Lutfi Haziri zbulon planet e LDK-së për ushtrinë, Demarkacionin dhe rrëzimin e Qeverisë - Bota Sot
Lutfi Haziri zbulon planet e LDK-së për ushtrinë, Demarkacionin dhe rrëzimin e Qeverisë

Intervista

E hënë, 18 dhjetor 2017

Lutfi Haziri zbulon planet e LDK-së për ushtrinë, Demarkacionin dhe rrëzimin e Qeverisë

Nga: Naile Ejupi Më: 5 nëntor 2017 Në ora: 11:58
Gazetarja e gazetës “Bota sot”, Naile Ejupi, gjatë intervistës me nënkryetarin e LDK-së Lutfi Haziri. Në sfond shihet foto e Presidentit Rugova në zyrat e selisë së LDK-së. Foto: Bota sot

Kandidati për kryetar të Gjilanit nga radhët e LDK-së dhe nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, ka treguar pritshmëritë e tij për balotazhin e 19 nëntorit dhe komunat të cilat do t'i fitojnë në balotazh. Haziri në një intervistë për “Bota sot” ka thënë se LDK-ja është kthyer si partia e parë në Kosovë pas 10 viteve  në zgjedhjet lokale dhe kjo i bënë ata të bëhen gati për zgjedhje të reja parlamentare.

“Bota sot”: Keni një përqindje shumë më të lartë se kundërkandidati juaj në balotazh, pritni përqindje më të lartë më 19 nëntor?

Lutfi Haziri: Besoj që do të rritet definitivisht. Gjilani ka folur fortë dhe  shumë qartë në raundin e parë se e ka estagluar  nacional-demokracinë që e kemi instaluar në  28 vitet  e fundit si pasardhës të nacional- demokratëve në Anamoravë. Është rikthyer bastioni i LDK-së, pas asaj plasaritje edhe varre që e ka shkaktuar në 2006 pa fajin e anëtarësisë. Rezultati , rritja e LDK-së  dhe rritja e imja si kandidat në Gjilan konfirmon qartë se në Anamoravë dhe në Gjilan LDK-ja është rikthyer si bastion dhe shpresoj shumë se do të rritet në mënyrë jashtëzakonisht të madhe edhe në raundin e dytë mbështetja për mua si kandidat.

Bota sot: Idenë për largimin e balotazhit e keni konsideruar domosdoshmëri, a ka “frikë” Haziri se partitë tjera mund të bashkohen për të fituar VV-ja?

Lutfi Haziri: Në asnjë mënyrë. Në Gjilan unë kam koalicion me qytetarët, përtej LDK-së vetëm me qytetarët, nuk favorizoj koalicion as në 2013 me funksionarë partiakë dhe definitivisht besoj shumë se qytetarët kanë reaguar qartë edhe kësaj here, edhe ata që kanë pasur votën pro kandidatëve tjerë besimin  do ta rikthejnë te LDK-ja. Largimi i balotazhit është vetëm largimi i mundësisë së  ndërtimit të koalicioneve jo parimor, për të rrëzuar legjimitet qytetarë. Çdo ku në raundin e parë qytetarët flasin qartë  dhe me diferencë të caktuar i takon të pranohet ai legjitimitet. Koalicionet pas zgjedhore zakonisht janë jo parimore, nuk janë programore, nuk janë ideologjike, bëhen për interesa të caktuar, për ndarje të pushtetit, ndarja e pushtetit është jashtëzakonisht e egër në rrethana ku  njerëzit që me çdo kusht dëshirojnë të bëhen kryetarë të Komunës dhe shkakton atë që unë e quaj gjithmonë përfaqësim jo legjitim në mandat. Ligji për zgjedhje lokale duhet të riformohet, lista për kandidatë kandidatura  ose duhet të zgjerohet me më shumë se një kandidat ose duhet të përmbyllet, sepse një votë për kandidatin po shkakton një lloj lufte të madhe  ose brenda llojit jo vetëm brenda partive politike, ose vetë familjes politike.

Bota sot: Keni menduar për ndonjë koalicion para balotazhit, apo përsëri do të garoni i vetëm?

Lutfi Haziri: I vetëm, LDK-ja do të garojë vetëm me qytetarë,  si lidhje. Natyrisht jemi partia e parë e konfirmuar me rritje, besoj shumë se stabilitetin komunal në periudhën  pas zgjedhore do ta ndërtojmë me koncenzus, do t’i japim të gjithave partive politike koncenzus për interes të qytetarëve të Gjilanit, politika vendim marrëse për interes të zhvillimit të qytetit pa vendosur një lloj formule qeverisëse në kuvend komunal. Sa i përket kryetarit të Komunës në asnjë formë nuk jam i gatshëm dhe nuk pranoj të hyjë me partitë tjera.

“Bota sot”:Përveç ofertave apo planeve të cilat i keni bërë publike tashmë gjatë fushatës, çfarë ka shtuar LDK-ja që ta marrë votën e qytetarëve të cilët kanë qenë në dilemë për të të votuar në balotazh?

Lutfi Haziri: Mendoj se kanë qenë të mjaftueshme një muaj fushatë për të biseduar me qytetarët, kam takuar shumë qytetarë, shumë grupe, gjinish të ndryshme, përfaqësim të interesave, të rinisë, ekonomisë e bizneseve të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe zyrtarisht për 5 ditë fushatë do të komunikoj prapë me qytetarët e Gjilanit, në mënyrë që të vazhdoj të shpjegoj pakon programore që  në Gjilan e kam quajtur “Pako për familje”. Në këtë pako hyjnë prioritetet kryesore: arsimi dhe shëndetësia si dy shtylla kryesore, zhvillimi lokal, ekonomik dhe infrastruktura, po ashtu,  si prioritete të larta,  në mënyrë që Gjilani të fillojë të rindërtohet në kuptimin infrastrukturor dhe në kuptimin ekonomik. Ne gjeografikisht jemi zonë ndërkufitare dhe zhvillimi i trekëndëshit të bashkëpunimit Gjilan- Kumanovë- Preshevë, ku janë 17 komuna që e kemi realizuar një lloj aktiviteti të përbashkët dhe njihemi si Mikro-regjioni  evropian në Ballkanin perëndimor, pa dallim partie, etnie dhe shteti, sepse përveç Kosovës është edhe Serbia, Maqedonia  dhe tani ka tendencë edhe Bullgaria të përfshihet  në këtë bashkëpunim, në rrafshin komunal. Ne me ndërtimin e autostradës dhe ndërtimin e rrugëve, hyrjeve dhe daljeve e qytetit, tretmanin e ujërave të zeza dhe me investimet që i kemi mobilizuar financiarisht besoj që në katër vitet e ardhshme Gjilani do të ndryshojë jashtëzakonisht shumë dhe Gjilani do të zhvillohet jo vetëm si qendër politike, administrative, kulturore, universitare. Gjilani do të jetë qendra më e madhe ekonomike pas Prishtinës, ku zona  e lirë ekonomike në parametrat e standarëve të BE-së, do të jetë ambienti më i favorshëm ekonomik.

Bota sot: A do të mjaftonte vetëm edhe një mandat tjetër për t’i realizuar të gjitha këto që thoni, apo do të kërkonit edhe një mandat të tretë?

Lutfi Haziri: Definitivsht për katër vitet e ardhshme, Gjilani do t’i realizojë pjesë më të madhe të projekteve në këtë pako. Unë e kam filluar në 2013, kam pasur vështirësi serioze në kuptim buxhetor, për shkak të obligimeve të borxheve dhe obligimeve të komunës që ka pasur karshi operatorëve dhe karshi shpenzimeve të mëdha. Kam vendosur një dietë buxhetore, një shtrengesë të madhe në shpenzime, duke i favorizuar investimet, duke krijuar një kulturë të ekonomisë sociale në Gjilan, një solidaritet qytetar, për të trajtuar problemet sociale dhe kartelat sociale, banimet sociale, bursat për studentët, fondin e ekselencës për studentët, fondi  olimpik  që janë kategori kryesisht të reja, në mënyrë që buxheti të shkojë në investime në njerëz dhe në projekte të mëdha dhe në programe, e jo në shpenzime dhe norma që e ka instaluar më herët PDK-ja.

Bota sot: Në 10 komuna do të jeni në balotazhi, në cila komuna synoni fitore të bindshëm?

Lutfi Haziri: Besoj se në të gjitha komuna LDK-ja ka mundësi të fitojë, dhe ne punojmë ta kapitalizojmë këtë sukses. Në shumë komuna kemi  përfaqësi  si partia e parë që prijmë dukshëm, edhe në ato tjera jemi me një afërsi të caktuar, siç është rasti i Kamenicës, apo Dragashit. Ne do të punojmë në këtë grup të dytë t’i maksimalizojmë fitoret, se grupin e parë i kemi fituar pa balotazh dhe në grupin e tretë ku LDK-ja ka ndikim për zgjedhjen e kryetarit, në mënyrë që të mbështeten kandidaturat aty ku vlerësohet se është interesi më i madh i qytetarëve dhe ku LDK-ja mund të jetë pjesëmarrëse në qeverisjen  e ardhshme. Praktikisht në të tri grupet e komunave që janë të kategorizuar, kryesia e LDK-së dhe të gjithë ne po punojmë të konfirmohet rezultati i 22 tetorit, të rritet suksesi dhe rritet rezultati i komunave. Kështu LDK-ja, pas 10 viteve po rikthehet si parti e parë politike në Kosovë. Kanë qenë 10 vite të rënda, ku prej 17 nëntorit të 2007  LDK-ja  ka humbur primatin e partisë së parë deri në 19 nëntor  të këtij viti, janë 10 vite jashtëzakonisht të vështira politike, jashtëzakonisht interesante, por të vështira. Mirëpo, rikthimi i saj në këtë vjeshtë, është gatitshmëria për zgjedhjet parlamentare. Ka ndryshuar konfigurimi politik në Kosovë, LDK-ja është partia e parë sepse do të sillet përgjegjshëm karshi rezultatit në pushtet lokal.

“Bota sot”: Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritje në këto zgjedhje lokale, cila mund të jetë arsyeja e kësaj rritje dhe a kanë qenë pritshmëritë e juaja për këtë rezultat?

Lutfi Haziri: Mendoj se zgjedhjet parlamentare të qershorit kanë qenë një lloj brisku i berberit për LDK-në dhe partitë tjera politike, partitë historike në Kosovë, parti që historikisht kanë dhënë kontribut. Kanë qenë një tregues i qartë se ne duhet t’i rikthehemi evaluimit dhe vlerësimit me njerëz tonë, me strukturën tonë. Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr të PDK-së, partneriteti me PDK-në, rezultatet e qeverisë që janë arritur si tregues dhe vullneti qytetar kanë qenë pikat që i kemi hulumtuar pas qershorit dhe deri në gusht, le të themi dialogu i brendshëm me struktura, me njerëz, me autoritete dhe e kemi parë që qytetarët tonë nuk e kanë mirëpritur një partneritet të tillë, ka qenë jashtë vullnetit të tyre politik për qytetarë, përkundër që kanë duartrokitur rezultatet e qeverisë dhe suksesit të saj, ata dëshirojnë një LDK si parti e parë, një LDK që zgjedhë partner e jo të jetë e zgjedhur, e dëshirojnë një qeveri që është me duart e pastërta, me dosje të pastërta, pa krim, pa korrupsion, jo brenda familjes sonë,  por edhe me partner, jo me parti që kanë qenë me problem me sundim të ligjit.

“Bota sot”: Ditë më parë Presidenti serb Aleksandër Vuçiq është shprehur se Lista serbe mund të largohet nga Qeveria dhe në krye të qeverisë do të bëhet LDK-ja me Vjosa Osmanin apo ju, a synoni postin e kryetarit të LDK-së dhe a do t’i bashkangjitet LDK-ja kësaj qeverisje?

Lutfi Haziri: Në fakt deklarata e Kryeministrit serb ka pasur të bëjë me përfaqësimin e LDK-së në qeveri, për një qeveri të ardhshme,  e jo për një qeveri që është pjesë e PAN-it. Për një qeverisje e cila mund të ndërtohet pas largimit të Listës serbe, sepse largimi i Listës serbe, apo largimi i një partie shqiptare shkakton zgjedhjet e jashtëzakonshme, sepse i kanë 61 vota dhe janë të pamjaftueshëm të qeverisin. Në këtë rrafsh, është vlerësim politik me tendencë  të ndërhyrjes apo futjes së hundës së tyre të gjatë në problemet e Kosovës, që ne si LDK dëshirojmë me çdo situatë ta mbajmë larg, të distancuar rolin dhe ndikimin e Serbisë në Kosovë. Ata nuk kanë arsye të ndërhyjnë në politikën e Kosovës, kemi pasur ndërhyrje në politikë të formimin e qeverisë së PAN-it dhe kur kemi ndërhyrje të miqve ne i mirë besojmë për qëllim të mirë, por kur kemi ndërhyrje politike me tendenca të shkaktojë formula të reja politike në Kosovë, mendoj se Kosova është mjaftueshëm e pjekur t’i zgjidhë problemet vetë. Ne jemi të fokusuar në zgjedhjet lokale, dhe pas zgjedhjeve LDK-ja do të bëjë vlerësime serioze se sa ka nevojë ky vend të ketë një qeverisje të pakicës politike që varet totalisht nga Lista serbe, por edhe nga grupet e vogla politike, sepse nuk është vetëm Lista serbe që e kushtëzon qeverinë e PAN-it, por edhe parti me dy deputetë me tri deputetë që e mbajnë të ngulfatur çdo ditë mbi bazë ditore qeverinë.  Është jashtëzakonisht e vështirë të ketë stabilitet politika të qëndrueshëm e afat gjate një qeveri që çdo ditë shikon a janë mirë me shëndet, kush është me grip e kush e ka gruan e sëmur, e kush duhet të udhëtojë, është një tip i qeverisjes që 61 deputetë i trajtojnë si të jenë nxënës të shkollës fillore, që çdo ditë duhet të jenë në bankë të kuvendit dhe asnjë ditë nuk duhet të mungojnë, duhet të jenë në secilën rrethanë në mënyrë që të reflektojnë qëndrueshmëri.

“Bota sot”: Pas zgjedhjeve keni thënë se do ta shqyrtoni mocionin për rrëzimin e qeverisë, a do t’i siguroni nënshkrimet e nevojshme dhe a ka gjasa të ndodhë këtij viti?

Lutfi Haziri: Sa herë t’i dëgjojmë politikisht deklaratat e deputetëve të PAN-it se LDK-ja mund t’i bashkëngjitet qeverisë së tyre, ne ju themi se do ta fillojmë mocionin e mos besimit. Ne nuk do të mund t’i bashkëngjitmi kësaj qeverie, ne dallojmë nga kjo qeveri. Ne kemi pasur koalicionin tonë në qershor dhe natyrisht tani jemi në funksionin tonë si opozitë. Në momentin që LDK-ja ka marrë iniciativa politike më herët  i ka realizuar 100%, edhe në rastin e Presidentit Pacolli, edhe në rastin e qeverive tjera LDK-ja ka qenë në misionin deri në fund, kështu që ne jemi serioz karshi kërkesave, eventualisht karshi mocionit të mos besimit. Në momentin që deputetët dhe grupi ynë i deputetëve vlerëson dhe harmonizon qëndrimin me kryesinë e LDK-së, atëherë jemi në aksion dhe i realizojmë 100%.

“Bota sot”: Gjatë votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë Mustafa, kanë pasur vota edhe të koalicionit tuaj, pra PDK-së, tani në rast të një mocioni të mundshëm do të tentoni t’i keni votat e pozitës?

Lutfi Haziri: Me PDK-në janë rrënuar bashkëpunimet, jo për shkak të LDK-së, por për shkak të PDK-së. Kryetari i dytë i PDK-së, ka vendosur që të filtrojë fillimisht, domethënë të bashkëngjitet partive tjera kundër LDK-së, i kanë bashkuar votat e minoritetëve, duke përfshirë edhe Listën serbe edhe partitë tjera dhe kanë vepruar karshi një qeverie që në atë kohë e kanë drejtuar bashkërisht, karshi një marrëveshje që në atë kohë e kemi pasur formalisht, e kanë trajtuar atë marrëveshje si dokument i pavlerë. Në politikë kur rrënohet ura, pa u ndërtuar ajo e re, atëherë le ta mendojnë mirë se si do t’i kalojnë fazat e procesit proceset, por me ne jo. Definitivisht e kanë lajmëruar pusin, ku kanë pirë ujë vetë, LDK-ja ka investuar shumë në këtë partneritet, LDK-ja e ka paguar çmimin e partneritetit me PDK-në prej vitit  2002,  sepse ne historikisht kemi qenë  prej vitit 2002-2003 kemi pasur qeverinë e përbashkët, është vazhduar gjatë periudhës së pavarësisë së Kosovës me Presidentit Fatmir Sejdiu, u konfirmua partneriteti edhe njëherë në 2014 me z. Isa Mustafa me PDK-në dhe ky udhëtim është mjaftueshëm të tregohet qartë që partneriteti me PDK-në nuk funksionon, sepse janë rrënuar ujërat e bashkëpunimit.

“Bota sot”: Ka pasur raportime që në disa komuna komunale (Kamenicë) jeni duke bashkëpunuar me PDK-në për balotazhin e 19 nëntorit, a domethënë kjo që në nivel lokal vlen bashkëpunimi me PDK-në?

Lutfi Haziri: Definitivisht as në nivel lokal. Edhe Kamenica dje është deklaruar, kryetari  Shaip Surdulli ka deklaruar se nuk ka asnjë lloj partneriteti me PDK-në, edhe Haxhi Avdyli  në Prizren ka treguar që nuk ka ofruar mbështetje as të PDK-së, as partisë tjetër. Ne jemi të supordinuar prej kryetarit të partisë, kryesisë e deri tek kryetarët e degëve që PDK-ja në këtë fazë të angazhimit, aty ku ka nevojë me mbështetë është mundësia jashtë LDK-së të bashkëpunoj. Ne në Ferizaj jemi  në partneritet të drejtpërdrejtë me PDK-në, e ky partneritet në kuptimin e luftës së drejtpërdrejtë sa i përket marrjes së kryetarit për një mandat, apo edhe në komunat tjera, sikur që jemi me Vetëvendosjen në Prishtinë e Kamenicë, kështu që ky ambient politik i krijuar nuk na lejon në asnjë mënyrë të kemi sjellje pos t’i nënshtrohemi qëndrimeve politike të LDK-së dhe t’i përmbahemi vullnetit të anëtarësisë së LDK-së. Vullneti i anëtarësisë së LDK-së dhe qytetarëve të Kosovës edhe në nivel lokal, LDK-ja nuk mund të ketë partneritet me PDK-në në këtë komunë.

“Bota sot”: Për dy vjet, Kosova nuk arriti të përmbyllë shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave.  Si mendoni se do ta zgjidhë qeveria këtë?

Lutfi Haziri: Ligji për demarkacion duhet të sillet në kuvend, është vonuar, në këtë bazë  të këtij ligji është ndërtuar një kauzë e rrejshme e cila ka çuar në mocion mos besimi dhe rrëzim të qeverisë. Ne presim që Qeveria Haradinaj ta sjellë në kuvend ligjin dhe ta shikojmë ligjin nga afër, a është ligj i njëjtë, apo ka ndryshime në ligj. Ne besojmë që ky ligj duhet të sillet në kuvend, të mos bëhet peng liberalizimi i vizave dhe definitivisht ta zëmë trenin e fundit për këtë proces, ta kemi datën për  liberalizim të vizave. Le ta përballojnë inatin ose egon e tyre dhe le ta sjellin ligjin më shpejt, LDK-ja do të sillet konform interesit kombëtar dhe konform interesit të Republikës tonë, në përputhje me vullnetin e qytetarëve. Por, duhet të na bindin që ligji është në përputhje me kërkesat edhe të faktorit  ndërkombëtar, sepse edhe ligji për demarkimin e kufirit edhe ligjin për ushtrinë e Kosovës , për forcat e armatosura edhe ligjet tjera sistemore, që të ndihmojnë rritjen, zhvillimin e integritetit të Kosovës janë ligje edhe në interes që qytetarëve të Kosovës.

“Bota sot”: Domethënë në rast të dërgimit të këtij verisoni, ju do ta votoni demarkacionin?

Lutfi Haziri: Ne presim ligjin, nuk paragjykojmë në asnjë rast. Për ta marrë besimin tonë, votën tonë, qeveria e ka shumë vështirë, por ne besojmë që ligji duhet të sillet, të shihet çfarë ka ndryshim, nëse ka ndryshim të arsyetohet, nëse nuk ka ndryshim prapë të arsyetohet, se pse u dashtë që Kosova të ballafaqohet me koktej molotovi dhe me gaz lotsjellës për një ligj i cili del që është i njëjtë dhe ka qenë pa gabime në kuptimin e përshkrimit të vijës kufitare me malazeztë.

“Bota sot”: A ka qenë ky qëndrim i demarkacionit çdo herë, mirëpo vetëm është shfrytëzuar që të merret pushteti?

Lutfi Haziri: Unë mendoj që qeveria është sulmuar padrejtësisht në kuadër të dy çështjeve që ka ndërtuar kauzë nga opozita në atë kohë. Edhe demarkacioni, edhe statuti i komunave me shumicë serbe,  kanë qenë kauza për të atakuar dhe mos lejuar qeverisjen e LDK-së në sukses të parashikuar.

“Bota sot”: Nëse qeveria aktuale do t’i kërkonte ndihmë LDK-së për formimin e Ushtrisë, si do të veproni?

Lutfi Haziri: Pa koordinim me NATO-n dhe me qeverinë e SHBA-ve është e paimagjinuar që një ligj i tillë mund të vjen në kuvend. Kështu që ne kërkojmë siguri dhe kërkojmë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë, në këtë rast NATO dhe SHBA-ja, ato që mund ta sigurojnë partneritetin e Kosovës në NATO dhe në struktura integruese. Ligji është vetëm drejt këtyre, ligji i Forcave të Armatosura, është i gatshëm, ka qenë i gatshëm me kohë, por do të procedohet me procedurë të votimit në koordinim me faktorin ndërkombëtar.

“Bota sot”: Kohëve të fundit ka pasur deklarata në kuvend për veprimtarinë e SHIK-ut, a  jeni në pajtim për formimin e një komisioni hetimor ndaj SHIK-ut dhe vrasjeve të pas luftës?

Lutfi Haziri: Ka pasur iniciativa edhe më herët sa i përket tendencave që të hetohet përmes komisioneve. Në Ballkan nuk hetohen rastet e tilla, ose të kaluarat e organizatave të tilla përmes komisioneve parlamentare,  sepse është natyra politike, politizohet me gjithçka. Gjithçka që mund të lidhet me të kaluarën e kësaj organizate duhet të lidhet me tribunalin e Hagës, dhe me tribunalin e Gjykatës Speciale, nëse ka të dhëna, nëse ka shënime, evidenca, fakte e akte, atëherë është në mandatin e Gjykatës speciale të merret me çdo lloj dhune, me çdo lloj vrasje, zbardhje vrasje dhe abuzimeve tjera. Praktikisht nuk duhet të shpresohet që ka rrugë tjetër përpos drejtësisë. Dje ka qenë 2 nëntori dhe në botën perëndimore kjo është ditë e lutjes për të vdekurit, ku edhe shtëpia e zotit edhe familjet edhe të gjithë njerëzit e besimit për t’u lutur. Me 2 nëntor është përvjetori i Haki Ymerit, një profesori e aktivisti të LDK-së, një veprimtari i madh dhe i shpallur hero me të vërtetë. Vrasja e tij nuk është zbardhur që ka ndodhur pas luftës, ka qenë koha kur ka qenë duke shkuar në shkollë, në kohë kur ka qenë duke vazhduar misionin në lirinë e Kosovës, dikush ka bërë vetëgjyqësi dhe ata që kanë bërë vetëgjyqësi duhet të gjykohen. Koha po vjen të zbardhen vrasjet dhe dhuna politike.

“Bota sot”: Gjykata speciale ende nuk ka filluar me aktakuza të para dhe kësisoj shumë analistë e konsiderojnë tashmë të dështuar, ashtu sikur EULEX-in dhe UNMIK-u,  a do të arrijë ajo t’i zbardhë rastet e vrasjeve të pas luftës?

Lutfi Haziri: Ne kemi tri etapa të drejtësisë në Kosovë, ajo që ka qenë UNMIK-u dhe Tribunali ndërkombëtar për ish- Jugosllavisë që ka provuar të zbardhë rastet që nga pas luftës në Kosovë, e në rastet e Kosovës kanë dalë me ato rezultate që janë. Pastaj, gjykatat e EULEX-it me një mandat prapë evropian që të vendos drejtësi  karshi krimeve në Kosovë që nuk përfshinë vetëm etni,  ka të bëjë edhe me serbë dhe me rolin e tyre e të Serbisë si mankinë e gjenocidit në Kosovë, por edhe të atyre që kanë shkelur konventat e Gjenevës, konventat e luftës,  e që mund të jenë pjesëtarët tonë. Ne gjithmonë kemi besuar në pafajësinë e pjesëtarëve tonë, vazhdojmë të besojmë që kanë qenë luftëtarë të lirisë, por problemi i zbardhjes, i mbylljes së kaptinës së luftës dhe zbardhjes së të gjitha rasteve vrasjeve,  të abuzimeve gjatë periudhës së luftës e shkeljes së koventave  duhet të përballen me Gjykatën Speciale. Ajo është gjykatë e Kosovës, është formuar me legjislacion të Kosovës, i nënshtrohet kuvendit të Kosovës, selinë e ka në Hagë.  Selia është në një shtet të BE-së që ne pretendojmë të integrohemi e të jemi nesër dhe besojmë që do të kryjë misionin e vet.

“Bota sot”: Presidenti Thaçi ditëve të fundit ka lëshuar deklarata kritike kundrejt ndërkombëtarëve, a do të ndikojnë këto në raportet e Kosovës me BE-në, përse këto deklarata, a ka filluar të ketë “frikë” nga Gjykata speciale ai?

Lutfi Haziri: Unë e shoh në rrafsh tjetër. Presidenti i Republikës ka inicuar përmes disa letrave që Prokurori i shtetit të merret në mënyrë aktive me zbardhjen e vrasjeve në Kosovë, të merret në mënyrë më aktive më serioze me aktin më të lartë, prokuroria e shtetit, prokuroria speciale dhe prokurorët e Kosovës të merren më seriozisht pastaj ka vazhduar me kritika me faktorin ndërkombëtarë sa i përket liberalizimit të vizave, mandej funksionalizimin e gjykatës dhe në fund ka përfunduar me qortimin në thonjëza të qeverisë sa i përket ligjit të demarkacionit, një lloj ultimatumi që qeveria e Kosovës të procedojë, të mos e vonojë sepse ligji  nuk do të ndryshojë. Kështu që krejt kjo është në funksion të asaj  të ushtrimit të detyrës kushtetuese, shpresoj të mos përzihet në detyrën e partisë politike, në ndikime nëpër komuna në rezultate e në forma tjera që në raste të tilla na detyron edhe neve të merremi me Gjykatën kushtetuese.

Bota sot: Përse në listat e veteranëve nuk janë përfshirë ushtarët e FARK-ut?

Lutfi Haziri: Një numër i konsiderueshëm i tyre nuk është përfshirë, por ne kemi arritur ta zbusim  përfshirjen. Kjo padrejtësi karshi luftëtarëve të lirisë është një dënim i dyfishtë ndaj kësaj kategorie, sepse është fryrë lista shumë në zonë më veteranë të luftës që nëse i shikoni nga afër dalin se edhe fëmijët kanë luftuar, që kanë mundur t’i kenë 10,11 apo edhe 12 vjeçar dhe janë bërë veteranë të luftës. Janë atribuuar dhe i kanë dhënë statusin e veteranit të luftës njerëzve që nuk kanë jetuar fare në Kosovë, por besoj shumë që një zbatim i domosdoshëm duhet të ndodhë në lista,defintivisht nuk duhet të lejojmë që veteranë të luftës të jenë ata që nuk kanë qenë pjesë e organizimit, e as pjesëmarrës në luftë, e as pjesëmarrës në strukturat e UÇK-së qofshin ato të ndërtuara më herët në Ministrinë mbrojtjes apo nga vetë shtabi i përgjithshëm i UÇK-së. Duke i besuar edhe marrëveshjes së Oslos e cila ka ndihmuar në eliminim e dallimeve në luftë në shkrirjen e uniformave në një strukturë në një emblemë dhe në një komandantë dhe besoj shumë se ne këtë logjikë një marrëveshje tjetër e OSLO-s duhet të ndodhë në Kosovë kur komandantet e zonave të  ulen dhe të vendosin numrin e saktë të pjesëtareve të luftës çlirimtarë e që në Kosovë nuk kane qenë më shumë se 12 mijë persona të përfshirë në përgatitjen organizmin dhe kryengritjen që ka ndodhur karshi një agresioni të egër, sepse ne në atë kohë kemi qenë në okupim dhe ne nuk kemi bërë asgjë tjetër përveç që jemi mbrojtur. 60 mijë veteranë të luftës,  mendoj që është gjynah për buxhetin e Kosovës.

Bota sot: Ditë më parë, anëtari i Komisionit të verifikimit të veteranëve dhe ish- anëtari i grupit diplomatik të UÇK-së, Agush Buja, ka propozuar formimin e një Ministrie të Veteranëve, a do t’i zgjidhte problemet e veteranëve kjo ministri?

Lutfi Haziri: Në këtë vend tani ka mbet problem pa pasur një ministri. Por, komplet 70% e buxhetit shkon në shpenzim, sa lloj pensionesh Kosova jep, asnjë shtet pas luftës nuk ka dhënë. Edhe kroatët, edhe boshnjakët edhe serbët edhe tjerët kanë qenë në luftë në ish- Jugosllavi, edhe shtetet e mëdha kanë qenë në luftë, por në asnjë vend të pas luftës nuk ka pasur që buxheti të shkojë kaq normë në pagesat e pensioneve të ndryshme në vend. Mendoj që ka ardhur koha të vetë trajtohet në qeverisje, ministrit të reduktohen, të përgjysmohen dhe vetëm përmes kursime të qeverisë të ulet papunësia, të zgjidhen problemet sociale, të ndërtohen edhe shtëpitë për veteranët e luftës, infrastrukturës për ta, ata kanë nevojë për shtëpitë e tyre, hapësirë të tyre, pension më të lartë, fëmijë të tyre të kenë të ardhme, e sidomos invalidët e luftës të ndihmohen sepse ata së bashku me veteranët janë fryt i lirisë në Kosovë.

Bota sot: Kanë kaluar disa muaj që nga formimi i qeverisë aktuale, si e shihni punën e qeverisë deri më tani?

Lutfi Haziri: Sinqerisht nuk kemi pasur kohë, e as nuk e kemi parë punën e tyre. Unë besoj në 100 ditshin e parë, deri tani Kosova është marrë me zgjedhje, nuk kemi pasur kohë për vlerësime apo evaluime që në çfarë shkalle ka shkaktuar progres e në çfarë shkalle po shkakton efektet e veta. Nuk mendoj që ka shkaktuar diçka Kosova ende merret me demarkacion, me probleme sistemore që kanë mbetur nga qeverisja Mustafa të pa u zgjidhura e kjo për shkak të sistemit e jo për shkak të vullnetit politik. Mendoj është një qeveri që mbahet në paterica jashtëzakonisht të lëvizshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test