Akademia Ushtarake Daneze me plan për formimin e ushtrisë së Kosovës, por mungon vullneti i Qeverisë - Bota Sot
Akademia Ushtarake Daneze me plan për formimin e ushtrisë së Kosovës, por mungon vullneti i Qeverisë

Intervista

E premte, 17 gusht 2018

Akademia Ushtarake Daneze me plan për formimin e ushtrisë së Kosovës, por mungon vullneti i Qeverisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 janar 2018 Në ora: 14:54
FSK

Drejtori i përgjithshëm i akademisë ushtarake daneze “East Bridge Academy” John Skovbo, ka treguar planin e kësaj Akademie, për shndërrimin e FSK-së në FAK për një periudhë 4 vjeçare.

Skovbo, në një intervistë për “Bota sot”, ka treguar se Akademia e tyre ka realizuar takime të ndryshme me ministra, oficerë e oponentë të ndryshëm rreth shndërrimit të FSK-së, mirëpo gatishmëria politike mungon.

Sipas Skovbo, çështja e formimit të Ushtrisë nuk duhet të diskutohet në bisedimet me Serbinë në Bruksel, pasi janë çështjet tjera për të cilat duhen diskutuar.

Skovko, në intervistë ka folur edhe për mënyrën se si mund të mbrohet Kosova në rast të ndonjë konflikti të mundshëm, gjersa ka shtuar se NATO duhet të mbajë rol neutral në këtë rreth.

“Bota sot”: Z. Skovko keni  bërë planin për transformimin e FSK-së në FAK si proces 4 vjeçar, e jo 10 vjeçar, a mund të na tregoni më tepër rreth Akademisë tuaj dhe këtij plani për shndërrimin e FSK-së?

John Skovko:  Akademia jonë është themeluar në 1985 në Danimarkë, është një akademi që në veti ngërthen shumë oficerë ushtarakë nga NATO. Ka marrë pjesë  në tranformimin e vendeve të Baltikut drejt standardeve të NATO-s dhe falë neve dhe oficerëve të NATO-së, vendet e Baltikut janë pjesë e NATO-s. Ne e kemi parë si të domosdoshme dhe të arsyeshme që të vijmë edhe në Kosovë dhe t’ia asistojmë Kosovës, por edhe vendeve të Ballkanit  Aktualisht është plani 10 vjeçar strategjik, por ne kemi paraparë një proces të tranzicionit 4 vjeçar nëpër të cilin FSK-ja do të shndërrohet në FAK.

Ne kemi pasur një punëtori me oficerë të lartë të FSK-së, por edhe me nën oficerë të ndryshëm dhe  nga kjo kemi bërë një analizë për çfarë procesi  edukues dhe çfarë trajnime kanë nevojë pjesëtarët e FSK-së për transformim në FAK.

Moduli i edukimit duhet të jetë nga lart tek poshtë pavarësisht që oficerët kanë njohuri,  pasi e dimë që kur fillohen gjëra të reja duhet të filloni nga lart tek poshtë. Edhe në aspektin psikologjik është e qartë që oficerët kanë nevojë për edukim dhe kjo në mënyrë pozitive do të bartet tek bartësit e tyre.  Nga plani që ne e kemi bërë, pasi keni një brigadë në këtë vend të ndarë në tri batalione. Plani i edukimit që ne kemi hartuar është se ky plan të jetë funksional dhe që brigada e reagimit të shpejtë të mos e ndalë punën, por karshi procesit të edukimit të jetë edhe aktive në punë, siç ka qenë në rastin e kaluar asistencë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë në vërshime që kanë ndodhur, dhe kjo është plani ynë për katër vite që çdo oficer do të vjen në trajnime, por njëkohësisht të tjerët do të vazhdojnë punën rutinore. Për shembull, nëse marrim një  komandant kompanie dhe trajnimin  e tij, pas tre muajve do të jetë komandati i dytë i kompanisë, domethënë do të ketë një hapësirë bukur e gjatë në mes trajnimit të parë dhe trajnimit të dytë si çështja e organizmit të brendshëm. Kjo është si arsye se në qoftë se njëri nga komandantët do të sëmuret, atëherë do të jetë gjithmonë një i dytë, apo i tretë që do ta zëvendësojë atë. Ne kemi bërë planin përgatitor për 2018, 2019, 2020 dhe 2021 për FSK-në.

“Bota sot”: Sa do ta ketë përkrahjen e Qeverisë programi juaj, duke pasur parasysh që vazhdimisht dëgjohen deklarata të krerëve të shtetit se Ushtria do të formohet më së largu deri në pranverë?

John Skovko: Ne e kemi takuar zotërinë Haradinaj para se të bëhej Kryeministër dhe nga pikëpamja që ka potencuar para se të bëhej Kryeministër ka qenë shumë pozitiv që ta bëjë FSK-në Ushtrinë, mirëpo pastaj asnjë email, asnjë thirrje nuk ka pasur. Mirëpo, një gjë duhet kuptuar, ju keni një kushtetutë që i mbron të gjitha minoritetet në vend dhe nëse tani bëjmë një analizë, jemi duke biseduar për krijimin e një Ushtrie jo vetëm me fjalë. Nëse doni vetëm fjalë, mund ta merrni një parashkollor duke i thënë kjo është Ushtria, por në të vërtetë nuk është Ushtri, është vetëm një fjalë. Andaj, për ta shndërruar këtë fjalë në Ushtri, nevojiten trajnimet dhe edukimi.

Akademia jonë ka bërë analizë kushtetuese dhe nuk është konfrontim, apo  në shkelje kushtetuese procesi i edukimit.  Nëse bazohem që në pranverë do të ndodhte Ushtria, pra deri në mars, atëherë do të bëhet Ushtria, ju keni fonde për atë gjë, por tani do të dalë problem i njëjtë si në vendet e Baltikut se tani duhet blerë armatime të ndryshme. Procesi i transformimit i të qenurit Ushtri, përpos armatimit duhet edhe edukim se si duhet të përdoren në mënyrë të duhur. Ju është dashur të filloni dje me trajnime dhe kështu në muajin prill të keni qëndrimin kushtetues të FSK-së në FAK dhe deri në atë kohë ju kishit filluar me trajnime të para ushtarake. Nëse bëjmë një krahasim, qytetarët kanë shumë respekt tek FSK-ja, por nëse do të ndodhte transformimi  në FAK, atëherë besimi i qytetarëve do të rritej.

Nuk dua të jem shumë politik, shumë anëtarë të Komisioneve për shikim, por edhe ministrat kanë thënë publikisht se do të bëjnë program për transformim, ne jemi këtu qe 24 muaj dhe jemi gjendje që programin tonë ta implementojmë dhe më tutje të transformohet FSK-ja.  Nëse ne do të merremi me transformimin e FSK-së në FAK në aspekt të edukimit, ne garantojmë se me edukimin tonë do të jetë forca më profesionale dhe më e edukuar në rajon.

“Bota sot”: E potencuat që jeni këtu për 24 muaj, përse nuk e keni prezantuar këtë program më herët, a ka pasur gatitshmëri të shtetit për këtë çështje?

John Skovko:  Ne pasur takime të shumta me qeveritë të kaluara, me oponentë  të caktuar, qoftë me oficerë, qoftë edhe ministra, në momente të caktuara është ai hezitimi politik për ta shndërruar  FSK-në në Ushtri, për ta bërë një hap konkret për shndërrim. Kjo më së miri e dëshmon edhe ardhja jonë disa herë këtu për takime të ndryshme dhe në parim çdokush është i interesuar për këtë transformim, por gatitshmëria politike mungon.  Siç e dini edhe ju sekretari i NATO-s ka dhënë vendim  se NATO nuk e mbështetë transformimin  dhe kjo na ka shtyrë neve të vijmë këtu që të transformohet me oficerë tonë që vijnë nga vendet e NATO-s.

“Bota sot”: Çfarë mendoni për kushtetutën e Kosovës, a i ka favorizuar ajo me Pakon e Ahtissarit shumë minoritetet, duke pasur parasysh që 2/3 e votave vijnë nga minoritetet?

John Skovko: Fillimisht urime për 10 vjetorin e pavarësisë dhe ju duhet të jeni krenarë me këtë, jeni një shtet i ri dhe nëse riktheheni në kohën e luftës për shtetësi, kjo kushtetutë në atë kohë ishte e vetmja mundësi për të arritur deri në këtë çast, për në atë kohë ka qenë gjëja më e mundshme që mund të bëhej. Çdo kushtetutë pas kalimit të një kohe të caktuar duhet të rishikohet dhe t’i përshtatet kohës. Kushtetuta daneze, çdo 4 apo 5 vite ndryshon ndonjë paragraf, por mos harroni se kushtetuta e shtetit tonë është afër 200 vjet e vjetër. Kushtetuta e cila mbron minoritetet që jetojnë në këtë vend, është kushtetutë shumë e mirë dhe sa i përket anëtarëve që janë në Parlament, a do të jenë katër, dhjetë apo sa duhet të diskutohet, ndërsa në aspekt të përgjithshëm kushtetuta është e duhur për kohën e duhur.

“Bota sot”: A mund NATO t’i bind serbët ta votojnë Ushtrinë e Kosovës?

John Skovko: Jo, sepse NATO nuk është organizatë politike dhe ashtu siç ka thënë sekretari i NATO-s se pa ndryshime kushtetuese nuk do të ketë Ushtri. Ashtu si Kryeministri Haradinaj edhe Presidenti Thaçi të dy liderë dëshirojnë që FSK-ja të transformohet dhe ky është hap i duhur, por duhet kurajo dhe vendim politik për ta bërë hapin dhe me këtë edhe NATO të ndryshojë qëndrimin e saj, karshi kësaj.

“Bota sot”: A duhet që çështja e Ushtrisë, të diskutohet në bisedimet në Bruksel?

John Skovko:  Procesi i bisedimeve është hap i mirë se Kosova do të mbetet gjithmonë shtet, nuk do të rikthehet si pjesë e Serbisë. Është mirë që në bisedimet me Serbinë të diskutohet për çështjet e vogla dhe pastaj vijnë çështjet jetike, sepse siç jemi të njoftuar janë disa çështje të vogla që kanë peshë, si për shembull për të vrarët, apo të vdekurit  që Serbia nuk bënë pagesë për ta duke thënë që Kosova është ende pjesë e imja, minoriteti duhet ta pranojë Kosovën si shtet dhe pastaj të vazhdojnë bisedimet për çështje jetike. FSK-ja nuk duhet të jetë çështje diskutimi në Bruksel se është çështje jetike e Kosovës, ju jeni një shtet i pranuar nga më shumë se 100 vendet e botës dhe shteti juaj është i pavarur. Qëllimi i shtetit të Serbisë është që FSK-në ta shndërrojë si një vëlla të vogël, problem të vogël për interesa të veta, ndërsa lidershipi i Kosovës ka shprehur vendosmëri që në mënyrë strikte ta transformojë.

“Bota sot”: Rrethanat politike apo edhe ndikimi rus, si do ta sigurojë veten Kosova pa Ushtri?

John Skovko:  Nëse bëjmë një analizë të ndikimit rus në Ballkan, atëherë kemi parë edhe në zgjedhjet e kaluara në Mal të Zi ka tentuar të krijojë influencë  përmes financimit  të partive politike, por nuk ka arritur, ka tentuar të krijojë mos stabilitet në Mal të Zi, tash shpresa i ka mbetur vetëm Serbia që përmes trajnimit, edukimit të strukturave të sigurisë atje të krijojë influencë drejtpërdrejt në Kosovë në mënyrë indirekte.  Atëherë do të jetë e ngjashme edhe në Kosovë si me Krimen që ka ndodhur që zyrtarisht shteti i Rusisë nuk ka konflikt atje, nuk ka as ushtarë, tenton që përmes manipulimit të informacionit, përmes lajmeve të rrejshme të parapërgatit shoqërinë apo opinionin për ndonjë lëvizje të mundshme. Nëse mendoni në raport me ndonjë me ndonjë sulm direkt atëherë do të ndezje kutia e Pandorës dhe të fillonte lufta në krejt Ballkanin dhe mendoj që kjo nuk do të ndodh, por duhet të përgatiteni për më të keqen. Niveli i edukimit të FSK-së është i kënaqshëm, por është mirë që përmes edukimit të vazhdojë ta ngritë nivelin e saj, që në rast të ndonjë misioni të krijojë besimin e vendeve tjera në rajon që janë në gjendje të përfundojnë një operacion të tillë.

“Bota sot”: A mund ta sigurojë NATO, Kosovën për ndonjë konflikt të mundshëm?

John Skovko:  Nuk mendoj që Rusia nuk do të hyjë në mënyrë direkte, por nëse do të ekzistonte një konflikt të mes të shqiptarëve dhe serbëve, Rusia mund të ndikojë në mënyrë idirekte. NATO do të luajë një rol neutral në Kosovë, do të përpiqet që në rast të ndonjë invazioni të mundshëm, apo konflikti t’i ulë gjakrat sepse Evropa nuk është në gjendje t’i përballojë ndonjë luks tjetër të refugjatëve  siç ka qenë tani me Sirinë dhe mendoj që do të luajë një rol neutralizues të ndonjë konflikti të mundshëm. Por, ju keni detyrat e juaja, duhet të jeni zotë në shtëpitë e juaja, detyrat e juaja janë sikurse ndonjë hajn që tenton të vijë në shtëpinë tuaj të vjedh ndonjë gjë atëherë i zoti i shtëpisë duhet ta mbrojë, është e njëjta gjë edhe me Republikën e Kosovës,  ju duhet ta mbroni atë që në rast të ndonjë invazioni të mundshëm FSK-ja të jetë e përgatitur dhe të aftë ta mbrojnë territorin e Kosovës.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test