As në qiell as në tokë

Intervista

As në qiell as në tokë

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 17:18
Din Mehmeti

Fill pas luftës për Kosovën, bashkë me mikun tim Sulejman Dida, të dy gazetarë të Radio Kukësit, shkuam në Gjakovë me pa shkatërrimin.

Miku im Qemajl Juniku, me të cilin më kishte prezantuar Izet Duraku, ishte drejtor i Hotel Pashtrikut në Gjakovë. Do ta takoja patjetër pasi e kishim pikë referimi, aq më tepër që ai hotel ishte qendra që ne dinim dhe rreth të cilit do të silleshim.
Te dera e hotelit, pyesim për Qemajlin.

Shihni, na thotë sportelisti, a mos është te tavolina atje në fund te Dini.

Te cili Din, pyeta unë.

Më pa pak për seri sportelisti dhe vijoi : Te Din Mehmeti, te poeti…

A nuk e kanë vra…!! A është gjallë Din Mehmeti, pyetëm me frikë gati njëzëri me Sulën. 

E keni shnosh e mirë te tavolina e vet, foli gjithë shënd sportelisti me atë shpengimin e gjakovarit.

Me nxitim bashkë me Sulën rendem te tavolina ku ishte Dini. E harrova Qemajlin. Sula, në mënyrë ekselente e kuptoi situatën dhe gjendjen emocionale që mu krijua. Ndezi menjëherë manjetofonin dhe bëri gati aparatin fotografik. 

Mu bëhej se Din Mehmeti që kishte vdekur, që e kishin vrarë serbët erdhi enkas nga bota tjetër për ta takuar unë dhe Sula, për të biseduar me mua.
Afrohemi te tavolina ku ishte Dini dhe kam thirrë me zë të lartë, ku është Din Mehmeti?

As në qiell as në tokë, u përgjigj ai duke cituar titullin e librit të tij dhe u ngrit në këmbë për përshëndetje. Ishim të panjohur fizikisht për njëri – tjetrin e nderkohë po silleshim sikur ishim miq qe njëqind vjet. 

Ashtu siç isha në krahët e emocioneve të forta që përjetova, pa njoftim, pa paralajmërim, pa leje, pa miratim, me pak arrogancë që buronte nga gëzimi ynë, nga çudia dhe ndjesia se po demantonim një të pavërtetë të trishtë, po demantonim një vdekje, e nisa direkt bisedën e mëposhtme.

Pyetje : Sot i dashur dëgjues i radio Kukësit kam në bisedë Din Mehmetin. Për mua ka qenë gjithmonë endërr, si dhe për ju, që ta shoh, ta takoj të flas me Din Mehmetin. E pra unë ndihem fatlum që po flas me Din Mehmetin. Din Mehmetit do ti bej këtë pyetje të parë nisur nga titulli i librit të tij “As në tokë as në qiell”, po e pyes, ku është, ku jeton Din Mehmeti?

Përgjigje : Din Mehmeti jeton në tokë. Mirëpo as në tokë as në qiell, do të thoja, do ishte një shprehje e ime poetike që mbëshetet në kushtet dhe rrethanat historike në të cilën gjindeshim në një periudhë shumë të gjatë. D.m.th nuk ishim as ata që komunikojshim me vendin, ama as nuk ishim krejt si tërsi e vetvetes, por ishim as në tokë as në qiell. Gjindeshim në një gjendje shumë të palakmueshme si qenie kombëtare. 

Pyetje : Si e përcolli Din Mehmeti këtë kohë, këtë mot të madh të shqiptarëve nëse e kam drejt, mot i madh i shqiptarëve.

Përgjigje : Ju mendoni për ngjarjet e fundit. Po, unë i kam përjetu sikur gjithë populli i Kosovës. Dhimbjet e tyre ishin edhe dhimbjet e mia. Atë tragjedi të pa parë në historinë e njerzimit e përjetova këtu në Kosovë, këtu në Gjakovë. Ishte një tragjedi që nuk mund të përshkruhet lehtë, madje mungojnë fjalët, thua së fjalët janë të pafuqishme më përshkru këtë tragjedi. Unë e kam hap flalorin me gjetë një fjalë të përshtashme që mund të sintetizojë me një menyrë ose një tjetër këtë fatkeqësi kombëtare të shkaktuar prej regjimit serbomadh, por nuk kam has me një fjalë që mund të sintetizojë këtë tragjedi, prandaj do kohë që të përshkruhet. Edhe unë sikur të tjerët ishim në rrezik për jeten, në rrezik për çdo minutë, për çdo çast, por që mas shumë masakrave që bëri në Kosovë, sidomos në Gjakovë, disa, një pjesë e popullsise pati fat të kalojë në Shqipëri, një pjesë e përjetoi vdekjen këtu në Gjakovë.

Ndër ata isha edhe unë që e pashë vdekjen më sy. Çka mund t’ju them, ishtë një kohë e çmendur, një kohë kur Serbia do të na i shkulte rrënjët e thella të historisë tonë si qenie kombëtare e të na zhdukte përgjithnjë. Po fati e bëri të veten. Nuk mbetem vetëm si popull, si njerëz, dhe kështu që më ndihmën e UÇK si pjesë përbërëse e shpirtit të popullit shqiptar të Kosovës, me ndihmën e NATO-s, arritëm të gjallërojmë këtë tragjedi, arritëm të mbijetojmë jetën dhe të jemi tashmë të lirë dhe besoj se për këtë tragjedi do të shkruhen libra e libra, do të ngirhen përmendore të ndryshme, do të bëhën përurime të ndryshme se kjo paraqet një fletë të re të historisë.

Pyetje : E kanë thënë të tjerët së poeti është ndërgjegjja e popullit, është ndërgjegjja e kombit. Atëhere nuk ka nevojë për përcaktime të tjera, Din Mehmeti është poet. Unë do ta pyes Din Mehmetin: Shqiptarët a ditën të bëjnë atë që duhet të bëjnë në në këtë kohë për vetën e tyre, a ditën shqiptarët.
Përgjigje: Shqiptarët, mendoni ju për shqiptaret e Kosovës, apo…

Pyetje : Shqiptarët, të gjithë shqiptarët.

Përgjigje : Shqiptarët bënë atë që mundën, atë që ditën, nuk e bënë atë që duhej të bëhej më kohë. Mirëpo më në fund shqiptarët e mblodhën mendjen dhe besoj shqiptarët, ani pse kjo pyetje është bukur e vështirë ti përgjigjesh, sepse përvidhen çeshtje të ndryshme politike, shoqërore, historike e të tjera. Mirëpo në qoftë se bazohemi dhe mbështetemi te populli i Kosovës, populli i Kosovës nuk kishte se ç’të bëntë tjetër veçse të mbrohej nga shkatërrimi total, nga genocidi i shfromuar i një shovinizmi të pa parë. Populli s’kishte se ç’të bëntë në Kosovë veçse të mbështetej në UÇK, mbasi kjo simbolizonte me pushkë në dorë shpirtin e madh të Kosovës dhe shpirtin e madh të bujarisë dhe simbolizontë luftat e para qysh nga Lidhja e Prizrenit në vazhdimsi edhe në kohën tonë. Një fat e patëm, një fat kolektiv e patëm. Shqiptarët e Kosovës gjetën mbështetje në vendin amë, në vendin që kanë andërruar shumë shqiptarët e Kosovës. Të gjithë shqiptarët e Kosovës e kanë ëndërruar dhe kanë shprehur dashurinë ndaj vendit amë- Shqipërisë. Prandaj e gjetëm mbështetjen në kohën më të vështirë të historisë, u strehuan atje. Po mos të ishte Shqipëria ne do të shpërndaheshim nëpër botë dhe do zhdukeshim nëpër shtete e Lindjes dhe të Perëndimit. Prandaj shqiptarët bënë atë që mundën në këtë kohë dhe na shpëtoi fati që patën një Shqipëri këtu afër që të mund të strehoheshim e pastaj të ktheheshim përsëri nëpër trojet tona.

Pyetje : Si i sheh Din Mehmeti integrimet shqiptare, integrimet e hapsirës shqiptare? Si e mendon Din Mehmeti?

Përgjigje : Për fat të keq nuk mund të mburrem për integrimet shpirtërore, ishin 50 vjet që i humbëm. Tash vonë ka fillu, na ka ra ndërmend, që nuk ban pa integrime shpirtërore të popullit shqiptar në tërësi dhe po bëhen përpjekje të ndryshme. Ne nuk mund të gjallojmë historikisht pa integrimin shqiptar mes Shqipërisë dhe shqiptarëve etnik kudo që ekzistojnë, qofshin në Kosovë, qofshin në Maqedoni, qofshin gjithkund nëpër botë. Është koha e integrimeve shqiptare sikurse e kemi unifikuar gjuhën shqipe, duhet ta unifikojmë edhe kulturën, duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të bëhemi një pasi kemi një histori, pasi jemi shqiptarë. Dhe atëherë do të çonim në vend porosinë e rilindasve tanë të famshëm të cilet e kanë menduar qysh atëhere një integrim shqiptaror, një tërsi teritoriale, një bashkim kombëtar që duhet të vijë patjetër nëqoftëse kemi fat që të punojmë drejt dhe mirë.

Pyetje : Prapë po ngulmoj te kjo pyetje, a nuk dimë a nuk duam ne shiptarët që t’i gjejmë rrugët, mënyrat, mjetet për bashkim kombëtar?

Përgjigje : Këtu ka shumë komponentë të natyrave të ndryshme. Tani kemi fillue të orjentohemi drejt qendrimit të integrimit kombëtar, të bashkimit kombëtar. Mirëpo ende ka tendenca të ndryshme, ka barriera politike, po na dëmtojnë disa mendime të politikës. Kultura duhet të jetë aty ku dallon politika, kultura duhet ta marrë mbi vete çdo gjë. Tashti po vetëdijësohemi dhe po bëhëmi gjithnje më këmbëngulës në idenë e bashkimit kombëtar, i cili do të vijë patjetër sepse është imperativë i kohës i kohës sonë. Ne tash po përjetojmë një rilindje të re, rilindjen e integrimit, rilindjen e bashkimit kombëtar. Tash këtu ky bashkim kombëtar nuk arrihet lehtë, duhet punë. Edhe kjo gjysma e punës më së shumti varet prej nesh, sa kena qenë ne të vendosur edhe këmbëngulës me ia mbush mendjen botës se një popull nuk mund të jetojë i ndarë në gjysmë. Një gjysmë andej e gjysma këndej, por kemi një histori, një gjuhë, një traditë që nga lashtësia e në kohën tonë, prandaj do të na kuptojnë të tjerët. Në qoftë se ne merremi vesh në mes veti. Por ne shqiptarët është vështirë të merremi vesh, se shqiptari ka inat të madh edhe dijen nganjëherë e përdor në funksion të përforcimit të inatit qoftë ai i inatit politik apo i natyrave të ndryshme. Prandaj ka ardhë koha të dliremi, të pastrohemi, të bëhemi europianë dhe për hir të të madhes, për hir të idesë së madhe të bashkimit kombëtar, duhet të mos marrim parasyshë disa grindje politike që s’kanë prespektivë në krahasim me idenë e madhe të rilindasve për bashkim kombëtar, i cili është bërë imperativ i domosdoshëm në qoftë se do të gjallojmë si popull tash në kohën tonë, kur Kosova tashmë është e çliruar e priten hapa seriozë drejt pavarsisë.

Pyetje : Dëshira për të biseduar me Din Mehmetin është shumë e madhe, por unë do të bëj edhe një pyetje të fundit: Cili është roli i poetit në shoqeri dhe aktualisht sot në shoqërinë shqiptare.Çfarë është poeti sipas Din Mehmetit? 

Përgjigje : Po roli i poetit pa dyshim është i madh, është një përfaqësues i shoqërisë i cili shkruan për vete, është subjektiv, shkruan në mënyrë subjektive. Por vjershat e tij, aq me tepër që është subjektiv, aq më tepër bëhët objektiv për të tjerët. Sepse ai duke e shprehur vetveten, gëzimet, hidhërimet, pikëpamjet, ai hedh dritë edhe në shpritin e të tjerëve dhe të tjerët i lëxojnë. Shembull për këtë e kemi Lazgushin, ai duke shkrue për veten, ai shkroi për njerzimin e jo vetem për shqiptarët, u bë poet i madh europian. Prandaj roli i poetit është i madh, është pjesë e kulturës së një kombi, së një populli. Ani pse poeti nuk mund ta ndryshojë botën, po padyshim ndiçon shpirtin e njerzimit e bën popullin më të njerzishëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat