Hoti: Koalicioni i territ u frikësua nga mbështetja e madhe e elektoratit për LDK-në

Intervista

Hoti: Koalicioni i territ u frikësua nga mbështetja e madhe e elektoratit për LDK-në

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 9 qershor 2017 Në ora: 17:22
Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kandidati për Kryeministër nga Koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për drejtësi, e ka vlerësuar si të suksesshme fushatën për zgjedhjet e 11 qershorit.

Hoti ka theksuar se është bartës i listër me duar të pastra. Ai ka potencuar se koalicioni PAN me të drejtë është quajtur koalicion i frikës dhe territ. Kandidati për Kryeministër z. Hoti, ka thënë se menjëherë pas krijimit të qeverisë së re, do ta plotësojnë edhe kriterin e fundit për liberalizimin e vizave.

“Bota sot”: Z. Hoti, sa jeni të përgatitur si LDK për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit?

Avdullah Hoti: LDK dhe koalicioni i saj po e përmbyllin një nga fushatat më të suksesshme të viteve të fundit, gjatë së cilës është shpalosur në detaje programi qeverisës dhe janë prezantuar kandidatët për deputetë. Fushata e Koalicionit ishte model, jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë, se si një program qeverisës shkrihet në veprime konkrete, afate kohore dhe rezultate të matshme.

“Bota sot”: A kishte pretendentë të tjerë brenda LDK-së për kandidaturën e Kryeministrit apo ishit vetëm ju?

Avdullah Hoti: LDK është një parti me kulturë të gjatë demokratike, ka organet e saj vendimmarrëse dhe kandidatura ime ka qenë unike nga të gjitha strukturat dhe nga lidershipi i partisë. Jam krenar që jam bartës i listës së LDK-së dhe partnerëve të koalicionit, një listë me duar të pastra. LDK është parti e madhe dhe ka kuadro të mjaftueshme për të gjitha pozitat shtetërore dhe institucionale. Unë kam mbështetjen e plotë të të gjitha strukturave të partisë, nëndegëve, degëve, Kryesisë, nënkryetarëve dhe kryetarit Mustafa.

“Bota sot”: Si e vlerësoni koalicionit ndërmjet AAK-së PDK-së dhe Nismës, mendoni se ky koalicion ishte edhe arsyeja e mocionit që rrëzoi qeverinë?

Avdullah Hoti: Me të drejtë është quajtur koalicion i frikës dhe territ. Ata u frikësuan nga mbështetja e madhe që LDK kishte në elektorat. Koalicioni i oponentëve tanë politikë është i ndërtuar mbi baza personale për të shpëtuar fundin e karrierës politike të disa individëve. Institucionet nuk krijohen me koalicione të natës por me përkrahjen qytetare në një proces të rregullt zgjedhor. Tashmë të gjithë e dinë se qytetarët e Kosovës janë përcaktuar për koalicionin e djathtë, i cili do ta çrrënjos krimin dhe korrupsioni dhe do të krijojë vende pune për të rinjtë tanë.

“Bota sot”: A po shkon vendi drejt dy blloqeve politike përkatësisht Qendrës së djathtë dhe të tjerëve?

Avdullah Hoti: Unë mendoj se koalicionet kanë definuar qartë para qytetarëve kush me kënd është. Tashmë qytetarët e dinë kush ka krijuar milionat nëpërmes pushtetit dhe kush i ka duart e pastra.

“Bota sot”: A mendoni se ju keni shance më tepër për të fituar, kur dihet se Ramush Haradinaj është provuar në postin e Kryeministrit?

Avdullah Hoti: Edhe skeptikët më të mëdhenj e dinë se fitorja jonë është e sigurt. Shikoni masivitetin e tubimeve tona dhe shikoni tubimet e oponentëve politikë. Ata kanë angazhuar kompani transporti me autobusë dhe nuk po mund t'i mbushin sallat. Qytetarët tashmë e kanë qartësuar biografinë dhe punën e secilit personalitet politik.

“Bota sot”: Ju tashmë keni lidhur koalicion me AKR-në dhe Alternativën, a është bërë ndonjë ndarje e posteve në rast se i fitoni zgjedhjet?

Avdullah Hoti: Koalicioni ynë është bërë në bazë të programit dhe parimeve dhe nuk është bërë për ndarje të pozitave.

“Bota sot”: Cili është programi i LDK-së për këto zgjedhje?

Avdullah Hoti: Programi i Koalicionit Qeverisës mbështetet mbi parimet dhe vlerat demokratike dhe merr parasysh nevojat dhe prioritetet nacionale të Kosovës, me fokus në forcimin e sundimit të ligjit dhe të zhvillimit ekonomik. Programi i Koaliconit Qeverisës, i qendrës së djathtë, mbështetet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, liria, drejtësia dhe toleranca, përgjegjësia dhe transparenca, liria e të shprehurit dhe liritë individuale dhe kolektive, që paraqesin fundamentin e shoqërisë moderne evropiane të Kosovës.  Koalicioni Qeverisës në programin e vet ofron mundësi për realizimin e vizionit për Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik, shtet të zhvilluar dhe të integruar në strukturat evroatlantike.  LDK-ja dhe aleatët e saj angazhohen për funksionim të pavarur të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, duke krijuar kushte për ngritje të efikasitetit të tyre.

Koalicioni Qeverisës beson fuqishëm se dinjiteti i çdo qenieje njerëzore, si parim dhe e drejtë themelore, mund të mbrohet vetëm nëpërmjet barazisë së qytetarëve dhe mundësive të barabarta për të gjithë.

“Bota sot”: Sa ka gjasa që të fitojë koalicioni juaj?

Avdullah Hoti: Shikoni tubimet tona dhe mobilizimin e qytetarëve e vlerësoni vet se kush di t'i fitojë zgjedhjet. Fushata jonë kishte për qëllim komunikimin e drejtpërdrejt me qytetarët për të thelluar fitoren, sepse ne me kohë e kemi të qartë se jemi të parët dhe pa konkurrencë.

“Bota sot”: Si do të gjendet zgjidhja për marrëveshjet e pa miratuara në Kuvend siç janë Demarkacioni dhe Asociacioni?

Avdullah Hoti: Ne kemi prezantuar ofertën tonë para qytetarëve dhe programi ynë parash zgjidhjen e këtyre çështjeve.

“Bota sot”: A iu premtoni qytetarëve lëvizje të lirë, nëse i fitoni zgjedhjet?

Avdullah Hoti: Oponentët tanë politikë, që përmendin periudha kohore për tre muajsh për liberalizimin e vizave, dëshmojnë se nuk kanë as idenë e procesit të vendimmarrjes në Bashkimin Evropian.

LDK është partie e vetme në Kosovë që tashmë ka hyrë në Evropë, sepse jemi anëtare e Partive Popullore Evropiane. Vetëm LDK dhe partnerët e saj mund t'i liberalizojnë vizat në afat rekord për Kosovën. Ne kemi plotësuar 94 nga 95 kriteret për liberalizimin e vizave. Kriterin e fundit do ta plotësojmë menjëherë pas krijimit të qeverisë së re.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat