Tri çështjet më të rëndësishme që duhet të zgjidhë “Rama 2”

Intervista

Tri çështjet më të rëndësishme që duhet të zgjidhë “Rama 2”

Nga: Albert Zholi Më: 13 shtator 2017 Në ora: 16:48
Daut Gumeni

Shkrimtari dhe analisti, Daut Gumeni, tregon detyrat e qeverisë për katër vitet e ardhshme: Krijimi i një administrate profesionale, nxitja e njerëzve që t’i kthehen punës dhe asfalti në çdo qendër të banuar

Tri çështjet më të rëndësishme që duhet të zgjidhë “Rama 2”

Teksa Kabineti i dytë i Kryeministrit Rama pritet të shpalosë programin e ri qeverisës për katër vitet e ardhshme, analisti dhe shkrimtari Daut Gumeni tregon prioritetet, sipas tij, që duhet të përballojë qeveria e re. Si e shikon ish-i persekutuari Gumeni debatin e hapur për implikimin e dy figurave të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafajt me të kaluarën komuniste. Çfarë pritet të sjellë një kabinet me më pak karrike dhe reforma në Drejtësi që sa po fillon. Dhe filozofia me të cilën duhet të përballojë Lulzim Basha katër vitet e ardhshme në opozitë...

Si do ta cilësonit qeverinë "Rama 2"? A kanë mjaftueshëm karizmë ministrat e rinj, për të drejtuar institucionet që ju besuan?

Qeveria "Rama 2", nuk mendoj se ka nevojë për cilësime të tjera, pasi nuk besoj që qeveritë dhe ministrat duhen vlerësuar nga ajo që ju e quani karizmë. Pasi pëlqyeshmërinë e ministrave dhe të qeverive, e përcakton puna që bëjnë dhe problemet që zgjidhin në dobi të qytetarëve, - të cilët u kanë besuar qeverisjen dhe zhvillimin e mbarë vendit. Pastaj, nuk më duket dhe aq normale të vlerësohen ministrat dhe qeveria e re, ende pa nisur nga puna. Ka kohë, si për të lëvduar ato punë që do të bëjnë mirë, edhe për të çokanisur ato që do të bëjnë keq. Se, nuk thonë kot, në këtë botën tonë kalimtare, punë të mira bëjnë vetëm ata që nuk bëjnë asnjë punë.

Cila ishte motoja apo qëllimi i Ramës, për zvogëlimin e qeverisë? A do të jetë më produktiv ky kompozim?

Se cila ishte motoja apo qëllimi i kryeministrit Rama, në zvogëlimin e përbërjes së qeverisë, dhe nëse do të jetë më produktiv ky kompozim, - sikundër thoni ju, - do të mundohem ta shpjegoj në përgjigjen time, të ndarë në dy pjesë: E para, për këtë duhet të pyesni vetë kryeministrin Rama. E dyta, kam bindjen se një qeveri e thukët, mund të ndihmojë më mirë në shpenzimet më të kursyera të taksave të qytetarëve. Se, sikundër e dini, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë 17 dikastere e jo 24 e 27, siç kemi pasur ne, për një kohë të gjatë. Ndërkohë, e kemi parë se sa ka qenë grati i qeverive tona, të fryra si bretkosa që desh të bëhej ká! Ju e dini, pse e kemi pasur këtë belá më tepër, në numrin e madh të belave që na kanë nxjerrë, pa përtim, qeveritë tona të deritanishme; kanë qenë të sëmura nga mbipesha; vetëm për të mbajtur gjallë partiçkat e, ca më keq, për t'i zgjeruar ato, në dëm të mirëqeverisjes së vendit e të buxhetit të shtetit.

Ruçi dhe Xhafa që pa filluar detyrën, po kundërshtohen nga opozita për postet e marra. Kjo kundërshti bëhet për të justifikuar veten, para opinionit, se po bëjmë opozitë apo ka ndonjë bazë konkrete sulmi? Mendimi juaj për këto dy figura?

Më pyet pse kundërshtohen z. Ruçi dhe Xhafa, ende pa marrë detyrën. Kjo është pjesë e politikës sonë të tranzicionit dhe nuk besoj se po habit njeri. Që të dy këta zotërinj, kanë në politikë aktive më tepër se një çerekshekulli. Është për të qeshur e për të qarë, zhurma që bën opozita jonë aktuale, për "mospranimin " e kandidaturave të këtyre zotërinjve në kuvend dhe qeveri.

Është për të qeshur, sepse ata u zgjedhën me votën e qytetarëve, - që duan t'i kenë përfaqësues të tyre. Nuk mund ta kuptoj, çka këtu për të bërë të përbetuarin, kundër ish-komunistëve nga bolshevikët e politikës sonë të tranzicionit. Dihet e pranohet nga të gjithë njerëzit me arsye që, kundër të zgjedhurve me votë qytetare, dalin vetëm ata që nuk e njohin votën si themel të qeverisjes demokratike.

Është për të qarë, sepse këto lloj përcëllimash të thata, për "të tundur derën" kur nuk di të bësh detyrën e ligjshme të opozitës, dëshmojnë se kemi një opozitë që nuk i ka dalë ende trullosja nga humbja dhe, ç’është më e rënda, nuk pranon rezultatin e votës popullore, as kur ka pasur një çetë të tërë me ministra teknikë të saj (njëherësh dhe relatorë politikë pas të vjeli), për të mbikëqyrur zgjedhjet e 25 qershorit.

Është ca më shumë për të qeshur kur, këta dy politikanë të Partisë Socialiste, i namatisin se kanë qenë komunistë, po ata opozitarë të lajthitur nga ethet e pushtetit të përjetshëm, të cilët kanë më tepër se një çerekshekulli që komandohen të lumtur si edhe ata, nga një ish-sekretar fanatik i Partisë së Punës ku ka milituar gjithë zell, tok me zotërinjtë Ruçi dhe Xhafa.

Mirë vetë që e kanë mision këtë lloj opozitarizmi si "fitimtarë kundër komunistëve", po atyre komunistëve të plakur, që i caktuan të bënin gjysmën e partisë mëmë, po shqiptarët e shkretë, ç'borxh u kanë t'i marrin për aq mendjemangut, sa të besojnë se stalinistët e opozitës së sotme janë më demokratikë se hrushovianët e pushtetit aktual. Mbase, do të ishte më e udhës të kujtohen për të bërë një opozitë serioze politike e të heqin dorë nga përgjërimet e rreme për demokraci e për luftë kundër komunizmit, nën urdhrat e një komunisti të thekur.

Sa për mendimin tim, meqë më pyet, për z. Ruçi dhe Xhafa, mund të them se vlerësoj tek të dy, qëndrimin serioz në krahun e tyre politik. Kanë mbrojtur idetë e veta, por nuk i kam dëgjuar ndonjëherë të përdorin librin e shtëpisë së kundërshtarëve, për të bërë pis sallën e Kuvendit dhe as i kam parë të përdorin politikën për t'i shpëtuar drejtësisë. Kaq, se për të tjerat e dinë ata që i votojnë dhe jo ata që e kanë pasur 15 vjet pushtetin dhe nuk janë kujtuar asnjëherë se që të dy këta zotërinj, kanë qenë funksionarë të Partisë së Punës.

Flitet shumë për Reformën në Drejtësi, si e cilësoni këtë reformë për të cilën opozita bën shumë zhurmë, por ende nuk shihen hapat e parë?

Miratimi i reformës në drejtësi është, ndoshta, arritja më e madhe e qeverisë "Rama 1". Zbatimi i saj sa më saktë dhe sa më shpejtë, jo në dëm të cilësisë, do të ndikojë jo vetëm në krijimin e një drejtësie më për të qenë, por edhe në shtimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, falë garancisë ligjore që i jep biznesit vendas e të huaj një drejtësi e besueshme. Krijimi i organizmave që do të zbatojnë si duhet e në kohën e duhur këtë reformë, nuk besoj se mund të pengohet më nga ajo pjesë e politikës që u bë katërsh, për ta ndaluar miratimin e saj. Le të shpresojmë që reforma do të zbatohet mirë, për të mirën e të gjithëve.

Cilat do të jenë sfidat kryesore të qeverisë "Rama 2"?

Sfidat kryesore të qeverisë "Rama 2", për mendimin tim, mund të jenë:

a)   Krijimi i një administrate profesionale, të aftë për të zbatuar ligjin e për t'i pritur qytetarët jo me atë shprehjen harbute, të bërë shprehi me vite të tëra: "Çfarë do këtu ti?", por me shprehjen qytetare, "Urdhëroni (zonjë apo zotëri), me se mund t'ju ndihmojmë?"

b)   Përqendrimi në sektorë të tillë jetikë, si bujqësia e turizmi, arsimi e shëndetësia, energjia dhe infrastruktura me synimin për të shpurë asfaltin në çdo qendër të banuar.

c)   Krijimi i nxitjeve konkrete që njerëzit t'i kthehen punës e të braktisin klubet e kazinotë – këto të fundit, mundësisht, të përqendrohen në dy-tri pika larg qyteteve, ku të hazdisen parellinjtë, po jo të marrë lumi fukarenjtë.

Me një fjalë, të arrijë në këta sektorë, po atë sukses që pati në politikën e jashtme, gjatë mandatit të parë. Atëherë, besoj se kryeministri Rama dhe ekipi i tij do të realizojnë objektivat dhe premtimet që ka bërë në popull, për të marrë timonin.

A do të jetë i aftë Basha, të bëjë një opozitë të fortë dhe korrekte në këto situata dhe ku e mbështet luftën e tij? 

Përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet t'i kërkoni, më mirë, duke pyetur aktorët politikë që përmendët. Partitë tona politike të tranzicionit, në të shumtën e rasteve, janë ende në një stad prapambetjeje, që nuk e ndihmon sa e si duhet zhvillimin e vërtetë të vendit. Ende për partitë tona politike, flitet në popull, me të drejtë, si partia e filanit, apo partia e fistekut. Kjo quhet parapolitikë.

Mungesa e një opozite të shëndetshme, e bën demokracinë më të rreme. Le të shpresojmë që, këto katër vjet, të shohim vërtet një opozitë parimore e të fuqizuar nga mbështetja në struktura të shëndetshme partiake dhe në atë pjesë të shoqërisë që voton për të. Po qe se do të vijojmë të bëjmë opozitë telendarësh e hyzmeqarësh, që nxijnë çdo gjë me shpresën e rreme se nxirja e kundërshtarit do t'i sjellë në pushtet; opozitë telendarësh e hyzmeqarësh që nxijnë edhe Shqipërinë e përbashkët e na nxijnë faqen të gjithëve, të verbuar keq nga ethet për pushtet, atëherë, demokracia jonë do të jetë si këtë çerekshekulli që lamë - një demokraci OMGJ, që nuk i duhet as dreqit! Do të jetë si deri më sot, një demonkraci e jo demokraci e natyrshme. Na mbetet vetëm të urojmë e të shpresojmë për më mirë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat