Naser Rugova tregon a ka deputetë të LDK-së që do t‘i bashkohen PAN-it

Intervista

Naser Rugova tregon a ka deputetë të LDK-së që do t‘i bashkohen PAN-it

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 6 korrik 2017 Në ora: 12:51
Naser Rugova

Në një intervistë ekskluzive për gazetën Bota sot, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës Naser Rugova ka thënë se koalicioni me PDK-në i qeverisë së kaluar ka bëre që LDK të ketë humbje në elektorat. Rugova ka folur edhe për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se LDK ka parimet e saj dhe ato parime vlejnë edhe për Vetëvendosjen. Një nga parimet sipas tij është edhe njohja e meritave dhe përpjekjeve të Presidentit Historik Ibrahim Rugova dhe organizimit politik nacional dhe institucional që ka bërë LDK-ja këto 27 vitet e fundit.  Sipas Rugovës nuk ka asnjë mundësi që koalicioni PAN të bind ndonjë nga deputetet e LDK-së që të votojë qeverinë e tyre. Ai ka potencuar se institucionet e vendit nuk ndërtohen me aventura dhe transfere politike jo parimore. 

Bota sot: Ju keni fituar votat për deputet të LDK-së, si e vlerësoni ketë mbështetje te votuesve?

Naser Rugova:  Së pari i falënderoj votuesit, anëtarësinë dhe strukturat e LDK-së për mbështetjen dhe besimin që të jem përfaqësues i tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Angazhimet e mija në parti, konsistenca në qëndrime dhe qëndrimet e mia parimore për shumë çështje me rëndësi  e që janë ende aktuale besoj se elektorati i ka vlerësuar dhe më ka dhënë besimin që të jem përfaqësues i tyre në organin më të lartë legjislativ të vendit.

 Bota Sot:  Çka mendoni pse erdhi deri te arsyeja qe LDK-ja te del e treta në zgjedhje.

Naser Rugova: Vlerësoj se na dëmtoj koalicioni me PDK-në, edhe pse qeverisja e LDK-së gjatë këtij gjysmë-manadati u vlerësua si më e mira pas çlirimit të vendit. Ka pasur edhe diskrapanca në mes vullnetit të anëtarësisë dhe vendimmarrjes në parti nganjëherë dhe mungesë uniteti veprues në raport  grup parlamentar – ekzekutiv, që në njëfarë forme ka shkaktuar paqartësi në elektoratin tonë për çështje të caktuara por edhe faktorë tjerë për të cilat gjëra besoj në kohë të duhur do të analizohen nga forumet kompetente të partisë.

Bota Sot: Mendoni se koalicioni me PDK-në në zgjedhjet e 2014 ka bërë që votuesit të ndihen të tradhtuar?

Naser Rugova: LDK-ja shumë herë ka sakrifikuar për interesa shtetërore dhe nacionale por duke u dëmtuar në elektorat. Votuesit tanë asokohe ishin kundër këtij koalicioni dhe në këto zgjedhje kemi këtë rezultat. Besoj se LDK-ja si parti me traditë dhe me një strukturë homogjene dhe të qëndrueshme, me një organizim të dëshmuar në dekada do të dëshmoj rolin e saj politik dhe shtet formues dhe do të rikthej besimin e qytetarëve si në kohët më të mira të saj. Besoj në reflektim dhe debat substancial në forumet e partisë dhe reforma të mirëfillta të cilat vetëm se kanë filluar në LDK.

Bota Sot: LDK ka thënë se ne asnjë mënyrë ne koalicion me PDK-në, AAK-në, Nisma. Nëse Kosova mbetet ne ngërç politik, do te pranonit koalicionin me ta sa për te shpëtuar edhe nga një pare zgjedhje?

Naser Rugova: Sistemi zgjedhor në Kosovë por edhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit tregojnë se asnjëri grup politik nuk e ka shumicën e thjeshtë parlamentare që të formojë qeverinë. Ne jemi duke pritur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së, do të presim limitet ligjore dhe pastaj organet kompetente të partisë bashkë me grupin e ri parlamentar do të analizojnë hapat e mëtejmë që sigurisht do të jenë në interes të vendit por duke respektuar në plotni vullnetin e elektoratit tonë.

Bota Sot: Do te bënit koalicion me Vetëvendosjen, pasi që Vetëvendosje është e bindur se ajo do ta formoj qeverinë.

Naser Rugova: Në takimet që i kemi zhvilluar deri tani si grup parlamentar me kryetarin dhe kryesinë e LDK-së jemi dakorduar që ne mund të bisedojmë me grupet tjera politike, por kushti qenësor është programi qeverisës i LDK-së, realizimi i shtyllave kryesore të këtij programi, garancat e realizimit, orientimi pro-evropian  si dhe pa ideologjik kah qendra e djathtë e këtyre parimeve qeverisëse sepse jemi e vetmja parti në vend anëtare e një grupi kredibil të partive të djathta evropiane EPP, dhe nuk mund të dalim jashtë këtyre kornizave. Prandaj këto parime vlejnë edhe për Vetëvendosjen duke i shtuar edhe njohjen e meritave dhe përpjekjeve të Presidentit Historik Ibrahim Rugova dhe organizimit politik, nacional dhe institucional që ka bërë LDK-ja këto 27 vitet e fundit. Nuk ka kompromise në këto shtylla programore dhe vlerave të LDK-së ndaj asnjë grupacioni politik.

Bota Sot: A mund te këtë ndonjë deputet brenda LDK-se qe mund t'i bashkëngjitet koalicionit PAN sa për te formuar qeverinë?

Naser Rugova: Nuk besoj se ndonjë deputet i LDK-së që është kandiduar nga LDK-ja dhe ka fituar besimin e elektoratit të LDK-së të shkoj në një adresë tjetër politike. Veprimet pa konsensus të organeve legjitime të partisë nuk i duhen asnjë deputeti të zgjedhur dhe asnjë grupi politik, nuk ndërtohen institucionet e vendit me aventura dhe transfere politike jo parimore. Jam thellësisht i bindur në parimet etike dhe përgjegjësinë e votës dhe të besimit qytetar për secilin deputet të LDK-së.

Bota Sot: Çka mendoni si do te mund të zgjidhet çështja e demarkacionit me Malin e zi. Po ashtu liberalizmi i vizave ka mbet peng.

Naser Rugova: Përbërja e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qeveria e re duhet që në kohë optimale t’i adresoj këto çështje jetike për vendin. Pres dhe besoj fuqishëm në konsensus të gjerë nacional dhe partiak për këto çështje. Duhet me urtësi, guxim politik, konsensus të plotë dhe në harmoni me vullnetin dhe interesin e qytetarëve të vendit të marrim vendimet e duhura. Alternativë tjetër nuk ka.

Bota Sot: A mendoni se presidenti Thaçi duhet vazhdoj bisedimet me shtetin serb. LDK ka bere thirrje qe ta mbështesin kërkesën për mos lejimin e presidentit Thaqi si udhëheqës te bisedimeve.

Naser Rugova: Deri tani procesin e dialogut me Serbinë e ka udhëhequr qeveria, besoj se edhe në të ardhmen ekzekutivi duhet ta drejtojë këtë proces. Unë e mbështes në plotni kërkesën e LDK-së që në këtë vakum institucional mos të luhet me çështje kaq sensitive dhe të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Ky proces duhet të analizohet, korniza dialoguese duhet të ri formatizohet dhe për këtë është kompetent vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës i cili i jep mandate qeverisë së re për vazhdimin e këtij procesi besoj në format dhe kondita të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat