Abrashi: Programi im për Prishtinën

Intervista

Abrashi: Programi im për Prishtinën

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 15:23
Arban Abrashi

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arban Abrashi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se përvoja e tij menaxheriale dhe programi i tij për të ndryshuar kryeqytetin janë arsyet kryesore që qytetarët ta votojnë. "Prishtinës i duhet një menaxher më i mirë i cili kryen obligimet dhe detyrat e shërbimet karshi qytetarëve", thotë Abrashi duke premtuar ndërtimin e 7 shkollave dhe 6 mijë parkingjeve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Abrashi, me pak fjalë nëse mund ta përmblidhni, pse një qytetar i Prishtinës duhet t’u japë votën?

Arban Abrashi: Pikë së pari mendoj se ka të bëjë me vet përvojën time menaxheriale, do të thotë dy vite e gjysmë si ministër kemi menaxhuar projektet të cilat tejkalojnë shumën prej 1 miliard euro, gjithashtu kam pasur përvojë të mirë menaxheriale edhe në Ministrinë e Integrimeve e edhe më herët në pushtetin lokal si këshilltar, dhe kjo bën pak a shumë ajo çka i duhet edhe Prishtinës, një menaxher më i mirë, i cili kryen obligimet dhe detyrat e shërbimet karshi qytetarëve të Prishtinës. Kjo si pikë e para.

E dyta ka të bëjë edhe me programin. Besoj se e kemi një program shumë më të mirë, program i cili ka buruar nga vet kërkesat e qytetarëve. Diku rreth 250 takime që i kemi pasur me banorët në shumë lagje të Prishtinës, kemi pranuar një listë prej 321 projekteve të cilat janë kërkesa themelore dhe shpeshherë edhe bazike për banorët e atyre lagjeve dhe sipër kësaj, kemi futur edhe një numër të madh të projekteve të mëdha publike, që e bëjnë Prishtinën kryeqytet.

Në katër vitet e fundit nuk është punuar në projekte të mëdha, tërë qeverisja është reduktuar në tri-katër projekte, të cilat janë shumë të vogla, minimale. Ne mendojmë se duhet të hapim punë dhe të hapim rrugë për zhvillimin e Prishtinës.

Radio Evropa e Lirë: Nëse do t’i përmblidhnit– cilat do të ishin top pesë prioritetet në qeverisjen tuaj të ardhshme në Prishtinë?

Arban Abrashi: E para ka të bëjë me karakterin zhvillimor të Prishtinës, që nënkupton punësim dhe mundësi punësimi dhe zhvillimi për të rinjtë e të reja e Prishtinës, e kjo bëhet përmes disa masave të cilat ne i kemi theksuar tani në program. E para, ka të bëjë me fondin e punësimit, grandet për start-up dhe për inovacion. Fuqizimi i zonave ekonomike dhe krijimi i zonave ekonomike, ku ne do të kërkojmë dhe do të thërrasim numër të madh të investitorëve që të sjellin prodhimtari dhe shërbime këtu në Prishtinë. Ringjalljen e sektorit të ndërtimit sepse synojmë të fillojmë ndërtimin e Prishtinës së re, ashtu siç është në planin zhvillimor dhe pak a shumë përkrahjen e zejtarëve edhe sektorit të turizmit në Prishtinë, posaçërisht në zonën e Gollakut që ka një potencial të madh zhvillimor. Do të thotë së pari është karakteri zhvillimor. Së dyti, ka të bëjë me shërbimet publike, të cilat janë të nevojshme në Prishtinë.

Ne mendojmë se do të zgjerojmë rrjetin e ngrohjes, do të përfundojmë sistemin e ujit 24 orë në tërë Prishtinën, në tërë fshatrat e Prishtinës, projekt që ka stagnuar. Në katër vitet e fundit është dashur të ndërtohen edhe rezervuar dhe stacione te pompimit. Do të fuqizojmë edhe arsimin edhe shëndetësinë duke përfshirë ndërtimin e spitalit të Prishtinës dhe qendra të reja mjekësore. Ndërtimin e punëve të mëdha publike, sikurse unazat e Prishtinës, fillimi i rrugës A, fillimi i rrugës B dhe unazës së madhe, e cila fillon nga Kodra e Trimave deri në Veternik. Ndërtimin përmes partneriteteve publiko-private të së paku 6 mijë vendparkingjeve në Prishtinë. Edhe një projekt tjetër i madh, me të cilin duhet hyjë në kontraktime me institucione të tjera financiare sepse duhet një kredi e butë. Trajtimi i ujërave të zeza në Prishtinë, problem që duhet të zgjidhet për së paku 30 vitet e ardhshme dhe ka një kosto të madhe.

Radio Evropa e Lirë: Një problem tjetër në Komunën e Prishtinës mbetet mbipopullimi i shkollave. Ndërtimet vazhdojnë dhe me to vjen edhe shtimi i popullatës në Prishtinë. A do të ketë projekt për ndërtimin e shkollave?

Arban Abrashi: Ndërtimi i shkollave, përveç infrastrukturës ka edhe efekte të tjera. Ne jemi dëshmitar që disa mijëra nxënës, prindërit duhet t'i sjellin fëmijët e tyre në qendër të Prishtinës nga lagjet si Veterniku, Sofalia, Arbëria, dhe lagje të tjera ku ka mungesë të shkollave. Kjo pikë së pari krijon edhe një komunikacion më të dendur dhe tollovi në qytet. Mbi të gjitha pamundëson edhe zhvillimin e familjes, ngase gjithmonë është një prind i cili dërgon një fëmijë në shkollë në ndërrimin e parë, në ndërrimin e dytë fëmijën e dytë, e kjo pamundëson zhvillimi e asaj familje, ose ndikon në çështjen e punësimit të njërit prind, e që zakonisht janë nënat.

E jona është që të ndërhyjmë në infrastrukturë në ato zona që kanë filluar të ndërtohen. Realisht synojmë që një nxënës ta ketë shkollën së paku rreth 700 metra larg. Parashohim të ndërtojmë së paku 7 shkolla. Dy në Veternik, edhe në pjesën lindore dhe në pjesën perëndimore, në Sofali në Matin II, në Arbëri, Proi i Njelmët, Emshir apo Kalabri dhe shkollën e muzikës. Pasi t'i bëjmë këto emërime në infrastrukturë dhe të mbulohen me buxhetin e Komunës së Prishtinë, do të shikojmë, nëse ndonjë nga shkollat e mesme duhet të zhvendoset në periferi, që të lirohen edhe ato shkolla të cilat janë ngufatur në qendër. Ne synojmë që me ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvendosjen e njërës prej shkollave të mesme në periferi të Prishtinës, të kemi klasë me 25 nxënës dhe të ofrojmë shujta të nxehta deri në fund të mandatit.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët pak më herët çështjen e parkingjeve. Kur jemi te kjo mbingarkesë, çfarë zgjidhje parashihni për komunikacion dhe a do të ketë Prishtina parkingje të reja, në mënyrë që njerëzit të mos parkojnë veturat në rrugë, ashtu siç po ndodh?

Arban Abrashi: Ne me ekspertët tanë të urbanizmit, ndërtimtarët dhe arkitektët kemi hartuar një plan konkret, ku parashihet ndërtimi i diku rreth gjashtë mijë vendparkingjeve. I pari ka të bëjë me parkingun te Fakulteti i Filologjisë, tanimë projekt shumë shpesh i përfolur, por nuk është filluar. E jona është që ta fillojmë atë parking, i cili do të ketë hapësirë për diku 800 parkingje.

Projekti i dytë ka të bëjë me një funksionalizim dhe modernizim me hyrje-dalje të reja të parkingut aktual prapa Pallatit të Rinisë. Hartimin e një parkingu nëntokësor prapa Hotelit Grand, te Parku i Heroinave, e masandej kthehet në gjendjen e tanishme, pra në një park me gjelbërim. Një parking i ri te stacioni hekurudhor sepse aty parashihet të përfundojë edhe unaza e brendshme. Mandej, të gjithë ata që vijnë të marrin shërbime ose punojnë në Prishtinë, do të kenë parking afër unazës së brendshme dhe hyrje-daljet nga qyteti do të jenë më të lehta. Një parking i ri nëntokësorë te Kuvendi i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, te sheshi “Adem Jashari”, si dhe parkingje të reja në Dardani, nëntokësore dhe mbitokësore, në Ulpianë, në Bregun e Diellit ku janë mundësitë për shkak të reliefit të zonës.

Radio Evropa e Lirë: Cilat përfitime i shihni nga Ligji për Prishtinën. Sa është i nevojshëm një ligj i tillë nëse projektohet në Qeveri dhe miratohet në Kuvendin e Kosovës?

Arban Abrashi: Ligji për Prishtinën është më se i mirëseardhur. Tani është edhe obligim ligjor dhe është dashur të kryhet shumë më herët, por sidoqoftë jemi në një situatë kur tani është duke u proceduar. E mirëpresim si të tillë. Ka të bëjë, pikë së pari me një buxhet më të lartë sepse parashihen edhe grante për shkak të specifikave të kryeqytetit. Ne jemi dëshmitarë se në Komunën e Prishtinës punojnë dhe marrin shërbime dyfish sesa numri i banorëve të tjerë, të cilët vijnë brenda ditës dhe për këto duhen edhe fonde shtesë në mënyrë që të ofrohen ato shërbime.

Prandaj, ligji për kryeqytetin do të ofrojë fleksibilitet karshi këtyre shërbimeve dhe kjo do të rezultojë me shërbime më të mira për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Gjithsesi edhe projektet e mëdha kulturore do të përfitojnë nga ky ligj, prandaj zgjerimi i qytetit me rrugë të reja, me unaza, me parkingje, patjetër se do të përfitojë nga ky ligj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat