Kandidati i LDK-së për deputet paralajmëron: Ja çfarë do të ndodhë nëse PDK-AAK-NISMA fiton zgjedhjet

Intervista

Kandidati i LDK-së për deputet paralajmëron: Ja çfarë do të ndodhë nëse PDK-AAK-NISMA fiton zgjedhjet

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 29 maj 2017 Në ora: 10:51
Kandidati për deputet, nga radhët e LDK-së, Dardan Velija

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dardan Velija, konsideron se faktori politik në Kosovë duhet të merret me çështje reale dhe jo vetëm me ‘tema të mëdha’ që nuk i shërbejnë askujt. Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Velija ka treguar se cili do të jetë përkushtimi i tij në rast se zgjidhet në postin e deputetit. “Duhet të ndërpritet praktika ku politikanët pasurohen në kurriz të potencialit për zhvillim. Hapi tjetër do të jetë zhvendosja e vëmendjes te çështjet reale që na preokupojnë”, ka thënë ai.

Bota Sot: Pse e zgjodhe pikërisht LDK-në?

Dardan Velija: Faktori vendosës ishte hapja ndaj të resë që kjo parti e bëri. Vendimi i Kryeministrit Mustafa për ta kandiduar z.Hoti për Kryeministër bëri që shumë të rinj ta shohin mundësinë për t’u përfshirë në këtë parti. Aty gjetëm një grup profesionistësh që meritojnë të përkrahen dhe me të cilët mund të punohet.

Bota Sot: Çfarë synon të arrish nëpërmjet politikës?

Dardan Velija: Nëse hy në Parlament, fokusi im do të jetë rinia. I përmendim pa ndërprerë që dy të tretat e popullsisë i kemi nën moshën 30 vjeçare e s’bëjmë asgjë për ta. Politika në Kosovë duhet të ndryshojë rrënjësisht. Pikë së pari do të duhet të fillohet të merret me çështjet reale dhe jo me vetëm me ‘tema të mëdha’ që nuk i shërbejnë askujt. Ndërmarrësia, inovacioni dhe arsimi do të jenë fushat ku do të angazhohem me tërë qenien. Pastaj do të duhet të punohet të ndërtohet konsensus për zhvillim dhe për politikën e jashtme që vendin më në fund ta vendosim në binarë të shëndoshë të zhvillimit.

Bota Sot: Z. Velija sa është e përgatitur LDK-ja për zgjedhjet e 11 qershorit?

Dardan Velija: Ministri Shala, Ministrja Bajrami, Ministri Demolli, Ministri Abrashi e te tjerët te LDK-se janë profesionistë të vërtetë dhe do të mund të ishin ministra në secilin shtet të Evropës. Natyrisht gjenerata e re Vjosa, Arbeni, Doruntina e shumë të tjerë, mos t’i përmendi rend, do të jemi një ekip që i duhet vendi dhe bashkë edhe me neve që u bashkëngjitëm, kemi bërë një ekip fantastik i cili do të mund të ishte ekip i pranueshëm për të ndërtuar qeveri në cilin do shtet normal të botës.

Bota Sot: Cili është mendimi juaj për koalicionin e lidhur me AKR-në dhe Alternativën?

Dardan Velija:  Është një koalicion i natyrshëm. Si votues nuk do të hezitoja as një sekondë të votoja për kandidatë si Korabi, Mimoza apo Iliri e shumë të tjerë në atë listë.

Bota Sot: Pse duhet që votuesit t`i besojnë koalicionit tuaj?

Dardan Velija: Sepse ka ardhur koha e Gjeneratës së Republikës. Ka ardhur koha të fillojmë të merremi me problemet reale të cilat na preokupojnë si shoqëri. Ka ardhur koha që politikanët të përzgjidhen në bazë të asaj çfarë mund të bëjnë dhe jo në bazë të meritës që kanë para 20 vitesh. Respekt për të gjithë që kanë dhënë, kontribuar e rrezikuar për të mirën e përbashkët, por vendim-marrjen për të ardhmen duhet t’ua japim më të mirëve.

Bota Sot: Si keni menduar që t`i përfaqësoni qytetarët në rast se zgjidheni deputet?

Dardan Velija: Mendoj që të gjithë ne që përfaqësojmë progresiven, do ta kemi shumë të lehtë. Do të kërkojmë modele në shtetet më të përparuara. Lufta ndaj korrupsionit në këtë fazë është filli. Duhet të ndërpritet praktika ku politikanët pasurohen në kurriz të potencialit për zhvillim. Hapi tjetër do të jetë zhvendosja e vëmendjes te çështjet reale që na preokupojnë.

Bota Sot: Cili është plani i LDK-së për demarkacionin?

Dardan Velija: Unë nuk jam ekspert në këtë fushe dhe besoj se kjo çështje duhet te zgjidhet nga ekspertet e kësaj fushe. Ky vend nuk do te ece para, përderisa nuk fokusohemi secili ne punët për çka kemi përgatitje përkatëse profesionale dhe eksperience. LDK ka qëndrim për këtë teme dhe unë do të mbroj qëndrime e partisë që i jam bashkangjitur. Besoj që krahas zgjidhjes se cështjes se demarkacionit, do të duhet të gjinden zgjidhje kreative që kënaqin qytetarët e asaj zone. Ideja për hapjen e një tuneli mes Kosovës e Malit të zi, të paguar nga donatorët. Kjo do ta shkurtonte rrugën e Kosovës për Evropë duke evituar Serbinë. Sjellja e ndonjë investimi në ato anë do të mund të ishte gjithashtu i domosdoshëm.

Bota Sot: Çfarë mendimi keni për koalicionin PDK-AAK-NISMA?

Dardan Velija: Në rast se ai koalicion fiton, vendi do të vazhdojë të jetë në bllokadë. PDK si parti kryesore ka udhëhequr me Qeverinë për 2 mandate pas shpalljes se Pavarësisë (deri ne 2014), por rezultatet e atyre dy qeverive në fushën ekonomike por edhe çështjet tjera me interes, janë larg asaj të pritshmes dhe te dëshirueshmes. Nuk kam vërejtur asnjë tendencë ndryshimi atje. Preokupim kryesor i vendit do të jetë Gjykata Speciale dhe jo rinia dhe çështjet reale. Nuk do të mund të presim as liberalizim të vizave e as investime të huaja direkte.

Bota Sot: A mendoni se vendi po shkon drejt krijimit të dy blloqeve politike?

Dardan Velija: Pak a shume po. Nëse votuesit e pavendosur binden me ofertën tone, ne do t’i fitojmë zgjedhjet. Largimi i gardës së para dy dekadave nga pushteti, do ta hapi mundësinë për të rinjtë edhe në bllokun tjetër që të kapin hapësirën.

Bota Sot: Si mund të arrihet liberalizimi i vizave për Kosovën?

Dardan Velija: Besoj që më shumë se si, pyetja është kush, fatkeqësisht. Kusht parësor është luftimi i korrupsionit. Për ta luftuar korrupsionin, do të na duhet t’i largojmë klasën që e kanë mbjellë e kultivuar atë. Me Brukselin do të duhet t’i dërgojmë si negociatorë njerëzit më të fuqishëm që i kemi, mentalisht e kam fjalën. Do të na duhet një angazhim shumë më i thuktë në Bruksel dhe në shtetet anëtare të BE-së që të hapim perspektivën. Me ta duhet të bisedojmë në të njëjtën gjuhë.

Bota Sot: Po me Lëvizjen Vetëvendosje, a mund të ketë bashkëpunim pas zgjedhjeve të 11 qershorit?

Dardan Velija: Partia do të vendos pas zgjedhjeve. Sado që ideologjikisht qëndrojmë ndryshe, do të na duhet të ndërtojmë konsensus të gjerë për të ndërprerë një herë e mirë kultivimin e korrupsionit. Qasja anti-korrupsion është e përbashkët me VV-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat