Atëherë ishte 13 vjeçe, Saranda tregon tmerrin që përjetoi gjatë masakrës në Kosovë

Intervista

Atëherë ishte 13 vjeçe, Saranda tregon tmerrin që përjetoi gjatë masakrës në Kosovë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 12 maj 2017 Në ora: 09:54
Saranda Bogujevci

8 marsi i 1999, do të shënonte njërin nga aktet  më të tmerrshme kriminale të Serbisë në Kosovë. 16 gra e fëmijë, të familjeve Bogujevci e Duriqi në qytetin e Besianës, u ekzekutuan pamëshirshëm nga forcat serbe.

Saranda Bogujevci në këtë masakër që ndodhi në oborrin e shtëpisë, humbi nënën, gjyshen dhe dy vëllezërit më të vegjël, e po ashtu edhe gruan dhe vajzën e axhes. Ajo ka rrëfyer ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”, për ngjarjen që si 13 vjeçare e kishte përjetuar rëndë.

Por, megjithë vuajtjet për humbjen e familjarëve, Saranda dhe dy  fëmijët e axhës së saj Jehona dhe Fatosi gjetën forcën për t`u përballur në gjyq me kriminelët serbë të cilët ua vranë familjarët.

Bota sot: Saranda, ju jeni familja e parë që keni bërë denoncimin e krimeve serbëve në Kosovë, a mund të na tregosh si e gjetët forcën për ta bërë një gjë të tillë, pas gjithë asaj që kishte ndodhur?

Saranda Bogujevci: Ka qenë shumë e vështirë.  Ka  marrë kohë deri sa kemi vendosur, kemi diskutuar shumë, jemi konsultuar për shumë gjëra me persona të fushës së drejtësisë, kemi negociuar gjatë për të gjetur menyrën më të sigurt të mundshme për të deshmuar. Kemi qenë me fat që kemi qenë në Angli, ku kemi marrë përkrahje për çdo hap që kemi marrë sa i përket drejtësisë.

Bota sot: Sa jeni ndarë të kënaqur me dënimin që u është dhënë këtyre kriminelëve?

Saranda Bogujevci: Denimi maksimal në Serbi është 20 vite. Për krimet që i kanë bërë në Kosovë edhe po të ishte dënimi me jetë, nuk do të ishte e mjaftueshëm. Për ne si familje ka qenë me rëndësi që për atë që ka ndodhur ta kuptojë e gjithë bota. Do të shënohet si histori e dëshmuar me gjyqe, pra do të dokumetohet. 
Dhe në asnje moment Serbia nuk do të mund të mohojë krimet që janë bërë. Kështu që bëj thirrje të gjithë familjeve që të vazhdojnë luftën për drejtësi. Është tragjike që shteti ynë nuk ka bërë dhe ende nuk bën asgjë në këtë drejtim. Së paku të i përkrahë familjarët në këtë rrugëtim për drejtësi me shërbme si këshillë për pjesëmarrje në gjykata për krime të luftës.

Bota sot: Ndërkohë, ju keni refuzuar dëmshpërblimin që ju ka ofruar Gjykata e Serbisë, përse e bëtë këtë?

Saranda Bogujevci: Gjykata e Serbisë duhet të marrë përgjegjësinë dhe të na trajtojë me dinjitet. Lufta jonë ende nuk ka përfunduar me gjykatën e Serbisë, edhe do të vazhdoj deri në frymën e fundit të jetës sime. Nuk  do të ndalem duke luftuar për drejtësi dhe sa i përket Serbisë pranimi i fajit për krimet që i ka kryer në Kosovë.

Bota sot: Çka mbanë mend nga ajo ditë?

Saranda Bogujevci:Të gjithë ngjarjen e mbaj mend.

Ku shkuat pas ngjarjes?

Saranda Bogujevci: Mbas ngjarjes jemi dërguar në spitalin e Prishtinës, ku kemi qëndruar deri në perfundim të luftës. Në shtator të 1999 jemi evakuar për shërim në Angli.

Bota sot: Sa ishte e rëndë për ty si 13 vjeçare, ta përjetoje gjithë atë që ka ndodhur?

Saranda Bogujevci: Për çdo moshë është shumë e vështirë të përjetosh diçka të tillë. Çka kam arritur të kuptoj, është që si fëmijë e kemi perballuar shumë më lehtë. Po  të ndodhte tani që jam e rritur, gjërat i kuptoj shumë më ndryshe dhe besoj, se do ta kisha shumë më të vështirë. Jam person me fat që kam pas familjen dhe shumë të afërm dhe shoqëri, që më kanë përkrahur dhe ndihmuar qysh nga përfundimi i luftës.

Bota sot: Kush ishte personi i parë që takuat pasi mbaroi lufta?

Saranda Bogujevci: Kam takuar anëtarë të familjes që kanë shpëtuar nga lufta.

Bota sot: A mund të na i përshkruash ato momente?

Saranda Bogujevci: Kanë qenë emocione të përziera në atë kohë. Kam qenë e lumtur kur i kam pa familjarët dhe të afërmit që kanë mbijetuar, ka qenë lehtësim. Të njëjtën kohë ende nuk e kemi ditur se ku janë trupat e pjesës tjetër të familjes që nuk kanë mbijetuar. 

Bota sot: I keni mbijetuar 16 plagëve, si është sot gjendja jote shëndetësore?

Saranda Bogujevci: Jam me fat që më është dhënë mundësia për t`u shëruar në Angli. Plagët më të mëdha i kam pasur në dorën e majt që ma pamundëson ta përdor dorën por kam mësuar të kem besim dhe vullnet dhe kam arritur që të kem një jetë aq normale sa s`mundet me qenë më mirë.

Bota sot: Mendoni se ishte fat në fatkeqësi që arritët të shpëtoni si një dëshmi e gjallë për t`i treguar botës lidhur me atë që ka ndodhur?

Saranda Bogujevci: Patjetër, nuk duhet të heshtim dhe nuk duhet të presim asgjë nga Serbia për deri sa heshtim ne. 
Duhet të ngremë zërin së bashku, jo vetëm familjarët e të vrarëve gjatë luftës por e gjithë shoqëria e Kosovës. Vetëm së bashku mund të arrijmë, që së pari shtetin tonë ta shtyjmë që të pranojë, se duhet të  punojë për t`u zbardhur fati i personave të pagjetur,  që të dënohen kriminelët e të dokumentohen krimet që janë bërë në Kosovë si dhe dëmet materiale. Të rregullojë ligjin që i përkrah familjet dinjitetshëm si dhe ndihmë dhe përkrahje të dinjitetshme për të gjitha gratë e dhunuara në Kosovë.   Kur të kemi punuar në këtë drejtim, atëherë jemi gati të kërkojmë llogari nga Serbia. Jemi shumë shumë vonë, kanë kaluar 18 vite, për mua është e pa pranueshme.

Bota sot: A i inkurajon familjet e tjera, që të ndjekin rrugën e drejtësisë ashtu siç bëtë ju?

Saranda Bogujevci: Patjetër që po edhe pse është rrugëtim shumë i mundimshëm dhe i dhimbshëm.

Bota sot: Çfarë kanë bërë institucionet e Kosovës, sa i përket denoncimit të krimeve të luftës?

Saranda Bogujevci:  ASGJË

Bota sot: A do të duhej të formohej një Gjykatë ndërkombëtare për krimet e kryera nga serbët, ashtu siç është formuar Gjykata Speciale për shqiptarët?

Saranda Bogujevci: Për mendimin tim Gjykata Speciale është e gabuar, por nuk pres asgjë në këtë drejtim, përderisa kemi udhëheqësinë që ekziston në Kosovë.

Bota sot: A është kjo Kosova të cilën e dëshiruan familjarët e tu?

Saranda Bogujevci: Aspak. Në  fakt kohën e fundit dhe mbas vrasjes  së të riut Astrit Dehari, sistemit të shëndetësisë,  arsimit, mënyra e punësimit dhe gjendja në UP, më ka shtyer të mendoj, se për çfarë është lufta dhe për çfarë janë vrarë mijëra shqiptarë, që të vijnë ditët e sotme, ku njerëzit tanë janë duke na rrjepur si popull e janë duke i shtyrë të rinjtë të largohen nga vendi i tyre.

Bota sot: A besoni se Serbia do të marrë dënimin e merituar për të gjitha krimet e kryera në Kosovë?

Saranda Bogujevci: Nëse ne si popull jemi të bashkuar dhe punojmë në atë drejtim atëherë patjetër. Nëse vazhdojmë në këtë rrugë siç jemi tani kam frikën që Serbia do të dal si viktimë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat