Deputetja e AAK-së flet për formimin e Qeverisë, Specialen, Demarkacionin e Asociacionin

Intervista

Deputetja e AAK-së flet për formimin e Qeverisë, Specialen, Demarkacionin e Asociacionin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 26 korrik 2017 Në ora: 14:21
Teuta Haxhiu

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu,  nuk ka konfirmuar nëse koalicioni PAN i ka numrat për formimin e qeverisë. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Haxhiu ka thënë se janë 120 deputetë që ulen në ulëset e Kuvendit që kanë ardhur me meritë, të cilët do të duhej të jenë çdoherë në interesin e qytetarëve. Ndonëse nuk e di datën se kur do të thirret seanca konstituive ajo ka thënë se ka interes që qeveria të formohet sa më parë.

Bota sot: Si e komenton rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit?

Teuta Haxhiu: Në radhë të parë konsideroj se këto zgjedhje kanë qenë një prej zgjedhjeve më së miri të organizuara që prej pasluftës. Megjithatë, besimi i qytetarëve është ai që është rezultati dhe konsideroj që vetëdija e tyre është në rritje. Çdoherë është përgjegjësi e madhe kur e merr besimin e qytetarit, pasi ai të beson ty që je zëri i qytetarit. Mendoj që ndoshta janë më së miri të organizuara por nëse flas personalisht, e kam arritur një rezultat që të mos them që nuk e kam pritur por, sinqerisht nuk e kam neglizhuar apo nuk e kam lënë thjesht që ta tregojë koha pasi jam angazhuar vazhdimisht.

Bota sot: Jeni femra më e votuar nga koalicioni PAN. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Teuta Haxhiu: Besimi që më është dhënë nga 16 mijë qytetarë kanë besuar tek unë, është një përgjegjësi shumë e madhe dhe për asnjë moment kur kam pasur më pak vota në mandatet e kaluara nuk jam ndalur dhe nuk do të ndalem asnjëherë të jem zëri i tyre dhe të jem vetvetja dhe çdo gjë që do të jetë në interes të tyre pikërisht do të jetë në mua, do të jetë ai zë që do të ngritët në kuvendin e Kosovës.

Bota sot: Po flitet se së shpejti do të mbahet seanca konstituive. Madje është përmendur 27 korriku si datë. A keni informacione se kur do të mbahet?

Teuta Haxhiu: Përderisa nuk kemi informacione zyrtare nuk është mirë të flasim megjithëse, mos të them çdo ditë e humbur por që kalon, është diçka që Kosovës i duhet që të mos humb dhe që pritet nga qytetarët dhe në vazhdimësi është mirë që konstituimi të ndodh sa më parë dhe normal Qeveria që do të udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Bota sot: A i ka PAN numrat për formimin e Qeverisë?

Teuta Haxhiu: Konsideroj se më së paku qytetarët do të duhej ta dëgjonin sot fjalën numra. Kjo për faktin se mandatin e kaluar në qeverisje është folur shumë për numra dhe nuk ka treguar rezultate. Bazuar në atë qeverisje për të cilën në fund u desh një mosbesim, tregoi se jo gjithçka janë numrat. Në fakt deputetët nuk do të duhej të konsiderohen si numra por janë qytetarët para së gjithash dhe janë përfaqësuesit e qytetarëve që është një përgjegjësi shumë e madhe dhe në këtë rast janë 120 deputetë që ulen në ulëset e Kuvendit që kanë ardhur me meritë, të votuar nga qytetarët dhe do të duhej të jenë çdoherë në interesin e qytetarëve dhe natyrisht se deputetët do të votojnë në radhë të parë për vete, kur them për vete mendoj për atë që janë thirrur në Kuvendin e Kosovës për qytetarët  dhe do të votojnë Qeverinë e Republikës së Kosovës, që është qeveria e tyre dhe secili deputet e ka përgjegjësinë për të votuar edhe çështje të tjera në interes të vendit. Prandaj, ka interes që qeveria të formohet sa më parë dhe jam e sigurt që qytetarët do ta shohin një qeverisje të votuar nga deputet të Kuvendit të Kosovës.

Bota sot: A keni marrëveshje ose a ka deputetë të LAA-së që ju kanë thënë se do ta votojnë Haradinajn për kryeministër?

Teuta Haxhiu: Them që Qeveria Haradinaj do të votohet nga deputet të kuvendit. Në kuvend janë 120 deputet që kanë emër e mbiemër që do të votojnë.

Bota sot: Nuk e mohon që ka edhe të koalicionit LAA?

Teuta Haxhiu: Thjesht do të jenë deputet dhe nuk kisha dashur të flas për askënd. Por konsideroj që jo vetëm 61 deputetët që janë por konsideroj që të gjithë që janë aty do të duhej të mendonin mirë që interesi i qytetarëve është qeverisja Haradinaj dhe sinqerisht ju them se do të jetë një qeverisje që do të mbahet mend prej qytetarëve që për herë të parë do të jetë në interes të vendit, me gjithë respektin për çdo kryetar të Qeverisë që ka qenë deri sot, kjo qeverisje do të jetë fuqishëm në interes të vendit dhe për këtë jam shumë e sigurt që vetëm në 100 ditët e para do të jenë rezultatet e prekshme jo vetëm për t’i numëruar 100 ditë por çdo ditë do të ketë diçka, një vendim në interes të tyre dhe këtë do ta shoh secili qytetar dhe për këtë deputet duhet të mendojnë mirë, që pavarësisht se vijnë nga subjekte të ndryshme politike, para së gjithash janë deputetë të Kuvendit të zgjedhur dhe duhet të mendojë për interesin e vendit. Sado që secili herë deputeti shumë herë ka ngritur çështje edhe në emër të vet edhe të grupit por do të duhej të mendonin që edhe pse janë në grupe të tjera politike që çka është në interes të vendit do të duhej të votonin dhe unë konsideroj që ka deputet që kanë një largpamësi që do të votojnë qeverisjen e cila do të jetë që do të mbahet mend për mirë. Kur them për mosbesimin e qeverisë, çdo qeveri e cila nuk tregon rezultatet, natyrisht se do të kërkohet mosbesimi nëse është e nevojshme por jam e sigurt që kjo qeverisje do ta ketë mandatin e plotë.

Bota sot: Qeveria gjithëpërfshirëse është përmendur kohëve të fundit. Mendoni se do të funksiononte?

Teuta Haxhiu: Në këtë rast nuk mund të flas për diçka që nuk është diskutuar në forumet tona politike, derisa nuk ka diçka që është diskutuar në forumet tona, pra në këshillin drejtues dhe kryesisë së subjektit tim, por ajo që është me rëndësi është që qeveria të udhëhiqet nga Haradinaj dhe ata që do ta kenë postin e ministrit nuk do ta kenë luksin që të duken si shumë zyrtarë edhe pse ata janë zyrtarë të lartë por, ata duhet të jenë shumë të afërt me qytetarët dhe do të duhet të punojnë çdo ditë me qytetarët dhe të mos të humbet kohë kot për të bërë punë sa për të thënë por vërtetë të punohet dhe të shkohet në drejtimin për tu parë diçka që vërtetë ka ndodhur, diçka ndryshe nga ajo që ka ndodhur deri më tani.

Bota sot: Nëse Haradinaj nuk arrin t’i marrë votat për formimin e Qeverisë, a mendoni se presidenti do t’ia jap mundësinë për ta formuar atë fituesit të dytë të zgjedhjeve?

Teuta Haxhiu: Kjo mund të konsiderohet si diçka hipotetike por unë them se do të ndodhë qeveria Haradinaj, megjithatë diçka që është kushtetuese askush nuk mund t’i ikë, por unë them se qeveria Haradinaj do të ndodhë.

Bota sot:  Cili është plani për demarkacionin nëse AAK vjen në Qeveri? A do ta votoni pasi e dimë që keni qenë kundër.

Teuta Haxhiu: Sinqerisht kjo nuk do të duhej të mendohej ndryshe as edhe nga një qytetar e lërë më nga një deputet apo dikush tjetër.  Çështja e demarkacionit për të gjithë ata që duan ta kuptojnë drejt, është një çështje që është ngritur nga Haradinaj tek ne si deputet fillimisht, jemi mishëruar dhe thjesht e kemi kuptuar në mënyrën më profesionale që ka ndodhur shumë gabim dhe nuk mund të themi sot se është ndryshe diçka që ka ndodhur gabim. Pra, është e njëjta gjë, kufiri është në Kullë dhe Çakorr dhe ajo do të jetë gjithmonë njësoj. Qeverisja e kaluar ka bërë gabim që nuk e ka sjellë në Kuvend pasi Demarkacioni do të duhej të bëhej por nuk do të duhej në versionin që ka ardhur nga qeveria e kaluar e nënshkruar nga z.Meha. Megjithatë ekspertët kanë treguar tani edhe pse është bërë shumë herë shumë politike, ne jemi të palëkundur dhe jo që e kemi kuptuar tash profesionalisht por shumë prej nesh e kemi kuptuar që kur kemi qenë fëmijë, që ato janë pikat kufitare që kanë qenë në Kullë dhe Çakorr dhe aty do të mbesin. Kjo çështje në qeverisjen Haradinaj do të zgjidhet.

Bota sot: Po me asociacionin si do të veproni?

Teuta Haxhiu: Tek çështja e Asociacionit e konsideroj shumë më të lehtë sepse e kemi kushtetutën e vendit, e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sado që nuk ka qenë e nevojshme të shkohet deri aty por është një vendim që nuk mund t’i ikë askush dhe përderisa qytetarët e vendit të cilitdo minoritet, në Kosovë i kemi ligjet për ngecje në zbatim, e kemi ligjin për OJQ, në fakt asociacionet janë OJQ dhe përmes atij ligjit mund të krijohet Asociacioni  dhe askush nuk mund ta ndalojë, kështu do të duhej të ndodhte dhe kështu do të ndodhë, pra një asociacion por në kuadër të ligjit për OJQ dhe në asnjë formë tjetër.

Bota sot: Për sa kohë mendoni se mund të themelohet ushtria e Kosovës dhe a duhet të bëhet me ligj apo me ndryshime kushtetuese?

Teuta Haxhiu: Ushtria ka nevojë për ligjin për ushtrinë dhe kjo është kërkuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së, më konkretisht nga Daut Haradinaj, i cili është  kryetar i Komisionit për Siguri dhe është propozuar edhe ligji dhe do të ndodhë edhe si do të ndodhë konsideroj që secili qytetar i cilitdo minoritet në Kosovë duhet të ndihet si qytetar i vendit jo vetëm ta dijë që është shtetas i Kosovës por të mendojë dhe veprojë si qytetar i Republikës së Kosovës. Dhe në këtë rast të gjitha minoritetet e Kosovës ashtu sikur janë të parapara në Kushtetutë janë të barabartë dhe do të trajtohen si të tillë. Ushtria është interes i të gjithë qytetarëve përfshirë edhe minoritetet dhe do të bëhet me ligj por gjithçka do të duhej të respektohet në bazë të mekanizmave që kemi si shtet.

Bota sot: Janë përmendur 10 vite për transformim të ushtrisë, mendoni se mund të merr aq kohë apo do të bëhet më herët?

Teuta Haxhiu: Nuk preferoj të flas për diçka që nuk jam eksperte në fushë, kemi ekspertët për këtë, i kemi edhe brenda partisë që flasin për afate kohore por ushtria do të bëhet në qeverinë Haradinaj.

Bota sot: t’i kthehemi rezultatit të zgjedhjeve. Keni garuar në koalicion, por a mendoni se po të ishit të vetme në zgjedhje apo me ndonjë parti tjetër, do të kishit më shumë vota?

Teuta Haxhiu: Po e jap mendimin tim personal. Konsideroj që oferta e hapur dhe transparente me Nismën ka qenë ofertë që është njoftuar qytetari që koalicioni ka ndodhur fillimisht me Nismën dhe po të ishim vetëm me ta do të merrnim më shumë deputet, megjithatë ka qenë një vendim që është bërë koalicioni PAN dhe e kemi këtë rezultat që e kemi, normalisht që e respektojmë dhe e kemi respektuar dhe në këtë drejtim, cilido subjekt politik qoftë nëse flet për parime, qytetarët besoj se janë shumë të sigurt nuk është se ka ndonjë nga subjektet politike kanë treguar ndonjë parim. Kur flas për parime mendoj se nuk ka diçka që është deklaruar kohë më parë se do të ndodhë dhe që ka ndodhur. Cilido nga subjektet politike po të kishin shkuar të vetme do të kishin dalë më mirë. Në fakt treguan koalicionet, edhe ne edhe tek LDK-ja që, edhe pse ishte një koalicion nuk kishte numra sa duhej por në këtë rast ka përfituar Lëvizja Vetëvendosje e cila ka garuar e vetme, e cila konsideroj se është vetëm një frymë por nuk ka një bazament të fortë. Dhe tani cilido nga subjektet politike në kohën kur janë bërë koalicionet, të gjitha kanë vrapuar pas koalicioneve, edhe LDK edhe VV, deri në momentet e fundit edhe atë shumë më parë se të ndodhte koalicioni i jonë, e dinë të gjithë se PAN ka ndodhur në momentet e fundit dhe në fund ata për çfarë janë prishë, për pozita dhe absolut nuk është dikush se do të duhej të mburrej se ka hyrë ashtu dhe ka mbajtur ato parime. Pra ka vrapuar edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe sot për fat nuk e di se si mendohet të flitet ndryshe që flasin për një koalicion me LDK-në kur i kanë harruar dosjet që kanë thënë për Isa Mustafën dhe gjithçka çfarë kanë thënë për kryeministrin Mustafa dhe tani po flasin gjatë gjithë kohës që do të ndodhë diçka, pasi kanë qenë vazhdimisht kundër LDK dhe e gjithë kjo jo për interes të vendit. Por, për shkak ndoshta të tendencës për të ndërtuar diçka që nuk do të ishte në interes të qytetarëve. Konsideroj që ndoshta tendenca është për të pasur një kohë të humbur. Ka ndodhur në Qeverinë e kaluar e kemi pasur një 6 mujor dhe nuk duhet të ndodhë sërish. Dhe në këtë moment më mirë është të ndodhë qeverisja Haradinaj dhe të shihen rezultatet dhe qytetarët ta vlerësojnë se e ka qenë në interes të tyre. Vitet po kalojnë shumë shpejt dhe vetëdija e qytetarëve në rritje vazhdimisht duhet të vlerësojë do të gjykojnë për punët e kryesore dhe të pakryera.

Bota sot: Thatë që ka pasur takime për koalicione para zgjedhjeve. A ka pasur AAK-ja takime edhe me LDK-në dhe VV-në?

Teuta Haxhiu: Çdo gjë që ka ndodhur që nga certifikimi i rezultateve ka qenë shumë transparente dhe shumë publike. Parazgjedhore ka qenë me Nismën.

Bota sot: Po me VV-në dhe LDK-në a ka pasur bisedime?

Teuta Haxhiu: Sinqerisht nuk e di për atë kohë. Atë që e kemi kuptuar, e kemi kuptuar. Diçka që ka ndodhur është se ka pasur bisedime mes LDK-së dhe VV-së. Nuk mund të them se ka pasur takime mes LDK-së dhe AAK-së apo LDK-së dhe VV-së. Publike janë këto që kanë ndodhur, por ndoshta shumica e qytetarëve nuk e dinë që ka pasur shumë takime të vazhdueshme para se të ndodhte PAN-i dhe e dimë që ka ndodhur në momentin e fundit, megjithatë e respektojmë çdo rezultat që ka ardhur. Por nuk është se dikush ka parime në politikë dhe nuk do të duhej të kishte dhe edhe sot përderisa bisedohet në mes të LDK-së dhe VV-së, ku flitet dhe ironizohet për numra. Por jam më se e sigurt se askush nuk është më kompetent, më i duhur për vendin se Haradinaj, askush nuk e ka guximin, askush nuk e ka vullnetin për të punuar dhe askush nuk është më transparent dhe i drejtpërdrejtë se Haradinaj, prandaj them se do të ndodhë qeverisja Haradinaj dhe atëherë do të shihet puna dhe do të harrohen të gjitha. Në fakt parime, sinqeritet, punë, ndershmëri dhe korrektësi  ka vetëm z.Haradinaj dhe jam e sigurt se qeveria e tij do të bëhet.

Bota sot: Së fundmi Ramush Haradinaj ka ftuar për takime përfaqësuesit e LDK-së dhe VV-së. A do të mund të ndodhte koalicion me njërën nga këto parti?

Teuta Haxhiu: Pikërisht ajo që ka qenë zyrtare janë ftesë si i nominuar i PAN-it për VV-në dhe LDK-në dhe kjo tregon korrektësinë dhe transparencën e Haradinajt, pasi takimet nuk do të ndodhnin natën por në vijë zyrtare, çdo gjë që ka ndodhur ka ndodhur vetëm zyrtarisht edhe me minoritet dhe ka qenë serioze dhe në interes të vendit.

Bota sot: Të flasim pak për Gjykatën Speciale. A mendoni se do ta destabilizojë skenën politike të Kosovës?

Teuta Haxhiu: E them mendimin tim personal, sa e vështirë dhe sa e pasinqertë është kur dalin lajme se do të ndodhë diçka edhe sikur të dalin lajme për korrupsion apo krim të organizuar, qytetarët vërtetë do ta gjykonin dhe të flitet për diçka që supozohet që ka ndodhur, me deklarata të komunitetit serb është diçka shumë e padrejtë që iu ka bërë Kosovës. Përderisa nuk kanë dalë para drejtësisë kriminelë që kanë emër e mbiemër, kjo është e dhimbshme për Republikën e Kosovës dhe më vjen shumë keq, pretendimi për tu arrestuar i një x personi, do të duhej të ndodhte nëse vërtetë ka argumente për keqpërdorim të parasë publike dhe jo të dënohen njerëz për vite e vite dhe në fund të dalin të pafajshëm. Kemi pasur raste të tilla, Sami Lushtaku e të tjerë, andaj askush nuk duhet t’i gëzohet humbjes së viteve të atyre që vërtetë e mbrojtën vendin. Lufta ka ndodhur në Kosovë dhe jo në Serbi dhe armiku dhe agresori ka qenë Serbia. Prandaj edhe drejtësia ndërkombëtare konsideroj se nuk ka vepruar drejtë derisa nuk i bën presion dhe nuk dalin të gjithë ata që kanë bërë krime në Kosovë. Unë po e përmend Mejën prej nga unë vij, ku janë 376 qytetarë për shumë pak orë të vrarë të masakruar dhe askush nga kriminelët që kanë emër e mbiemër që shihen shumë drejtpërdrejt nuk janë gjykuar dhe ka shumë e shumë masakra të tjera në Kosovë dhe mos të flasim edhe për plagën më të dhimbshme që flitet se janë më shumë se 20 mijë gra të dhunuara, të gjitha këto kanë ndodhur në Kosovë dhe për këto do të duhej të dënoheshin personat përgjegjës dhe jo të flitet për diçka tjetër. Sinqerisht, po e shfrytëzoj mediumin tuaj që t’i them çdo qytetari që të mos gëzohen për diçka që kushdo qoftë ai, që ka bërë shkelje, që nuk mund të them se ka bërë mirë, por në fakt t’i gëzohen një arrestimi të kujtdo qoftë pse e ka mbrojtur vendin. Le të dalin kriminelët, ata që kanë kryer krime në Kosovë, secili që ka bërë ndonjë vepër të dalë para drejtësisë. Por ka ndodhur diçka jo e mirë kur është votuar gjykata speciale dhe ka qenë shumë vonë ngritja për ta ndryshuar këtë ligj në fund të mandatit të kaluar.

Bota sot: Jeni rizgjedhur deputete. Cili është zotimi për qytetarët që të kanë votuar?

Teuta Haxhiu: Gjatë fushatës, ndoshta çdo fushatë personalisht e imja nuk është pasqyruar me diçka që është bërë publike a për të thënë për ta bërë një foto, por janë takimet e shpeshta të cilat nuk jam ndalur dhe nuk do të ndalem kurrë dhe thjesht të votohesh nga rreth 16 mijë qytetarë që kanë besuar tek ti është një përgjegjësi shumë e madhe. Por kam qenë dhe do të jem zëri i tyre dhe asnjëherë nuk do të lëkundem para kujtdo qoftë, në interesin e qytetarëve të vendit, do të jem vetvetja, ajo që ata besojnë në mua, kurrë nuk do të ndalem në kërkimin e të drejtës së qytetarit, në respektimin e qytetarit, të punës së secilit prej tyre, pa dallime edhe të gjinie, të gjithë janë qytetarë të vendit dhe për herë të parë konsideroj se është një barrë shumë e rëndë për mua por përveç se barrë ndihem edhe e privilegjuar që më kanë votuar shumë qytetarë dhe gjatë fushatës, të cilën e kam bërë vetëm, normalisht takimet në mbrëmje i kemi bërë me partinë, por shumicën e fushatës e kam bërë vetëm, takime familje për familje dhe e them për herë të parë kam qenë shumë e sigurt gjatë gjithë kohës së qytetarët më kanë mirëpritur shumë, për çka dhe i falënderoj shumë dhe jam shumë mirënjohëse dhe ju them se do të jem vetvetja, siç edhe kam qenë dhe se kurrë nuk do të ndalem së punuari në interesin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat