Hapin e fundit për Demarkacionin duhet ta bëjë Prishtina - Bota Sot
Hapin e fundit për Demarkacionin duhet ta bëjë Prishtina

Intervista

E hënë, 18 dhjetor 2017

Hapin e fundit për Demarkacionin duhet ta bëjë Prishtina

Nga: Arben Sylejmani Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 08:38
Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë Maria Kapitanoviq

Në një intervistë ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”, Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq tregon simpatinë që ka për qytetarët e Kosovës si dhe diasporën kosovare në vendin e saj.

Ajo, thotë gjëja e parë që e ka vërejtur për Kosovarët është se janë punëtorë.

Sa i përket funksionimit të institucioneve shtetërore, ajo thotë se Kosovës i nevojitet një konsensus i përgjithshëm ndërmjet pozitës dhe opozitës, për çështjet vitale të vendit, në mënyrë që të vazhdohet me ndërtimin e shtetit dhe me përmbylljen e shtetësisë së Kosovës.

Kapitanoviq, flet për ndihmën që shteti i saj po i bënë institucioneve të Kosovës në procesin e integrimit në BE, për çështjen e liberalizimit të vizave që nuk po ndodhë, për shkak të mos miratimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, i cili është njëri nga dy kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave të cilin autoritetet Kosovare duhët ta përmbushin, flet për dekurajimin e kompanive kroate të cilat duan të investojnë në Kosovë, por që dekurajohen për shkak të mungesës së transparencës në procedurat e tenderimit publike. Ajo, po ashtu flet për komunitetin kroat në Janjevë dhe për kushtet e rënda jetësore me të cilët ballafaqohen pjesëtarët e këtij komuniteti.

 “Bota sot”: Zonja ambasadore e Republikës së Kroacisë, Marija Kapitanoviq, çfarë përshtypje keni për njerëzit e Kosovës? A keni kontakte me ta dhe a mendoni se ata janë njerëz të shoqërueshëm?

Kapitanoviq: Po. Natyrisht që unë kam kontakte me njerëzit e Kosovës, sepse unë jetoj këtu që dy vite dhe gjëja e parë që e kam vërejtur për njerëzit e Kosovës, është se ata janë shumë punëtorë. Në jetën e përditshme shoh shumë kosovarë që punojnë shumë, çdo herë të buzëqeshur, shumë të shoqëruar dhe mirënjohës për faktin që kanë një punë dhe mundësi për të punuar. Ky lloj modestie meriton respekt. Ne anën tjetër, duhet të merret parasysh se shteti është një send që ju takon qytetarëve dhe ata kanë të drejt të kërkojnë kushte jetese më të mira.

Në jetën time të përditshme këtu shoh se ka zona ku disa njerëz e mbajnë mënyrën tradicionale të jetesës, nga ana tjetër gjeneratat e reja do të thosha bëjnë mënyrën e jetesës perëndimore. Në të njëjtën kohë, unë mendoj se është shumë e rëndësishme që rinia të ruajë trashëgiminë e tyre bashkë me identitetin që e kanë dhe rrënjët. Është e rëndësishme që të mbahet kontakti me rininë në regjion, duke ndarë dhe mësuar për kulturën bashkëkohore, muzikën, literaturën, gjuhët, sepse Kosova është në zemër të regjionit juglindor.

Qytetarët, posaçërisht rinia, që janë të vetëdijshëm, edhe në të njëjtën kohë realistë për gjërat që duhet të përmirësohen në shoqëri, janë potenciali i vërtetë për prosperitet në vendin tuaj.

Image
Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Maria Kapitanoviq, gjatë intervistës me gazetarin e gazetës “Bota sot”, Arben Sylejmani

 “Bota sot”: A keni diçka të veçantë që ju pëlqen në Kosovë, si (muzika, kultura, kuzhina, literatura, e tjera)?

Kapitanoviq: Festivalet filmike janë themeluar shumë mirë dhe secili prej tyre ka një vlerë të çmuar për shkak të karakterit regjional. Këto lloj festivalesh janë një mjet i vlefshëm për të rivendosur besimin dhe kuptimin në mes të vendeve të rajonit. Sa i përket muzikës në ditën e sotme, ju keni muzikantë të njohur botëror si, këngëtarë të popit, dhe unë mendoj që këta njerëz janë një shembull shumë i mirë se puna e vështirë shpaguhet në jetë, dhe ky është një mesazh i mirë për rininë. Kur flasim për muzikën klasike në Kosovë ju e keni  instrumentistin e muzikës klasike të kitarës shumë të njohur, Petrit Çekun, në Kroaci. Ai është njëri nga këta të njohur, sepse erdhi në Kroaci si student i shkollës së lartë, duke bërë maksimumin prej vetes së tij, dhe natyrisht me ndihmën e edukimit në institucione dhe me ndihmën e prindërve, ai tani është një muzikantë shumë i talentuar. Dhe, siç e thashë më herët këta janë shembuj të mëdhenj për të rinjtë në Kosovë.

“Bota sot”: Si i vlerësoni marrëdhëniet në mes së Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës?

Kapitanoviq: Marrëdhëniet kanë një traditë të gjatë dhe ne jemi të përkushtuar të punojmë me ju në ndërtimin e shtetit. Në aspektin e marrëdhënieve bilaterale duam të shohim më shumë bashkëpunim konkret në fushat me interes të dyanshëm, dhe në veçanti në sektorin e ekonomisë. Janë nënshkruar disa marrëveshje bilaterale në mes të dyja vendeve në fusha të ndryshme, si: Bashkëpunimi ekonomik, bashkëpunimi i policisë, mbrojtja civile, bashkëpunimi i bibliotekave kombëtare. Që prej disa vitesh, mendoj prej vitit 2012, mbi 40 pjesëmarrës nga Kosova kanë frekuentuar kolegjin ushtarak në Kroaci në programe të ndryshme studimore. Por, implementimi i marrëveshjeve duhet të përforcohet. Marrëdhëniet bilaterale duhet të jenë të dyanshme.

“Bota sot”: A ka ndonjë sektor në të cilin Republika e Kosovës dhe Republika e Kroacisë mund të punojnë më shumë, nëse po, në cilët sektorë?

Kapitanoviq: Ka mundësi për të bërë më shumë në sektorin ekonomik si: infrastruktura, hekurudhat, autostradat, në sektorin e mjedisit, në shkëmbim tregtar, në burimet e energjisë alternative, si energjia e erës. Po ashtu, është edhe një fushë me interes të veçantë për ne, që është komuniteti i vogël kroat në Kosovë. Komuniteti kroat në Kosovë është historik dhe është pjesë integrale e multietnicitetit në Kosovë. Presim nga institucionet e Kosovës, si dhe nga qytetarët, të mbështesin komunitetin kroat që ai të vazhdojë të jetë një urë në mes të dy vendeve tona.

Image
Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë Maria Kapitanoviq

“Bota sot”: A e konsideroni Republikën e Kosovës si një vend të mirë për të bërë biznes, në të cilin investitorët kroatë do të mund të investonin këtu?

Kapitanoviq: Kompanitë kroate kanë interes për të investuar këtu. Por, për fat të keq shumë prej tyre janë dekurajuar për shkak të mungesës së transparencës në procedurat publike të tenderimit dhe pengesave të tjera në faza të ndryshme të investimit. Ndonjëherë edhe pse kompanitë i plotësojnë kushtet e kërkuara, ndodhë shpesh që ato të eliminohen pa një shpjegim të qartë. Në rastet kur ato veç kanë nënshkruar kontratën dhe fillojnë punën e tyre, shpesh ndodh që kontratat nuk respektohen tërësisht. Kështu që, shumë investitorë vijnë tek unë të dekurajuar. Fatkeqësisht ky është kapitali i humbur. Ka nevojë të rriten përpjekjet për të përmirësuar konkurrencën dhe transparencën si dhe të luftohet korrupsioni.

“Bota sot”: Republika e Kosovës pretendon të anëtarësohet në UNESCO dhe në INTERPOL. A do të votojë Republika e Kroacisë pro anëtarësimit të Kosovës në këto dy organizata?

Kapitanoviq: Ka mbështetje të përgjithshme për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare në përgjithësi. Megjithatë, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare bazohet në kriteret specifike të secilës organizatë ndërkombëtare. Për shembull, në rastin e UNESCO-s është ende në pritje miratimi i Projektligjit për Liritë fetare dhe ai i trashëgimisë kulturore. Vendi që aplikon në këtë rast duhet t’i plotësojë kriteret e nevojshme dhe t’i prezantoj këto të arritura në mënyrën më të mirë që të fitojë mbështetjen e anëtarësimit në këto organizata nga shtetet që janë anëtare.

“Bota sot”: Kosova ka filluar procesin e saj të reformave për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Cilat janë mundësitë që Republika e Kroacisë për të ndihmuar Republikën e Kosovës në këtë proces?

Kapitanoviq: Ne tashmë veç e ndihmojmë Kosovën në ndarjen e eksperiencës në reformat e BE-së që shumë vite dhe këtë e bëjmë përmes projekteve të dizajnuara dhe përmes udhëtimeve studimore në Kroaci. Janë bërë shumë udhëtime studimore të zyrtarëve publikë dhe më së shumti janë bërë në Zagreb, në fusha të ndryshme, si: Prokurimi, gjykatësit, administrata publike, e organizuar përmes bashkëpunimit bilateral dhe po ashtu nëpërmes projekteve të ndryshme ndërkombëtare. Në aspektin e ndarjes së eksperiencës së integrimit në BE, ne jemi shteti që i kemi këto reforma më të freskëta, sepse në jemi vendi i fundit që jemi anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne jemi shteti i vetëm që e ka implementuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Për më tepër, të dy vendet në të kaluarën kanë pasur një background të ngjashëm ligjor dhe institucional që bënë gjërat më të lehta kur është fjala për ndarjen e eksperiencës për këto reforma. Sa i përket agjendës evropiane në implementimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, nevojitët përforcimi i administratës publike, një koordinim i efektshëm në mes institucioneve dhe ministrive të përfshira në këtë proces, të rritet ndjenja e pronësisë dhe të investohet në edukim. Ka shumë të rinj në Kosovë që kanë studiuar në universitetet prestigjioze ndërkombëtare dhe kur kthehen, duhet të vënë në zbatim diturinë e tyre në punën e përditshme. Për shembull, në Kroaci këta njerëz ishin më të rëndësishëm në proceset e integrimit të BE-së. Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është një proces i gjatë dhe adaptimi i standardeve është për shkak të një jete më të mirë, dhe kjo duhet shpjeguar qytetarëve. Kjo nuk bëhet brenda natës, është një investim për të ardhmen; për të pasur sukses në këtë, institucionet e Kosovës duhet të vendosin të gjitha përpjekjet, dhe ta ndiejnë atë si proces i tyre. Natyrisht që Kroacia do të vazhdojë  që t’iu ndihmojë juve, por puna është në dorën e institucioneve të Kosovës.  

“Bota sot”: Kompania kroate INA prej vitit 2005 ka filluar një proces gjyqësor me Agjencionin e Kosovës të Privatizimit. Kjo kompani po kërkon që t’i kthehen në pronësi 29 asetet e saj. Si e vlerëson këtë proces të gjatë gjyqësor?

Kapitanoviq: Çështja e aseteve të kompanisë INA, është një çështje gjyqësore dhe kjo varet nga drejtësia që duhet të jetë e pavarur. Në të njëjtën kohë është fakt se procesi po zgjat më shumë se 10 vite, flet seriozisht për nevojën për të përshpejtuar reformat në sektorin e drejtësisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për funksionimin efektiv dhe zvogëlimin e rasteve gjyqësore të prapambetura.

“Bota sot”: Sipas jush, si trajtohet komuniteti kroat në Janjevë prej institucioneve të shtetit të Kosovës?

Kapitanoviq: Siç e përmenda më herët, ne kemi këtu një komunitet të vogël në Janjevë dhe në Letnicë, komuna e Vitisë. Ky është një komunitet historik, ata janë këtu për shekuj më radhë. Komuniteti kroat këtu dhe komuniteti shqiptar në Kroaci i lidhin fortë të dyja vendet. Sa i përket komunitetit kroat këtu në Kosovë, ata jetojnë në kushte jetësore shumë të vështira. Ata shpesh ballafaqohen me probleme esenciale, si furnizimi me energji elektrike, furnizimi me ujë të pijshëm, kujdesin shëndetësor. Shumë shpesh, veçanërisht në Letnicë njerëzit e vjetër kanë vështirësi për të udhëtuar deri në qendrat shëndetësore, në kuptim që ata të vizitohen nga ana e personelit mjekësor gjatë javës, do të ishte shumë e dobishëm. Infrastruktura natyrisht që nuk është e mirë. Por, këto çështje bien nën domenin e kompetencave komunale, dhe mund të zgjidhen lehtë më një angazhim pak më të madh. Në jemi shumë të lumtur që kemi kosovarë në parlamentin tonë.

“Bota sot”: A mendoni qe komuniteti duhet të bëhet pjesë përbërëse e Kushtetutës?

Kapitanoviq: Ne do të ishim të lumtur, nëse ky komunitet do të mund të bëhej pjesë e kushtetutës së Kosovës. Kemi premtim nga ana kosovare që komuniteti kroat dhe ai malazez do futen brenda kushtetutës. Por, në ndërkohë të gjitha këto çështje mund të zgjidhen me një angazhim pak më të madh nga institucionet. Si që e përmenda më herët, komuniteti kroat është shumë i vogël, ka qenë më i madh në të kaluarën, por shumë nga ata vendosën të shkojnë në Kroaci. Megjithatë, ka edhe prej atyre që kane shkuar në Kroaci dhe u kthyen për shkak të nostalgjisë për vendlindjen e tyre, dhe atyre u nevojitët kujdes nga vendi.

“Bota sot”: Cili është mendimi i juaj për diasporën në Kosovë?

Kapitanoviq: Diaspora kosovare në Kroaci është pjesë përbërëse e shoqërisë kroate. Ata kontribuojnë në zhvillim dhe punojnë shumë. Siç e përmenda më herët ne kemi deputetë kosovarë në parlamentin kroat dhe jemi shumë krenarë për këtë fakt. Diaspora Kosovare ka filluar të vinte shumë vite më herët në Kroaci dhe tani më kemi me gjeneratën e dytë që janë duke jetuar në Kroaci. Ata janë plotësisht të integruar në shoqëri dhe në anën tjetër, ata ruajnë trashëgiminë e vendit të vet, që është shumë bukur. Statusi dhe të drejtat të komuniteteve respektive tona janë çështje e respektit mjedis shteteve tanë dhe pyetje e angazhimit në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale.

 “Bota sot”: Si e vlerësoni funksionimin e shtetit të Kosovës?

Kapitanoviq: Disa hapa të rëndësishëm janë bërë, por megjithatë janë ende shumë reforma dhe përpjekje që ende duhet bërë. Janë po ashtu disa parakushte kur është fjala për funksionimin e shtetit, siç është konsensusi kombëtar në çështjet e rëndësishme, pronësi ndaj procesit dhe një reflektim strategjik. Kur bëhet fjalë për vendime për interesat kombëtare, procesi vendim marrjes duhet të jete gjithëpërfshirës. Kjo do të thotë se nëse një vendim është në interes të vendit për një kohë të gjatë, interesi i partive politike duhet të tej kalohet. Konsensusi kombëtar për çështjet të rëndësishme dhe strategjike është më i rëndësishëm për vendin. E dyta, është pronësia ndaj procesit. Komuniteti ndërkombëtar në Kosovë është shumë i përkushtuar në zhvillimin e vendit që është një ndihmë esenciale, por procesi është i juaji. Institucionet duhet forcuar dhe ta marrin përgjegjësinë për reformat e duhura. Procesi i tranzicionit në ekonominë e tregut për shembull, në standardet demokratike ka të bëjë me definimin e prioriteteve strategjike dhe në linje me agjendën evropiane. Është shumë më rëndësi të kompletohet ndërtimi i shtetit dhe gjithashtu ndërtimi i interesit të përbashkët mjedis partive opozitare në çështjet me interes kombëtar, por kjo duhet bërë nga të dyja anët. Është shumë e rëndësishme që partitë opozitare të bashkëpunojnë në çështjet me interes kombëtar. Kjo nuk është e lehtë, kjo mbart me vete shumë sfida, ndryshime shoqërore, por përmbushja e këtyre është një shenjë e pjekurisë së kësaj shoqërie si dhe demokracisë e saj.

Sa i përket integrimit komplet në komunitetin ndërkombëtar, është po ashtu shumë e rëndësishme të thellohen dhe të zhvillohen marrëdhëniet me fqinjët më të gjerë, sepse fqinjët janë këtu afër juve, dhe ju keni shumë çështje të përbashkëta me këta. Jo vetëm në çështjet politike, por edhe në çështjet ditore, siç është çështja e ambientit, kontrollimi i migrimit në kufijtë, dhe çështjet tjera. Kur vjen në pyetje proceset e BE-së, vendimet që i përkasin Kosovës, sikur vendimet për të gjitha vendet e tjera të regjionit merren nga 28 vendet anëtare në Bruksel me konsensus. Punimi me të gjitha shtetet anëtare është gjithashtu një pjesë e rëndësishme përgjatë kësaj rrugë.

“Bota sot”: Kosova deri më tani nuk ka miratuar në Kuvend dy marrëveshjet ndërkombëtare, siç janë ajo për demarkacionin dhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me Shumicë serbe. Cili është mendimi i juaj për këtë?

Kapitanoviq:  E para është obligimi që vjen nga dialogu, që duhet dhe në të njëjtën kohë të jetë në përputhje me kushtetutën. E dyta del nga liberalizimit se vizave. Kurse, sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, siç ne e dimë është një nga 2 kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave. Është për të ardhur keq për qytetarët e Kosovës që ende nuk janë përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave nga autoritetet Kosovare. Është çështje e konsensusit kombëtar; është çështje e interesit për qytetarët e Kosovës. Liberalizimi i vizave do ta kishte lehtësuar zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet tregtare dhe marrëdhëniet mes njerëzve. Hapin e fundit duhet ta bëjë Prishtina.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test