Profesori amerikan: Vrasja e Ivanoviqit hap “mundësi për marrëveshje” midis Kosovës e Serbisë - Bota Sot
Profesori amerikan: Vrasja e Ivanoviqit hap “mundësi për marrëveshje” midis Kosovës e Serbisë

Intervista

E enjte, 20 shtator 2018

Profesori amerikan: Vrasja e Ivanoviqit hap “mundësi për marrëveshje” midis Kosovës e Serbisë

Më: 24 janar 2018 Në ora: 09:34
Edward Joseph

Pas vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, Beogradi duhet ta kuptojë se duhet të heqë dorë nga veriu i Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Edward Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington. Joseph thekson rëndësinë e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që palët të arrijnë marrëveshje. Ai po ashtu thotë se shqiptarët që kanë kryer krime kundër serbëve, duhet të përgjigjen për to në Gjykatën e Posaçme.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Joseph, vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, nga shumëkush shihet si mundësi për tensione të mëtejshme në Kosovë. Në një shkrim tuajin, të publikuar së voni, ju keni thënë ndryshe: "Një vrasje mund të jetë pikërisht ajo për të cilën Kosova ka nevojë". Pse?

Edward Joseph: Më lejoni ta bëj të qartë, për vrasje nuk ka nevojë kurrë, vrasja është tragjedi, por nëse të gjitha palët bëjnë një hap prapa dhe ekzaminojnë se si dhe pse është vrarë Oliver Ivanoviq, del se arsye janë gjërat për të cilat është brengosur Ivanoviq: krimi dhe mungesa e ligjit në veri të Kosovës. Jo që nuk ka krim edhe në jug, por në veri nuk ka autoritet të duhur. Nuk ka autoritet as Qeveria në Prishtinë, nuk ka autoritet as Qeveria në Beograd. Ivanoviq ka paralajmëruar për këtë, ai ka folur për shitje të hapur të drogës, për kriminelët përreth, për mungesën e autoritetit të policisë, për bashkëpunimin e mundshëm të policisë me kriminelë apo për infiltrimin e kriminelëve në polici. Ai ka folur për të gjitha këto gjëra në një intervistë për “Vreme” (v.j. gazetë serbe) shtatorin e kaluar. Ai është vrarë dhe tani është mundësia për Beogradin që të shohë se kjo më nuk është e zbatueshme; të bëjë përpjekje dhe të arrijë marrëveshje me Prishtinën. E them edhe në artikullin tim se kjo është vërtet e mundur nëse Shtetet e Bashkuara janë të përfshira.

Keni thënë se akuzat se Rusia mund të ketë orkestruar vrasjen e Ivanoviqit janë të besueshme. Pse mendoni kështu?

Edward Joseph: Kam cituar akuzat që i ka bërë lideri i një partie opozitare në Serbi, Nenad Çanak. E dimë se Rusia ka bërë përpjekje të organizojë grushtshtet në Mal të Zi. Ajo ka dashur të destabilizojë rajonin dhe kjo është mënyra e duhur për ta bërë – duke nxjerrë jashtë njeriun, i cili ka qenë i njohur për dialogun me shqiptarët. Ivanoviq ka folur rrjedhshëm shqip dhe ka qenë besnik ndaj kauzës serbe. Ai ka besuar në dialog. Ne nuk kemi prova se Rusia ka qenë e përfshirë në vrasje, por e dimë se ajo është e interesuar në destabilizimin e rajonit. Dhe, akuzat e liderit opozitar serb duhet të merren në konsiderim.

Kosova shënon së shpejti 10-vjetorin e pavarësisë së saj, duke u përballur me shumë sfida – një nga to është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Shumë kanë hedhur dyshime mbi këtë dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. A besoni ju në të?

Edward Joseph: Mendoj se dialogu është i dobishëm për çështje të nivelit më të ulët, për çështje teknike, por jo për zgjidhjen e çështjeve serioze, praktike, politike midis Kosovës dhe Serbisë. Bëjmë shaka me veten kur mendojmë se dialogu po ndodh dhe nuk duhet të brengosemi për marrëdhëniet midis Pristinës dhe Beogradit. Kjo nuk është mirë. Çështja e veriut nuk mund të zgjidhet me këtë dialog. Është një çështje strategjike për Kosovën dhe mund të zgjidhet vetëm në kontekst të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë. Për këtë duhet përfshirja aktive e Shteteve të Bashkuara. SHBA nuk mund t’ia nënkontraktojë problemin e Kosovës Bashkimit Evropian dhe të presë nga BE-ja të dalë me zgjidhje për veriun.

Edhe Beogradi, edhe Prishtina kanë iluzione

Kur flasim për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara, udhëheqja e Kosovës së voni ka bërë përpjekje - citoj këtu ambasadorin amerikan në Prishtinë, Greg Delawie - “t’i fusë thikë pas shpine SHBA-së” në lidhje me Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte. Si e komentoni ju këtë zhvillim?

Edward Joseph: E kam përmendur këtë edhe në artikullin tim, që nuk e drejton gishtin vetëm kah Beogradi, por edhe kah Prishtina. Them se Beogradi është fajtor sepse vazhdon të ketë iluzione se mund të ndajë Kosovën dhe të marrë komunat veriore. Beogradi i ka këto iluzione, por edhe Prishtina ka. Një nga iluzionet e Prishtinës është se mund t’i ikë përgjegjësisë për krimet që shqiptarët i kanë kryer kundër serbëve. Shqiptarët po ashtu kanë kryer krime kundër serbëve, jo në të njëjtën mënyrë, jo në të njëjtën shkallë, jo në të njëjtën periudhë, por, megjithatë, ato janë krime. Dhe, ata që i kanë kryer, duhet të përgjigjen për to. Dhomat e Specializuara janë ngritur dhe është absolutisht e domosdoshme që të gjitha autoritetet dhe të gjitha partitë politike në Prishtinë të bashkëpunojnë.

E kemi përmendur Rusinë në fillim të bisedës dhe më lejoni të kthehem prapë. Senatori demokrat i Shteteve të Bashuara, Ben Cardin, ka thënë së voni në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se SHBA e ka lënë Ballkanin në duar të Rusisë. A pajtoheni?

Edward Joseph: Mendoj se Shtetet e Bashkuara i kanë lënë shumë në duar Bashkimit Evropian dhe Bashkimi Evropian nuk është në pozitë të ngrihet ndaj ndikimit rus në rajon. Ka pasur disa përpjekje të mira nga diplomatët amerikanë, si Hoyt Brian Yee, i cili ka qenë shumë energjik në Maqedoni, ku ka ndërmjetësuar zgjidhjen e ngërçit politik. Por, medoj se senatori Cardin ka të drejtë në parim. Shtetet e Bashkuara, duke mos qenë të pranishme dhe duke mos qenë mjaftueshëm aktive në Ballkan, duke i lënë shumë në duar Bashkimit Evropian, i kanë krijuar hapësirë Rusisë./rel

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test