Flet aktorja e njohur: Nuk mundem pa teatër, unë jetoj me të - Bota Sot
Flet aktorja e njohur: Nuk mundem pa teatër, unë jetoj me të

Intervista

E martë, 20 shkurt 2018

Flet aktorja e njohur: Nuk mundem pa teatër, unë jetoj me të

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 2 shkurt 2018 Në ora: 11:11
Sheqerie Buqaj

Sheqerie Buqaj, aktorja rezidente e Teatrit Kombëtar është padyshim një nga emrat më të vlerësuar në Kosovë. Ajo thotë se në Kosovë ka shumë aktorë të rinj që janë të talentuar, por, sipas saj, fatkeqësisht mundësit për t’ju dhënë rastin të gjithëve janë shumë të vogla.

Buqaj, në një intervistë të gjatë për gazetën “Bota sot”, tregon për personazhet më të dashura të saj dhe për ndjesinë e aktrimit në teatër.

Aktorja thotë se filmi “Shok” ishte promovim i mirë për Kosovën, megjithatë sipas Buqajt, prezantimi më i mirë ndërkombëtarë do të ndodh vetëm atëherë kur filmi do të jetë me autorësi nga Kosova.

Sheqerie Buqaj, që deri tash ka realizuar mbi 46 role kryesore dhe dytësore në teatër dhe në film, tregon se janë në pritje të miratimit të kërkesës nga Qeveria e Kosovës për ngritjen e pagave.

Por, cili është suksesi më i madh i saj, a e ka arritur atë që ke ëndërruar, sa gjen sot teatri mbështetje nga institucionet shtetërore, cilët janë projektet që e presin në vitin 2018, ajo i zbulon në këtë intervistë ku rrëfen edhe për jetën e saj.

“Bota sot”: Si e përshkruan Sheqerie Buqaj vitin 2017?

Sheqerie Buqaj: Viti 2017 padyshim që për mua ishte një vit shumë intensiv, me shumë punë, shpeshherë me mbingarkesa, por, vit i mbarë edhe në anën profesionale edhe në përgjithësi.

“Bota sot”: Cilët personazhe kanë qenë me të dashura për ju, për të luajtur? Cili ka qenë personazhi i parë?

Sheqerie Buqaj: Rolet më të dashura për mua kanë qenë ato të cilat i punojë me pasion dhe i dua, e jo vetëm pse duhet patjetër të punoj. Është vështirë t’i ndaj rolet, sepse secili rol ka jetën e vet dhe secili personazh është i veçantë, më të cilin më lidh diçka, por megjithatë duhet të përmend disa prej tyre si Fedra, Regana, Elektra, Nora, Vizionari, Hajrija dhe Andrea. Roli im i parë më të cilin kam filluar si fëmijë në skenë ka qenë një vajzë e vogël në shfaqjen "Gjaku", ku publiku qante së bashke me mua. Ndërsa, roli im i parë si profesioniste në Teatrin Kombëtar ka qenë Kllouni dhe Njeriu flokëkuq, në shfaqjen "Shfaqja e fundit" nga Fadil Hysaj.

“Bota sot”: Cili ishte profesioni i ëndërruar para se të bëhesh aktore?

Sheqerie Buqaj: Ky ka qenë profesioni im qysh nga fëmijëria. E doja, për këtë arsye edhe kam vendosur të bëhem aktore. Ky profesion më ka përmbush më të gjitha, sepse ngërthen në vete edhe të gjitha artet tjera të cilat i kam dashur.

“Bota sot”: Vështirësitë më të mëdha gjatë karrierës?

Sheqerie Buqaj: Po gjithmonë kur punon edhe ke vështirësi, e sidomos në Kosovë ku edhe gjërat më të thjeshta komplikohen. Por, për mua vështirësi nuk ka në punën që e dua. Kjo është punë grupore dhe varesh prej të tjerëve, dhe vështirësitë e tjerëve interferojnë edhe në punët dhe rezultatet e tua. Sa më përket mua, unë kam kënaqësi në procesin e punës dhe nuk lodhem lehtë.

“Bota sot”: Çfarë mendoni sot për aktorët e rinj?

Sheqerie Buqaj: Mendoj që ka shumë aktorë të mirë, shumë të talentuar, por, fatkeqësisht, thjesht mundësit në Kosovë për t’ju dhënë rastin të gjithëve janë shumë të vogla dhe një pjesë e madhe e tyre mbarojnë fakultetin dhe nuk kanë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre dhe detyrohen të merren edhe me ndonjë punë krejt tjetër.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi i juaj për filmin “Shok”, a ishte promovimi më i mirë i Kosovës në arenën ndërkombëtarë?

Sheqerie Buqaj: Një film shumë i mirë, promovim shumë i mirë për Kosovën, por megjithatë filmi ishte me autor, regjisor dhe skenarist të shtetit anglez dhe vetëm storja ishte e jona. Mendoj se prezantimi më i mirë ndërkombëtarë do të ndodh vetëm atëherë kur filmi do të jetë me autorësi nga Kosova.

“Bota sot”: Cila është gjendja e përgjithshme e teatrit në Kosovë, sa punohet dhe sa ka interes për të?

Sheqerie Buqaj: E mirë mund ta quaj. Gjithmonë ende gjërat janë në proces për tu bërë edhe më mirë. Unë teatrin gjithmonë e kam pasur dhe e kam më shumë se punë, e kam pasion, por zhgënjehem shpeshherë me trajtimin e artistëve që ju bëhet, e që janë shumë të mirë, por nuk janë pjesë e klaneve. Mirëpo, besoj se kjo është e përkohshme, sepse teatrin e mirë e bëjnë artistët e mirë.

“Bota sot”: Sa gjen teatri mbështetje nga institucionet shtetërore?

Sheqerie Buqaj: Teatri Kombëtar ku unë jam aktore rezidente ka buxhetin shtetëror, pra financohet nga Ministria e Kulturës. Është i paraparë buxheti vjetor për disa premiera dhe për pagat e njerëzve që punojnë aty. Ne aktorët jemi në pritje të miratimit të kërkesës tonë nga Qeveria e Kosovës për ngritjen e pagave, besoj se kjo do të ndodh në muajin mars.

“Bota sot”: Suksesi më i madh gjatë karrierës? A mendon se keni arritur atë që ke dashur?

Sheqerie Buqaj: Suksese kam pasur gjithmonë, sepse kam marrë çmime kombëtarë dhe ndërkombëtare, por gjithmonë çdo rol e trajtoi si fillim të ri. Thjesht unë nuk mundem pa teatër, jetoj më të, është puna që unë di ta bëjë dhe dua ta bëjë dhe vetëm kjo më përmbush.

“Bota sot”: Na përshkruani me pak fjalë, ndjesinë të aktrosh në teatër?

Sheqerie Buqaj: Ndjesia se në teatër ke mundësi të shndërrohesh në dikë tjetër dhe pas përfundimit të shfaqjes të kthehesh sërish në vetën tënde. Është ndjesi që ta ofron vetëm teatri dhe asnjë artë tjetër. Duke u shndërruar në personazh dhe me kohë në shumë personazhe, aktorit i mundësohet të ndjej dhe të njoh në mënyrë shumë përfshirëse natyrën njerëzore.

“Bota sot”: Në çka frymëzoheni?

Sheqerie Buqaj: Unë frymëzohem nga muzika shumë e mirë nga filmat që shikoj, e të cilët më japin frymëzim dhe me motivojnë që të punoj edhe më shumë.

“Bota sot”: Çka prisni nga viti 2018? Çfarë planesh keni për këtë vit?

Sheqerie Buqaj: Do të kem dy role, në dy filma të metrazhit të gjatë. Një në Maqedoni dhe një këtu në Kosovë. Do të vazhdoj të menaxhoj Etno Village në Kukaj me Etno Festin, dhe po ashtu aktivitete të tjera. Puna ime në teatër gjithashtu vazhdon si zakonisht me ndonjë rol gjatë vitit, e kështu pra, do të jetë edhe një tjetër vit i ngarkuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test