Komandant Remi flet për Gjykatën Speciale e “shitësit” e pronave të Kosovës

Intervista

Komandant Remi flet për Gjykatën Speciale e “shitësit” e pronave të Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 13 prill 2017 Në ora: 08:42
Rrustem Mustafa

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish komandanti i UÇK –së, Rrustem Mustafa, ka komentuar zhvillimet më të fundit në vend. Mustafa është  shprehur kritik ndaj Qeverisë dhe performacës së saj.

Sipas të njëjtit,  ka shumë ministra jo kompetentë në Qeveri dhe në këtë mënyrë, ai këmbëngul se ka  ardhur koha që të ketë ndryshime në kabinetin qeveritarë. Më tej Mustafa, është ndalur tek formimi i Gjykatës Speciale, tek e cila shpreson dhe hetimin e krimeve ekonomike.

Sipas të njëjtit, duhet të  të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar, kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë.

Sipas të njëjtit, Ushtria e Kosovës tashmë  më ekziston, ndërkaq që pritet reformimi. Sa u përket përgatitjeve për zgjedhjeve, Mustafa konfirmon se në PDK, ende nuk po diskutohen zgjedhjet parlamentare. Ndërsa sa i përket njohjes të shtetit të Kosovës, sipas tij, ky proces ndodh me kohë.

Bota Sot: Duke pas parasysh se jeni përballur me drejtësinë ndërkombëtare, çfarë mund të na thoni për rastin e Ramush Haradinajt, i cili po vazhdon të mbahet në Colmar të Francës?

Rrustem Mustafa: Rasti i zotit Haradinaj nuk do të duhej të ndodhte fare dhe çfarëdo që komentojmë nuk mundet me e sqarue këtë rast të komplikuar.

Bota Sot: Si i komentoni zërat se ka ndërhyrje në rastin Haradinaj?? 

Rrustem Mustafa: Ka ardhur deri aty, sa edhe vetë shtetet perëndimore me traditë në drejtësi kanë shpreh habinë me kohëzgjatjen e këtij procesi.
 
Bota Sot: Prisni se do të lirohet Haradinaj më 27 prill?? 

Rrustem Mustafa: Uroj që të përfundojë shpejt dhe raste të tilla të mos përsëriten. 

Bota Sot: Z. Mustafa qytetarët e Kosovës kanë mbetur të vetmit, të cilëve nuk po ju mundësohet lëvizja e lirë në Evropë. Kush konkretisht është fajtori për këtë?? 

Rrustem Mustafa: Performimi  i dobët i Qeverisë, i dikastereve  me njerëz  jo adekuate, kisha për të thënë se ka shumë ministra jo kompetent në Qeveri. Unë po mendoj se ka ardhur koha që të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar dhe Qeverisë i duhet riformatim i thellë në mënyrë që të ecet me prioritete  që kemi. Kryeministri me këtë kabinet qeveritar edhe pse ka numrin e majftueshëm për të sjellë  vendimet e nevojshme, nuk ka arritur t’i bindë deputetët e mazhorancës  në përkrahje të Ekzekutivit ku për pasojë të komunikimit të dobët kemi situatën e brishtë në qeverisjen e vendit në përgjithësi.

Bota Sot: Demarkacioni është kushti kryesor për liberalizimin e vizave. Mendoni se do të kalojë në Kuvend?? 

Rrustem Mustafa: Debatet në Gadishullin Ilirik, përherë kanë pas rëndësi të madhe për jetesë dhe zhvillim. Tani më kur historia po vihet në shërbim të së drejtës dhe fakteve shqiptarët ndihen mirë. Për kohët që po vinë ne Gadishullin Ilirik nuk do të jetë domosdo saktësimi i vijave gjeografike. Në regjion do të ketë siguri të garantuar nga qytetarët e regjionit ku bashkarisht do të krijojnë anbient të përshtatshëm per NATO-në si dhe organizata të tjera rajonale nën mbikqyrjen e NATO-së. Shqiptarët ndihen mirë në vendin e vetë. Qeveria duhet të ketë strategji shumë më të mirë komunikative për ti sqaruar vendimet e nevojshme. 
 
Bota Sot: Po e zëmë se kaloi demarkacioni, çfarë do të ndodhë nëse BE-ja e fut si kusht shtesë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe?? 

Rrustem Mustafa: Ne kemi humbur kohë duke u marrë me Demarkacion e Asociacion. Njëra mundëson integrimin e Kosovës në BE, ndërsa tjetra duhet konsideruar si veprim kritik për të ofruar komunat me shumicë serbe me institucionet e Kosovës. Duke konsideruar që nuk humbet tokë dhe se Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive. Vendi duhet të veprojë dhe të përmbyllë këto dy tema. Kështu mund të sigurojmë funksionalitet të shtetit dhe të ndjekim agjendat e radhës që janë vitale për ardhmërinë e Vendit. Kryeministri me kabinetin qeveritar domosdo e ka nevojë për të shpjeguar çështjet me kompetencë.

Bota Sot: Z. Mustafa, ju si ish-komandant i Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çfarë mund të na thoni për Gjykatën Speciale. A i është dashur edhe kjo Gjykatë Kosovës dhe shqiptarëve?? 

Rrustem Mustafa: Unë jam nga ata që e kam votuar Gjykatën Ndërkombëtare. Jam i sigurt se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte, fjalët dhe propaganda sugjestive si dhe percepcionet e krijuara për UÇK-në e di se do të rrëzohen, eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë. Pres që Gjykata Speciale të zgjerojë fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar, kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë. Mendoj, se ka pasur një koordinim të qarqeve “akademike” e shoqërore për të defunksionalizuar gjithë ato institucione të krijuara me mund si gjykatat, institucionet publike financiare, universitetet dhe gjithçka që i jepte frymë zhvillimit dhe rrugës së vendit për ecje së mbari. Besoj fort në vlerat e UÇK-së, se tani më shumë se kurrë do të jenë të qarta të gjitha të ligat që e kanë rënduar vlerat e UÇK-së, e ku do të shihet se në mënyrë të orkestruar kanë sulmuar (palët që pengojnë arritjet e tona) me të pavërteta dhe gjysmë të vërteta. Besojmë, se përmes një vendimi kredibil të Gjykatës ndërkombëtare mjegulla e përhapur për krerët e UÇK-së do të hiqet. UÇK është vlera që na dhuroj zoti në fund të shekullit të kaluar, UÇK hapi rrugë për liri dhe perspektivë kombëtare. Ne jemi faqebardhë! 

Bota Sot: Mendoni se kjo do të jetë instanca e fundit juridike me të cilën do të përballen shqiptarët e Kosovës?? 

Rrustem Mustafa: Unë nuk mendoj fare për këtë çështje. 
 
Bota Sot: Kosova është vonuar në të gjitha proceset e shtetbërjes. Këtë deklaratë më ka rastis ta dëgjoj shpesh. Jeni edhe ju i këtij mendimi?? 

Rrustem Mustafa: Jam i sigurt se kombi ynë është në rrugën e duhur, duke e siguruar vendin në krah me kombet e qytetëruara, për të shndërruar vendin në territor që do të ketë siguri për njerëzit, pronën, pasurinë dhe ndërmarrjet në tregun e lirë. Tani kur lirinë dhe zhvillimin e sigurojnë vetë shqiptarët në rend të parë, nën kujdesin e NATO-së (SHBA-ve) dhe miqve tanë, me të cilët po ndërtojmë siguri afatgjatë për vetë rajonin e dhe me gjerë. Në vendin tonë nuk ka hapësirë për shqetësim ne jemi në rrugë të mbarë, por, duhet të angazhohemi secili nga ne për të mirën e vendit tonë, sigurisht e mira më e madhe për ne është ndjeshmëria e zyrtarëve ndaj të mirave shtetërore dhe respektimi i të drejtave sistemore kushtetuese. 
 
Bota Sot: Po me themelimin e ushtrisë mos është stërvonuar Kosova? 

Rrustem Mustafa: Aftësia, gadishmëria për mbrojtjen e vendit, është proces që nuk mungon, por edhe nuk duhet ndalur së zhvilluari. Nga koha kur zoti ka  dhuruar tre shkronjat:UÇK- vendi ynë ka ushtrinë vet, dhe se në vazhdimësi po merr trajnimet bashkë me edukatën e duhur nga NATO  dhe vendet brenda NATO-së, nën-kujdes të shtuar nga shteti Shqiptarë.Vendi jonë me ushtri të vogël në numër, profesionale dhe mobile. E kushtueshme pak, ne jemi shtet në zhvillim dhe nuk do të dëshironim të kemi shpenzime buxhetore, që nuk do të mund të përballohen nga buxheti vendorë.  Ne pra jemi të interesuar për prezencën fizike dhe organike të NATO-s (SHBA-ve) në vendin tonë dhe regjion. Perspektiva e kombit tonë është në zhvillim dhe ne do të lëvizim me vendosmëri drejt rrugës së integrimeve europiane dhe do të hapim perspekiva për qytetarët tonë si qytetar  të dijës dhe edukatës perëndimore. Pra, Ushtria e Kosovë për mua tani më ekziston, vetëm se reformimi në siguri duhet të jetë i përhershëm. 

Bota Sot: Kush mendoni se janë fajtorët për të gjitha të këqijat që i kanë ngjarë Kosovës dhe vazhdojnë t’i ngjajnë??  

Rrustem Mustafa: Për sukseset dhe dobësitë e vendit në përgjithësi  i bartë organizimi i mirë, apo jo i mirë politiko shoqërore në veçanti  Qeveria e vendit. 

Bota Sot: Kosovës i janë pakësuar njohjet edhe pse ka premtime se do të vijnë disa njohje te reja? Mendoni se kanë marrë fund njohjet për Kosovën?  

Rrustem Mustafa: Edhe pse nuk na ka penguar asgjë në përmirësimin e kualitetit e jetës së qytetarve tanë, shpresojmë se njohjet do të vijnë me kohë. 

Bota Sot: Në këtë vit do të ketë zgjedhje lokale. Ku e shihni ju PDK-së pas këtyre zgjedhjeve??   

Rrustem Mustafa: Besoj se në zgjedhjet lokale PDK hynë e përgatitur dhe do të korrë sukses në shumicën solide të komunave të Kosovës.

Bota Sot:A është PDK-ja e përgatitur edhe për zgjedhjet e përgjithshme në rast se mbahen këtë vit?? 

Rrustem Mustafa: Brenda organeve të PDK-së , ende nuk është tema e zgjedhjeve  parlamentare. 

 Bota Sot: Çfarë ua merr mendja, a ka lënë vakum në parti presidenti Hashim Thaçi?? 

Rrustem Mustafa: PDK- ka ardhur deri te ajo pikë ku shtetin tonë e furnizon me autoritete dhe kuadro të mira profesionale dhe kombëtare, këtë herë ka dhënë edhe Presidentin e vendit  duke shpresuar se do të ndihmojë  në konsolidimin e mëtutjeshëm institucional e shtetëror, kurse PDK-ja , ka kuadro potenciale edhe për shumë vende tjera në nevojë e gjithashtu ka kuadro të mjaftueshme për udhëheqjen e partisë ashtu sikur besojmë  se ne zgjedhjet e ardhshme  do të  korrim fitorën e radhës duke ofruar program dhe qasje edhe me të mirë politike me prioritete të qarta dhe të domosdoshme për normalizimin institucional dhe shoqëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat