A po përgatitet Vetëvendosje për rrëzimin e Haradinajt, ja çfarë thotë deputeti i saj

Intervista

A po përgatitet Vetëvendosje për rrëzimin e Haradinajt, ja çfarë thotë deputeti i saj

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 20 tetor 2017 Në ora: 18:05
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj

Lëvizja Vetëvendosje  është e gatshme të qeverisë me shumicën e komunave pas 22 tetorit. Kështu ka deklaruar për një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Arbër Rexhaj. Në këtë intervistë, deputeti Rexhaj ka folur edhe për qëndrimin e Vetëvendosje karshi demarkacionit, bisedimeve me Serbinë, si dhe bashkëpunimin e mundshëm me LDK-në, në opozitë.

“Bota sot”: A është e gatshme Vetëvendosja për zgjedhjet lokale?

Arbër Rexhaj: Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të qeverisë në shumicën e komunave të Kosovës. Kjo për shkak se Lëvizja jonë, tanimë është Lëvizje popullore e përkrahur nga qytetarët e Kosovës, subjekti i parë politik në nivel vendi, dhe në shumicën e komunave në Kosovë.

“Bota sot”: Sa mendoni se do të jetë i ngjashëm rezultati i zgjedhjeve qendrore me ato lokale?

Arbër Rexhaj: Lëvizja Vetëvendosje  ! ka përzgjedhur kandidatët për kryetar komunash të cilët janë më të mirët, më të aftët për të qeverisur me komunat e Kosovës, ne kemi përzgjedhur kandidatët për asamble gjithandej Kosovës, të cilët do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve në mënyrë të denjë. Në këto zgjedhje lokale do të konfirmohet mbështetja popullore për Vetëvendosjen.

“Bota sot”: A e sheh VV-ja veten si fituese të zgjedhjeve lokale?

Arbër Rexhaj: Lëvizja Vetëvendosje  ! do të fitoj në shumicën e komunave të Kosovës, për këtë jemi të bindur. Koherenca dhe konsistenca jonë politike e dëshmuar ndër vite ka krijuar besim tek qytetarët, prandaj ky besim është shprehur dhe do të shprehet edhe në këto zgjedhje.

“Bota sot”: Sipas juve a duhet të kërkohet dorëheqja e Presidentit Thaçi pasi mori pjesë në fushatë zgjedhore në përkrahje të ish partiakut të tij?

Arbër Rexhaj: Presidenti Thaçi, edhe prej mënyrës së zgjedhjes së tij nuk është faktor uniteti, çfarë do të duhej të ishte si president, prandaj nuk është e papritur animi i tij partiak. Sigurisht që ai duhet të jep llogari për pjesëmarrjen e tij në fushatë përkrah partisë ku edhe i takon.

“Bota sot”: Sipas juve, kush po e pengon funksionimin e Kuvendit?

Arbër Rexhaj: Vullneti popullor për ndryshime rrënjësor u shpërfaq në zgjedhjet parlamentare që kaluan, qytetarët vendosën për ndryshim por partitë e krimit dhe të korrupsionit u bënë bashkë duke uzurpuar pushtetin. Prandaj bashkë, me sekserë të natës bënë teknikisht numrat për krijimin e qeverisë të cilën po e mirëmban Lista Serbe. Mungesa  e një deputeti të PANA-s e pamundëson agjendën e qeverisë Haradinaj. Funksionimi i Kuvendit me këtë koalicion të gjerë, por të kufizuar në përkrahje qytetare, detyrimisht e pengon funksionimin e Kuvendit. Prandaj kjo qeveri dhe ky kuvend ka afat!

“Bota sot”: Çfarë mendon VV-ja për çështjen e demarkacionit?

Arbër Rexhaj: Kryetari Ymeri dhe grupi ynë parlamentar është shprehur me kohë për këtë çështje. Ne i kemi bërë publikë hapat që duheshin ndërmarrë për këtë çështje.

Komisioni shtetëror për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, që tashmë është shkarkuar, e ka tejkaluar mandatin e tij duke ndryshuar kufirin e Kosovës në vend se ta shënjojë (demarkojë) atë ekzistues. Kjo vijë e re demarkimi përbën kufi të ri, e si i tillë ky veprim përbën cenim të integritetit territorial të vendit duke e dëmtuar Kosovën për 8200 hektarë. Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi është e papranueshme, pasi që ajo është e pasaktë dhe e padrejtë.

Ne jemi për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi, por jo për ndryshimin e vijës kufitare. Ndaj kemi propozuar prej një viti tashmë disa hapa konkrete, nga do të mund të ecej për zgjidhje të drejtë.

1. Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi duhet të shqyrtohet në themel në mënyrë që ajo të jetë në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare publike dhe me parimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe parimin e marrëdhënieve së fqinjësisë së mirë të bazuar në respektimin reciprok të kufijve ndërkombëtar mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

 2. Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta themelojë një komision gjithë-partiak e mbipartiak i cili do t’i trajtojë modalitetet juridike të një rishikimi të tillë, si dhe t’i udhëzojë institucionet kompetente për dialog me palën malazeze për ta arritur këtë qëllim, si dhe një Komision hetimor për Marrëveshjen e 26 gushtit 2015 në Vjenë (e firmosur nga Hashim Thaci si ministër i Punëve të Jashtme)

 3. Kryeministri i Republikës së Kosovës, përmes një letre zyrtare, të kërkojë nga homologu i tij malazias që të rinegociohet shenjimi i kufirit me Malin e Zi në dritën e fakteve dhe të dhënave të reja. Njëkohësisht të shpreh zotimin institucional e politik të Republikës së Kosovës për marrëdhënie të mira mes dy vendeve dhe për shenjim të saktë e të drejtë të vijës kufitare e cila e mbron interesin e të dyja palëve, duke e respektuar integritetin territorial të të dyja vendeve.

 4. Kryeministri i Republikës së Kosovës përmes një letre zyrtare të zotohet para institucioneve të Bashkimit Evropian për një zgjidhje të drejtë të shenjimit të kufirit me Malin e Zi, dhe të kërkojë që kjo çështje të mos jetë pengesë për Republikën e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, dhe në procesin e integrimeve evropiane në përgjithësi.

 5. Një konferencë shkencore ndërkombëtare në Prishtinë mbi çështjet e demarkacionit të kufirit ku ftojmë profesionistë e ekspertë të vendit e të huaj me përvojë nga kontestet si ai te Gjiri i Piranit midis Sllovenisë e Kroacisë, te Prevllaka midis Kroacisë dhe Malit të Zi, ujërat detare të Jonit midis Shqipërisë e Greqisë etj.

 Çështja e kufirit ka nevojë për debat të hapur demokratik dhe karakter të theksuar shkencor.

“Bota sot”: Disa herë u tha që Presidenti Thaçi ka privatizuar bisedimet me Serbinë. Cili është mendimi juaj?

Arbër Rexhaj: Bisedimit me Serbinë i kanë sjellë Kosovës tepër shumë dëme. Bisedimet prej fillimit kanë qenë të padrejtë e të padobishme. Ato si proces i kanë shërbyer vetëm shtyrjes së afatit të skadimit politik  të Hashim Thaçit. Nuk di tjetër çka ka sjellë Hashim Thaçi prej 2010 deri më tash përpos prezencës së tij sa herë është thirrur përpara Daçiqit më herët e tash përpara Vuçiqit. Çdo marrëveshje ka sjellë problem të reja dhe i ka thelluar ato të vjetrat. Ndaj problemi nuk mbetet te “privatizimi” i këtyre bisedimeve, por te padrejtësia e madhe e tyre. Privatizimi është vetëm tregues se kujt i shërbejnë ato përpos Serbisë.

Bota sot”: Si do ta luftonte VV-ja krimin dhe korrupsionin?

Arbër Rexhaj: Ne, me qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë, kemi treguar modelin tonë të qeverisjes komunale, të gjitha gjitha dosjet të cilat kanë pasur të bëjnë me krim dhe korrupsion i kemi dërguar në prokurori. Njëjtë do të bëjmë në të gjitha komunat e Kosovës, posa të konfirmohet fitorja jonë. Dekriminalizimi dhe veprimet tona kundër korrupsionit, sipas koherencës, do të ndodhin prej niveleve komunale, dhe me fitoren tonë në nivel vendi ne do të sponzorizojmë ligjin anti-mafia në Kuvendin e Kosovës, për të dytën herë meqë tashmë i kemi dhe votat për ta çuar përpara,  me ç’rast ata të cilët kanë përfituar jashtëligjshëm do t’i konfiskohet pasuria.

“Bota sot”: Kryeministri po premton liberalizim vizash brenda disa muajsh. A mendoni se brenda kësaj kohe qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë a po është mashtrim tjetër i qeverisë?

Arbër Rexhaj: Këtë që po e bën Ramush Haradinaj, e patë bërë edhe Hashim Thaçi, dhe Isa Mustafa. Kushti i parë dhe themelor, për liberalizim vizash, është veprimi konkret kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që në të vërtetë, këto qeveri nuk kanë bërë asgjë, por kanë qeverisur me këto dy mjete.

“Bota sot”: A do të jeni të koordinuar me LDK-në sa i përket qëndrimeve si opozitë karshi qeverisë? Në cilat pika pritet që të keni mendime të përbashkëta?

Arbër Rexhaj: Deri më tani në disa çështje ka pasur koordinim. Sigurisht që Lëvizja Vetëvendosje! si grupi më i madh parlamentar, njëkohësisht si grupi i parë opozitar, do të bëjë përpjekje për ta unifikuar boshtin opozitar në të mirë të çështjeve të Kosovës.

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për moszbatimin e marrëveshjes për drejtësinë që rrjedhë prej dialogut në Bruksel?

Arbër Rexhaj: Ajo ka qenë një marrëveshje ekstremisht e padrejtë. Ne e kemi kundërshtuar ashpër. Ajo marrëveshje ndjell segregacionin. Në atë marrëveshje nuk ka nevojë të jesh i zoti, i ndershëm e gjykatës me integritet por mjafton të kesh etninë e duhur për ta marrë vendin e punës.

Po ashtu këto raste e tregojnë më së mirë se Serbia nuk ka për t’u mjaftuar kurrë më çfarë mbërrin në kësi lloj negociatash. Ajo do më shumë, më shumë. Ndaj ne duhet të rezistojmë më shumë e më shumë.

Por për këtë duhen të tjerë njerëz e tjetër program qeveritar.

“Bota sot”: A keni plan për organizimin e ndonjë mocioni kundër qeverisë Haradinaj?

Arbër Rexhaj: Çdo përgjigje do të vi në kohën e duhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat