Shefi i GP parlamentar të LDK-së flet për vrasjet politike, tregon pistën e hetimit - Bota Sot
Shefi i GP parlamentar të LDK-së flet për vrasjet politike, tregon pistën e hetimit

Intervista

E mërkurë, 25 prill 2018

Shefi i GP parlamentar të LDK-së flet për vrasjet politike, tregon pistën e hetimit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 4 janar 2018 Në ora: 16:11
Avdullah Hoti

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e konsideron si mjaft të vështirë vitin që e lamë pas. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Hoti flet për proceset e vështira nëpër të cilat po kalon vendi. Hoti gjatë kësaj interviste, flet lidhur me deklaratën, Nasim Haradinajt, duke theksuar se kjo deklaratë lidhur me vrasjet përpos që ishte skandaloze, tregon se nga duhet orientuar pista për zbardhjen e tyre.

“Bota sot”:  Si e komentoni vitin 2017 për Kosovën, duke marrë parasysh proceset nëpër të cilat ka kaluar ajo?

Avdullah  Hoti: Ky vit ka qenë i vështirë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe krijimi i një qeverie me rol kyç të pakicave dhe partnerëve të vegjël ka krijuar një situatë të brishtë institucionale. Në mungesë të stabilitetit institucional dhe pamundësia për të parashikuar zhvillimet në afat të mesëm, Kosovës iu ndërpre në gjysmë rruga e zhvillimit ekonomik që kishte nisur pas shpalljes së pavarësisë dhe që mori hov nga viti 2015. Proceset euro-integruese kanë stagnuar gjithashtu. Njohje të reja nuk ka. Qeveria e vendit është e izoluar. Proceset e mëdha që duhet të shtyjë përpara Kosova nuk mund të lëvizin me këtë qeveri heterogjene. Është e domosdoshme që sa më parë të arrihet koncenzusi për vendimet kyçe politike që duhet të merren në institucione dhe të organizohen zgjedhjet e reja.

“Bota sot”:  Viti 2017 shënon rrëzimin e qeverisë Mustafa dhe njëkohësisht daljen si partia e parë në zgjedhjet komunale, si e shihni Lidhjen Demokratike të Kosovës në vitin 2018?

Avdullah Hoti: Është fakt se Qeveria e Kryeministrit Mustafa nuk u rrëzua për arsye të keq qeverisjes apo mos punës. Ajo u rrëzua për arsye se suksesi i saj nuk i shkonte për shtati partnerit të koalicionit. Kjo gjë u arsyetua tani me zgjedhjet komunale ku Lidhja Demokratike e Kosovës përveç që udhëheq me numrin më të madh të komunave në vend, është edhe e para me numër të votave gjithë popullore. Ne kemi marrë besim të madh qytetar në këto zgjedhje. Po punojmë shumë që ta arsyetojmë atë besim. Po përgatitemi për zgjedhjet e tjera.

“Bota sot”:  Pas shpalljes së rezultateve në Istog, por edhe më herët keni përmendur mocionin ndaj qeverisë Haradinaj, a do të realizohet ky mocion në 2018 dhe sa do ta keni përkrahjen e Vetëvendosjes?

Avdullah Hoti: Ne jemi duke e konsideruar ngritjen e mocionit të mosbesimit kundër kësaj qeverie të paaftë për të qeverisur me vendin. Sapo t’i koordinojmë të gjitha hapat që duhet të ndërmerren, do ta procedojmë në Kryesi të Kuvendit dhe pastaj besoj se koordinimi me Vetëvendosjen do të ndodh natyrshëm.

“Bota sot”:  Si e shihnin qeverinë Haradinaj në 100 ditëshin e parë, cili mund të konsiderohet suksesi dhe dështimi i kësaj qeverie në këto ditë qeverisje?

Avdullah Hoti: Kjo është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova që nga viti 1999. Është formuar për të kryer punë të mëdha, ndërkaq e vetmja punë e madhe është numri enormë  i anëtarëve të kabinetit qeverisës, me 22 ministra, pesë zëvendëskryeministra, mbi 70 zëvendësministra që, bashkë me stafin përcjellës, bëjnë mbi 520 persona. Kjo sigurisht nuk mund të quhet sukses, sikurse nuk mund të quhet as falja e afër 60 milion eurove të tantiemës e në anën tjetër të nënshkruajë  kredi për projekte të ndryshme. Nuk mund të quhet sukses as shpërdorimi i rezervës shtetërore duke marrë vendime jashtë ligjshëm për ndarje të mjeteve. Me keq ardhje e them, por për këto 100 ditë Kosova në vend se të bëjë  hapa përpara është kthyer me vite prapa.

“Bota sot”:  Kryeministri Haradinaj ka refuzuar ta dërgojë në kuvend ligjin për Qeverinë duke thënë se nuk e ka mbështetje, andaj duhet ta dërgojnë në kuvend për  qeverinë e ardhshme, a është kjo paaftësia e tij për të qeverisur me vendin dhe koalicionin e tij?

Avdullah Hoti: Refuzimi i Kryeministrit Haradinaj për ta sjellë  në Kuvend Ligjin për Qeverinë në fakt tregon se çfarë koalicioni qeverisës kemi. Siç e dini ky koalicion përbëhet nga 22 parti e secila prej tyre ka qëndrime diametralisht të kundërta me tjetrën. Ky diversitet brenda koalicionit jo vetëm që tregon për brishtësinë e tij, por e bënë  të pamundur edhe qeverisjen me parime të shëndosha. Rrjedhimisht, Ligji për Qeverinë do t`i nxirrte në pah këto diversitete si dhe arsyen se pse u patën bashkuar në koalicion në mesnatë.

“Bota sot”:  A e bënë këtë vetëm për t’i zvarritur gjërat dhe të qëndrojë më tepër në pushtet?

Avdullah Hoti: Po sigurisht, sepse siç edhe përmenda më lartë, Ligji për Qeverinë do të pamundësonte përmbushjen e apetiteve të udhëheqësve të 22 partive sa ka koalicioni dhe rrjedhimisht ai do të prishej. Është koalicion i ndërtuar mbi interesa të ngushta të liderëve dhe jo për të mirën e vendit dhe jo bazuar në parime programore.

“Bota sot”:  Keni kritikuar programin qeverisës duke thënë se nuk ka vision dhe pasion për t’iu ndihmuar qytetarëve, në cilat pika “çalon” ky program sipas jush?

Avdullah Hoti: Po është e vërtetë, programi qeverisës nuk reflekton as vizion e as pasion për ta çuar vendin përpara. Po ta analizoni me vëmendje qysh në shikim të parë do të vëreni se ai nuk është program i ndërtuar mbi parime të shëndosha, janë disa faqe tekst plot me çështje teknike se çka do të bëjnë ministritë, e të cilat në shumicën e rasteve nuk janë relevante dhe nuk tregojnë ndonjë indikator të rëndësishëm. Pastaj po të shohim zhvillimin ekonomik, programi parasheh rritje ekonomike prej 5-7%, ndërkaq me parashikimin që ka sjellë Qeveria me Buxhetin e vitit 2018-2020 kjo nuk paraqitet as për së afërmi. Gjithashtu ngecje ka edhe në plotë sektorë të tjerë.

“Bota sot”:  Kuvendi i Kosovës që nga formimi i legjislaturës së re ka mbajtur pak seanca plenare dhe në ato të mbajtura kabineti qeveritar nuk ka qenë i plotë,  si e komentoni këtë “mos seriozitet” të tyre karshi punës?

Avdullah Hoti: Puna e Kuvendit edhe mos prezenca e kabinetit qeveritar në seanca tregon seriozitetin e këtij koalicioni qeverisës përball përmbushjes së obligimeve karshi vendit. Po marrë një shembull, gjatë këtij sesioni Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dërguar për parashtrim 31 pyetje parlamentare drejtuar Kryeministrit dhe ministrave për çështje të ndryshme dhe ka marrë përgjigje në vetëm 7 prej tyre. Kjo tregon sa ata janë përgjegjshëm dhe sa e kanë ndjenjën e përgjegjësisë para qytetarëve.

“Bota sot”:  Kryeministri Ramush Haradinaj, ka qenë kundërshtar i ashpër  ndaj versionit të demarkacionit, ndërsa tani në kuvend do të dërgohet ky version së bashku me të gjeturat e Shpejtim Bulliqit, a e ka kundërshtuar demarkacionin Haradinaj vetëm ta marrë postin?

Avdullah Hoti: Sigurisht, kundërshtimi i Marrëveshjes së Demarkacionit ishte vetëm një kauzë e rrejshme e Kryeministrit Haradinaj dhe kjo u dëshmua me votën e tij gjatë miratimit në qeveri si dhe sjelljen e po të njëjtës në Kuvend. Vetëm se në Kuvend Marrëveshjen e ka përcjell me një raport tejet jo profesional i cili nuk fakton asgjë të re dhe i cili bazohet në disa fakte jo relevante për demarkim të një vije kufitare

“Bota sot”:  Si do të votojë Lidhja Demokratike e Kosovës  këtë marrëveshje?

Avdullah Hoti : Çështja e Marrëveshjes së Demarkacionit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi tashmë është çështje e koalicionit qeverisës. Rrjedhimisht, nëse ata do të sigurojnë votat e tyre atëherë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të kontribuojë në këtë proces.

“Bota sot”:  E keni konsideruar palogjikë idenë për formimin e Byrosë së Hetimeve, përse ky qëndrim?

Avdullah Hoti: Ideja e formimit të Byrosë së Hetimeve nuk është asgjë tjetër më shumë se sa një ide pa logjikë dhe e pa menduar. Formimi i kësaj byroje do të përbënte ndërhynte në drejtësinë tonë edhe ashtu të brishtë.

“Bota sot”:  Vrasjet e pasluftës vazhdojnë të jenë të pazbuluara, çfarë do të duhej të bënte drejtësia për zbardhjen e tyre?

Avdullah Hoti: Shpesh Lidhja Demokratike e Kosovës është akuzuar se duke i kujtuar me respekt, po i përmend vrasjet e veprimtarëve të saj të shquar. Sigurisht që vrasjet do të përmenden deri sa ato të mos zbardhen, dhe për zbardhjen e tyre janë të obliguar të gjithë. Drejtësia duhet të bëjë punën e saj dhe të japë përgjigjen për këto vrasje. Deklarata ditë më parë e z.Nesim Haradinaj lidhur me këto vrasje përpos që ishte skandaloze tregon se nga duhet orientuar pista për zbardhjen e tyre.

“Bota sot”:  Peticioni për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Gjykatën Speciale është duke u nënshkruar ende, a do të funksionojë ky peticion dhe përse mendoni se një iniciativë e tillë nuk është marrë më herët?

Avdullah Hoti: Peticioni i nisur nga ana e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, ku po kërkohen nënshkrimet e qytetarëve të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është i destinuar që të dështojë. Kjo sepse janë vetë ata, së bashku me partitë e krahut të tyre, që e kanë pranuar këtë kusht ndërkombëtar dhe më pas e kanë sjellë në Kuvend dhe e kanë miratuar. Por, si duket zërat se në fillim të vitit të ardhshëm do të mund të ngritën aktakuzat e para i kanë frikësuar akterët e ndryshëm dhe kanë nxitur ndërmarrjen e këtyre hapave.

“Bota sot”:  Përkundër që është raportuar për fillimin e aktakuzave të para të Gjykatës Speciale gjatë vitit 2017 një gjë e tillë nuk është bërë, a ka mundësi “manipulimi” të dëshmitarëve në këtë gjykatë dhe sa do të arrijë ta kryej misionin e saj ajo?

Avdullah Hoti: Ka shumë paqartësi në këtë proces. Duhet të besojmë në drejtësi. Duhet të lirohemi nga barra e të kaluarës një herë e përgjithmonë, për hir të gjeneratave të ardhshme. Askush nuk duhet të frikësohet nga drejtësia. Ne besojmë në luftën e drejtët çlirimtare. Është provuar në aktgjykimet e Hagës. Çështja e dëshmitarëve i takon gjykatës.

“Bota sot”:  Kryeprokurori Aleksandër Lumezi në përgjimet e fundit “PRONTO 3” përmendet që të bëhet pjesë e PDK-së, sa është i pavarur tashmë kryeprokurori dhe drejtësia në Kosovë?

Avdullah  Hoti: Ditë më parë kemi parë një fushatë kundër institucionit të pavarur Kryeprokurorit të shtetit, e cila më shumë duket si një bashkërenditje për të dekurajuar punën e këtij institucioni shumë të rëndësishëm. Duhet vënë në vëmendje të të gjithë atyre që nxisin fushata të tilla në bazë të inateve e mos durimeve se të tilla gjëra nuk mbesin vetëm brenda shtetit tonë por reflektojnë edhe jashtë në imazhin ndërkombëtar të vendit.

“Bota sot”: Liberalizimi i vizave, formimi i Ushtrisë së Kosovës, janë çështje të cilat kryeministri ka deklaruar se do të përmbushen gjatë vitit 2018, a do të realizohen këto?

Avdullah Hoti: Me punën e Qeverisë që kemi parë deri më tani, liberalizimi i vizave dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës duken me vite larg. Kjo për shumë arsye. Ta zëmë tek liberalizimi i vizave, tani përpos kriterit të Demarkacionit në tavolinë është kthyer prapë edhe kriteri i luftimit të korrupsionit dhe kjo tregon qartë se çfarë pasqyre dhe cili është niveli i besueshmërisë që ka kjo qeveri në arenën ndërkombëtare. Ndërkaq, sa i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës lirisht mund të them se kjo çështje për këtë Qeveri të varur plotësisht nga votat e Listës Serbe është thjeshtë utopike.

“Bota sot”:  Si e shihni Kosovën në aspektin ekonomik gjatë kësaj qeverisje?

Avdullah Hoti: Ekonomia e vendit me këtë model qeverisës ka tendencë të kthehet me prapa. Kjo lehtë shihet nëse analizojmë Buxhetin për vitin 2018. Parashikimi afatmesëm në këtë buxhet edhe ashtu të keq strukturuar, nuk flet as për rritje ekonomike, as për mirëqenie të qytetarëve edhe as për përkushtim në zhvillim ekonomik. Aty shihet qartë se janë akomoduar mirë vetëm interesat e ngushta të partive në pushtet. Për veç kësaj edhe vendimet e fundit të qeverisë për ndarje të mjeteve pa asnjë kriter nga rezerva e shtetit apo edhe falja e afro 60 milion eurove taksa të qytetarëve pa asnjë mbulesë tregon se si ata e shohin paranë publike dhe si do të menaxhojnë me të.

“Bota sot”:  A do t’i mbajë LDK-ja zgjedhjet e brendshme në 2018 dhe në rast se po a do të kandidonit për kryetar të saj?

Avdullah Hoti: Lidhja demokratike e Kosovës njihet si një parti me traditë të gjatë institucionale. Themelet e saj janë të ngritura mbi parimin e demokracisë dhe respektimit të ndërsjellë brenda partiak dhe karshi partnerëve. Andaj, edhe zgjedhjet e brendshme të saj çdo herë kanë qenë në frymë të këtyre parimeve. Lidhja Demokratike e Kosovës zgjedhjet e saj do t`i mbajë në afatin e rregullt që është vitit 2019. Lidhja Demokratike e ka kryetarin, që e ka kthyer partinë në vendin e parë në skenën politike në Kosovë. 

“Bota sot”:  Me çfarë “sfida” e shihni Kosovën gjatë 2018?

Avdullah Hoti: Gjatë vitit 2018, Kosova domosdoshmërish do të shkojë në zgjedhje të jashtë zakonshme parlamentare, sepse duket qartë se kjo qeveri nuk ka as vizion dhe as aftësi për të udhëhequr me vendin dhe për ta integruar në BE. Kjo qeveri e krijuar vetëm për interesa të ngushta të liderëve të partive të koalicionit është sfida me e madhe me të cilën është përballur Kosova që nga pas lufta. Besoj shumë se, sikur në zgjedhjet lokale që u dëshmua se Lidhja Demokratike e Kosovës është e vetmja shpresë dhe rrugë për ta çuar Kosovën përpara, në ato zgjedhje do të marrim besimin e qytetarëve dhe do ta vazhdojmë punën e nisur në dhjetor të vitit 2014. 

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test