Phillips: Lëvizja Besa, një zgjatim i agjendës së Erdoganit

Intervista

Phillips: Lëvizja Besa, një zgjatim i agjendës së Erdoganit

Nga: Gjyla Çeliku Më: 9 qershor 2017 Në ora: 18:22
David Phillips

“Kemi një problem me “Besën”, e cila nuk është, në të vërtetë, një parti politike maqedonase, por një zgjatim i agjendës së Erdoanit. Kështu shqiptarët dhe maqedonasit duhet të punojnë për interesat e këtij vendi, jo për interesat e Turqisë dhe, nëse do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë do të arrihet deri te progresi dhe së bashku, shqiptarët dhe maqedonasit, do të jenë pjesë e kësaj”, ka thënë Philips.

Në Shtetet e bashkuara u shënua Memorial Day (Dita e përkujtimit), kështu që liria ka një çmim dhe i gjithë kombi amerikan i përkujton sot të gjithë ata, që sakrifikuan jetët e tyre për jetët tona. Pra, gëzuar Ditën e përkujtimit z. Phillips dhe mirëserdhët përsëri në Maqedoni dhe shpresoj shumë se do të kaloni një kohë të bukur në vendin tonë. Unë jam shumë e interesuar, dhe jam e sigurtë se edhe opinioni publik gjithashtu, ta di mendimin tuaj mbi ndërthurjet aktuale politike dhe shoqërore në Fqinjësinë Shqiptare, siç e quani ju. A mund të më thoni ju lutem, përse kjo dashuri, të themi kështu, për kombin shqiptar?

David Phillips: Unë kam punuar në çështjen shqiptare që nga viti 1988, kur isha president i Fondacionit kongresional të të drejtave të njeriut, Shtetet e Bashkuara kanë një miqësi të thellë me popullin shqiptar, po ashtu kemi një bashkëpunim të ngushtë me vendet e rajonit. Unë e dua Ballkanin Perëndimor dhe popullin shqiptar dhe duhet të punojmë më intensivisht bashkë.

Ju e mbroni kauzën shqiptare më shumë se dy dekada, si akademik, lobist dhe diplomat. A jeni të kënaqur me situatën politike sot? A janë gjërat duke shkuar në drejtimin e duhur?

David Phillips: Gjatë viteve të qeverisjes së Obamës, SHBA-të nuk i kanë kushtuar kujdes sa duhet regjionit dhe kjo shkaktoi një shteg të ndikimit rus dhe serb, si dhe për Turqinë, që të mbrojë vlerat e saj islame. SHBA-të duhet të riangazhohen, ende nuk e dimë se si do t’i qaset administrata e Trump-it regjionit, megjithatë sa më shumë angazhim amerikan dhe integrim në strukturat euro-atlantike, regjionin do ta çojë përpara.

Maqedonia është një vend i vogël, por me shumë problem si: margjinalizimi i grupeve tjera etnike, cenimi i të drejtave të njeriut, mungesa e demokracisë, korrupsioni, sistem i dobët arsimor, etj. E shihni ju këtë si problem politik apo shoqëror?

David Phillips: Janë të dyja. Lidershipi politik duhet t’i adresojë këto probleme dhe shoqëria duhet të mblidhet bashkë dhe të ideojë një vizion të bashkuar për të ardhmen dhe të punojë në zhvillimin njerëzor, të arsimit dhe ekonomisë, ne gjithashtu kemi nevojë për institucione të fuqishme demokratike dhe zbatim të fuqishëm të së drejtës. Nëse Maqedonia do të jetë në gjendje t’i forcojë institucionet, atëherë ajo do të ketë bashkëpunim më të mirë me SHBA-të dhe Unionin Evropian.

Mendoni se kjo gjë do të jetë më mirë me qeverinë e re?

David Phillips: Është herët për të thënë. Le të shohim se çfarë performance do të ketë qeveria e re. Që nga Bukureshti në vitin 2008, gjërat kanë stagnuar dhe tani është koha që të rinisen bisedimet për çështjen e emrit, pra të dialogohet me Greqinë që vendi të mund të anëtarësohet në NATO dhe të anëtarësohet në Unionin Evropian.

Si do ta kishit evaluuar Marrëveshjen Kornizë të Ohrit? A përbën ajo një plan të mirë për zgjidhjen e çështjeve etnike në Maqedoni dhe krijimin e një platforme për demokraci dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë?

David Phillips: Marrëveshja aso kohe ishte e mrekullueshme dhe parimet e Ohrit për ndarjen e pushtetit dhe të drejtat e minoriteteve ishin të zbatueshme, megjithatë ishte edhe një eksport që Maqedonia mund ta ndante me vendet e tjera. Problemi qëndron tek implementimi, Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk u implementua kurrë plotësisht, gjë që e shtoi polarizimin në shoqëri. Tani duhet që t’i zbatojmë ato parime dhe të përpiqemi ta mbledhim bashkë shoqërinë përreth respektimit të ligjit dhe demokracisë, gjë që përbën strumbullarin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Mendoni se partitë politike shqiptare janë në gjendje t’i përmirësojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni?

David Phillips: Ato duhet që ta profesionalizojnë punën e tyre, të funksionojnë më bashkëpunues. Kemi një problem me “Besën”, e cila nuk është, në të vërtetë, një parti politike maqedonase, por një zgjatim i agjendës së Erdoanit. Kështu shqiptarët dhe maqedonasit duhet të punojnë për interesat e këtij vendi, jo për interesat e Turqisë dhe, nëse do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë do të arrihet deri te progresi dhe së bashku, shqiptarët dhe maqedonasit, do të jenë pjesë e kësaj.

Image
David Philips dhe Gjyla Çeliku

Kur flasim për Lëvizjen Besa, ata për momentin nuk janë pjesë e qeverisë. Mendoni se është më mirë apo jo?

David Phillips: Ata kanë pesë ulëse në parlament dhe janë faktor. Ajo që është e rëndësishme, partitë duhet të jenë vendore, duhet të reflektojnë qëllime lokale, duhet të financohen nga burime vendore, dhe derisa “Besa” nuk i hap librat dhe vërteton se paratë e saj nuk vijnë nga Turqia dhe Katari, nuk e dimë nëse ajo vërtet funksionon si një parti politike nga Maqedonia.

Qeveria e re do të fillojë me punë me në krye z. Zoran Zaevin. Partia e Ali Ahmetit dhe Zijadin Selës do të jenë pjesë e kësaj qeverie. Mendoni se kjo qeveri do të bëjnë përfundimisht ndryshime në shoqëri, do t’i avancojë të drejtat e shqiptarëve, ngaqë ne nuk kemi gëzuar shumë të drejta, siç i patë edhe ngjarjet e fundit në parlament?

David Phillips: Reforma nuk është një ngjarje specifike, që do të realizohet deri në një datë të caktuar, por është një proces dhe që realizohet përgjatë një periudhe më të gjatë kohore, kështu që duhet të tregohemi realistë në pritjet tona dhe duhet të jemi të vetëdijshëm se për një kohë më të gjatë Maqedonia do të ndryshojë, nëse SHBA-të dhe UE-ja do të zotohen t’i ndihmojnë Maqedonisë dhe të merren parasysh të drejtat e të gjithë qytetarëve, përshirë edhe shqiptarët, atëherë edhe vendi do të shkojë përpara. Nga perspektiva ime, nëse përmbushen të gjitha këto, atëherë nuk ka si të mos ketë progres.

Universiteti i Tetovës do t’ju laureojë me Çmimin më të lartë akademik: Doktor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare. Urime! A keni diçka për të thënë me këtë rast?

David Phillips: Jam i nderuar ta pranoj këtë mirënjohje. Unë kam qenë i përfshirë në këtë regjion dhe në çështjen shqiptare thuajse qe 30 vjet dhe do të vazhdoj të punoj, sa më mirë që të mundem ta ngre vetëdijen dhe të loboj për mbështetjen e SHBA-ve, që ta angazhohen plotësisht në rajon.

Ju faleminderit shumë!

David Phillips: Ju faleminderit Juve!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat