Haskuka: Një qeveri me 62 deputetë s'mund të bëjë asgjë pozitive për Kosovën

Intervista

Haskuka: Një qeveri me 62 deputetë s'mund të bëjë asgjë pozitive për Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 9 shtator 2017 Në ora: 15:19
Mytaher Haskuka

Çështja e koalicionit PAN –AKR, mbijetimi i një qeverie me 62 deputetë,  sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, nuk mund të bëjë asgjë pozitive për Kosovën, për më tepër me një qeveri ku është Lista Serbe dhe prioritetet e Vuqiqit, as Ramushi e as Supermeni nuk mund të bëjë asgjë të mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj. Haskuka përmes intervistës së dhënë gazetës “Bota sot”, ka folur edhe për shumë çështje të tjera si për bisedimet më Serbin, Gjykatën Speciale, ikjen e qytetarëve nga Kosova, e shumë çështje të tjera.

Bota Sot: Si e vlerësoni marrëveshjen e arritur ndërmjet koalicionit PAN dhe AKR-së?

Mytaher Haskuka: Fatkeqësisht, në Kosovë premtimet zgjedhore po harrohen shumë shpejt dhe për shkak të posteve dhe privilegjeve, edhe kjo marrëveshje është një shembull klasik se si tradhtohet elektorati për disa poste ministrore. Baza e demokracisë është besnikëria ndaj interesave publike dhe elektoratit e cila ja ofron besimin nëpërmjet votës dhe AKRja këtu ka tradhtuar besimin e qytetarëve që e kanë votuar.

Bota Sot: Çka mendoni për rolin që po i jepet listës serbe ne krijimin e institucioneve, dhe kërkesat e tyre te larta dhe pozitat në institucionet kyçe?

Mytaher Haskuka: Lista Serbe është një subjekt politik e cila dirigjohet direkt nga Beogradi dhe fatkeqësisht edhe në qeverinë e kaluar edhe në këtë qeveri Lista Serbe po bëhet determinuese e prioriteteve qeveritare. Nuk është problemi aq shumë tek ministritë sa janë tek prioritetet, shpresoj që kërkesat e Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës nuk realizohen. Nga eksperienca mund të themi që prioritet e Listës Serbe nuk janë prioritete të qytetarëve të Kosovës, prapë po përsëritet historia ku qeveria do të punojë më shumë për interesa të Beogradit se sa për interesat publike Kosovës. Gjithmonë kur krijohen institucione nga pakica shqiptare në parlament roli i Listës Serbe është vendimtar, prandaj ne ishim për një koalicion të gjanë të partive shqiptare me pjesëmarrjen e minoriteteve pa Listën Serbe, një qeveri e cila do të kishte izoluar ndikimin e Beogradit, por fatkeqësisht ndodhi e kundërta.

Bota Sot: Po bisedimet më Serbinë te cilat u ri aktualizuan tash nga presidenti Thaçi, si i vlerësoni. Mendoni se Thaçi është ai qe duhet ti udhëheq bisedimet me ta kur dihet se marrëveshjet e nënshkruara nuk respektohen nga Serbia?

Mytaher Haskuka: Thaçi për të faktorizuar veten kërkon që bisedimet të kalojnë në nivel Presidentit, ne mendojmë që bisedimet duhet të ndalen, nuk mund të vazhdojmë bisedimet më një Serbi e cila nuk e njeh Kosovën, e shantazhon Kosovën me strukturat e saja, e bllokon anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, çfarëdo bisedime me Serbinë në këtë format vetëm që e shkatërron sovranitetin e Kosovës si shtet dhe e kthen atë nën kontroll të Serbisë.

Bota Sot: Si e shihni Ramush Haradinaj si kryeministër i vendit dhe a mendoni se ky mund ti dërgoj proceset përpara?

Mytaher Haskuka: Një qeveri me 62 deputetë nuk mund të bëjë asgjë pozitive për Kosovën, për më tepër me një qeveri ku është Lista Serbe dhe prioritetet e Vuqiqit, as Ramushi e as Supermeni nuk mund të bëjë asgjë të mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Bota Sot: Vetëvendosje e ka kundërshtuar ashpër demarkacionin me Malin e ZI. Cili do te jete qëndrimi juaj tash kur mund të jeni opozitë?

Mytaher Haskuka: Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë këtë demarkacion me Malin e zi ngase me çdo kriter është konstatuar që është bërë gabim dhe i humb Kosovës territor. Prandaj duhet të kërkojmë nga Mali i Zi që të ri negociohet kjo marrëveshje.

Bota Sot: Në rast se duhet prapë të kundërshtoni marrëveshje të dëmshme për Kosovën siç i quani ju, a do të gjuani gaz lotsjellës në Kuvend?

Mytaher Haskuka: Ne do të bëjmë të gjitha që është e mundur për të kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme për Kosovën, me 16 deputetët ne kemi arritur t’i ndalojmë këto e me 32 deputetë besoj se nuk do të lejojmë asgjë të keqe t’i ndodhë interesit publik të Kosovës.

Bota Sot: Po për asociacioni e komunave serbe në Kosovë çfarë mendimi keni. A duhet të lejohet një gjë e tillë?

Mytaher Haskuka: Mendoj se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të barabartë, prandaj një asociacion mund të jetë i pranueshëm vetëm nëse është si Asociacioni i Komunave të Kosovës si një OJQ e regjistruar dhe me kompetenca të njëjta.

Bota Sot: A mendoni se Kadri Veseli duhet të udhëheq më Kuvendin edhe përkundër asaj që vazhdimisht ka bërë akuza në drejtim të deputeteve?

Mytaher Haskuka: Kadri Veseli ka qenë shef i një organizate e cila është cilësuar si kriminale nga organet e drejtësisë dhe ai nuk është dashur të zgjidhet si krye parlamentar edhe në legjislaturën kaluar, por vendimet e tij kontraverze, ofendimi, përjashtimi dhe persekutimi i deputetëve të opozitës në legjislaturë, e bëjnë atë të papranueshëm për ne.

Bota Sot: Po flitet se ka filluar eksodi e qytetareve të Kosovës për vendet e perëndimit, kush mendon se është fajtor për gjendjen e krijuar?

Mytaher Haskuka: Fajtor për këtë gjendje janë partitë që kanë udhëhequr Kosovën në 17 vitet e kaluara, në këtë periudhë nga Kosova kanë ikur po aq qytetarë nga Kosova sa kanë ikur në kohën e Millosheviqit, por derisa atëherë kanë ikur për t’u kthyer, tani po ikin për të mos u kthyer. Tani prapë ishte krijuar një optimizëm, por me krijimin e qeverisë PAN-AKR-Lista Serbe, qytetarët prapë kanë humbur besimin e tyre se do të bëhet mirë. Por unë iu bëj thirrje atyre që të mos ikin nga Kosova, ngase kjo qeveri është jetëshkurtër dhe me 22 tetor duhet t’u japim goditjen e fundit dhe t’i dërgojmë jashtë politikës.

Bota Sot: Tashmë zyrtarisht ka filluar punën Gjykata Speciale, mendoni se ndonjë aktakuze qe mund te ngritët këto dite do te ishte një kaos për vendin. Na thuani çka mendoni ne lidhje me Gjykatën Speciale?

Mytaher Haskuka: Ne kemi qenë dhe jemi kundër Gjykatës Speciale, ngase kjo gjykatë është mbi institucionet, shkel sovranitetin e Kosovës, është një etnike, do t’i persekutojë vetëm shqiptarët dhe bën një padrejtësi historike ndaj UCK-së. Ne mendojmë se ata që kanë vjedhur, kanë bërë krime dhe janë korruptuar, duhet të gjykohen dhe të shkojnë në burgje të Kosovës, e jo të gjykohen për veprimet e tyre gjatë luftës, ngase lufta e UÇK-së ka qenë çlirimtare dhe e drejtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat