Flet këngëtari: Enver Hoxha më shpëtoi, “Lëreni bilbilin të këndojë në kuvli”

Intervista

Flet këngëtari: Enver Hoxha më shpëtoi, “Lëreni bilbilin të këndojë në kuvli”

Nga: Albert Z. Zholi Më: 1 prill 2017 Në ora: 10:48
Petrit Lulo

Qysh i vogël në moshën 5-6 vjeçare, Petritit i pëlqenin këngët e muzikës së lehtë dhe këngët popullore. Këndonte gjithmonë në shtëpi, por talentin e tij e zbuluan në moshën 12-vjeçare. Në vitin 1968 në Gjirokastër u organizua për herë të parë Festivali Folklorik. Ai Festival i la mbresa të veçanta. Shumë këngë të tij filloi t’i këndonte me shokët e lagjes. Sidomos i bënë përshtypje këngët polifonike, ata zëra që i kishin brenda vetë veglat muzikore. Në vitin 1969 u aktivizua me Pallatin e Kulturës Gjirokastër, si amator. Nuk ishte veçse 16 vjeç. Ishte në një moshë kur të gjitha bashkëmoshatarët kërkonin të bënim diçka, të gjenim një rrugë në jetë, por sidomos diskutonim për këngën. Çdo lagje në Gjirokastër kishte grupin polifonik, ose më mirë të themi të gjithë kishin dëshirë të këndonin.  Kënga e parë që ka kënduar në skenë  ishte “U njohëm në uzinë” me tekst të Oktavian Tafës dhe muzikë të Kujtim Dules, i cili e kishte bërë këtë këngë enkas për këngëtarin Anesti Nure. Por ky i fundit pasi e kishte dëgjuar si këndonte Petriti  u tha drejtusëve: Këngën ta këndojë Petriti”. Ishte një gjest fisnik që rrallë kush mund ta bëjë. Sot nuk mund ta bëjë njeri. Kënga pati sukses. U vlerësua si këngëtari më i mirë për të rinjtë.  Ai është dekoruar me titujt, medalje “Naim Frashëri”, “Disku i Artë”, çmimi “Folk Univers”, “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”,”Nderi i Qarkut të Gjirokastrës” . 

-Sot përse ke ardhur në këtë koncert për Lunxhërinë?

Kam ardhur sepse Lunxhëria është një zonë e Gjirokastrës me të cilën kam bashkëpunuar qysh kur isha i ri. Kam njohur shumë këngëtarë të kësaj zone dhe në Festivale të ndryshme takoheshim. Sot më bënë thirrje se kishin një festë të tyre dhe ndihesha i detyruar. Sot do këndoj këngën “Po the Gjirokastra i ke thënë të tëra”.

Kohët e fundit Petriti ka nxjerr disa këngë në duet. Përse duet?
 Dueti ka një të veçantë tjetër, ka një bashkim zërash që ndonjëherë harmonia del më e plotë, del më me shumë kërshëri del  me tinguj më specifik dhe tingëllon më bindshëm tek spektatori. Përse e them këtë? E them pasi zëri i një femre dhe i një burri kanë veçoritë e tyre dhe bashkimi i dy zërave jep një tjetër magji tek dëgjuesi. Pastaj kanë qenë kërkesa të shumta si nga kompozitorët por edhe nga vetë këngëtaret për duete të tilla. Kam pranuar dhe kam parë se rezultati ka qenë shumë i madh. Sidomos kur duetet kanë qenë femër mashkull, kënga ka dalë  si një shpërthim tek spektatorët.

-Mund të na thoni duetin e fundit dhe si e ka pritur spektatori?

Dueti i fundit ka  qe në me këngëtaren e mirënjohur Rovena Ibrahimi me këngën “Nëma zemrën” me kompozim të Adrian Hilës dhe një këngë tjetër  “Kush e shpiku dashurinë”  me kompozim timin dhe me tekst të Arben Dukës.

-Po solo çfarë këngë ke bërë këtë periudhë?

Kam një këngë  për Çamërinë” “Ku je Çamëri”. Kisha kërkesa për këtë këngë dhe e bëra me shuam dëshirë. Kam dëgjuar dhe lexuar shumë për këtë trevë dhe m,e thënë të drejtim ndihesha borxhli. Mendoj se këtë borxh e shlyejta pjesërisht, pasi mund ët them se ndaj Çamërisë martire jemi të gjithë borxhlinj.

-Me cilët poet dhe kompozitorë ke bashkëpunuar?

Nga poetët nuk jam ndarë nga Arben Duka ndërsa nga kompozitorët nuk i jam ndarë nga Adrian Hila. Por shumë këngë i kam kompozuar vetë.

-Kur ka qenë më i vlerësuar më shumë Petriti në regjimin komunist apo sot?

Eh, duhet të flas gjatë për këtë. Në atë sistem kënga vlerësohej, kishte kritikë, kishte institucione që punonin për këngën dhe ne na quanin krahu i djathtë i partisë. Në atë regjim në nis trokisnim diku na hapej dera, na prisnin shumë mirë. Edhe rrogat në raport me të tjerët i kishim më të mira. Por ama nuk kishim liri. Çdo gjë ishte e kontrolluar, ishte e ideologjizuar, por kishte shumë aktivitet. Sot, ke liri, por nuk ke kritikë, nuk ke respekt. Sot vlerësohen dhe të patalentuarit. Në atë regjim i patalentuari nuk kishte vend.

-Ju në një vepër jeni përmendur dhe nga Enver Hoxha pas një gabimi që keni bërë si i ri. Thënia e Enverit “Lëreni bilbilin të këndojë në kuvli” edhe sot diskutohet mes shokëve të tu. Si e kujton atë moment?

-Ah, mos ma kujto. Si i ri bëra një gabim që desh më kushtoi madje shtrenjtë.  Nuk ka rëndësi se çfarë gabimi por nuk donin të më linin të këndoja. Puna shkoi deri tek Enver Hoxha. Ai më dëgjonte vazhdimisht këngët. Kur e pyetën Enverin se çdo bëjmë me Petritin ai tha “Lëreni bilbilin të këndojë në kuvli”. Enveri ishte diktator por e donte artin, e donte shumë këngën, e donte shumë Gjirokastrën. Madje ai i donte shumë këngët e Gjirokastrës.

-Sa herë e ke takuar Enver Hoxhën?

Dy herë. Të dyja herët në skenën e TOB, kur ai vinte në skenë dhe an takonte pasi mbaronim koncertin. Ishin koncertet me këngët më të zgjedhura të Festivaleve Folklorike të Gjirokastrës. 

-Në cilin Festival të Gjirokastrës keni marrë pjesë për herë të parë?

-Kam marrë pjesë në Festivalin e vitit 1978. Madje dua të them se unë hapa Festivalin me këngën për Enver Hoxhën”Shqipëri ballë stuhia”.

Si fillim ju keni marrë pjesë në Anketa pastaj në Festivalet e RTSH?

Po, në fillim kam marrë pjesë ën Anketën e vitit 1973. Ishte viti që kisha filluar të njihem në rrethet muzikore. Më ofruan një këngë të re, interesante për kohën, titullohej “Hekurudha e re” me tekst të Bardhyl Londos ku mora çmim të parë. Pas kësaj kam marrë pjesë në të gjitha anketat muzikore, ku gjithmonë kam marrë çmim të parë, dytë, apo tretë. Në fillimet e para një ndihmë të madhe në suksesin tim më ka dhënë Andrea Gudha, një mjek pediatër, por dhe një poet dhe autor tekstesh i shkëlqyer. Në atë kohë ai në Gjirokastër ishte apo mbahej poeti më i mirë. I bënte poezitë duke ja përshtatur zërit tim. Nuk mërzitej kurrë me mua. Tekstet e këngëve të tij  “Tjetër herë me djalë”, “Syzeza”, ishin tekste apo këngë që sot mbahen hit. Ato këngë më kërkoheshin në çdo aktivitet. Poezia e tij ishte mjaltë Gjirokastre.

Ndoshta ishin këto Anketa që ngjallën interesin e kompozitorëve për të të marrë në Festivalet e RTSH?

Pa diskutim. Anketa ishte trampolini. Anketa ishte prezantimi i parë dinjitoz. Prej këndej mu hapën dyert. Pas Anketës së parë mua më ftuan në Festivalin e 13-të, në vitin 1974.  Në këtë Festival nuk mora çmim. Pas këtij Festivali unë isha pjesëmarrës i rregullt deri në vitin 1987, pra kam qenë i pranishëm në 14 Festivale.. Ishte një dëshirë e madhe që me të vërtetë u realizua në mënyrën më të bukur. E kisha si një ëndërr të fshehtë pasi aty mateshin aftësitë e vërteta të një këngëtari profesionist. Në Festivalin e dytë këndova këngën  "Lart flamujt e kongresit", muzika Ferdinand Deda, teksti Natasha Lako, kënduar nga Janaq Mici dhe unë.

-A ka kritik muzikore sot?

-Kritikë? As që bëhet fjalë. Kritika është zhdukur nuk gjendet as me qiri. Sot këndon kush të dojë, kompozon kush të dojë, del në skenë kush të dojë. Madje edhe tekstet nuk kanë poezi brenda. Janë tekste me dy fjalë.

-Në sa vende të botës ka shkuar të këndojë Petriti?

Kam shkuar në të gjitha vendet kryesore ku ka emigrantë shqiptarë. Deri në Amerikë dhe Kanada.

-Cilat janë këngët më të kërkuara?

E para është “Gjirokastra ime” dhe e dyta janë këngët patriotike për Çerçiz Topullin etj. Madje kur dëgjojnë këto këngë përloten.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat