Roberti: Në prill dhe në maj me dy këngë të reja, ndërsa dueti me Norën...

Intervista

Roberti: Në prill dhe në maj me dy këngë të reja, ndërsa dueti me Norën...

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 prill 2017 Në ora: 13:58
Robert Berisha

Që prej 20 vitesh është pjesë e muzikës, edhe pse vetëm së fundmi ka realizuar këngë solo. Bëhet fjalë për këngëtarin Robert Berisha, i cili i ka hyrë fuqishëm tregut muzikor, me disa këngë të publikuara e që janë pëlqyer mjaft nga publiku. Ai tani është i angazhuar me koncerte, por pavarësisht kësaj, Roberti gjen kohë që të jetë pranë familjes, gruas së tij, këngëtares Nora Istrefi dhe vajzës së tyre, Renee.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën ‘Bota sot’, këngëtari Berisha ka treguar se do të sjellë një këngë në muajin prill dhe një në muajin maj. Poashtu ai tregon edhe nëse i ka dedikuar këngën ‘Të dua’ Norës dhe se a i ndihmon asaj në punët e shtëpisë.

Bota sot: Ka shumë vite që jeni pjesë e muzikës, por tani je si solo këngëtar. Si po ndihesh tani?

Robert Berisha: Normal që ndihem shumë mirë sepse nuk kam ndërruar  profesion. Përderisa jam me muzikë, ndihem shumë mirë, në instrument apo solo këngëtar nuk ka dallim për mua.

Bota sot: Ka qenë më stresuese dhe më me përgjegjësi puna atëherë apo tani?

Robert Berisha: Nuk mendoj që është punë me stres, sidomos muzika duhet të punohet me shumë disponim të mirë e jo të reflektojë stresi tek publiku apo fansat. Dihet se përgjegjësi ka më shumë këndimi.

Bota sot: Ke realizuar disa këngë deri tani. Cila është më e veçantë për ty?

Robert Berisha: Balada është më e veçantë për mua, sepse e kam bërë vetë dhe ka më shumë muzikë në të.

Bota sot: ‘Të dua’ ishte kënga e fundit që publikove, për të cilën u aludua si një dedikim për Norën. Cila është e vërteta?

Robert Berisha: Kënga ‘Të dua’ ishte këngë dashurie dhe tekstin e bëri Fatmir Muja dhe doli për Shën Valentin. Norën e dua shumë por tekstin nuk e kam porositur ashtu. Nuk i përzihem tekstshkruesit asnjëherë, e sidomos Fatmir Mujës.

Bota sot: Të kemi parë që shpesh del me vajzën për shëtitje. A kanë ndikuar angazhimet e tanishme që të keni më pah kohë për të?

Robert Berisha: Sa do që të jesh i zënë, për familje duhet të gjesh kohë. Ne zakonisht për vikend jemi të angazhuar me koncerte, kështu që 5 ditët e javës jam më shumë në shtëpi.

Bota sot: A keni në plan të bëni një motër ose vëlla për Renne dhe sa fëmijë ke dëshirë t’i kesh?

Robert Berisha: Fëmijët i dua shumë dhe dhashtë Zoti motër apo vëlla vetëm shëndosh e mire.

Bota sot: A dëshiron që Renne të merret me muzikë në të ardhmen?

Robert Berisha: Pse  jo, muzika është ushqim i shpirtit. I pëlqen shumë.

Bota sot: A i ndihmon Norës rreth punëve të shtëpisë?

Robert Berisha: Normal qe po. Gjithmonë i kam ndihmuar.

Bota sot: A mund të pritet një bashkëpunim me Norën së shpejti?

Robert Berisha: Kam thënë disa herë se nëse do të na ofrohet ndonjë këngë shumë e mirë, pse jo.

Bota sot: Me kë nga estrada ke marrëdhënie miqësore?

Robert Berisha: Me të gjithë kam muhabet të mirë. E kisha veçuar Ermalin pasi që e kemi mik shtëpie

Bota sot: Po të tillë që nuk flet me ta apo ke pasur zënka a ka?

Robert Berisha: Zënka nuk kam pasur asnjëherë me askënd

Bota sot: Në jetë, më mirë të pendohesh apo të të mbetet merak?

Robert Berisha: Nuk besoj se është mirë të bësh gjëra për të cilat mund të pendohesh nesër.

Bota sot: Cilat janë gjërat më me vlerë në jetë dhe çka urren Roberti?

Robert Berisha: Familja është e shenjtë dhe ka shumë vlerë për mua. Krejt çka është keq për një njeri, unë i urrej.

Bota sot: Kur mund ta presin këngën e re tënden fansat e tu?

Robert Berisha: Kam shumë projekte të gatshme por duhet të gjej momentin se kur t’i lansoj. Besoj që deri në fund të muajit prill dhe një tjetër nq fund të majit. Faleminderit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat