Akuzoi Thaçin e Veselin, Millaku nuk heq dorë nga deklarata e saj për vrasjen e Komandant Drinit - Bota Sot
Akuzoi Thaçin e Veselin, Millaku nuk heq dorë nga deklarata e saj për vrasjen e Komandant Drinit

Intervista

E enjte, 16 gusht 2018

Akuzoi Thaçin e Veselin, Millaku nuk heq dorë nga deklarata e saj për vrasjen e Komandant Drinit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 janar 2018 Në ora: 12:59
Drita Millaku, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, konsideron se shteti ka rënë në humnerën e SHIK-ut. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”,  Deputetja Millaku flet lidhur me tentativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ndërsa kërkon dorëheqjen e Presidentit të vendit Hashim Thaçi. Deputetja Millaku, thotë se qëndron prapa asaj që ka deklaruar më herët sa i përket zbardhjes së vrasjes së Komandant Drinit. Ajo thotë,  se me këtë vetëm ka hedhur dritë mbi shkresat e lëndës të rastit të Komandant Drinit në Gjykatë.

“Bota sot”: Znj. Millaku, çështja kryesore demarkacionit, a mendoni se do të arrijë të kalojë në Kuvend?

Drita Millaku: Kjo është çështje shumë delikate dhe nuk do të duhej të kalonte në Kuvend dhe shpresojë të mos kalojë fare.

“Bota sot”: Në agjendën e kuvendit ka një tentativë sërish të futet gjykata speciale. Sa mund ta dëmtojë kjo vendin marrë parasysh alarmin që kanë dhënë faktorë ndërkombëtar?

Drita Millaku: Qeveria e Kosovës me veprimet e deritashme e ka lënduar  imazhin e shtetit të Kosovës gjë që i ka sjellë dëm të madh çështjes sonë e sidomos në arenën ndërkombëtare. Por, ky veprim e lëndon në masë të madhe pozitën tonë edhe ashtu të brishtë të Kosovës në botën demokratike dhe i jep shkas vendeve jo mike të arsyetojnë qëndrimet e tyre negative për ne. Kjo tregon jo seriozitetin tonë dhe është hap i gabuar me mesazh edhe më të keq të mundshëm për shtetet që na kanë ndihmuar të arrijmë deri këtu. Unë nuk do të votojë ndryshimet për Gjykatën Speciale, sepse nuk jam e interesuar që prapë të vijë në Kosovë Rusia dhe shtetet afrikane. Por, krejt çfarë mund të them është që Hashim Thaçi duhet të jap dorëheqje. Po ashtu ne duhet të mësohemi që të japim llogari për gabimet që i bëjmë e sidomos ato gabime të qëllimshme.

“Bota sot”: Mendoni se mandati i kësaj legjislature do të shkojë deri në fund?

Drita Millaku: Kjo Qeveri do ti bëj dëme të mëdha vendit nëse do të qëndronte deri në fund të mandatit, andaj mendoj se kjo Qeveri do të bie dhe jam e sigurt se do të bie.

“Bota sot”: Cilat janë gabimet dhe rezultatet e kësaj Qeverie sipas jush?

Drita Millaku: Janë shumë duke filluar nga jo profesionalizmi, nepotizmi, guximi për të vepruar keq. Po ashtu edhe keqpërdorimi i parasë publike që unë mendojë se është emëruesi i përbashkët i të gjitha qeverive deri më sot. Dua ta parashtrojë edhe unë një pyetje sepse dua ta di se “ Se çfarë bëri mirë kjo qeveri deri më sot?

“Bota sot”: A duhet të ketë kushte të reja në rifillimin e dialogut të Brukselit?

Drita Millaku: Unë mendojë se dialogu duhet të pezullohet për një kohë të gjatë. Ne jemi hendikep në raportet me Serbinë dhe Bashkësinë ndërkombëtare për arsye se kemi kryetare , kryeministër dhe kryetar kuvendi të shantazhuar .Këta janë në gjendje që të lëshojnë pe pafundësisht vetëm që të shpëtojnë lëkurën e vet, koha na ka treguar se ne nuk kemi qeveritare të pavarur shtuar kësaj se janë edhe të padijshëm pra ne jemi në pozitë të keqe. Pa i zgjidhur problemet e qeverisjes ne nuk do të arrijmë të vazhdojmë dialogun në të kundërtën ne do te jemi ne disavantazh si deri me sot. Në kemi nevojë për njerëz profesional të përkushtuar të guximshëm dhe atdhetare në qeverisje dhe në dialog me Serbinë, vetëm pasi ta arrijmë këtë ne mund të dialogojmë me Serbinë dhe vetëm atëherë do të zgjidhet lëmshi që është krijuar nga kjo kastë qeverisëse. E fundi, ku janë të zhdukurit ku janë pensionet e baballarëve tanë, ku është pasuria e Kosovës në ish Jugosllavi e shumë çështje të tjera që janë shume të rëndësishme. Dhe e fundit çka fitoi Kosova nga dialogu?

“Bota sot”: Sa janë reale mundësit e rrëzimit të kësaj qeverie bashkë me LDK-ë kur në këtë të fundit vërehet një ndarje e brendshme?

Drita Millaku: Deputetët e VV-së janë unik në qëndrime dhe janë parimore në veprime nuk është vërejtur deri tani asnjë divergjencë në raport me bazat e parimeve të VV-së andaj mendoj se kjo është situatë kalimtare.

“Bota sot”: Kohët e fundit keni qenë zë kritik në kuvend për rastet e vrasjeve të pasluftës në Prizren.  Mendoni se këto raste do zbardhen ndonjëherë dhe si subjekt çfarë keni ndërmarrë për të veçuar këtë çështje përpara?

Drita Millaku: Unë personalisht nuk shpresoj se drejtësia në Kosovë do të mund ti zbardhë. Kjo vërehet në çdo hap dhe në çdo sferë të jetës. Andaj, vetëm ndryshimet pozitive dhe reforma e thellë në organet e rendit dhe në Prokurori do të mund të avanconin këto raste në zbulim dhe gjykim të drejtë.

“Bota sot”: Deklarata juaj për vrasjen e Komandant Drinit shkaktoi reagime të shumta, a qëndroni prapa asaj që keni thënë?

Drita Millaku: Unë kam pasqyruar dhe kam hedhur dritë mbi shkresat e lëndës të rastit të Komandant Drinit në Gjykatë. Unë nuk kam zbuluar diçka të re por kam apostrofua shkresa nga ky gjyq. Po mbetem fuqishëm prapa asaj që kam thënë. Dhe jo vetëm rasti i Drinit por të gjitha rastet e vrasjeve të pas luftës duhet të zbulohen, nuk vritet njeriu pse mendon ndryshe ose pse është më i aftë se tjetrit.

“Bota sot”: Pse sipas jush bëhet gjithë kjo zhurmë lidhur me vrasjet, ndërkohë autorët nuk zbulohen?

Drita Millaku: Shteti ynë i ri ka rënë thellë në humnerën e SHIK-ut dhe ne na duhet kohë për ta zhbërë rrjetin e merimangës që SHIK-u ka thurur me vite të tëra. Po ashtu na duhet kohë për të dekompozuar ketë. Ne nuk jemi të vetëdijshëm sa thellë është strukturuar SHIK-u në të gjitha organet andaj nuk besoj se është e lehtë zhbërja. Dhe krejt kjo determinon edhe situatën me vrasjet politike dhe me mos zbulimin e tyre.

“Bota sot”: Së fundi kemi parë dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur të Prokurorisë, lidhur me vrasjet politike, cilat janë përshtypjet që ju la kjo intervistë?

Drita Millaku: Ky është një tmerr i vërtetë, dhe kjo vetëm na përkujton në një storie të vetme gjithë ato krime dhe na freskon kujtesën tonë për gjëra që populli i ka ditur dhe i din dhe mendojë se kjo është e gjitha.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga Gjykata Speciale?

Drita Millaku: Jam shume skeptike duke marrë parasysh praktikat e deridjeshme. Dhe kam shumë dyshime në këtë Gjykatë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test