Ekskluzive: Ramush Haradinaj flet për arrestimin, vrasjet politike, ushtrinë, e “Syrin e Popullit”

Intervista

Ekskluzive: Ramush Haradinaj flet për arrestimin, vrasjet politike, ushtrinë, e “Syrin e Popullit”

Më: 5 prill 2017 Në ora: 12:47
Strasburg, Francë, 2 prill 2017: Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj po qëndron në Strasburg, pasi me 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze në bazë të një flet-arresti të shtetit serb.

Një ditë para gjykimit të tij në Francë, ish- Kryeministri i Kosovës dhe tashmë kreu i Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur në një intervistë ekskluzive. për “Presheva jonë”

Në këtë intervistë Haradinaj përpos procesit gjyqësor që do të zhvillohet në Gjykatën Colmar të Francës, ai flet gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, dialogun me Serbinë, ushtrinë e Kosovës, demarkacionin me Malin e Zi, shqiptarët e Luginës së Preshevës, fushatën e Hashim Thaçit me ushtrinë.

Haradinaj gjithashtu  flet edhe për organizatën “Syri i popullit”, vrasjet e pas luftës ndaj kundërshtarëve politik të pavarësisë së Kosovës presidentit historik Rugovës, vrasjet e gazetarëve dhe për shumë gjëra tjera.

Image
Ramush Haradinaj, me ish gazetarin e “Bota sot”, tash gazetar i “Presheva jonë”, Nefail Maliqi, Strasburg, Francë, 2 prill 2017

 Z. Haradinaj, janë bërë 3 muaj që kur në një lloj forme privoheni nga liria duke u mbajtur në Francë, çfarë është duke ndodhur realisht?

Ramush Haradinaj: Statusin e kam i mbrojtur në liri deri në një vendim të ardhshëm të gjykatës së Kolmarit në Francë, deri më tani kemi pasur disa séance, disa vonesa të habitshme në të gjitha aspektet, do ta quaja një situatë e konspiracioneve politike, them kështu pasi që kërkesa e Serbisë nuk është aspak e bazuar në ligj, por në motive politike.

Ne si gazetarë rastin tuaj iozlimin nga qarqet franko-serbe  e kemi hulumtuar me Interpolin, këta thonë se ai nuk është arrestuar me "izen" tonë.  Ndërsa, ata nga Tribunali i Hagës  ICTY dhe Gjykata tjetër Speciale thonë se "ne me Ramushin e kemi kryer” meqenëse ai e ka përfunduar me gjykata ndërkombëtare. Dhe tash shtrohet pyetja kush fshihet prapa arrestimit dhe izolimit të juaj këtu në Francë?

Ramush Haradinaj: Edhe vetë unë jam i habitur me këtë qëndrim të autoriteteve franceze, për shkak se gjykata për ish-Jugosllavi (Tribunali i Hagës) është një instancë e lartë e ligjit ndërkombëtar dhe epilogu i proceseve atje dihet botërisht. Kuptohet nuk jam i habitur me Beogradin, ata dikur në mungesë e kanë dënuar edhe Shirakun, Bler, Olbrajt e Clinton dhe logjika e tyre po vazhdon edhe me mua, por nuk ka diçka që është e vërtetë, shqiptarë jemi, jemi në të drejtën tonë, kemi pasur sfida të mëdha karshi fqinjëve tanë lakmitarë, por kanë ndryshuar gjërat. Ne bijtë e shqipes i kemi dhënë fund kohës kur ata mund të marrin diçka prej shqiptarëve, me këtë realitet duhet të mësohen të jetojnë.

Z. Haradinaj, pas 99-tës mesa dimë nuk ka pasur luftë mes Kosovës, a mos vallë, pas luftës keni shkuar në Serbi të bëni ndonjë masakër në Nish apo në Beograd, që ne nuk e dimë dhe ju ngarkojnë me akuza ?

Ramush Haradinaj: Po e pashë  intervistën e znj. Delponte, vërtet çdo të dhënë, çdo informatë, çdo dyshim që ka ekzistuar rreth meje e luftës në Kosovë, që nga fillet e saj deri pas lufte është shqyrtuar në tribunalin e Hagës. Gjithçka që ka qenë relevante është shtjerrë, këto tani janë lojëra të Beogradit që abuzon me mundësitë që ka, me lidhjet politike ose diplomatike që ka dhe qëllimi është të mos më lejojnë të jem në Kosovë në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi, por nuk na zmbrapsin, vetëm sa na forcojnë besnikërinë ndaj të drejtës tonë shqiptare në Ballkan.  

Kryetar, ju keni qenë më parë në Zvicër por edhe në Francë verën e kaluar, pse pikërisht në këtë kohë u arrestuat , pse nuk u arrestuat më parë?

Ramush Haradinaj: Është i dyshimtë legjitimiteti i këtij fletarresti dhe vende kredibile si Gjermania, Austria, Zvicra, Anglia e Amerika nuk i kanë dhënë zbatim sepse unë kam udhëtuar në këto vende dhe jam i habitur me këtë respektim të këtij urdhër-arresti të Serbisë dhe Crna Gorës që daton që atëherë  nga ana e autoriteteve franceze, pra jam tepër i habitur me situatën e krijuar. 

Kur i anashkalojmë të gjitha mundësit e arrestimit tuaj, atëherë  kush mund të jetë prapa i nderuar, a ka mundësi dikush nga Prishtina të ketë gisht në këtë punë?

Ramush Haradinaj:  Vështir të definoj ashtu. Unë jam atje pjesë e garës politike e konkurrencës, megjithatë burimi i parë i tragjedive tona mbetet Serbia e Beogradi natyrisht  me masat  tyre në Paris dhe Prishtinë, këta nuk po hejkin dorë prej lakmisë së tyre që janë mësuar të marrin prej shqiptarëve. Kuptohet me kompromis me serbët nuk bën askush as brezat e rinj që e kuptojnë se janë në të drejtën e tyre universale në Ballkan, në tokat e veta, pra këtu duhet të jemi jo vetëm besnikë, por edhe nuk do të ndalemi në realizimin e drejtave tona.

Në Kuvendin  e Kosovës  pritet të votohet demarkacioni, të cilin ju e keni kundërshtuar vazhdimisht, derisa ju qëndroni këtu në Francë. A shihni diçka të dyshimtë?

Ramush Haradinaj: Është me rëndësi që në me Malin e Zi të kemi një fqinjësi të mirë, jemi aleat në plot interesa, integrimet euroatlantike ku jemi mbështetur ndërsjelltë e synimi i tashëm i këtij lloj demarkacioni me Malin e Zi është gabim. Gabim nga pala e Kosovës në këtë rast nga komisioni ynë, kufiri nuk është në Kuqisht, pra në pjesën më të ulët të Rugovës,  por është në Cakorr, shkon drejt majave të larta kalon nëpër kullë dhe vazhdon drejt majave të larta në "podgur" që i themi ne. Me këtë version të gabuar humbim shumë territor, hupim edhe pika strategjike për Kosovës, burime të ujit e burime tjera të rëndësishme për Kosovën, unë e kam ngrit me kohë zërin me kohë për ata që kanë atdhe, kufiri është kufi dhe nuk bëhet lojë me të, nuk është lojë as nga ana ime as nga qytetarët kundërshtimi. Unë besoj se ka brenda territorit të Kosovës mjaft deputetë me integritetin e vet me ndjenjën e vet që mos ta lejojnë një gabim të tillë, që do të ishte i rëndë, e i keq për Kosovë. Pra si do që të jetë nëse koincidojnë ose janë datat, mua do të  më kishte ardhur shumë mirë nëse parlamenti e rrëzon këtë version të gabuar dhe këtë do të vazhdojmë ta kërkojmë nga të gjithë, të mos lejojnë të bëhet ky gabim.

Z. Haradinaj, kohët e fundit në Kosovë është ngritur shumë pluhur për ushtrinë. Mbase edhe është tepruar kur e dijmë se nuk ka asnjë shqiptarë në Kosovë e jashtë  saj që është kundër ushtrisë, si e vlerësoni situatën e krijuar pas një sërë deklaratash, premtimesh madje edhe kundërshtimeve mes miqve , aleatëve tanë SHBA-ve dhe NATO-s?

Ramush Haradinaj: Ne kemi një simpati të madhe në Kosovë popullore për prezencën e KFORIT e Amerikës në Kosovë, domethënë  besimi në NATO është 100% ashtu siç është edhe besimi në Ushtrinë e Kosovës. Kërkesa e Kosovës për ushtri është legjitime që t’i bashkohet misionit të NATO-së në Kosovë e botë, që edhe ne ta japim kontributin tonë. Mendoj që qëllimi për ushtri është i mirë edhe për rajonin për shkak se armiqtë e paqes, jo vetëm të rajonit, por edhe të atyre që vijnë nga larg i shfrytëzojnë vakuumet, Kosova nuk e ka përmbyllur ombrellën e vet të sigurisë e me ushtrinë e përmbyllë. Sigurisht se ka ende shumë punë edhe me organet e tjera, por ushtria nuk duhet të kuptohet si diçka e njëanshme ose kundër dikujt, por në fakt është kontribut për paqen në rajon sepse e përmbyllë edhe një vend që ka mbetur pa e përmbyllur ombrellën e vet të sigurisë. Në këtë aspekt, unë nuk i kam marrë të rëndësishme se nga kush dhe si vjen iniciativa, por jemi të vetëdijshëm se kemi nevojë për ushtri. Në fakt ne e kemi ushtrinë, e kemi edhe projektin e ushtrisë në të cilin kolegu gjenerali Rrustem Berisha ka përgatitur elaboratet në të kaluarën për ushtrinë. Ne po hetojmë se jemi në procese zgjedhore në vend dhe për fat të keq debatet po marrin karakter të çuditshëm jo rrallë, nuk do të ishte dashtë që për ushtrinë të kalojnë në ndërlikime shoqërore të çfarëdo natyre, sepse është interes i të gjitha komuniteteve, edhe i serbëve. Zakonisht një vend kur ka pasiguri, të gjithë shqetësohen për gjendjen e pakicave dhe sigurisht se ushtria do të ndihmonte në këtë drejtim.

Z. Haradinaj, deri sa jeni këtu besojmë jeni të informuar për rritjen e Aleancës, kur e kemi këtë parasysh z.Haradinaj, çka mund të na thuani për procesin e bisedimeve me Serbinë? A do t’u prini, a keni diçka kundër të biseduarit me Serbinë?

Ramush Haradinaj: Është një ndjenjë e mirë, diçka sublime shumë e çmuar. Një dashuri e përkrahje kaq vëllazërore që më kanë dhënë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare kudo që jetojnë edhe në trojet tona edhe në mërgim, është diçka e jashtëzakonshme e pa shpjegushme edhe për mua, është një tregues se e drejta jonë do të dalë në dritë. Tani se çka janë dëshirat e Beogradit unë nuk jam i ngarkuar të mendoj për to. Domethënë unë kam vetëm një obligim, të ju përgjigjem besnikërisht të drejtës tonë shqiptare, pra nuk e mendoj dhe nuk jetoj me idenë se çka ata duan, unë i takoj, jam shqiptar, i takoj shqiptarëve dhe detyra ime është t’i jem besnik  interesave tona në Ballkan. Me fqinjtë duhet të bisedojmë, është e pamundur të mos bisedojmë, por jo një dialog i pa barabartë, një reciprocitet duhet. Kur e them fjalën reciprocitet jo vetem fjalë, por një dialog për njohje. Fqinjët dialogojnë nuk ka mundësi të mos dialogojnë në çfardo kohe, apo etape, por jo kështu si deri më sot.

Z. Haradinaj, ditëve të fundit në Kosovë është shfaqur "fenomeni" "SYRI I POPULLIT" në emër të së cilit u plagos Azem Vllasi, çka mendoni?

Ramush Haradinaj: E përcolla aq sa kam pasur mundësi situatën përmes mediave, shikoni është e dhimbshme nëse një logjikë e tillë fillon të ndodh në vendin tone, duke vrarë njerëz nuk zgjidhen problemet. Duke vrarë dikë në emër të çfarëdo të drejte nuk zgjidhen problemet. Unë pajtohem më ato vlerësime se vërtet kemi udhëheqës jo aq besnikë ndaj obligimeve ndaj atdheut, që ka keqpërdoruar, është korrupsioni dhe vetitë e këqija. Por, zgjidhja nuk gjendet duke ia shtuar edhe një problem, pra duke vrarë njerëz edhe për faktin se dënimi për dikë të ndodh duke e vrarë është i pa pranueshëm, aq më pak ai vendim të ndodh përmes grupacioneve e individëve të caktuara. Unë kam bërë thirrje që kjo të ndalet, që të punojnë logjikshëm se atdheun e kemi të lodhur, popullin e kemi të lodhur mos t’ia shtojmë edhe një telashe, në vend se të ndihmojmë ta zgjidhim një listë problemesh të shqiptarëve, nuk duhet t’ia shtojmë edhe këtë. Ndej dhembje dhe respekt për familjarët e dëshmorëve, për vëllain e dëshmorit Ismet Jasharit-Kumanovës dhe më vjen keq që kjo po thirret si në emër të tij, i bëj thirrje që të hjekin dorë nga veprim i tillë, sepse nuk zgjidhen probleme tona kështu, përkundrazi e shtojmë dhimbjen për shqiptarët dhe në fakt përfitues do të jenë armiqët e shqiptarëve.

Çka mendoni për vrasjet politike të pas luftës zotëri Haradinaj?

Ramush Haradinaj: Është e dhimbshme që është lënë kaq kohë pa u ditë e vërteta, pa u kuptuar thelbi se nga burojnë këto zhvillime. Në  fakt ka plot viktima që ndoshta nuk kanë qenë pjesë e kurrfarë projekteve të tilla. Unë vetë jam viktimë, kam të vrarë një vëlla pas luftës. Atëherë kam qenë në koalicion me presidentin Rugova, kam qenë në Hagë, jam kthyer është shpallur ditëzi. Kurrë nuk e kam marrë flamurin e kësaj teme që do të ishte dukur se po kërkoj zbardhjen e të vërtetës vetëm për vëllain tim i cili ka qenë luftëtar i plagosur, unë nuk e kam bërë këtë. Mendoj që është mirë të dihet e vërteta e secilës ndodhi e vrasje, jo vetëm për hatër të familjes, por le të dihet për hir të vërtetës, njerëzit duhet të jetojnë me të vërtetën, nuk duhet ta marrim ligjin në dorë, por le të dihet e vërteta.  Keq është për të thënë, por e vërteta është se arrestimet e liderëve, komandantëve  të UÇK-së dhe  mosarrestimi i vrasësve të kundërshtarëve politik dhe gazetarëve janë disa dëshmi elementare se në Kosovë nuk funksionon shteti juridik. Bashkë me këto edhe krimi i organizuar, korrupsioni jane çështjet kryesore që e pengojnë avancimin e Kosovës, integrimet, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin tonë në Interpol.

Z.Haradinaj , para sjelljes se marrëveshjes për demarkacion ne kuvend, a mendoni "mazhoranca" e LDK-së e PDK-së  do të marrin më në fund vendimin të cilët që disa herë kanë pohuar se "në seancën e ardhshme do të votohet demarkacioni" por deri tani as pas 2 vitesh e përpjekjesh nuk ndodhi, pse?

Ramush Haradinaj: Nuk besoj se edhe kësaj here do të ndodh diçka, do të caktohet besoj edhe një datë e ardhshme për vendim. Shikoni unë e di cili është vendimi, unë jam shqiptar i Kosovës jam në të drejtën time. Kam respektu ligjin e vendit tim, kam respektu ligjin botëror, nuk kam me asnjë vend konflikt, as në Francë nuk kam konflikt me ligjin këtu. Jam në konflikt me Serbinë, nuk më mërzit kjo, duhet ta keni parasysh nëse kam pasur kurajon e guximin t’i vihem përball forcave të regjimit të Millosheviqit që nuk kanë qenë pak e jo njerëzore, si i tillë në çdo etap do t’i qëndroj besnik të drejtës time. Edhe këta sot Vuçiqi e Daçiqi, këta do ta shohin se shqiptari është më i zoti se sa që kujtojnë, do të binden. Do të ndryshojnë shumë rrethana, shqiptari është shkolluar, e njeh konceptin universal të lirisë e të drejtës, është demokrat i orientuar pro perëndimor dhe nuk është shqiptari pa mundësi. Pra, kushdo që provon t’i shkaktojë fatkeqësi shqiptari, të njejtën kohë i shkakton fatkeqësi vetes dhe popullit të vet, nëse Serbia ka ndërmend të vazhdojë të tentoj t’i shkaktoj fatkeqësi shqiptarit, me nëpërkëmbje e ka keq. Kam thënë disa herë se duart i këputen atyre që i fusin tek shqiptarët dhe kjo është e vërteta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat