Muhaxheri zbulon detaje të pathëna për Demarkacionin, si heshti AAK për aksionin në Çakorr nga malazezët

Intervista

Muhaxheri zbulon detaje të pathëna për Demarkacionin, si heshti AAK për aksionin në Çakorr nga malazezët

Nga: Petrit Rudi Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 10:43
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, gjatë intervistës me gazetarin e gazetës “Bota sot”, Petrit Rudi, foto: Bota sot

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, çelës të fitores së tij e konsideron punën dhe angazhimin e madh të strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në këtë komunë.

Gjatë kësaj interviste, Muhaxheri ka zbuluar detaje interesante rreth çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, të cilës s`po i gjendet zgjidhja ende.

Ai ka thënë, se ishte ndër të parët që e ka kundërshtuar versionin aktual,  derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte heshtur.

Kryetari i Pejës, ka zbuluar, se si pala malazeze kishte marrë aksion dhe e kishte asfaltuar rrugën Çakorr-Kuçishtë, por se kryetari i atëhershëm i Komunës nga AAK, Ali Berisha kishte heshtur.

Ndër tjera, në këtë intervistë Muhaxheri ka folur edhe për projektin “Borea”, “hakmarrjen” e Haradinajt pas fitores në Pejë, vrasjet politike, Gjykatën Speciale, liberalizimin e vizave, fitoren e LDK-së në zgjedhjet lokale, kandidimin për kryetar të LDK-së, etj.

“Bota sot”: Zotëri Muhaxheri, cili është çelësi i suksesit tuaj në udhëheqjen e Komunë së Pejës?

Gazmend Muhaxheri: Është puna e madhe që e kanë bërë edhe strukturat e partisë, por edhe puna e ekzekutivit të komunës që është bërë këto 4 vite. Me të marrë pushtetin, ne nuk jemi kënaqur që e kemi marrë pushtetin, por ne kemi bërë një angazhim të jashtëzakonshëm për qytetarët, për të përmbushur të gjitha obligimet që i kemi marrë si subjekt politik dhe unë si kryetar. Edhe këto katër vite është bërë punë e jashtëzakonshme, sa që edhe kundërshtarët më të mëdhenj politikë janë detyruar me pranuar se në Pejë është bërë një punë e madhe. Këtë e ka treguar edhe rezultati i zgjedhjeve.

“Bota sot”: Cilat janë arsyet që sipas jush quan në fitoren tuaj pa balotazh?

Gazmend Muhaxheri: Edhe pse janë nxjerrë edhe gjatë kandidatë tjerë për kryetar komune, subjektet politike që kanë garuar kanë pasur edhe bashkëpunim për t’u munduar të na fusin në balotazh. Mirëpo, falë angazhimit të strukturave, punës së madhe dhe besimit të qytetarëve, ne këtë sfidë e kemi kaluar këtë sfidë pa balotazh. Jemi dega më e madhe e Lidhjes Demokratike në republikën e Kosovës dhe unë jam kryetari më i votuar në këto zgjedhje. Këto janë vetëm disa nga arsyet, që kanë ndikuar që të arrijmë fitore pa balotazh në zgjedhjet lokale.

“Bota sot”: Sa do të arrini të realizoni premtimet që keni dhënë gjatë fushatës zgjedhore?

Gazmend Muhaxheri: Premtimet që i kemi dhënë për mandatin e ardhshëm katër vjeçar, janë premtime të mbështetura në buxhetin e komunës, në objektivat dhe interesat e qytetarëve të komunës së Pejës. Ato janë të realizueshme, duhet një angazhim i madh, normal sikur ky që kemi pas në këto katër vite, d.m.th. të mos bie motivi i punës, të vazhdohet me tempon e njëjtë, për t` i realizuar projektet e infrastrukturës rrugore, infrastrukturës së arsimit, projektet në bujqësi,  në turizëm, në ato sferat e parapara për ta bërë të mundur që Peja të jetë një qytet i zhvilluar.

“Bota sot”: Para ardhjes suaj në pushtet, Peja ishte një qytet që karakterizohej me një numër të madh të vrasjeve. Ndërsa tash kjo dukuri thuajse është eliminuar. Si keni arritur që Pejën ta shndërroni në një qytet të sigurte për qytetarët?

Gazmend Muhaxheri: Faktikisht, gjatë mandatit tonë katër vjeçar ka ndodhur vetëm dy raste të vrasjeve. Është rezultat ndoshta jo edhe sa i punës që kemi pasur në siguri, mirëpo ne kemi punuar shumë në ndriçim publik të qytetit, në krijimin e ambientit për zhvillim të biznesit, edhe në mundësinë që qytetarët e Pejës të angazhohen në punë të tjera, që i qojnë ka prosperiteti dhe zhvillimi ekonomik.

“Bota sot”: Cili është plani juaj sa i përket projektit shumë të rëndësishëm për Pejën e Kosovën, projekti “Borea”?

Gazmend Muhaxheri: Nga studimi i fizibilitetit dhe nga pritjet që i realizon ky projekt, mundëson atë zhvillimin e hovshëm të turizmit. Me planin zhvillimor komunal, Peja është një qytet që duhet me zhvillu turizmin dhe bujqësinë. Me zhvillimin e hovshëm të turizmit në mendojmë se do të ketë edhe shtytje të madhe për zhvillimit të bujqësisë dhe profileve bujqësore dhe qyteti i Pejës do të jetë një qytet ku ia vlen të jetohet, të ndërtohet familje dhe atë çka po e them gjithmonë, Peja është në garë regjionale për të qenë lider i zhvillimit ekonomik, jo vetëm në rrafshin e Dukagjinit, por në gjithë Kosovën.

“Bota sot”: Menjëherë pas fitores se juaj, Qeveria Haradinaj ka anuluar ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Pejë. A është kjo një hakmarrje ndaj jush për debaklin që ia shkaktuat në Pejë?

Gazmend Muhaxheri: Është marrë një vendim, apo propozim i ngutshëm, mirëpo me rishikimin e buxhetit, e kanë parë që është një marrëveshje ndërkombëtare dhe buxheti është kthyer. Me vetë faktin që është kthyer në buxhet, po dua të mendoj që është bërë një lëshim, pasi është parë, që ato mjete nuk janë përdorë, kanë qenë të destinume. Qeveria e re është mundu me bo ridestinim të mjeteve, sa ka pas sukses ajo mbetet të shihet në të ardhmen.

“Bota sot”: Zotëri Muhaxheri, ju keni përkrahur versionin aktual të demarkacionit. Pse sipas jush ai është në rregull?

Gazmend Muhaxheri: Kjo çështje ka qenë e politizuar shumë, edhe me theks të veçantë edhe të gazetarëve për ta sulmuar qeverinë Mustafa. Në fillim nuk kam qene ithtar i përkrahjes së demarkacionit, sepse ka qenë një çështje, d.m.th. edhe në komisionin për demarkacion,  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pas nënkryetarin e partisë, pa marrë parasysh që ka qenë pa të drejtë vote, ata kanë qenë të informuar në çdo moment çka po ndodhë me demarkacionin. Kur ne si subjekt politik kemi dalë në protestë,  d.m.th. me kundërshtua asfaltimin e rrugës Çakorr-Kuçishtë, asfaltimi i së cilës është bërë prej anës së malazezëve, pushteti i atëhershëm komunal ka heshtur. Sikur të kish qenë ajo tokë që i takon Komunës së Pejës, është dashtë ta ndalet me inspektorë, me polici dhe mos të lejohej asfaltimi. Pra, kjo ka ndodhë gjatë kohës kur kryetar ka qenë Ali Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ata kanë qenë të informuar për këtë. Ne kemi protestuar, dhe dy organizatorët  e protestës, Demë Dashi dhe Riza Dreshaj, janë marr në polici, është përgatitur edhe të ngritet padi ndaj tyre për tejkalim ilegal të kufirit dhe rrezikim të pronës së huaj. Më vonë me ardhjen në Komunë, ne i kontrolluar dokumentet e kadastrit. Kadastri i Komunës së Pejës është origjinali, duke i trajtuar gjitha çështjet që pala kundërshtare i ka ngritur si kauza, ka dalë që çdo gjë ka qenë veç pretekst për t`a rrëzuar qeverinë Mustafa, d.m.th. nuk ka qenë një çështje që ka pasur argumente. Po shihet edhe tash, komisionit të ri po i duhen tre muaj për të mbledhur argumente. Atëherë, si e paskan kundërshtuar pa pasur argumente demarkacionin e nënshkruar prej qeverisë së mëhershme, normal të Presidentit dhe të Partisë Demokratike, se ata kanë qenë edhe nismëtar të themelimit të Komisionit për shënjimin e Kufirit. D.m.th. ky komision, ka bërë vetë shënjimin e kufirit,  të asaj çfarë ka qenë në vitin 1974.

“Bota sot”: Fitorja juaj, a është një mesazh edhe për kryeministrin aktual Ramush Haradinaj, sa i përket çështjes së demarkacionit, pasi me fitoren e juaj, pejanët ju besuan më shumë juve se sa Haradinajt, e kur dihet që ky i fundit në pushtet erdhi me kauzën e tij për Demarkacionin?

Gazmend Muhaxheri: A ka ardhur në pushtet Haradinaj veç me kauzën e demarkacionit, apo edhe me çështjet tjera, ajo i mbetet kohës t`i analizojë tu gjithë faktorët që kanë sjellë deri te rrëzimi i Qeverisë Mustafa dhe krijimin e Qeverisë Haradinaj. Ka qenë një kauzë që e ka pasur opozita, unë mendoj që ka qene kauzë fiktive që dëme të mëdha i ka bërë këtij vendi, ju ka pamundësuar qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë, mundësinë që të rinjtë tonë të lëvizin lirshëm, për të gjetur  vende pune në Evropë, por edhe të kthehen me përvojë për të investuar në Kosovë. Thjeshtë jemi si qytetar të Evropës të rendit të dytë, jemi i vetmi vend që nuk mund të lëvizim pa viza.

“Bota sot”: Sipas jush, a do të arrijë dhe si do ta zgjidh qeverisja aktuale çështjen e demarkacionit? Kush është fajtor sipas jush për mos liberalizimin e vizave?

Gazmend Muhaxheri: E kam thënë edhe me herët, kjo çështje nuk është vetëm çështje e qeverisë, është edhe e opozitës. Deputetët e parlamentit të Kosovës e kanë marrë votën për të krijuar kushte për zhvillim të këtij vendi, për t`ia mundësuar Republikës së Kosovës integrimin në proceset evropiane në mënyrë, që ky vend të ketë zhvillim dhe prosperitet. Pa liberalizim të vizave dhe pa mundësi që të kemi afërsi më të madhe me Bashkimin Evropian është vështirë me ec përpara.

“Bota sot”: Kohëve të fundit është paralajmëruar një nismë për themelimin e një komisioni hetimor për SHIK-un. A do të përkrahet nga LDK-ja themelimi i këtij komisioni?

Gazmend Muhaxheri: LDK ka pas një qëndrim për mos të mos e përkrahur një komision të tillë më herët, nëse diskutohet në struktura të partisë, siç është kryesia dhe këshilli i përgjithshëm i partisë. Këto janë organet vendimmarrëse në Lidhjen Demokratike që mund të sjellin qëndrime për këtë çështje.

“Bota sot”: Sipas jush z. Muhaxheri, kush është fajtor për vrasjet politike të zyrtareve të LDK-së?

Gazmend Muhaxheri: Këto janë barrë e zhvillimit të ardhshëm që duhet të ketë Republika e Kosovës. Pa zgjidhen e këtyre vrasjeve, dhe pa adresimin dhe gjetjen e vrasëseve dhe porositësve të këtyre vrasjeve është vështirë që të ecet përpara. Besojmë, që duhet të merret drejtësia me seriozisht me këtë çështje dhe ky problem të zgjidhet dhe mos t’i bartet gjeneratave të reja, si çështje e pazgjidhur.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga Gjykata Speciale dhe a besoni që kjo Gjykatë  të trajtojë dhe do të arrijë të zbardhë vrasjet politike?

Gazmend Muhaxheri: Nuk mundem të prejudikoj suksesin apo mos suksesin. Duhet  të presim seriozitetin që do ta ketë për t`i trajtuar këto çështje edhe mundësinë që bile të zhvillojë zbardhjen e çështjeve të cilat janë në errësirë dhe nuk janë trajtuar ashtu siç duhet nga drejtësia në këto 17 vite të shtetit të Kosovës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen e deritashme të Haradinajt?

Gazmend Muhaxheri: Tash është vështirë të vlerësohet, ata ende si kanë bërë 100 ditë. Unë besoj që në 100 ditshin e përmbushjes së Qeverisë do të ketë diskutim në parlament dhe do të numërohen sukseset dhe mos sukseset e kësaj qeverie. Po shihet që është bërë një qeveri jashtëzakonisht e madhe për të rehatuar militantët e partive politike për te ruajtur qetësinë brenda partive për shkak të koalicioneve që janë bërë për ta formuar këtë Qeveri.

“Bota sot”: Është paralajmëruar rrëzimi i qeverisë Haradinaj, a mendoni që  kjo qeveri duhet të rrëzohet sa më shpejtë?

Gazmend Muhaxheri: Me mos punën e saj, kjo qeveri është krijuar për të zgjedhur probleme të mëdha, ashtu kanë thënë që LDK nuk po mundet të marrë vendime të mëdha. Ne ju kemi dhënë shansin që të marrin vendime të mëdha, mundemi me i prit edhe pak kohë që këta të marrin këto vendime të mëdha për vendin. Nëse nuk janë në gjendje, atëherë vetvetiu qeveria do të bie, nëse nuk mundet të sjellë vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

“Bota sot”: Z. Muhaxheri, në zgjedhjet nacionale, LDK ne koalicion me AKR-në, Alternativen dolën si subjekti i tretë i votuar. Ndërsa në zgjedhjet lokale, si e vetme LDK doli si forca e parë politike. A mendoni se ishte gabim i LDK-së koalicioni me AKR dhe Alternativën? Ku gaboi LDK?

Gazmend Muhaxheri: Jo, unë besoj që koalicioni që është bëre me AKR-në dhe Alternativën, ka përshpejtuar disa procese në politikë- bërjen në Republikën e Kosovës. Me këtë koalicion u bë koalicioni tjetër, më i ngutshëm, brenda momenteve të natës dhe kjo solli që subjektet tjera politike humbën një masë të madhe të përkrahjes që e kishin, edhe pse tri bashkë nuk arritën t` i realizojnë apo fitojnë deputetët, sa i kishte vetëm një parti më herët para se me u fut në garë. Normal që ka pasur votë ndëshkuese për shkak të këtyre koalicioneve që u bënë. LDK-ja ka marrë mësim dhe është parti tradicionale e cila merr mësime prej përvojave që i krijohen gjatë zgjedhjeve. Ne besojmë, që me këtë mësim që e kemi marr, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të hyjë më në koalicione parazgjedhore, do të hyj e vetme, më e përgatitur për garën e ardhshme.

“Bota sot”: A prisni që në zgjedhjet e mundshme nacionale, LDK të dalë përsëri forca e parë politike dhe të udhëheqë Qeverinë e Kosovës?

Gazmend Muhaxheri: Rezultatet e zgjedhjeve lokale, neve na japin besim dhe kurajë që në zgjedhjet nacionale të dalim partia e parë, të krijojmë qeverinë dhe ti prijmë proceseve të rëndësishme për vendin dhe të ardhmen e Kosovës.

“Bota sot”: A planifikoni që një ditë të jeni kandidat për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Gazmend Muhaxheri: Unë besoj, që këtë mandat jam kryetar i komunës së Pejës, nuk kam pretendime për të qenë kryetar i LDK-së. Lidhja Demokratike e ka kryetarin deri në zgjedhjet e 2019-ës, më pastaj me siguri me diskutime brenda strukturave do të përzgjidhet kandidati i ardhshëm që do t’i prijë Lidhjes Demokratike në proceset e mëtutjeshme.

“Bota sot”: Zotëri Muhaxheri, cili është mesazhi juaj për qyfterët e Pejës dhe votuesit e LDK në Kosovë?

Gazmend Muhaxheri: Mesazhi im është që ia vlen ta votojnë Lidhjen Demokratike. Lidhja Demokratike, dega në Pejë, nuk do t’i zhgënjeje votuesit e vet, do të punojë në interes të qytetarëve të komunës së Pejës, pa marr parasysh a e kanë votuar kryetarin apo LDK-në. Prej momentit që jam zgjedhë kryetar, jam dhe do të jem kryetar i të gjithë, do të punojë në interes të qytetarëve të komunës së Pejës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat