Rrëfimi rrënqethës i nënës Ferdonije për humbjen e bashkëshortit dhe katër djemve të saj, dhe Draganin e tmerrshëm gjatë luftës në Kosovë

Intervista

Rrëfimi rrënqethës i nënës Ferdonije për humbjen e bashkëshortit dhe katër djemve të saj, dhe Draganin e tmerrshëm gjatë luftës në Kosovë

Nga: Hava Orana Xhukolli Më: 18 tetor 2017 Në ora: 07:33
Nëna Ferdonije duke treguar dhomën e njërit prej djemve të saj, i cili ishte edhe i martuar.

E rrethuar mes fotografive që i sjellin kujtimet me bashkëshortin Halimin, djemtë Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin, jeton e vetmuar zonja Ferdonije Qerkezi. Ajo jeton me shpresën që pas tërë këtyre viteve, do të ketë një vend, ku më të dashurit e saj do të prehen të qetë. Një vend, ku edhe ajo të ketë mundësi  që të ulet e t’i vajtojë. E mbyllur mes  katër mureve të mbushura me fotografi, e të shndërruara madje në një shtëpi-muze, zonja Ferdonie pret vizitorë nga e gjithë bota.

Madje, i shpjegon secilit se çfarë ndodhi në natën e tmerrit të 27 marsit të vitit 1999. E bashkë me rrëfimin, secilit vizitorë i ‘falë’ edhe disa lotë trishtimi e dhimbje për më të dashurit e saj.Me lotë për faqe, na rrëfeu edhe neve se si serbët ia morën bashkëshortin e djemtë atë natë për të mos ia kthyer më kurrë. Pavarësisht ndodhive, ajo thotë se mundohet të qëndrojë e fortë, për një arsye. Ajo e përdor një thënie  gjakovare, “Sa më rëndë që bie, aq më i fortë bëhesh”.  Zonja Ferdonie, thotë se forcën e gjen vetëm e vetëm për shkak të armikut, për t’i treguar se nuk e kanë mposhtur.Ajo tregon se i njeh personat që atë ditë kanë qenë në shtëpinë e saj, por nuk ka informacione nëse është ngritur padi ndaj tyre. Në drejtësinë e Kosovës nuk ka aspak besim, madje as në politikanët të cilët thotë se e kanë vizituar edhe në kohë fushate, por që nuk i premtuan se do të ngrisin padi ndaj serbëve, sado që ajo ju kishte kërkuar.

Image
Gazetarja Hava Orana Xhukolli gjatë intervistës me nënën Ferdonije Qerkezi

“Bota sot”: Çfarë në të vërtetë ndodhi në natën e 27 marsit të vitit 1999?

Ferdonije Qerkezi: Në familjen e Halim Qerkezit ka ndodhur një tragjedi. Më 17 mars 1999 në shtëpinë e Halim Qerkezit, kanë hyrë policia serbe dhe ma kanë marrë burrin edhe katër djemtë. Në shtëpinë tonë kemi pas mysafirë, ka qenë miku i djalit të madh, Shpëtimi ka qenë me nënën, me motrën dhe gruan dhe dy vajza te vogla, kanë qenë dy shokë të djalit, Ardianit, me nënën, një kushëri i Halimit, bashkëshortit ka qenë me grua, do të thotë Skenderi me bashkëshortën, dhe Murtezai me nusen dhe me vajzë. Unë i kam pas edhe dy nuset, se dy djemtë e mëdhenj i kam pas të martuar. Kemi qenë 23 veta , 11 meshkuj dhe 12 femra. Kah ora 11 paradite kanë hyrë policia serbe, ka hyrja e podrumit. Kanë hyrë na kanë kontrollu, na kanë qitë jashtë ashtu siç kemi qenë krejt familjarët, bashkë me mysafirët. Na kanë kontrolluar dhe na kanë thënë mirë qenkeni, na pyetën kush janë këta dhe bashkëshorti i tregoi. Na tha hyni brenda se mirë qenkeni. Ata shkuan në 11.30, dhe pas orës 15.00 janë kthyer prapë të njëjtit policë dhe kanë ardhë na kanë marrë leternjoftimat, mua, bashkëshortit Halimit, Artanit, Armendit, Ardianit, Edmondi nuk ka pasur leje, pasi ishte 14 vjet dhe mysafirëve të tjerë. Na kanë marrë në sekretariat, një orë na kanë mbajtë, pas një ore na kanë kthyer leternjoftimat, dhe na kanë qitë para hyrjes së podrumit, ku kemi ndejtë një orë jashtë, ka qenë kohë me shi dhe aty kemi prit derisa na kanë kthyer lejet, sepse na thanë rrini aty. Edhe janë kthyer prapë, na kanë sjellë lejet, i kanë dhënë urdhër djalit të madh të nxjerrë veturën nga podrumi, e kemi pas një Opel Kadet, mandej na kanë dhënë urdhër mu vendos në podrum të gjithë, do të thotë 23 persona. Aty kemi ndjetë një orë e gjysëm. Gjatë asaj kohe, kanë kërkuar raki, por bashkëshorti i tha që nuk kemi.

Image
Shtëpia e familjes Qerkezi tash e një kohë është shnëdrruar në muze, ku shumë vizitorë vinë dhe njoftohen me dhimbjen që ka përjetuar nëna Ferdonije

Ata thanë që ju e keni qebaptoren, dhe bashkëshorti i tha që momentalisht nuk kemi. E thirrën djalin e tretë Ardianin dhe i thanë hajde ti, se ti shërben mirë, me ju sjellë ujë, unë iu bëra kafe. Derisa ngjitesha shkallëve për t’i bërë kafet, ofshava dhe njëri serb me pyeti se ‘çfarë ki nano”, dhe i thashë që nuk e di. Mos u frikëso më tha se jemi ardh me ju ruajt. Unë aty u shlirova se thash ata po na ruajnë. Para se me i pi kafet, Dragani e kërkoi një tavolinë dhe dy fotele, dy karriga për tu ulur vetë dhe fotelet për tu ulë, Halimi dhe kushëriri, Skenderi. Dhe unë sa isha aty afër, e dëgjova që i tha Halimit se shqiptarëve duhet me ia pre kokën krejtve. Ai i tha po pse. Ai i tha sepse nuk ka më, ashtu duhet tash, janë prishur marrëdhëniet, nuk ka më si vëllëzër, tash duhet me iu pre kokën gjithë shqiptarëve. Bashkëshorti i tha që në dorë na keni, mundeni me na bo gjithqka. Unë aty u zbeha.  Kur shkova të familjarët tjerë, ata me pyetën se çfarë ndodhi. Ju thashë se asgjë. Aty e pashë që nuk është gjithqka në rregull, sepse kur hynë me kontrollu podrumin, e kemi një dalje mbrapa, e kontrollun podrumin krejtë, e mbyllën derën me qelës, i morën qelësat, edhe bashkëshorti i tha që mos e mbyllni sepse e kemi miellin këtu. Ata thanë që ju japim na. Gjatë asaj kohë, rreth orës 17.00, hyri Dragani na dha gjysëm kilogrami kafe edhe dy qokollada për vajzat e vogla që ishin me ne. Na i dha ato dhe doli, kur hyri Halimi tha mos u tutni se mirë jemi. Janë dalë ata, dhe prapë janë kthyer me maska. Kur janë kthyer i kanë thirrë të gjithë me emra, Artani, Armendi, Ardiani, Fatosi, Shpendi, Vegimi dhe Shpetimi, Edmondi. I kemi pasur disa letra të shitores, dhe Edmondi ishte shtrirë aty, dhe unë ia prisha gjumin, i thash qu se po kërkojnë edhe ty, (qan me zë) …dhe aty i kishin shkruar emrat në listë dhe e kërkonin edhe një mashkull , por i thash të gjithë i ke marrë se Edmondi nuk ka leje të njoftimit, të gjithë i keni marrë. Dolën dhe u kthyen prapë, për të marrë diqka dhe na kërkuan para. Na i mblodhën të gjithë arin që kishin nuset dhe e mbushën plotë një gotë dhe dolën. U kthyen prapë na thanë na jepni pare, njëri mu drejtua me një automat dhe njëherë nuk iu dhashë. Ato të tjerat iu gjuajtën tek këmbët, dikur unë ia dhashë 500 marka të asaj kohe, i morën paratë dhe dolën. Na thanë merrni vetëm disa rroba për fëmijë edhe shkoni për Shqipëri. Na dolëm, i morëm rrobat për fëmijë dhe jemi dalë dhe jemi shku në një shitore aty afër dhe na takuan policë prapë dhe na pyetën ku po shkoni. Ju thamë se kanë përzënë kolegët e juaj dhe na thanë kthehuni se askush nuk ju ngucë. Na nuk u kthyem atë natë në shtëpi dhe kemi qëndru në një banesë këtu afër, tek një qytetare e Gjakovës. Të nesërmen i kam marrë dy nuset dhe kemi ardhë këtu dhe i kam thanë ku doni me shku, ato më thanë ku të shkojsh ti, do të vijmë me ty. Kemi ardh këtu në shtëpi dhe nuk kemi parë asgjë, shtëpia ka qenë pa njerëz, mandej kam shkuar tek vëllau, Muharremi dhe iu kam treguar atyre, aty kemi ndejtë katër ditë. Pastaj kam shkuar të familja ime, dhe aty kemi qëndruar gjatë luftës, tre muaj. Vëllait Muharremit që ia kanë marrë djalin, unë me zonjën e tij, kemi shkuar deri tek Dragani, dhe kemi shkuar në gjyq. Sepse kur bombardoj këtu policia, u përhapë policia dhe tërë blloku ka qëndruar këtu dhe në gjykatë. Aty në gjykatë na thanë se ku me ditë se çfarë kanë bërë me ata. Aty, vëllau i Halimit, Kasimi e kishte njohur këtë Draganin, dhe kemi shkuar në shtëpi tek ai dhe doli kishin qenë në pantollona të shkurtër dhe na tha pritni sa të vishemi, dhe Kasimi tha se desha të marr vesh se e kanë marrë Halimin me djemtë. Unë kur i pashë ata, i njofta dhe njëri më tha a po me njeh se unë kam qenë tek ju dhe qelësat e podrumit i kam unë. Kasimit i thanë serbisht se ata kanë shkuar në Koshare, por ai i tha jo se nuk kanë shkuar se deri një natë para bombardimeve kanë punuar në shitoren tonë. Ata na thanë nëse nuk ju tregojmë sonte, vonë keni me marrë vesh. Unë i thash Draganit, që nuk është problem që i keni marrë se të gjithë janë pa ushtri, por ai tha se kanë shkuar për të luftuar në Koshare. Kasimi tha se ju i keni marrë. Ai tha se unë i kam marrë, i kam dërguar deri në polici, por drejtori i policisë i ka marrë. Unë i thash që nuk është problem që i keni marrë, por Halimi është keq nga zemra dhe deshta t’ia jap barnat. Ata më thanë mos ki dert se na barnat ia japim vet se kemi boll. Nga ajo ditë e deri në vitin 2005, asgjë nuk kam marr vesh. Në vitin 2005 kanë dalë djali i madh Artani dhe Edmondi. Për Halimin, Armendin edhe Ardianin nuk di asgjë, nga ajo ditë. Por në vitin 2008, unë rrobat e Ardianit i kam parë, por trupin jo. Dhe kështu tragjedia nga serbët, kështu ka ndodhur. Ata nuk kanë besë hiq, kështu të thonë por, nga mbrapa të prenë, janë të pabesë.

“Bota sot”: Ju thatë që në vitin 2008, keni parë rrobat e djalit tuaj Ardianit. Ku i keni parë ato?

Ferdonije Qerkezi: Trupat kanë qenë në morg të Rahovecit, por kur i kanë bartë, aty se si kanë mbetur rrobat pa trup nuk e dimë, dhe rrobat kanë shkuar në morg të Prishtinës. Ato rrobat kanë mbetë aty dhe tash nuk dihet se kush është aty. Nuk na kanë dhanë informacione se kush i sjellë, vetëm i kanë bartë. Ende ka trupa aty që nuk janë identifikuar.

“Bota sot”: A keni informacione nëse është duke u hetuar ndonjë person për ngjarjen e 27 marsit?

Ferdonije Qerkezi: Asnjë informacion nuk kemi as ku janë. Askush nuk po merret me ta. Tash që kanë qenë për fushatë, prej tri partive, unë ju thashë që kam qejf me i padit ata personalisht vetë, por ata nuk më dhanë kurfarë përkrahje.

“Bota sot”: Po me Dragani çfarë ka ndodhur?

Ferdonije Qerkezi: Ai ka ikur pas luftës, bile e ka marrë veturën e bashkëshortit, Halimit, Kadetin e ka marrë me gjësende që kanë vjedhë këtu në Gjakovë. Tek ne kanë vjedhë gjësendet e nuses dhe teknikën e muzikës që ka pas djali i madh në dhomë. Ato kush i ka marrë ne nuk e dijmë. Kryesisht në Gjakovë çfarë kanë vjedhë, e kanë pa disa familjarë Draganin duke dalë me veturë të mbushur plotë.

“Bota sot”: A është ngritur padi ndaj Draganit?

Ferdonije Qerkezi: Jo, nuk e dimë nëse është ngritur askush nuk na ka lajmëruar asgjë. Po duhet kap atë Draganin dhe drejtorin e Policisë, ai e di se ku i ka dërguar. Ne i kemi njohur ata me emra, se kanë ardhur kanë ngrënë në shitore dhe në qebaptore tek ne, më tepër pa para. Djemtë i kanë detyru me hangër qebapa njëherë për vete e pastaj me i ngrënë ata, se kanë menduar se mos po i helmojnë ata.

“Bota sot”: A ju kanë vizituar ndonjëherë krerët e shtetit?

Ferdonije Qerkezi: Krerët e shtetit më kanë vizituar, ka qenë Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi, vetëm Isa Mustafa nuk ka qenë edhe Jakup Krasniqi. Tek Jakup Krasniqi kemi qenë dhe na ka pritë shumë mirë.

Image
Eshtrat e dy prej djemve të nënës Ferdonije, Artanit dhe Edmondit janë identifikuar në vitin 2005, derisa për bashkëshortin Halimin dhe dy djemtë tjerë Armendin edhe Ardianin nuk di asgjë që nga 27 marsi i vitit 1999

“Bota sot”: Çfarë ju kanë premtuar ata?

Ferdonije Qerkezi: Për padi nuk kanë premtuar asgjë, ndërsa për shtëpinë muze më kanë ndihmuar. Më kanë ndihmuar edhe shoqatat “Thirrjet e nënave”, dhe “Rrjeti i grave”, me Igballe Rogovën, që më kanë përkrahuar për shtëpinë-muze. Kur unë kam dashur me bë shtëpinë muze, vëllezërit e Halimit kanë kërkuar hise. E tash kur e morën vesh ato për këtë, ato erdhën dhe më përkrahen.

“Bota sot”: A shpresoni se drejtësia do të vë prapa grilave fajtorët?

Ferdonije Qerkezi: Me këtë drejtësi të Kosovës nuk kam shpresa, nuk besoj, vetëm nëse ndërkombëtarët bëjnë diqka.

“Bota sot”: Po Gjykata Speciale, a keni shpresa në të?

Ferdonije Qerkezi: Deri më tani nuk më ka kontaktuar askush asgjë. Përpara kanë ardhur shumë policë ndërkombëtarë, por unë nuk i kam njohur. Kishte me qenë mirë nëse bëhet diqka.

“Bota sot”: Vitin e kaluar është krijuar edhe një film për ju dhe jetën tuaj. Çfarë domethënie ka ky film për ju?

Ferdonije Qerkezi: Ai film ka një domëthënie shumë të madhe për mua, sepse sado pak është informuar bota se çfarë kanë bërë serbët këtu. Ne vizita kemi pasur prej kur ka përfunduar lufta, por ne në fillim nuk kemi ditë me rujt librin se kush ka hyrë e ka dalë këtu. Kanë ardhur doktorat më të mëdhenj të botës, për me na kontrollu si jemi. Nuset i kam pas ende këtu, por nuk kemi ditë me i rujtë të gjitha shënimet. Kemi pas gazetarë, dhe të gjitha mediat e kanë bërë të madhe këtë ngjarje. Atë ditë që është shpallë pavarësia, ka pasur visitor nga të gjitha anët dhe është bërë ngjarje e e madhe për gjithë Kosovën.

“Bota sot”: Si fillon një ditë e juaja e zakonshme dhe si mbaron ajo?

Ferdonije Qerkezi: Unë si të zgjohem e pi kafen, e bëj insulinën, mëngjesin dhe nganjëherë më lajmëron dikush që do të vijë dhe e pres, por më tepër merrem me punë të shtëpisë, e mirëmbajë shtëpinë.

“Bota sot”: Shtëpia juaj tash e sa kohë është bërë muze, a ka interesim të qytetarëve për t`ju vizituar?

Ferdonije Qerkezi: Prej vitit 2016 ka më tepër vizita, sepse në këtë vit është shpallur tamam zyrtarisht si muze. Pllaka ka qenë qe na viti 2005, ndërsa si muze ka filluar para një viti.

“Bota sot”: A ju lehtësojnë dhimbjen sadopak këto vizita?

Ferdonije Qerkezi: Po ma e lehtë është për mua, sepse po e di që njerëzit po interesohen më tepër për mua, për ngjarjen se çfarë ka ndodhur. Është shumë më e lehtë për mua, por edhe pak e vështirë sepse po më duhet me i përsërit vazhdimisht këto kujtime.

“Bota sot”: Po ju, si ndiheni kur shikoni gjithë këto kujtime?

Ferdonije Qerkezi: Më e lehtë është për mua ta mbajë shtëpinë me gjithë këto kujtime, sepse kur e kom marr më pastru dhe lyer shtëpinë, i kam heq të gjitha dhe më dukej shtëpia e thatë, menxi pritsha me përfundu shtëpinë dhe me i vendos fotografitë nëpër vende të veta, sepse më duket shtëpia më e mbushur.

“Bota sot”: A është Kosova e sotme ajo për të cilën u flijuan më të dashurit tuaj?

Ferdonije Qerkezi: Jo aspak nuk është kjo Kosovë, pa punë, pa asgjë në këtë vend. Bashkëshorti im dhe djemtë kanë qenë shumë punëtorë. Kur po i shoh të rinjtë pa punë, si kamarierë, edhe pse edhe atë punë duhet ta bëjë dikush por jo kështu siç është sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat