojmë që me këtë reagim të mund edhe kjo të bëhet, gjithashtu është në shqyrtim për të hap debat edhe në Kuvendin e Kosovës për Avokatin e Popullit, që të mos jetë pjesë e një diskutimi politik ose votimi politik, qfarë ka ndodhur deri më tani, por të jetë një debat me seancë plenare me gjithe deputetët dhe të trajtohet një nga rekomandimet dhe të jetë në përgjegjësi publike. Nëse këto arrijmë me i zbatu, atëherë automatikisht edhe roli i të drejtave të njeriut ngritet dhe kemi avancim të sistemit në tërësi.

“Bota sot”:Institucionet e drejtësisë , ligjërisht janë të pavuara, ndërsa në praktikë jo. Si mund të hiqen duart e  mafias politike nga drejtësia?

Hilmi Jashari: Unë nuk fola për ndikimet e mafias, nuk kam ndonjë argument që më kishte bindur, sigurisht është një çështje që merret me organet e tjera, të cilat merren me hetime, por në aspektin e të drejtave të njeriut po. Veç e përmendem që ka pasur problem në funksionimin e drejtësisë në Kosovë dhe unë konsideroj që ka hapësirë të mjaftueshme për të diskutuar reforma të përshtatshme, por jo reforma siperfaqësore që në thelb nuk e prekin sistemin, mirëpo reforma që realisht do të ndërronin edhe qasjen edhe do të ngritnin nivelin e përgjegjshmërisë, duke përfshirë edhe sistemin gjyqësor definitivsht. Në anën tjetër duhet qenë vigjilent që të respektohen parimi i ndarjes së pushteteve në Kosovë, tash nuk mundem më supozu që nuk ka ndikime politike në procese , mirëpo gjithë kjo si do që të jetë e dëmton komplet sistemin, e afekton këtë kategori dhe orkestron seriozisht parimin e ndarjes së pushteteve. Mënyra e vetme është që të ketë një zbatim të mirëfilltë dhe që eventualisht të bëhet një reformë e mirëfilltë në sistemin e gjyqësisë. Deri më tani kemi pasur disa që kanë dëshmuar se nuk kanë pasur efekt, sidoqoftë në anën tjetër kam frikë që në të ardhmen e afërt, nëse këto nuk ndryshohen në mënyrë vetanake dhe me vetiniciativë të faktorit vendor, shumë shpejtë Kosova mund të bëhet edhe pjesë e mekanizimave ndërkombëtar, sikur ajo e Gjykatës ndërkombëtare të Strasburgut, atëherë vetë shteti do të duhet të paguajë kompensime shumë të majme për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për të cilat Gjykata ndërkombëtare do të jetë e autorizuar për të vendosur që të bëëj ratifikimin e kësaj konvente. Kjo përvojë është dëshmuar që është e qëndrueshme dhe është reflektu tek disa shtete që sot konsiderohen të zhvilluara dhe më demokratike se sa Kosova në aspektin ndërkombëtar.

“Bota sot”:A keni patur ju si institucion i Avokatit të Popullit, presion nga politika, në ndonjë rast?

Hilmi Jashari: Jo, presione politike nuk kam pasur në rastet të cilat i kemi hetuar dhe me të cilat jemi marrë, për më tepër e përmenda faktin që kemi ngritur nivelin e hetimeve eksofice apo me vetëinciativë dhe shkalla e rritjes së këtyre rastet ka arritur ne 100% krahasuar me vitin paraprak dhe janë kryesisht problem sistematike ato që i diskutova. Normal ka raste kur zyrtarët e politikës ose udhëheqësit e institucioneve mund të mos jenë të kënaqur dhe i marrin këto gjëra personale, unë mendoj se e kanë shumë gabim sese në cdo rast kur Avokati i Popullit verifikon një problem që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të njeriut, normal që vetë këto institucione do të duhej të reagonin të parat, për të falenderuar vetë institucionin, por edhe për t’i kërkuar falje qytetarëve për shkak të defekteve në sistem dhe për shkak të shkeljeve të drejtave të njeriut që ju kanë ndodhur. Kjo është një praktikë që jashtë zakonisht ndodh, por këtu tek ne mund të jetë pjesë e kulturës dhe traditës, por kur një kritikë merret shumë personale dhe nuk konsiderohet si çështje e sistemit ose funksionimit të shtetit ose diçka të tilla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat