Quni flet për vrasjet e aktivistëve të LDK-së, tregon për “finalen” me Kadri Veselin - Bota Sot
Quni flet për vrasjet e aktivistëve të LDK-së, tregon për “finalen” me Kadri Veselin

Intervista

E hënë, 11 dhjetor 2017

Quni flet për vrasjet e aktivistëve të LDK-së, tregon për “finalen” me Kadri Veselin

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 2 tetor 2017 Në ora: 07:54
Anton QunI

"Kemi të bëjmë me hetimin e rasteve në të cilat mendohet të jenë të implikuara shërbimet dhe formacionet antikombëtare me qëllim të sabotimit të luftës për çlirimin e Kosovës dhe shtetësisë së saj. Është tejet shqetësues dhe dekurajues fakti se si këto autoritete nuk kane guximin te zbardhin te gjitha prapavijat; që nga urdhër-dhënia deri tek ekzekutimi më tërë mekanizmin mbështes", thekson Quni.

Anton Quni, deputeti më i zëshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot” ka treguar për polemikat që kishte me kryetarin Kuvendit Kadri Veselin dhe akuzat ndaj tij në ditën e mocionit për rrëzimin e Qeverisë Mustafa.Sipas deputetit Anton Quni, heshtja për dy dekada e organeve të autorizuara në rastet e vrasjeve me motive politike është tregues i pazotësisë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.Quni ka shpjeguar se ai deri më tani nuk është  kontaktuar nga Gjykata Speciale, që të deklarohet apo të dëshmoj, ashtu siç kishin thënë disa nga deputetët e PDK-së.

Bota sot: Si e vlerësoni Qeverinë e sapo formuar dhe më ketë përbërje dhe në krye me Ramush Haradinaj?

Anton Quni: Një qeveri e përbërë nga mbi njëzet parti me programe, ideologji dhe interesa te ndryshme, është që në fillim jo funksionale dhe e padobishme në plotësimin dhe implementimin e agjendës shtetërore.

Bota sot: Rasti i shumë përfolur i ministrit Nenad Rikallo. Na thoni pse nuk po organizohet protesta për shkarkimin e ministrit të Bujqësisë?

Anton Quni: Nuk është në natyrën e LDK-së që problemet t'i adresoj nëpërmjet protestave ne rrugë. LDK-ja këtë çështje do ta adresoj brenda institucioneve të Republikës se Kosovës. Partitë e tjera këtë formë e përdoren me të vetmin qëllim që LDK-ne ta largojnë nga qeverisja duke shfrytëzuar pretekste të ndryshme.

Bota sot: Aktualisht LDK dhe VV si opozitë në Kuvend janë të bindur në rrëzimin e kësaj qeverie, si mendoni se do të mund ta realizoni ketë?

Anton Quni: Nuk ekziston ndonjë koordinim n'mes LDK-së dhe VV-së për një qëllim të tillë. Për çfarëdo rruge që do te ndjekim, LDK do të merr vendim pasi kjo çështje të trajtohet në të gjitha nivelet vendimmarrëse.

Bota sot: Në një debat që keni pasur me Kadri Veselin kryetar i Kuvendit. “Shihemi ne finale. Dhe pres t’ju shoh mbrapa grilave”. Na thuaj cili ka qenë kuptimi i këtyre fjalëve drejtuar Veselit në atë kohë?

Anton Quni: Finalja është kur ne si shoqëri lirohemi nga krimi i organizuar, korrupsioni,nepotizmi, i zbardhim vrasjet politike, i identifikojmë arsyet e degradimit të sistemit të arsimit, shëndetësisë, ambientit, dhe ne fund që të gjithë përgjegjësit do të përballen me drejtësinë për t'u mësuar e vërteta.

Bota sot: Si një ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) dhe aktualisht deputet i Kuvendit, jeni i kënaqur me Kosovën dhe a keni ëndërruar në kohë lufte një Kosovë si kjo çka është sot?

Anton Quni: Do të përdori thënien e një plaku të urtë dhe të ditur nga rrethi i Deçanit; 'Ku ishim, mirë jemi. Ku do të duhej të jemi, shumë keq jemi'.

Bota sot: Që nga pas lufta pothuajse nuk është zbuluar asnjë nga vrasjet politike që ka ndodhur e sidomos të zyrtareve të LDK-së. Na thoni si e komentoni ju ketë fakt?

Anton Quni: Heshtja për dy dekada e organeve të autorizuara në rastin e vrasjeve me motive politike është tregues i pazotësisë, si në Kosove ashtu edhe në Shqipëri. Mendoj që kjo bëhet edhe më e theksuar kur kemi të bëjmë me hetimin e rasteve në të cilat mendohet të jenë të implikuara shërbimet dhe formacionet antikombëtare me qëllim të sabotimit të luftës për çlirimin e Kosovës dhe shtetësisë së saj. Është tejet shqetësues dhe dekurajues fakti se si këto autoritete nuk kane guximin te zbardhin te gjitha prapavijat; që nga urdhër-dhënia deri tek ekzekutimi më tërë mekanizmin mbështes.

Prandaj, si shoqëri ne tërësi nuk po arrijmë të përmbushim obligimin ligjor e moral për te punuar pa ndalë ne zbardhjen e vrasjeve politike. Si shoqëri do të duhej të angazhohemi shumë më shumë për të kërkuar zbardhjen e këtyre vrasjeve, marrë parasysh që kemi të bëjmë me vrasjen e personaliteteve angazhimi i të cilëve lidhej drejtpërdrejt me të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës dhe shtetësisë së saj.

Bota sot: Vazhdoni ti mbani qëndrimet e njëjta si vite më parë lidhur më përgjegjësit për vrasjet politike?

Anton Quni:  Asgjë s'ka ndryshuar prej atëherë, kështu që as unë s'kam arsye të ndryshoj qëndrimin tim në këtë pikë.

Bota sot: Zyrtarë nga PDK-ja kanë deklaruar se ju mund të jeni një nga dëshmitarët e Gjykatës speciale, sa qëndron kjo?

Anton Quni: Edhe PDK-ja e ka votuar Ligjin për Gjykatën Speciale dhe e ka konfirmuar bashkëpunimin më Gjykatën Speciale. Sidoqoftë unë deri më tani nuk jam kontaktuar nga asnjë gjykatë që të deklarohem apo të dëshmoj. Nëse kjo ndodh, me dinjitet do te mbrojë luftën e UÇK-se me të gjitha vlerat e sajë.

Bota sot: Na thoni cili është qëndrimi i LDK-së për demarkacionin më Malin e Zi. Ramush Haradinaj ka kërkuar rishikim të marrëveshjes, mendoni se kjo mund të behët.

Anton Quni: Në rastin që komisioni i ri i ngarkuar për këtë çështje arrin të ofroj fakte relevante më të cilat korrigjohet vija kufitare, pa dyshim se i terë spektri politik duhet të vihet në funksion të rishikimit të demarkacionit. Në të kundërtën, të gjithë ata që e konsuamuan ketë proces për qëllime të ngushta partiake dhe personale, behën moralisht dhe politikisht përgjegjës për manipulim dhe papërgjegjshmëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test