Flet mjeshtri i gazetarisë shqiptare: Reportazhin “Një fener ndriçon rrugën”, ma pati pëlqyer dhe vlerësuar shkrimtari i shquar Dritëro Agolli - Bota Sot
Flet mjeshtri i gazetarisë shqiptare: Reportazhin “Një fener ndriçon rrugën”, ma pati pëlqyer dhe vlerësuar shkrimtari i shquar Dritëro Agolli

Intervista

E enjte, 14 dhjetor 2017

Flet mjeshtri i gazetarisë shqiptare: Reportazhin “Një fener ndriçon rrugën”, ma pati pëlqyer dhe vlerësuar shkrimtari i shquar Dritëro Agolli

Nga: Albert Z. Zholi Më: 5 tetor 2017 Në ora: 16:59
Ahmet Shqarri

Për gati gjysmë shekulli, Ahmet Shqarri me zërin e tij të veçantë, karakteristik dhe  tepër emocionues përcolli gjatë transmetimeve ngjarjet e shumta sportive që i realizonte plot pasion e profesionalizëm. Ai  ka mbërthyer pranë aparateve të radios dhe televizioneve gjithë bashkëkombësit shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Së bashku me pionierin e transmetimeve sportive, Anton Mazreku dhe vazhduesin e denjë të tij, Ismet Bellovën, krijuesi dhe drejtuesi për 20 vjet rresht i emisionit të famshëm radiofonik “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, Ahmet Shqarri, bën pjesë tashmë tek të ashtuquajturit “Tre musketierët”, që në historinë e këtij zhanri do të mbeten të papërsëritshëm, duke u kthyer kështu në emblema që koha vazhdon t’i përcjellë si figura referimi për gazetarinë e vërtetë shqiptare...

Image

Duket se të jesh gazetar sportiv bëhesh shumë më popullor, gjë që vihet re  edhe tek ju. A ishte një rastësi, pasion i hershëm? Si nisi rruga juaj në gazetarinë sportive, që më vonë do t’ju bënte një personazh shumë të njohur në të gjithë vendin?

Asnjëherë nuk e kisha menduar apo ëndërruar të bëhesha gazetar sportiv. Po t’u kthehem viteve të hershme të rinisë, do t’ju kujtoja se atëherë në Shqipëri ekzistonte vetëm një radio shtetërore dhe vetëm një gazetë sportive, gjë që nuk të bënte entuziast për t’i hyrë rrugës së gazetarit sportiv dhe as të shkonte mendja ndonjëherë që ti të mund të bëje pjesë midis atyre njerëzve të njohur të asaj kohe që punonin në këto institucione për sportin. Gjithsesi, ishte pasioni për letërsinë dhe inkurajimi i mësuesit tim të shkollës së mesme, Ismet Bellova, që më shtynë drejt kësaj rruge të paimagjinuar më parë dhe që nisi të marrë formë konkrete gjatë studimeve universitare që kreva për gjuhë-letërsi dhe gazetari, teksa praktikën dhe botimet e para i realizova pranë gazetës “Sporti Popullor”.

I dashuruar me letërsinë, me siguri që pedagogët tuaj kanë ndikuar për të nxitur më shumë dëshirën e zhvillimit të mëtejshëm të krijimtarisë në fushën e gazetarisë.

Pedagogët e asaj kohe ishin dhe mbeten legjendë në  profesionin e tyre. Me veprën e tyre të mrekullueshme, ata u bënë një shembull i madh frymëzues për ne, por edhe për brezat e ardhshëm. Shaban Demiraj, Jakov Xoxe, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Vangjush Gambeta, Hamit Boriçi, janë disa nga më të shquarit prej atyre pedagogëve të gjuhësisë, letërsisë dhe gazetarisë së asaj kohe, leksionet e të cilëve i ndiqnim me shumë vëmendje dhe që kanë ndikuar së tepërmi për formimin tonë profesional.   

Cilët shkrimtarë apo poetë shqiptarë lexoje më shumë në atë kohë dhe cila ishte gjinia gazetareske që ndiqje më me interes?

Në atë kohë dolën dhe po bënin bujë, jo vetëm këtu, por edhe jashtë vendit, shkrimtarë të tillë si Ismail Kadare, por edhe Dritëro Agolli, poeti i ri Xhevahir  Spahiu, apo Koçi Petriti, veprat e të cilëve përpiheshin nga lexuesi sapo dilnin në qarkullim. Por siç përmenda, dhe pedagogu tjetër Jakov Xoxe qe bërë edhe ai i famshëm në atë kohë, sidomos me romanin “Lumi i vdekur”. Ishin vepra që na mrekullonin atëherë dhe që vazhdojnë të mbeten edhe sot e kësaj dite si kryevepra të letërsisë shqiptare. Sa për shkrimet gazetareske, më pëlqente veçanërisht reportazhi, një gjini që sot gati është harruar (?!), por që atëherë lëvrohej me mjeshtëri të rrallë nga pedagogët tanë Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, por më vonë edhe nga të rinj të tjerë të talentuar si Xhevahir Spahiu apo Spiro Dede. Ishte kënaqësi kur shkrimet tona të para si studentë, analizoheshin e komentoheshin në orët e seminareve dhe nën kujdesin e mjeshtrave të gazetarisë që pastaj na vlerësonin me notë. Mbaj mend dhe ka qenë një kujtim i bukur për mua që një reportazh të botuar në gazetën “Puna” të atyre viteve, me titull “Një fener ndriçon rrugën”, ma pati pëlqyer dhe ma pati vlerësuar para shokëve të kursit të gazetarisë, vetë mjeshtri i madh i këtij zhanri, poeti dhe shkrimtari i shquar Dritëro Agolli!

Dhe menjëherë pas diplomimit në Universitetin shtetëror të Tiranës në vitin 1969, nisi rruga juaj e vërtetë e gazetarit të parë sportiv profesionist në Radio-Tirana…

Në fakt, një rrugë e gjatë që vazhdoi në Radio Televizionin Shqiptar deri në fillim-vitet ‘2000, derisa me daljen në skenë të mediave private, nisa të jap përvojën time në disa prej tyre, sidomos në Radio +2 dhe Tv A1, ku startova me emisione të rinj që larg modestisë, po ju them se i sfiduan emisionet sportive të RTSH-së, si e vetmja media elektronike që ishte në atë kohë në vend dhe ku unë isha rritur e formuar si gazetar; për të vazhduar pastaj si analist e komentator edhe tek TV Klan, Alsat, etj, ku më së shumti kam luajtur rolin e komentatorit dhe të analistit për ndeshjet e kampionateve tona të futbollit.  

Duke u rikthyer tek puna e juaj në Radio-Tirana, por edhe në TV, mes asaj morie transmetimesh, emisionesh e ndeshjesh të të gjitha llojeve, të futbollit, volejbollit, basketbollit apo edhe të mundjes, peshëngritjes, çiklizmit, atletikës, përfshi këtu intervista të panumërta dhe qindra e mijëra shkrime të gjinive të ndryshme në gazeta dhe revista të kohës, cilën konsideroni si arritjen tuaj më të madhe?

Të gjitha kanë vlera për mua. Sepse ato kanë qenë si një shkallë ngjitjeje, për të kapur pastaj majat, nëse mund të shprehem kështu. Por që në fillim, dua të them se emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën” ka qenë kurora më e bukur e karrierës sime gazetareske, në mbi 30 vite punë në RTSH. Në librin me kujtime të botuar para shumë vitesh nga shtëpia botuese prestigjioze “Onufri”, kam përshkruar me hollësi detajet për ideimin dhe pastaj realizimin e këtij emisioni që e drejtova për 20 vite rresht, duke mbetur ky si një rekord për jetëgjatësinë e tij në mediet tona, por mbi të gjitha për famën dhe interesimin e jashtëzakonshëm që ngjallte në të gjithë Shqipërinë, aq sa unë, sot e kësaj dite thuajse identifikohem me këtë krijim timin. Të më kuptoni drejt, kur i hyra asaj pune që nisa ta realizoj që nga 2 tetori i vitit 1983, në Shqipëri nuk kishte tjetër veç Radio-Tiranës, ndërkohë që për televizione të tjera as që bëhej fjalë, kështu që sytë dhe veshët për sportin ishin përqendruar tek mikrofoni i vetëm i asaj kohe, që për fatin e mirë timin e drejtoja unë. Ndihem fatlum për faktin se isha i pari që kam krijuar një emision të tillë, gati i ngjashëm me të famshmin italian “Il tutto calcio, minuto per minuto”, kur u bë i mundur transmetimi në të njëjtën kohë, pra në të njëjtën ditë dhe orë, nga të gjithë qytetet ku zhvilloheshin ndeshjet e javës së kampionateve shqiptare të futbollit. Sot, kur ka shumë media dhe kur teknologjia ka arritur caqe të paimagjinuara, mund të mos bëjë ndonjë përshtypje ajo për të cilën po flasim, por në atë kohë të largët, kur në kampionatin tonë luanin futbollistë të nivelit të lartë dhe kur stadiumet dhe pallatet e sportit mbusheshin për çdo javë nga mijëra e mijëra spektatorë, emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën” ishte dritarja e vetme, nga ku përcillej jehona e futbollit shqiptar. Aq më tepër që transmetimi i ndeshjeve nga zëra të shquar e me personalitet si Ismet Bellova, Aleko Gjergo, Veli Rada, Ymer Striniqi, Frederik Fico, etj, nisi të shoqërohej, për herë të parë në historinë e gazetarisë sportive, me analiza e komente në studio ku për çdo javë ftoja në studio-nëpër stadiume, mjeshtra të mirënjohur të botës së futbollit, titullarë të Kombëtares sonë si, Sabri Peqini, Refik Resmja, Skënder Begeja, Gëzim Kasmi, që për kohën ishin të famshëm e tepër bindës për opinionin publik.

Folëm vetëm për transmetimet e ndeshjeve të futbollit brenda vendit, ndërkohë që mbajmë mend se me ju kanë nisur edhe transmetimet për herë të parë nga jashtë vendit, madje edhe për sporte të tjerë të përparuar për kohën…

Transmetime të tilla në atë sistem, për vetë kushtet e vendit tonë, ishin shumë të vështira për t’u realizuar, për shumë arsye. Megjithatë, ju kujtohet të gjithëve ai transmetim i parë nga Spanja, më 1 tetor 1986, kur për ngjarjen në fjalë, në parathënien e librit tim, “Kujtimet e një gazetari sportiv”, shkrimtari i shquar Vath Koreshi, ndër të tjera pat shkruar:

“ …atë mbrëmje në stadiumin “Kamp Nou” kur luante Barcelona ndaj Flamurtarit të Vlorës, gazetari Ahmet Shqarri u kthye në një perandor, duke sunduar në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet transmetimit të tij të drejtpërdrejtë në radio...”.

Në fakt, ai transmetim ishte i bujshëm. Jo vetëm që shqiptarët dëgjonin për herë të parë një kronikë direkte nga jashtë vendit për një skuadër tonën, por edhe sepse bëhej fjalë për një kundërshtar si Barcelona, një ekip me famë botërore dhe me trofe të fituar në Europë, ndërkohë që interesimi bëhej edhe më i madh kur dihej që në ndeshjen e parë në Vlorë Flamurtari kishte dalë në barazim 1-1 ndaj skuadrës me yje të tillë si portieri Zubizareta që në atë kohë mbronte edhe portën e përfaqësueses spanjolle, apo sulmuesi i famshëm i Kombëtares angleze, Geri Lineker, golashënuesi më i mirë i finaleve të Botërorit të vitit 1986. Jehona e asaj ndeshjeje të përfunduar në barazim 0-0 dhe ku Barcelona u kualifikua vetëm nëpërmjet golit të shënuar në fushën kundërshtare, u përforcua në Shqipëri pas dy ditësh edhe nëpërmjet transmetimit televiziv të saj, të regjistruar e komentuar gjithashtu prej meje, duke vazhduar për shumë kohë me diskutime, kundërshtime, si dhe me inkurajime të shumta, gjë që më shtynë për iniciativa të tjera po kaq të guximshme për kohën…

Kështu, ai transmetim i parë u shoqërua më vonë edhe nëpër stadiume të tjerë të Europës, me klube dhe me Kombëtaren, ndërkohë që nga e gjithë kjo larmi transmetimesh nga jashtë kujtoj si ndër më interesantët edhe atë të finaleve të kupës së kampionëve të Europës në volejboll për femra, ku merrte pjesë për të tretën herë, si asnjë skuadër shqiptare deri tani, “Dinamo”e trajnerit Kreshnik Tartari. Ai transmetim nga Italia bëri përshtypje për vetë vlerat e jashtëzakonshme të paraqitura prej skuadrës sonë në ato ndeshje, të cilat unë përpiqesha t’ua përcillja dëgjuesve nëpërmjet transmetimit tim pasionant dhe shpesh herë të ekzaltuar! Mes katër skuadrave finaliste, “Dinamo” pat zënë vendin e tretë në Europë, pas kampiones së Bashkimit Sovjetik, “Uralocka” dhe kampiones vendase të Italisë, “Ravena”, duke lënë pas kampionen e Francës-”Rasing” të Parisit, ndaj së cilës yjet e skuadrës sonë me Ela Tasen në krye fituan me rezultat bindës…Po kështu, mbresëlënëse kanë qenë radiokronikat e transmetuara nga jashtë të peshëngritësve tanë, ku mjeshtra të mëdhenj si Pirro Dhima nëatë kohë përfaqësonte vendin tonë. Ndërkohë, emra të tjerë të mëdhenj të sportit shqiptar si basketbollisti i pakrahasueshëm për nga niveli tepër i lartë që zotëronte, Agim Fagu, apo mjeshtri tjetër i madh, volejbollisti Asllan Rusi, për të vazhduar pastaj me yjet e futbollit shqiptar si Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Safet Berisha, Agustin Kola, Petrit Dibra, Mir Hima, Shyqyri e Haxhi Ballgjini, Arben Minga, Ilir Pernaska, Vasillaq Zëri, Petro e Vasil Ruci, Rrapo Taho, Kreshnik Cipi, e shumë e shumë të tjerë, ishin personazhet e mi më të nderuar që mbushnin me jetë transmetimet dhe kronikat e panumërta të asaj kohe.

Të flasësh për një karrierë kaq të gjatë dhe shumë të pasur do të thotë të kesh pasur rreth e rrotull shokë dhe miq e kolegë të tillë me të cilët ndiheshe mirë, apo jo?

Kjo është një temë më vete dhe mjaft interesante. Mjedisi ku punoja ishte tepër frymëzues e ndërkohë tepër konkurrues. Të kujtoj vetëm zyrën ku punoja që në fillimet e mia, ku në krah të tavolinës kisha dy “shpikësit” e radio-kronikës shqiptare, Agron Çobani dhe Alfons Gurashi, që u plotësua më vonë me Timo Luton, një tjetër personalitet në këtë fushë. Ndërkohë, në redaksitë e tjera, krahas nesh, punonin të tjerë njerëz të shquar që më vonë u bënë të njohur si shkrimtarë dhe artistë me emër të madh në Shqipëri. I tillë ishte p.sh. regjisori Ylli Pepo që unë e kam quajtur si “babain” e telenovelës shqiptare, Nasi Lera, Ruzhdi Pulaha, Kiço Blushi, Reshat Arbana, Zhani Ciko, dhe sidomos shoku dhe një nga miqtë më të mirë e më të dashur, ndërkohë edhe patrioti im peqinas, Ferdinand Deda, që do të mbetet në histori si krijuesi i muzikës së lehtë shqiptare dhe i festivaleve të këngës në radiotelevizion, nëpërmjet dirigjimeve të tij ekspresive dhe kompozimeve të paharruara, të shoqëruara me fitimin e trofeve të panumërt! Ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme të punoje me këta njerëz apo të frymoje së bashku me ta tek shkëmbeheshe gjatë ditëve të ndryshme të punës nëpër katet e korridoret e shumta plot dritë të asaj godine të re e të bukur të RTSH-së, kur ne sapo kishim nisur një rrugë të gjatë, pse jo dhe të panjohur më parë.

Jeta dhe karriera juaj kaq e pasur, me siguri njeh edhe shumë krijime të tjera po kaq interesante nga ato që përmendëm dhe që mund të përbëjnë kapituj të një libri tjetër interesant, si ai që keni botuar më parë; ndërkohë si jeni shpërblyer dhe cilat kanë qenë kënaqësitë e përftuara prej jush në gati gjysmë shekulli që keni punuar në këtë profesion?

Po të rikthehesha edhe njëherë në rininë e hershme dhe të më pyesnin se çfarë rruge do doja të zgjidhja në jetë, zgjidhja e vetme dhe e menjëhershme do të ishte gazetaria sportive. Vetëm ky fakt duhet t’u mjaftojë të kuptoni se sa bukur ka qenë për mua t’i kushtohem këtij profesioni dhe kënaqësitë që kam marrë prej tij në këtë gjysmë shekulli punë. Edhe sot i kujtoj me shumë nostalgji dhe dashuri ato transmetime të garave çiklistike, aq të vështira dhe gati të paimagjinueshme për t’u realizuar, kur mendon se me një magnetofon UHER rreth 7 kg peshë, hipur në një motor apo makina garash, mes vapës, pluhurit dhe përshkimit për çdo ditë të qindra e mijëra kilometrave nëpër rrugët e atëhershme plot gropa të Shqipërisë, ndiqja për çdo vit të gjithë rrethet e Shqipërisë. Një transmetim i përditshëm i këtyre garave, aq sa zgjaste Rrethi, por që u jepte kënaqësi të gjithëve kur u përcillja emocionet e garës që kishin për protagonistë mjeshtra të tillë të shquar dhe të paharrueshëm të pedalimit si Agim Tafili me shokë.  Ishte sikur të ndiqje “Xhiron e Italisë” apo “Turin e Francës”, për vetë interesimin që ngjallnin transmetimet e asaj kohe për garat tona çiklistike! Dhe në përfundim të tyre kënaqësia ishte e madhe kur shihja që bashkë me mjeshtrat e asaj kohe, në një farë mënyre bëhesha edhe unë protagonist, nëpërmjet kronikave që kisha transmetuar apo dhe reportazheve që botoja nëpër faqet e gazetave që drejtonte kolegu dhe miku im i hershëm i gazetarisë, Besnik Dizdari. Mund të kujtoj edhe shumë episode dhe ngjarje të tjera që më kanë dhënë kënaqësi të shumta dhe për të cilat edhe jam shpërblyer, natyrisht me stimuj moral, si çmime të ndryshme të shoqatës sportive “Anton Mazreku”, disa medalje, ku dua të veçoj atë të “Mirënjohjes” së Presidentit të Republikës, Bamir Topi; atë të “Mirënjohjes” së qytetit tim të vendlindjes, Peqinit, apo çmimi i Karrierës, që mora së fundmi nga “Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë”, që ma dorëzoi vetë Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, i cili më dha ndërkohë një kënaqësi të veçantë kur u kujtoi të pranishmëve të shumtë në ceremoni edhe bashkëpunimin e tij si radiokronist në emisionin tim “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, vite më parë, kur ende nuk i kishte hyrë rrugës politike…! Dhe, dua ta mbyll këtë histori të shkurtër për vete, me një pjesë të marrë nga një shkrim i gazetarit, shkrimtarit dhe poetit Demir Gjergji që, duke dashur të vërë në pah bilancin e karrierës sime të gjatë gazetareske, përmend ndër të tjera se, “…po të  kërkoni në arkivin e pafund të RTSH-s, do të gjeni mijëra kilometra shirit me zërin dhe figurën e  Ahmet Shqarrit, ku në një farë mënyre do të njiheni me vetë historinë dhe sukseset e sportit shqiptar në vite”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test