Isuf Çelaj/ Nga internimi deri te salla e Kuvendit: ‘Fitorja nuk blihet’ - Bota Sot
Isuf Çelaj/ Nga internimi deri te salla e Kuvendit: ‘Fitorja nuk blihet’

Intervista

E premte, 24 nëntor 2017

Isuf Çelaj/ Nga internimi deri te salla e Kuvendit: ‘Fitorja nuk blihet’

Më: 6 shtator 2017 Në ora: 16:23
Isuf Çelaj

Isuf Çelaj ka lindur në kampin e internimit në Çermë të Lushnjës. Origjina e tij vjen nga trojet shqiptare matanë kufirit, në Vuthaj, të krahinës së Plavës dhe Gucisë, zonë kjo e njohur për patriotizmin ndër vite. Z.Çelaj tregon për “Gazeta Shqiptare” për dëbimin e familjes nga Mali i Zi, vendosjen në Malësinë e Gjakovës, burgosjen e të atit gjatë diktaturës komuniste, internimin në kampet e përqendrimit në jug të vendit, rikthimin në vendlindje dhe lidhjet e para me PD-në.

Më 25 qershor është i mandatuari i banorëve të Tropojës drejt Kuvendit të Shqipërisë. Ai flet për njohjet me Sali Berishën, ndikimin e tij gjithmonë te vota djathtas e tropojanëve, punën disavjeçare në të njëjtin institucion me Lulzim Bashën dhe se si nuk do të ngurrojë të ecë përkrah me kryeministrin socialist Edi Rama për hir të zgjidhjes së kërkesave që kanë banorët e Malësisë së Gjakovës.


Zoti Çelaj, çfarë ju shtyu që të bëheni pjesë e politikës, konkretisht PD-së?
Angazhimi im në politikë, dhe konkretisht te PD-ja, ka zanafillën e vet që me lindjen e pluralizmit në dhjetor ’90 e janar ’91 në qytetin e Bajram Currit. Në vazhdim kam mbështetur të djathtën, nisur edhe nga origjina e familjes sime, pasi bëjmë pjesë në familjet e persekutuara nga regjimi komunist, duke qenë pjesë e grupit për ngritjen e strukturave për themelimin e degës së PD-së për Tropojën. Sot i kujtoj me shumë respekt për punën e bërë dhe sakrificat e guximin e treguar në atë periudhë miqtë e mi, si kryetarin e parë të PD-së së rrethit, mësuesin tim të tetëvjeçares, z. Rasim Hasani, dhe intelektualët e tjerë si Hysen Osmanaj, Jakup Hoxha, Aleksandër Biberi, Sabah Jemishta, Halil Mala (Gjongecaj), Osman Islamaj, Hysni Hoxha, Rame Dunisha, Xhevdet Mehmeti, Ali Metaliaj, Sherif Hasandoci, Hasan Ponari, Muzli Dardha, Hasan Vatoci etj., ku për momentin nuk po më kujtohen emrat, pasi presionet e kërcënimet që na bëheshin nga elementet e partisë-shtet ishin të shumta.


Ju vini nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, por kush është në të vërtetë Isuf Çelaj?
Kam kryer arsimin e mesëm në Tropojë dhe Universitetin Bujqësor të Kamzës në Tiranë me rezultate të larta, ku në përfundim të studimeve, dekanati i fakultetit kërkoi të më mbanin asistent-pedagog, por për arsye biografie nuk arrita të qëndroja. Kam punuar katër vite në Kooperativën e Margegajve si mjek veteriner, pastaj në vitet ’92-’95 si asistent-pedagog në UB Kamëz. Më pas kam punuar në Ministrinë e Rendit deri në vitin ’98. Jam diplomuar si jurist në Universitetin Shtetëror të Tiranës pranë Fakultetit të Drejtë- sisë. Nga viti ’98 deri në shtator 2005 kam punuar në sektorin privat. Kurse nga viti 2005-tetor 2013 kam punuar në Ministrinë e Brendshme si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse e Sekretar i Përgjithshëm i kësaj ministrie, detyra të cilat jam munduar t’i kryej me korrektësi dhe integritet moral në respekt të ligjit, por edhe të njerëzve, pa bërë asnjë dallim politik apo partiak, të majtë apo të djathtë. Siç ju thashë më sipër, lidhja ime me të djathtën është e kahershme. Familja ime është me origjinë nga Vuthaj, fshat në trojet etnike shqiptare të krahinës së Plavës e Gucisë e një nga trevat më patriotike shqiptare, ku edhe kanë dhanë jetën në luftë me forcat serbo-malazeze në mbrojtje të këtyre trojeve. Kemi qenë shtëpi e madhe e me emër në zonë (Shtë- pia e Çelës së Vuthajve) me prona (livadhe, kullota, pyje e bjeshkë) e me numër të madh tufash me bagëti (dele, lopë, kuaj), edhe andej kufirit në Vuthaj, edhe këtej kufirit, nga ana shqiptare, në pjesën e Ceremit në Vranicë e Markofcë. Pra, nisur nga kjo origjinë, lidhja ime me të djathtën ka qenë krejt e natyrshme, shtuar kësaj faktin se babai im, Zenel Çelaj ka qenë i internuar nga regjimi i kaluar në kampin famëkeq të Tepelenës në vitet ’51-’53 dhe në burg, në hetuesi speciale për rreth dy vite, ku pastaj në vitin ’58 deri në vitin ’66 e gjithë familja ime është internuar për arsye politike në kampet e internimit të Lushnjës, si në Savër, Plug, Gradishtë e Çermë, ku edhe kam lindur.


Çfarë do të thotë për ju të përfaqësosh popullin e Tropojës në Kuvendin e Shqipërisë?
Të përfaqësosh popullin e Malësisë së Gjakovës në tempullin më të lartë të demokracisë siç është Kuvendi i Shqipërisë është nder e krenari, por njëkohësisht është edhe përgjegjësi e madhe, pasi hallet dhe problematikat në këtë zonë janë të shumta dhe ndjenja e përgjegjësisë për të bërë diçka më mirë për ata njerëz fisnikë e krenarë është shumë e madhe për mua!


PD-ja akuzon mazhorancën qeverisëse se më 25 qershor bleu votat e shqiptarëve. A u vu re një gjë e tillë edhe në zonën tuaj elektorale dhe përse nuk ‘shiten’ tropojanët, por historikisht votojnë PD-në?
Të them të drejtën, në formimin tim as që mund të perceptohet shkuarja në parlament si deputet me vota të blera. Me keqardhje e them se ky fenomen ka lulëzuar në këto dy-tre palë zgjedhjet e fundit në Shqipëri, gjenezën e të cilit duhet ta shohim në nivelin e moralit që kanë forcat politike si dhe në njerëzit e figurat që ata zgjedhin për t’ia paraqitur elektoratit që t’i përfaqësojnë, ku tendencat e këtij fenomeni u vërejtën edhe në qarkun e Kukësit. Por me një ndryshim, se te malësorët e Malësisë së Gjakovës, sekserët e blerjes së votave nuk arritën që të dominojnë, pasi malësorët janë njerëz fisnikë dhe me shumë dinjitet e krenari, dhe sado të varfër që të jenë ata nuk shiten e nuk blihen. Cilësi këto që unë ua kam evidentuar me shumë respekt në çdo takim elektoral që kam pasur me ta gjatë fushatës. Gjatë punës sime si parlamentar do të luftoj me çdo mjet për dhënien fund njëherë e mirë këtij fenomeni denigrues për shoqërinë tonë dhe frenues i rrugës sonë drejt Europës ku duam të shkojmë sa më parë, pasi është e paimagjinueshme që njerëzit të shesin fatin e të ardhmes së fëmijëve e familjarëve për një thes miell. Kështu që kjo histori dhe ky veprim kriminal duhet të marrë fund njëherë e mirë!


Sa ka ndikuar emri i Sali Berishës ndër vite te vota djathtas e tropojanëve?
Ky ndikim ka qenë, është edhe do të jetë evident edhe në të ardhmen, pasi me emrin e z. Berisha, punën dhe veprën e tij lidhet historia e ndryshimeve epokale të Shqipërisë, me rrëzimin e një prej diktaturave më të egra në Europë, lindjen e pluralizmit e zhvillimin e demokracisë. Populli i Malë- sisë së Gjakovës ndihet krenar për të. Po ashtu Tropoja është vendlindja e Azem Hajdarit, heroit të demokracisë, udhëheqësit të Lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, ku me veprën e tij bëri të jemi krenarë, dhe kjo ka ndikimin e vet në votimin djathtas në vite të popullit të Tropojës.


Cilat janë njohjet tuaja me ish-liderin historik të PD-së Berisha?
Njohjet e mia me z. Berisha janë pas viteve ’91, nisur nga ato aq angazhime sa kam pasur në strukturat e PD-së si dhe në pozicionet e punës që kam kryer në Ministrinë e Brendshme, por jo se kam lidhje farefisnore me të apo lidhje të tjera. Z. Berisha mbetet për mua një lider i padiskutueshëm, politikani më punëtor dhe i guximshëm në Shqipëri, ku nën drejtimin e tij PD-ja bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në KE, anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave e lëvizjen e lirë të shqiptarëve në EU, ndërtimin e veprës më të madhe për të gjithë kombin, atë të autostradës që bashkon Kosovën me Shqipërinë, të ashtuquajturës Rruga e Kombit, si dhe ndërtimin e një infrastrukture rrugore moderne për të gjithë vendin etj.


Po me kreun aktual të PD-së, z. Lulzim Basha, cilat janë njohjet tuaja?
Me z. Basha jam njohur në vitin 2005, pas afrimit të tij te struktura e KOP-it dhe zgjedhja e tij deputet e ministër. Kam punuar me z. Basha kur ai ka drejtuar Ministrinë e Brendshme. Kam qenë një ndër bashkëpunëtorët e tij të afërt, që gjatë asaj periudhe është bërë i mundur plotësimi i angazhimeve të MB në kuadrin e realizimit me sukses të procesit të liberalizimit të vizave, ku z. Basha ka kontributin e vet të pamohueshëm. Pastaj në vazhdimësi, raportet e mia me z. Basha kanë qenë e janë korrekte në marrëdhëniet si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe si Koordinator i ngarkuar në Degët 1 e 2 të PD-së në Tiranë, e sot si deputet i Tropojës.


Gjatë fushatës elektorale ju keni parë nga afër realitetin e banorëve të Malësisë së Gjakovës dhe vështirësitë e jetesës së tyre; konkretisht, cilat janë problematikat e tyre?
Në ato katër javë fushatë intensive unë arrita të zhvilloj takime në të gjitha fshatrat e Malësisë së Gjakovës, duke parë nga afër gjendjen reale dhe kushtet jetësore të tyre. Për të qenë realist, varfëria është e madhe, madje në disa fshatra nuk e teproj po të them se është ekstreme, braktisja e fshatrave sidomos këto 5-6 vitet e fundit ka qenë shumë e madhe, ku familje të tëra kanë marrë rrugët e emigracionit. Ajo çka unë kam evidentuar, po ta shprehim në mënyrë figurative, është se hallet e problematikat e të gjithë zonës kanë një kolor, janë të njëjta, dhe ajo çka ata kërkojnë janë: Ndërhyrje në sistemin e vaditjes në të dyja kanalet vaditëse kryesore, atë të Krasniqes dhe atë të Gashit (Begajve), po ashtu edhe në rrjetin e brendshëm të vaditjes nëpër fshatra, për të bërë të mundur ujitjen e parcelave që ata mbjellin me kultura të ndryshme bujqësore, që të sigurojnë marrjen e prodhimeve që t’i shërbejë përmirësimit të ekonomisë së secilës prej familjeve fermere, ndërhyrje në infrastrukturën rrugore që lidhin fshatrat me rrugët kryesore të rrethit, ndërhyrje urgjente në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe të kabinave, i cili fatkeqësisht është ai i 25 tetorit të vitit 1970 kur edhe është elektrifikuar Shqipëria, dhe amortizimi është shumë i madh, si dhe ndërtimi i ujësjellësve në ato fshatra ku mungon uji i pijshëm, megjithëse burimet hidrike janë të mëdha.


Dhe cilat janë projektet tuaja për banorët e Tropojës?
Nëse ekziston dëshira e mirë, me pak angazhim të strukturave të qeverisjes qendrore, me dhënien e fondeve dhe menaxhimin e mirë të tyre nga qeverisja lokale, projektet që unë kam evidentuar për zonën, është e mundur që brenda këtij mandati pjesa e madhe e tyre të realizohen. Unë do të doja ta filloja me disa shqetësime që më janë bërë prezente në çdo takim nga populli i Malësisë së Gjakovës, si mua, por besoj se edhe kandidatëve të mazhorancës, se ua kanë paraqitur gjatë fushatës, por që nuk e pashë të evidentuar nga kryeministri në këto dëgjesat popullore që ka mbajtur në qarkun e Kukësit, të cilat i trumbeton si shumë të suksesshme.
Unë do t’ia them edhe nëpërmjet kësaj interviste, si dhe kudo që të më jepet mundësia, pasi ua kam dhënë fjalën malësoreve se do të jem deputet i Tropojës pa i ndarë ata në të majtë e në të djathtë. Këto problematika qëndrojnë tek ofrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve: reforma territoriale u trumbetua nga mazhoranca e majtë si arritje, duke thënë me të madhe se shërbimet kanë shkuar te qytetari, por në rrethin e Tropojës vetëm te qytetari nuk kanë shkuar, pasi për të bërë një kolaudim makine qytetarit tropojan i duhet të bëjë dyqind e ca km për të shkuar në Kukës, duke shpenzuar kohë, para e karburant, në një kohë që ky shërbim mund të bëhet shumë mirë në Bajram Curri, pasi janë mundësitë e ambientet. Po ashtu, edhe shërbimet në Prefekturë për një vulë në raport mjekësor, në një autorizim apo vërtetim, duhet të shkojnë në Kukës, gjë e cila për mua duhet të marrë fund, duke e shpallur Tropojën nënprefekturë të fortë (me kompetenca pak më shumë si nënprefekturat e tjera), siç janë nënprefektura e Sarandës, Lushnjës e Kavajës, duke punësuar dy-tre djem e vajza të reja nga Tropoja me tre-katër kompjutera, meqenëse ambiente zyrash ka plot në Bashkinë e Bajram Currit dhe qytetarët nuk sorollaten sa në Kukës sa në Tiranë për një vërtetim, autorizim apo firmë e vulë. Shqetësim mbetet për banorët e Tropojës edhe liberalizimi i procedurave doganore me Kosovën, në doganën e Qafë-Morinës, në Gjakovë, ku të shihet mundësia e shpalljes së Tropojës si zone e lirë doganore në bashkëpunim me doganën kosovare. Do t’ua lehtësonte shumë koston e jetesës nëse sasia e mallrave që furnizoheshin nga Kosova të kishte tarifa të ulëta, pasi vetë pozicioni gjeografik dhe distanca e largët me Tiranën, Durrësin e Shkodrën ua vështirëson furnizimin dhe njëkohësisht ua rrit edhe koston e produkteve që furnizohen e konsumojnë.
Gjendja në të cilën ndodhet shërbimi shëndetësor në Tropojë është dizastër, në spitalin e Bajram Currit. Mungojnë mjekët e specialiteteve bazë, si anestezist-reanimatori, kardiologu, kirurgu, gastro-hepatologu, gjinekologu etj (kanë sjellë aty një pensionist mjek, i cili nuk është në gjendje t’u japë zgjidhje rasteve që i paraqiten), dhe kështu i sëmuri duhet të niset për kontrolle, ndërhyrje në spital në Gjakovë, Prishtinë apo Tiranë, duke pasur mbi kurriz kostot financiare të distancës dhe të veprimeve abuzive e korruptive të këtij shërbimi. Mungon një laborator analizash bazë (edhe pse është dhënë me koncesion) spitalit nuk i kushton asgjë që ta ngrejë në mënyrë që qytetarët të mos shkojnë në Gjakovë, Pejë e Prishtinë apo Tiranë për disa analiza të thjeshta. Mendoj se këto gjera shumë thjesht mund të zgjidhen, por këto zgjidhen kur në krye të shërbimit shëndetësor vendosen menaxherë të zotët e të përkushtuar, që gjenerojnë ide dhe u japin zgjidhje halleve e problematikave të njerëzve. Edhe kjo, sipas mendimit tim, ka zgjidhje e para, nëse ka në Tropojë djem e vajza që janë diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë dhe që duan të jetojnë e punojnë në vendlindjen e tyre si mjekë, t’iu krijohet mundësia që të specializohen në këto specialitete. Nëse nuk ka, atëherë të sillen nga rrethet, duke u krijuar kushtet e mira të strehimit falas (qiranë t’ua paguajë shteti), të kenë stimulim në pagë në krahasim me mjekët në rrethet fushore, dhe koha e qëndrimit të jetë 2-3-vjeçare, duke u zëvendësuar me të tjerë pas kësaj periudhe. Pra zgjidhje ka, por kërkohet vullneti e dëshira e mirë e strukturave qeveritare qendrore (Ministrisë së Shëndetësisë). Probleme të theksuara ka edhe në sektorin e arsimit, ku niveli i mësimdhënies dhe i trupës pedagogjike lënë shumë për të dëshiruar. Po ashtu edhe gjendja e godinave ku zhvillohet mësimi është tejet e amortizuar, dhe në disa shkolla duhet ndë- rhyrë sa më shpejt të jetë e mundur, të paktën në shkollat e mesme të qytetit të Bajram Currit, Llugajve e Fierzë.


Çfarë kërkoni konkretisht nga kryeministri Rama për zonën tuaj elektorale?
Meqenëse gjatë gjithë fushatës z. Rama kërkoi i vetëm timonin dhe e mori, ajo që kërkoj është që ta mbajë drejt atë, pasi ai është zgjedhur tani si kryeministër i gjithë shqiptarëve dhe të jetë parimor e i drejtë në ndarjen e fondeve për investimet, edhe për Qarkun e Kukësit, për të tre rrethet, Kukës, Has e Tropojë, ku të mos diskriminohen nga mazhoranca me arsyen e vetme se nuk e kanë votuar këtë mazhorancë. Pasi, resurset natyrore në këto zona për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, bujqësisë e blegtorisë, industrisë nxjerrëse e përpunuese të mineraleve etj., janë shumë të mëdha, por kërkojnë vëmendjen e qeverisë dhe të kryeministrit për t’i mbështetur me fonde e projekte zhvillimi që t’i shërbejnë përmirësimit të standardit jetësor të banorëve të këtyre zonave, duke ulur nivelin e varfërisë, por edhe emigrimin e pashpresë të të rinjve të këtyre zonave ku ka fshatra të tëra të braktisura. Së bashku me kryetarin e Bashkisë Tropojë, z. Besnik Dushaj, kemi diskutuar gjatë kësaj periudhe për përgatitjen e disa projekteve që janë prioritare edhe për komunitetin atje, të cilat do t’ia paraqesim kryeministrit Rama për miratim e financim, ku unë do të rendis: projektin e ndërtimit e asfaltimit të rrugës Qafë Prushi-Zogaj-Kam (kërkesë të cilën ia kishin paraqitur edhe në dëgjesë), Rrugën e Gegehysenit (Mulliri Dozhlanit-Selimaj-Lekurtaj). Realizimi i investimit në ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes e kabinave të energjisë elektrike për të gjithë rrethin. Investimi në ndërtimin e dy kanaleve vaditëse që ka Tropoja (Gashit-Begajve dhe atë të Krasniqes). Sistemin e kanalizimeve dhe të landfillit të mbledhjes e përpunimit të mbeturinave. Ndërhyrja në rikualifikimin urban të lagjeve të qytetit duke riparuar fasadat e pallateve dhe mbulimin me çati të tyre. Ndërtimin e një fabrike për grumbullimin e përpunimin e gështenjave dhe të frutave të tjera që prodhon Malësia e Gjakovës. Ndërtimin e një ose dy baxhove për grumbullimin e përpunimin e qumështit që prodhohet nga bagëtitë që mbarështojnë fermerët vendas. Mbështetje me grande e kredi të buta për të gjithë ata persona që duan të investojnë në fushën e turizmit, kryesisht për ngritjen e minibizneseve për hanet e bujtinat, aq të kërkuara nga turistët e huaj e ata vendas.

Për hir të realizimit të projekteve tuaja, a do t’ju shohim përkrah kryeministrit Rama në Tropojë?
Për këtë kam qenë shumë i qartë edhe gjatë fushatës, kur më kanë bërë pyetje të kësaj natyre. E them me shumë sinqeritet se nuk do të kem asnjë kompleks apo mosvlerësim për ta takuar kryeministrin që të diskutoj me të e t’i kërkoj miratimin e fondeve për çdo projekt që i shërben zhvillimit ekonomiko-social të popullsisë së Malësisë së Gjakovës. Unë e thashë edhe më sipër, se nuk e ndaj popullsinë e kësaj zone në të majtë e në të djathtë. Për mua janë njëlloj, dhe kërkoj që hallet e problematikat e tyre të trajtohen me seriozitet. Kështu që, paçim sa më shumë procese inaugurimi, fillimi dhe përfundimi punësh e projektesh për Malësinë e Gjakovës, dhe unë nuk do të mungoj në këto ceremoni krah kryeministrit Rama.


Si e shikoni Grupin e ri Parlamentar të PD-së, ku për herë të parë jeni mandatuar edhe ju?
Pavarësisht se nuk i njoh të gjithë nga afër, përjashtuar pjesën e rizgjedhur apo ndonjërin nga të rinjtë ku bëj pjesë edhe unë, shpresoj që të arrijmë të harmonizojmë punën dhe frymën e bashkëpunimit me deputetë me eksperiencë si dhe të lartësojmë në nivelin e kërkuar frymën e opozitarizmit të qëndrueshëm e vizionar për të cilin vendi sot ka shumë nevojë.
80 për qind e Grupit Parlamentar të PDsë janë të rinj, që hyjnë për herë të parë në Kuvend. 


Çfarë do të përmirësojë PD-ja në Kuvend me këtë ekip të ri ligjvënësish?
Kjo ngelet për t’u parë në periudhën në vazhdimësi. Të shpresojmë se secili nga ne deputetët e rinj të manifestojmë vlerat morale e intelektuale në funksion të bërjes së detyrës si përfaqësues të popullit, por edhe të ngritjes në një stad të ri të bërjes opozitë si përfaqësues të së parës parti opozitare në Shqipëri, e cila lindi nga lëvizja e Studentëve të Dhjetorit me aspiratën e rinisë studentore “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” 27 vite më parë!

Image
Isuf Çelaj
Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test