Konsullja e Kosovës në New York tregon pse Kosova sivjet nuk aplikoi për anëtarësim në UNESCO - Bota Sot
Konsullja e Kosovës në New York tregon pse Kosova sivjet nuk aplikoi për anëtarësim në UNESCO

Intervista

E martë, 26 shtator 2017

Konsullja e Kosovës në New York tregon pse Kosova sivjet nuk aplikoi për anëtarësim në UNESCO

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 6 shtator 2017 Në ora: 13:44
Teuta Sahatqija

Teuta Sahatqija Konsulle e Ambasadës së Kosovës në Nju Jork, në një intervistë ekskluzive për gazetën  “Bota sot”, ka shpalosur të metat e diplomacisë në botë dhe ngecjet që Kosova ka me njohjet e shtetit. Sipas saj Ligjërisht mandati i UNMIK në Kosovë mund të përfundojë me miratimin e një rezolute tjetër e cila e shfuqizon Rezolutën 1244.  Ajo ka thënë se dhe se liberalizmi i vizave do të behet nëse deputetët e kësaj legjislature tregohen më të përgjegjshëm për ta votuar demarkacionin që është një nga kushtet e liberalizimi. Sahatqija po ashtu ka treguar se Anëtarësimi i Kosovës në Organizatat ndërkombëtare është përcjellë me probleme të shumta të shkaktuara nga ana e Serbisë.

Bota sot: Sa mendoni se diplomacia në Kosovë ka përparuar këto dy vitet e fundit?

Teuta Sahatqija: Diplomacia është një projekt afatgjatë dhe tashmë është në dekadën e parë të ekzistimit. Gjatë rrugëtimit do të duhej të korrigjohen mungesat të cilat ekzistojnë, të amandamentohet Ligji, të aprovohen më shume akte nënligjore të cilat do të plotësojnë hapësirat e pambuluara, duhet punuar në avancimin e vazhdueshëm të profesionalizmit diplomatëve dhe mbështetjes së tyre nga MPJ. Mendoj se diplomacia ekonomike dhe kulturore duhet të ketë më shumë hapësirë.

Bota sot: Kosova aktualisht ka ngecje të mëdha me njohjet e shtetësisë. Kush mendoni se është fajtor për ketë?

Teuta Sahatqija: Kosova tashmë është e njohur nga 114 shtete pra nga 60% e shteteve anëtarë të Kombeve të Bashkuara. Numri i mbetur i shteteve paraqet ato shtete të cilat kanë probleme brenda shtetit të vet sikur Spanja, Qipro, Sllovakia, Moldova etj. Shtetet si Rusia dhe shtetet në të cilat ndikimi rus është i madh paraqesin një kategori tjetër ku njohja e Kosovës nënkupton pazare me miq të Kosovës si Amerika rreth çështjeve tjera nëpër botë. Një kategori tjetër janë shtetet të cilat kanë lidhje me Serbinë si anëtare të Vendeve të Painkuadruara apo që udhëheqës të shteteve kanë kryer fakultetet ne Beograd dhe Pavarësinë e Kosovës e kuptojnë si dëmtim të Integritetit territorial të Serbisë. Me këtë kategori të fundit  Serbia ka arritur të imponojë idenë se përderisa të kryhet dialogu  mes Kosovës e Serbisë, nuk duhen të nguten me njohje.

Bota sot: A mendoni se Ministria e Jashtme ka dështuar në rritjen e numrit të njohjeve?

Teuta Sahatqija: Duke qenë pjesë e diplomacisë për mbi një vit kam pare angazhim të MPJ dhe  Misioneve të RKS për rritjen e numrit të njohjeve dhe të Marrëdhënieve Diplomatike. Rritja e numrit të njohjeve është një përpjekje e bashkërenduar me të gjitha institucionet e RKS por edhe të miqve tanë. Gjithashtu duhet pasur parasysh se situate e përgjithshme në botë është e ndryshme prej asaj në 1999 apo 2008.

Bota sot: Cilat janë përshtypjet e SHBA-së për bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë?

Teuta Sahatqija: SHBA përkrahin bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe atë e kanë treguar rregullisht në çdo rast.

Bota sot: Kur mendoni se Kosova përfundimisht do ta fitoj të liberalizmin e vizave?

Teuta Sahatqija: Liberalizimi i vizave ka një rrugë shume të saktë dhe dihen kushtet që duhen plotësuar. Parlamenti në mandatin e kaluar ka dështuar të miraton marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi si kusht obligativ, dhe mendoj se deputetet e mandatit të kaluar bartin barrën e mos liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Shpresoj se Parlamenti dhe Qeveria të themelohen sa më shpejtë dhe se deputetët e këtij mandati do të jenë më të përgjegjshëm që të plotësohet kushti për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Bota sot: Si e vlerësoni punën e ministrisë se jashtme për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare?

Teuta Sahatqija: Anëtarësimi i Kosovës në Organizatat ndërkombëtare është përcjellë me probleme të shumta të shkaktuara nga ana e Serbisë. Serbia me gjitha forcat është angazhuar të pengojë Kosovën në anëtarësime të reja, por ka shkaktuar probleme edhe në atë organizata ku Kosova tashmë ka qenë anëtarë, si puna e Organizatës Botërore të Doganave. Tash do të kemi sfidë për anëtarësim në INTERPOL e më vonë edhe në UNESCO, dy këto organizata në të cilat Serbia e Rusia fuqishëm angazhohen për të penguar anëtarësimin tonë.

Bota sot: Pse Kosova sivjet nuk aplikoi për anëtarësim në UNESCO?

Teuta Sahatqija: Mendoj se bashkëpunimi me shtete mike lidhur me sigurimin e votave të mjaftueshme për cilëndo organizatë është shumë i rëndësishëm si dhe përzgjedhja e timingut të duhur në mënyrë që votimi të jetë i kurorëzuar me sukses.

Bota sot: Si i vlerësoni paraqitjet e ambasadores Vlora Çitaku në Këshillin e Sigurimit, meqë fjalimet e saj po marrin shumë lëvdata në Kosovë, dhe sa mund të kenë sukses fjalimet e ambasadores.

Teuta Sahatqija: Ashtu si thatë, fjalimet e Ambasadores Çitaku janë mirëpritur nga qytetarët e Kosovës. Mirëpo seancat e rregullta të Këshillit të Sigurimit mbi raportimin e UNMIK-ut duhet të analizohen në një spektër më të gjerë. Para fjalimit është një punë voluminoze dhe e mundimshme nga diplomatët e Konsullatës së Përgjithshme të RKS në Neë York, Ajo punë ka të bëjë me marrjen e Raportit, analiza e saj. Përpilimi i dokumenteve të ndryshme të cilat u shpërndahen shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Takimet ditore në disa nivele ku unë takohem me Ambasadorët e ndryshëm, diplomatët tanë takohen me diplomat tjerë dhe kërkohet nga ata që të futen informata pozitive për Kosovën. Ju kujtohet shishja e verës të cilën Ambasadori japonez e prezantoi në nëntor të vitit të kaluar, apo përmendja e mjedrave, Dokufestit, Filmit Home, të rritjes se GDP në 4% etj, në fakt janë drejtpërdrejte informatat  të cilat ne nga Misioni i Neë Yorkut rregullisht ndajmë me shtete mike.

Shumë shtete, sidomos ato jashtë kontinentit të Evropës marrin informata korrekte për Kosovën nga Këshilli i Sigurimit. Prandaj fjalimet pozitive nga shtete anëtare janë të rëndësishme për marrjen eventuale të vendimeve për njohje, marrëdhënie diplomatike apo përmirësim i imazhit të Kosovës. Dhe për këtë mendoj se diplomatët e Misionit ne RKS në New York meritojnë lëvdata dhe vëmendjen edhe nga Kosova.

Bota sot: Si mund të përfundoj mandati i UNMIK-ut në Kosovë dhe çfarë mund të behet në ketë drejtim?

Teuta Sahatqija: Ligjërisht mandati i UNMIK në Kosovë mund të përfundojë me miratimin e një rezolute tjetër e cila e shfuqizon Rezolutën 1244.  Por ne në New York jemi vazhdimisht në komunikim me Misionit mike që të gjejmë modalitetit e ndryshimit të misionit të UNMIK-ut nga Mision Paqeruajtës në atë politik. Nëse i keni dëgjuar me vëmendje fjalimet e shumë shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit si ato njohëse por edhe disa jo njohëse e kanë paraqitur këtë ide. Në fakt ky është rezultat i punës së palodhshme të diplomatëve nga Misioni i New Yorkut.

Bota sot:  A vazhdon ta ketë Kosova përkrahjen e SHBA-së edhe në formimin e Ushtrisë se Kosovës?

Teuta Sahatqija: Shtetet e Bashkuara janë miku i madh i Kosovës dhe në mbështetje të pa rezervë. Normalisht kanë kujdes që procedurat të jenë të tilla që të mos kontestohen ne ndonjë periudhe të mëvonshme dhe mendoj se kjo gjë duhet respektuar.?

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test